E shtune, 27.04.2024, 02:17 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Burhanedin Xhemaili: Kthimi te rrënjët e trungut kombëtar

E enjte, 29.09.2011, 02:59 PM


 

Kthimi te rrënjët e trungut kombëtar

(midis imagjinatës dhe realitetit)

 

Nga Burhanedin Xhemaili

 

Duke shikuar një lajm televiziv, interesant dhe nxitës, një forcë magjike më ngriti me hov dhe më çoi te vitrina e librave... Në atë çast, më mbërthyen djersë të ftohta, duke e kërkuar librin me poezi “Reka, vendi im” të Josif Bagerit që e kisha lexuar më herët me përkushtim të madh..!! Dikur e gjeta librin me poezi, por nuk më hiqej nga mendja pyetja e kahershme që ia bëja vetes:” Ku u tretën bashkëvendasit e tij... Si nuk mbeti asnjë shqiptar nga Reka...?!” Kjo pyetje nxirrte përgjigje të shumta, reale dhe të drejta, duke u bazuar në veprimtarinë e tij letrare, arsimore dhe patriotike... Madje për këtë gjë poeti kombëtar në vargjet e tij me elemente shqetësuese kishte dhënë porosi të qarta: “Eni gjith tash, o fëmi!/ Në msimtore t’shkojm me mijë,/ Se gjuhën e vet do t’msojm/ Jo të tjera, që s’kuptojm...”

Do të thotë se me gjithë këtë porosi fisnike që të mësojnë në gjuhë amtare, poeti e ka ndjerë rrezikun nga forcat shtypëse të asaj kohe që kanë pasur qëllim kryesor për shqiptarët që mos të flasin dhe mësojnë në gjuhën shqipe... Por, megjithatë, vargjet e poetit të shkruara në gjuhën shqipe kanë ngelur, dhe sot kemi një gjendje krejt tjetër, më fatlume falë arsimimit, dijes dhe guximit... Dhe sot figura e tij do të nderohet me ngritjen e bustit në sheshin e Shkupit, dhe me shoqatën që mbanë emrin e tij, pa e lënë anash Simpoziumin shkencor që iu kushtua Josif Bagerit nga Universiteti Shtetëror i Tetovës më 25 Qershor. Dhe me këtë rast doli si shkreptimë drite në opinion bashkëvendasi i Josif Bagerit, Branko Manojlovski duke folur shqip, atë shqipe të trashëguar brez pas brezi, që aq bukur e fliste saqë krijoi befasi të këndshme për mbarë shqiptarët në Maqedoni dhe më gjerë, kur tha: Gjatë 9 viteve të fundit, sidomos qe kur jam pensionuar në SHBA, vi në Vendlindje për t’u çmall, meqë pothuajse dy dekada nuk kisha mundësi të vija. Që kur kam filluar të vi në Vendlindje, i frymëzuar dhe i inkurajuar edhe nga demokracia amerikane, jam prezantuar siç ndihem dhe siç jam – shqiptar, meqë prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit dhe paraardhësit tjerë i kisha shqiptarë.”

Kur e dëgjova të fliste shqip, thashë me vete: porosia e dijetarit dhe atdhetarit Josif Bageri, që ne e përkujtojmë me respekt të madh, tani po fillon të ndjehet edhe nga bashkëvendasit e vet... Madje, edhe më tepër më zgjoi kureshtjen kjo temë në Mbrëmjet Strugane të Poezisë, kur poetja e talentuar dhe drejtoresha e Shoqatës ”Josif Bageri”, Delvina Kërluku, na fliste me admirim për Xha Brankon shqiptar... Gjithashtu, këtë ndjenjë e shtoi edhe biseda jonë në gjuhën shqipe me fituesin e sivjetshëm të Kurorës së Artë, kur ia uruam shpërblimin meritor...  Pastaj me nxitim thashë, po pse kaq vite pritje..?! Përgjigjja më vinte si shkreptimë zjarri... Eh... Mendja më rrinte pezull te rrënjët e trungut tim, te kroni i ujit të bekuar dhe te Reka e gjakut tim, që do të zgjohet në agun e ditës së madhe, kur do të flasin malet e larta dhe gurgullima e lumit Vardar, i cili kurrë nuk e harroi dhe nuk do ta harrojë burimin e vet. Ashtu siç u zgjua Josif Bageri me dritën e dijes dhe përparimit, ashtu do të rilindem me bashkëvendësit e mi në ditën e bekuar, pikërisht atë ditë kur do të bien kambanat e zgjimit dhe nuk do të dëgjohet zëri i qyqes..!! Atë ditë do t’më kujtohet fëmijëria ime që e mbaj mend, - e si të mos e mbaja mend, - vrazhdësinë e mësuesit tim të parë në Belçicë. Në vitin 1948 në shkollë më dërgoi Motra ime, Jelica, pesë vite më e moshuar. Asnjëri nga fëmijët e fshatrave tonë, kur filluam shkollën, nuk dinim maqedonisht, meqë gjuhë amtare kishim gjuhën shqipe. Mësuesi, - jam në dilemë nëse duhet t’i them mësues atij, - më rrahu vetëm pse nuk dita si i thoshin kushëririt në maqedonisht. Që aty filluan peripecitë e ballafaqimit tim me asimilim të përdhunshëm gjuhësor dhe etnik... Katragjyshi im, Manojli, i cili jetoi në vitin 1830 - 1903, ishte i emigruar në Stamboll, siç ishin emigruar shumë shqiptarë tjerë të këtyre anëve, sepse në vendlindje nuk kishin mundësi rrotjeje. Manojli dhe vëllai i tij, Lazari, në vitin 1882 ia dolën të ndërtonin atje një hotel, të cilin e emërtuan Arnaut an, një emërtim që duhet të simbolizon përcaktimin e tyre etnik. Atëherë ata e kishin mbiemrin Tanashi...

