Udhëpërshkrim
Dibran Demaku: Në plazhin e Durrësit me Petro Markon
E merkure, 14.09.2011, 07:59 PM
NË PLAZHIN E DURRËSIT ME PETRO MARKON
„Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri,janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend.Po të jesh trim zemër bardhë e po të shkosh andej natën,i dëgjon të dëftojnë historinë e tyre.Po të jesh frikacak e zemërlig,nuk i dëgjon.Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re…Vijnë qajnë dhe ikin.Dhe mbi spitharët më poshtë,afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut…“ - Petro Marko
Nga Dibran Demaku
Rugës nga Kosova deri në Durrës kaluam mirë.Im bir( i madhi) po vinte për herë të parë në Shqipëri.Derisa kalonim me makinë nëpër autostraden e re ai po i shikonte malet e larta te Shqipërisë.I entuziazmuar me lartësinë e tyre ma ktheu:-Shqipëria me këto male të larta qenka më afër qiellit dhe diellit se të tjerët!-dhe pandërprerë me aparatin e tij fotografik bënte foto të ndryshme me peisazhe të maleve të larta që preknin qiellin.
Në hoteli OAZ,të prenotuar që më parë,arritëm diku nga mesi i ditës.Kur zbritëm nga makina të nxehtët e asj dite korriku sikur po na e zinte frymën.E lamë makinën në parkingun e hotelit dhe u ngjitëm në recepcion.Personeli i hotelit me një mirësjellje të jashtëzakonshme na uroi mirëseardhje.Pasi i përfunduam formalitetet e vendosjes,personeli na pyeti se a dëshironim të hanim mëngjes(edhepse koha e ngrënies së mëngjesit kishte kaluar kaherë) apo drekë.Im bir i entuziazmuar nga mirësjellja e personelit ma ktheu:_Thuaj ç`të duash babai,por si këtu nuk na kanë pritur askund në udhëtimet tona!Ndërkaq ime shoqe ia ktheu:Këtu nuk vijmë vetëm si mysafirë,por këtu vijmë si vëllezër tek vëllezërit!
Në raftin e recepcionit vërejta shumë libra te rregulluara për bukuri.E pyeta recepcionistin se a mund të merrja ndonjë nga ata libra ato ditë sa do të qëndroja në plazh e ai me buzëqeshje të çiltër dhe me mirësjellje ma ktheu:-JO një,por mund t`i marrësht të gjitha.Këto libra janë dedikuar për pushuesit e hotelit tonë!...Dhe filloi të tregonte për autorët dhe librat që gjindeshin në raft.Aty kishte libra nga më të ndryshmet.Nga autorët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës e më gjerë,por edhe nga autorë të njohur të letërsisë botërore.Shumica e librave ishin në gjuhën shqipe,por kishte edhe libra në gjuhët tjera si: angleze,franceze,gjermane etj.
-Nëse dëshironi mund t`i zgjidhni edhe vetë dhe t`i merrni nga rafti!-m`u drejtua recepcionisti.
Duke e falenderuar u afrova tek rafti.Në raft ishin pothuajse të gjithë librat e Kadaresë,Petro Markos,por kishte edhe libra të Dritëro Agollit,Fatos Arapit,të Xhevahir Spahiut,të Ali Podrimjes,Azem Shkrelit etj.
Meqë shumë nga librat e autorëve të përmendur tashmë i kisha lexuar( e shumicën e atyre librave i kam edhe në bibliotekën personale) më ran ë sy një libër i Petro Markos me titull:“Gurët dhe retë“(intervistë me vetëvetën).
-Këtë do ta marr dhe do ta lexoj këto ditë sa do të qëndroj në plash!-ia ktheva recepcionistit.
-Keni qenë here tjetër në hotelin tone?-më pyeti recepcionisti.
-Jo,përse pyesni?-ia përgjigja shkurt.
-Derisa po e merrni ta lexoni pikërisht romanin e Petro Markos,thash mbase keni qenë edhe më pare këtu.Them kështu pasiqë pronari i hotelit ka lidhje familjare me familjaret e Petro Markos, dhe mendova se këtë fakt e dinit edhe ju,andaj e zgjodhët pikërisht romanin e Petros!Përndryshe nuk kenu gabuar,sepse romani i Petros “Retë dhe gurët”,sipas mendimit tim,është ndër romanet më të mira të tij!
-Mendimin tim do të ta them pasi ta kem lexuar romanin!-ia ktheva recepcionistit dhe pasi e falenderova u ngjta lartë në dhomën time,ku tashmë më priste ime shoqe.Ndërkaq të dy djemtë e e mi tashmë kishin lënë dhomën e tyre dhe kishin dale në plash që të kënaqeshin me ujin e detit dhe rrezet e nxehta të diellit tëasaj dite korriku.
Pa ndërruar shumë fjalë me time shoqe u përgatitëm edhe ne dhe dolëm në plazhin e mrekullueshëm para hotelit, ku nuk kishe ku të hidhnje as edhe një ve siç thuhet në një fjalë popullore.Me vete përveq gjërave të nevojshme për plash e mora edhe romanin ”Retëdhe gurët” të Petro Markos.-“Sivjet pushimet në plazhin e Durrësit do t`i bëj së bashku me Petro Markon!”-sikur po dëgjoja një zë timin të brendshëm.
-Edhe këtu do të na lodhësh me libra! -u dëgjua si në shaku zëri i sime shoqeje, kur më pa me librin në duar.
-Më fal!-iu drejtova iu drejtova sime shoqeje ashtu në shaka dhe vazhdova:-Sivjet pushimet në Plazhin e Durrësit do t`i bëj me Petro Markon! Këto pesë-gjashtë ditë do të jem vetëm me Petron dhe librin e tij!-dhe hapa faqen e pare të librit.
Isha humbur në faqet e romait dhe sikur ime shoqe mos të më kujtonte se duhej të ngritesha e të shkoja në ujë,mund edhe të digjesha nën ato rreze të nxehta të diellit të korrikut.
Pasi bëra një not të mirëme time shoqe dhe me ty djemtë,iu ktheva sërish librit.Po lexoja romanin autobiografik të Petro Markos të shkruar në formë interviste me vetëvetën dhe sikur po e shihja të gjallë Petron,edhepse realisht në jetë nuk e kasha takuar kurrë.Por,sië ngjan shpesh në jetë kur lexuesi lexon diçka të mirë i bëhet sikur e njeh dhe jeton me autorin ashtu po më ngjante edhe mua.Në mendje po më zukatnin sikur bleta fjalët e shkruara të së Bijes së Petros ,Arianitës, të shkruara në parathënien e librit:-“Në fund të leximit të këtij jetëshkrimi,ne pa pasur as më të voglin dyshim,menduam:Ky jetëshkrim duhet të mbajë titullin:”Retë dhe gurët”,sepse, ndoshta pa e ditur Petro Marko e kishte shkruar edhe atë.Romani i dëshiruar,dëshira e tij e fundit,në të vërtetë është realizuar.KJo përkon me dëshirën dhe planet e tij.Unë besoj se ai këtë gjë me siguri do ta pranojë.Është titulli që e kishte zgjedhur vet.
Ai zgjodhi të kthehej në një gur në vendin e tij…Zgjodhi gurin.Si emri i tij.Si një përcaktim i fatit.Dhe meqë ka edhe re,ka edhe gurë,si mundet që Petroja të mos zgjidhte gurin?!Ai tani është një gur në vendin e tij.U kthye.Për ta pare të njohurin horizontal nga fshati i
vet”
Dhe tërë ato ditë në Plazhin e Durrësit unë i kalova me Petro Markon.Mësova për jetën e tij-furtunë.Ai kishte qëndruar si gur i fortë para furtunave të jetës!
Pasi i rash në fund romanit e pieta vetën:-Si është e mundur që një krijues i tillë i madh(ndër më të mdhenjtë e letërsisë shqipe), luftëtar i Spanjës,luftëtar i luftës së dytë botërore,të përsekutohej në mënyra të tmerrshme nga sistemi i vendit të tij?!Dhe vëllezërit e tij krijues të një gjuhe dhe të një gjaku të mos e ngrisnin zërin në mbrojtje të tij?!...Athua vallë sistemi komunist ishte ngritur, si i atillë çfarë ishte, për për t`i ngrën mendjet më të ndritura të kombit?!Sepse siç duket tash nga kjo perspective si ishte ngritur si i atillë me qëllim që t`i shkatërronte vlerat kombëtare?!
Në fund të këtij shkrimi edhe një thënie lapidare e thënë dhe e shkruar po n? këtë roman nga Petro Marko për mërgimtarët kudo ku janë:-“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri,janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekë në vend.Po të jesh trim zemërbardhë e pot ë shkosh andej natën,i dëgjon të dëftojnë historinë e tyre.Po të jesh frikacak e zemërlig,nuk i dëgjon.Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re…Vijnë qajnë dhe ikin.Dhe mbi spitharët më poshtë,afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut…”