Pas pushtimit serb në vitin 1913, Familjes sonë iu imponua mbiemri Tanasheviq, Atë mbiemër të serbizuar u detyrua ta mbaj edhe djali i Dhimitrit, gjegjësisht Babai im, Manojli, i cili lindi në vitin 1903 dhe rrojti deri në vitin 1983. Por pushteti komunist maqedonas Familjes sime ia ‘naqedonizoi’ mbiemrin, nga Tanasheviq në Manojlovski. Këtë ndryshim të imponuar e pata përjetuar vet, kur si i ri shkova për herë të parë në zyrë të vendit për të nxjerr certifikatë të lindjes për motrën dhe u befasova kur nëpunësi ma lëshoi me mbiemër Manojlovski. E kundërshtova, por ai me përzuri nga zyra, me shpjegim se tashmë ishim maqedonas...

Por, tani nuk do të flasim në heshtje sikur në kohën e rrëmetit të madh, kur flitja me heshtjen time në gjuhën amtare, në gjuhën e ëmbël shqipe që e trashëgova nga prindërit e mi, dhe nga të parët e mi.... Tani do të nisem në pelegrinazh bashkë me vëllezërit e mi nga Reka ime e më gjërë, për të marshuar rrugës së shpirtit, atje nga shtrihet lumi Vardar, deri në Detin Egje (Greqi) që të fuqizoj uratat e mia për paqe dhe begati, tolerancë dhe mirëkuptim, sepse porosia e Zotit është që t’i falim mëkatarët për t’u shprehur kthjellimi mendor dhe energjia pozitive te të gjithë ata që i brenë ndërgjegjja… Uroj mendjendriturit që të punojnë kundër politikave diskriminuese dhe tendencave destruktive në shoqërinë tonë…

Dhe më dukej sikur edhe unë mora pjesë në atë pelegrinazh përkrah xha Brankos, profesorit universitar Vullnet Ahmeti, e shumë të tjerëve, dhe në fokusin tim kisha hapin dhe fytyrën e menduar të tij në vazhdimësi, ku më dukej se për çdo hap që bënte falënderonte brezat e shkuar që ia kishin lënë trashëgimi vlerat nacionale dhe universale: mirëkuptimin, humanizmin, bujarinë, tolerancën, besnikërinë dhe gjuhën e bukur shqipe... Për çdo hap më dukej se lëshonte porosi për brezat e ardhshëm, që jo vetëm që t’i ruajnë këto vlera, por edhe t’ia plasojnë universit. Për çdo hap që bënte rreth rrugës skaj Vardarit, më ngjante në njeri të shenjtë që lutej për kthim te rrënjët e veta, për zhdukjen e urrejtjes, për triumfin e tolerancës dhe dashurisë njerëzore. Ai po falte çdo dhunë që ishte bërë, për çdo hap në këtë pelegrinazh po e zhdukte urrejtjen, hasmërinë e mbjellë ndër dekada, dhe për çdo hap më dukej se po përsëriste fjalën “Fali Zot se nuk dinë...”

Ai aty më dukej se po hapëronte krah për krah me gjyshërit e vet, përkrah të madhit Josif Bageri, përkrah motrave e vëllezërve të vet Rekas dhe të gjithë së bashku po mbillnin paqe, lumturi e mirëqenie mes popujve.



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora