E diele, 28.04.2024, 04:16 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Çerkin Bytyçi: Kur vallëzojnë zemrat kurbetçare

E enjte, 22.09.2011, 08:02 PM


 

Kur vallëzojnë zemrat kurbetçare

 

Hoça  e Qytetit, vendbanim jo larg Prizrenit, me lagjet që ka, i ngjan një fluture të shkruar që të bën të jesh gjithnjë në vështrim të saj dhe me zemër e shpirtë, ta kujtosh e nderosh, me kujdes e angazhim të punosh për të mbarën e të mirën, për t`u mos u  ndarë kurrë, duke qenë krenar e me mburrje se je lindur e rritur hoçjan. Këtë vendbanim, të tillë e ka dhuruar Zoti, të tillë e  kanë bërë njerëzit e tij që punuan e punojnë në vazhdimësi për te, mbase ky paraqet një perlë të artë, që shkëlqen gjithandej. Bukurinë,  këtij fshati të lashtë që në dokumentet e shkruara përmendet nga viti 1348, ia shtojnë në veçanti dasmat, të cilave u gëzohen i madh e i vogël, pleqë e të rinjë, burra e gra. Por mbi të gjitha, u gëzohen kurbetçarët të cilëve, në to, u vallëzojnë edhe zemrat….

 

Nga Çerkin Bytyçi

 

Vapa përcëlluese e ditës së parë të gushtit ka kapluar edhe Hoçën e Qytetit, fshatin në zemër të Vërrinit ose paralagjen e Prizrenit pitoresk. Pitoresk është edhe ky vendbanim i rrethuar  me vargmale dhe fushat pjellore, i shtrirë rrëzë shpateve të Sharrit plotë bukuri që në këtë ditë, vizitorit që me gjelozi kultivon dashurinë për këtë vendlindje, që në shpirt e mendje e mban kahdo që shkon, zemra iu bë mal. Arsyet ishin të shumta. Këtu, në këtë ditë, si dhe gjatë gjithë gushtit, mbretëronte gjallëri e veçantë. Fshati  ngjante në zgjua bletësh. Janë tubuar në te mërgimtarët nga e gjithë bota, për t`u ç`mallur me vendlindjen, me atdheun, me Kosovën. Për të marrë pjesë në dasmat plot hieshi që akoma e kanë ruajtur një pjesë të traditës. Nga të gjitha anët ushtonin bubullimat e daulleve jehona e të cilave, përplasej nga shpati në shpat, duke përcjellur hapin e rëndë të vallëtarëve . Me tingujt e zurleve përzihen dridhjet e qampareve të defave që e shoqërojnë vallen e hoçjaneve. Me to, dridhet edhe zëri i tyre që ia thotë këngës për një jetë plot begati në këtë nënqiell të bukurive të mahnitshme, me florë e faunë të pasur. Dridhet edhe zemra e Vërrinit liridashës që i gëzohet gëzimeve dhe rritës së njerëzve të përvuajtur bujarë, mikëpritës, human….

 

Te „Hani“, në qendrën e fshatit, fillojnë ahengjet e katër dasmave të asaj dite. Të katër tajfet e daullgjinjëve të veshur si kurdoherë me tirqit dhe  xhamadanat e zhgunit dhe me shokat e mbështjella rreth brezit,  sikur bënin gara se kush më mirë e rrah tupanin, se kush më shumë e gjallëron dasmën, i flakëron zemrat e mërdhezuara nga gëzimi. Emocionet s`kan të ndalur dhe portofolet lëvizin nga xhepat kurbetqarë. Në shallin rreth kokës së tupanxhiut shihen, si është zakon, banknotat e dhuruara nga dasmorët e ngazëllyer. Por, nuk vërehen si dikur, berrat e ngjyrosur që i dërgoheshin dhuratë shtëpisë së dhëndërrit, nuk vërhen as krushnit e hipur në kuajt e shalës, mungon duvaku i kuq i nuses, nuk ka më as magjitore. Punën e saj dhe të asqiut e zëvendëson restorani që në mbrëmje i pret dasmorët për ta vazhduar ahengun. Kohë për të hedhur gurin, për të kërcyer në trehapsh, për të tërhequr litarin e për gara të pelivanëve, si veprohej në të kaluarën jo shumë të largët, tashmë nuk ka. As vrapime të kuajve jo. Nusja nuk merret me qerren e dekoruar me qilimat përplot ngjyra. Tashti, erdhën kohë të reja. Traditat e dikurshme mbase kanë mbetur të freskëta në kujtesë, dhe dëshirohen për t`u rikthyer. Ndoshta, pas pak vitesh, kjo kohë moderne do të „zbehet“ për t`u zëvendësuar me sëpaku disa nga ato specifika që dasmat i bënin dasma. Por, në Vërri e Hoçë të Qytetit, megjithatë është ruajtur diç nga e kaluara e organizimit të dasmave. Mblidhen bijat si dikur, grishen dasmorët sipas traditës, në darkën e dasmës caktohen grishtarët e “qaushi” që përkujdeset që dasma të zhvillohet sipas rendit e rregullit tradicional. Mbi veturën e dekoruar të nuses hidhen sheqerka e para të hekurit nga vjehrri, mbi kokat e dasmorëve hudhet grurë në shenjë të bereqetit që sjell nusja në shtëpi. Nuk mungojnë as petullat e mëngjesit për dhëndërrin dhe kulaqi i nuses. Poashtu edhe dhëndrri e hudhë “mahramën” në vallen e më të afërmëve, e nusja, tufën e luleve në mesin e dasmorëve. Qezi i nuses “shtrihet” për t`u parë dhe treguar se sa e vyer dhe e kujdeshme është nusja që e kishte përgatitur pajën. Kështu ishte gjithmonë. Kështu është edhe sot.

 

Që në ag, vashat me zërin e hollë të tyre, në të katër lagjet e fshatit, në të katër dasmat e asaj dite,  kënduan të njejtat këngë, me të njejtin melos, me të njejtën valle, me përcjelljen e defit. Paralajmëruan gazmendet  më të mëdha, dasmat, që u bënë shkas që fshatit ti rikthehen për disa ditë njerëzit e tij që i rrëmbeu diku largë kurbeti. Dhe dasmorët arrijnë në grupe. Nuk është lehtë ti dallosh se kush cilës dasëm ia ka mësyrë. Të gjithë janë të njejtë, të veshur si margaritarë. Zemrat e tyre dridhen në vallet me hapat e ngadalshëm. Dridhen posi thupra e tupangjiut në anën tjetër të tupanit. Në këtë ditë, i tërë fshati feston. Ai shihet si në pëllëmbë të dorës. Askush nuk mund të mshefet, madje as vajzat nga djelmoshat kurreshtarë që janë në gjah pas fatit jetësor dhe u gërshetohen shikimet rinore, e kështu zënë fillë dasmat e verës së ardhshme. Të katërqintë shtëpitë hoqjane, në këtë ditë, janë të gëzuara njësoj. Të katër dasmat janë po si të ishin të të gjithë njerëzve të tyre krenar, ngase fytyrat e secilit shihen të gëzuara, me shpirt secili është i bashkuar në vallen e çdo dasme.

 

Dasmave, sikur u gëzohen edhe shtëpitë e vjetra të ndërtuara nga gurët e lumenjëve të fshatit, të cilat janë braktisur dhe lënë, me fajin e kurbetit, në mëshirën e kohës por edhe ato të rejat, shumëkatëshe, me oborre të rregulluara dhe me dritare të mëdha që grishin rrezet e ngrohta të diellit e që sikur thonë se janë dëshmi e një jete të re. Këto, në këto ditë, janë zbukuruar edhe më shumë sepse u janë kthyer më të dashurit, ata që i ndërtuan, ata që për to e investuan djersën e derdhur në kurbet. Shtëpitë hoçjane në këtë ditë të dasmave duken si prodhime të shëndosha të rritura në arat e bereqetshme të bujqëve të dikurshëm të vyer dhe të rilindura e ringjallura e të gëzuara tok si një.

 

Një krenari e fshatit, në heshtje vështron dasmat hoçjane. Shkolla e ngritur me vetëkontribut vite më parë, që pret e përcjell gjeneratat e reja, ardhmërinë e fshatit. Në te u shkolluan edhe pothuaj të gjithë mësuesit që sot këtu e zhvillojnë mësimin, ndaj, krenaria e saj është edhe më e madhe. Por, ajo, sëbashku me gëzimin që ka për dasmat, është pak sa edhe e brengosur sepse kurbeti ia rrëmben edhe nxënësit, dhe  numri i tyre që ulet në bankat e saj është gjithnjë e më i vogël.  Karvanit të dasmorëve dhe valleve të tyre sikur nuk ua ndajnë sytë as godina e shtëpisë së shëndetit, as ajo e administratës lokale, funksionimi i të cilave, i gëzon banorët e këtushëm dhe mërgimtarët. Vargut të të arriturave të fshatit që  i ngjan një qyteze të organizuar mirë, u janë shtuar edhe  rrjeti i ujësjellësit të ndërtuar kaherë dhe i modernizuar viteve të fundit, rrjeti i ujërave të zeza, rrugët që i lidhin lagjet e  këtij fshati pastaj ajo që këtë fshat e lidh me fshatrat e afërta, xhamia dhe shumë dyqane të konsumit të gjerë e disa veprimtari afariste.    Në këtë kohë të pushimeve të mërgimtarëve në vendlindje, në këtë kohë të dasmave madhështore, nuk kanë të ndalur vetëm punimet në ndërtimin e rrugës që këtë regjion e lidhë me autostradën Kosovë-Shqipëri. Këtu punohet me zell dhe rruga e gjerë, me standardet më bashkëkohore, do t`ua rritë edhe më krenarinë këtij dhe fshatrave tjera të Vërrinit.

 

Nga oshtima e tupanave dhe zurleve, në dasma, nuk mbetet shumë hapsirë e mundësi për të biseduar, sikundër edhe nga  kënga në restorane. E mërgimtarët janë të etshëm për biseda. Por ja, as këto, hë për hë, nuk mungojnë. Në lokalet e mbushura përplot, dasmorët  ulen dhe ç`lodhen pak sa nga vallëzimi në dasma. Largohen për pak çaste nga jehona e daulleve dhe zurleve dhe duke pirë kafen që është më e shijshme se ajo në kurbet, shprehin kënaqësinë për zhvillimin e hovshëm të vendbanimit të stërgjyshërve të tyre. Për te, për lulet, pemët, perimet, gurët dhe drunjët e tij, janë të përmalluar dhe kahdo që shkojnë, fshatin e tyre e kujtojnë me mallë e shpirtë. Për  të mbarën e tij nuk kursejnë dot. I janë gëzuar edhe  ndërtimit të Shtëpisë së vullnetit të mirë të ngritur për një familje të bashkëvendasi, të cilën e ndihmuan materialisht dhe thonë se për angazhime humanitare si ky, nuk do të pushojnë. Nuk mungon as dëshira për një shtëpi të kulturës, për një sallë sportive, për një bibliotekë, për ndonjë hallë prodhimi e vende të reja të punës për bashkëvendasit që jetojnë në te dhe i presin krahëhapur. U dhemb edhe mosaktivizimi i shoqërisë kulturore, e cila dikur, me kultivimin dhe prezantimin e traditave foklorike burimore, ishte në zë jo vetëm në këtë komunë por edhe në Kosovë e më gjerë. Poashtu brengosëse është edhe mungesa e shërbimit të zjarrëfiksëve, si masë e domosdoshme për intervenimet urgjente në rast të shpërthimit të ndonjë zjarri në shtëpitë e bukura e me vlerë të madhe.

 

Dhe pasi të bëhen edhe këto, ky vendbanim-qytezë, si kaherë, nuk do t`ia ketë lakmi Prizrenit. Atëherë, dasmat do të jenë edhe më madhështore. Gëzimet do të jenë edhe më me përmasa. Vallja me tupanë e zurle do të jet edhe më e gjallë, kënga e vashave hoçjane do të jehoj edhe më shumë. Edhe jeta e mërgimtarëve të këtushëm, kahdo që janë, do të jet më kuptimplote sepse ata, me zemër i gëzohen përparimit të vendlindjes ku i bëjnë dasmat.

Eh sikur të ishte ruajtur sharra e dikurshme me ujë, ndonjëri nga mullinjët e shumtë, zejet e tabakëve, terzive, zhgunjagjinjëve, samargjijve, testigjive, qerpikpunuesëve, endëseve të pëluhrave e artizanatet e llojllojshme, që në këtë nënqiell kishin traditë,  Hoça e Qytetit do të paraqiste një vendbanim interesant dhe atraktiv për shumë vizitorë, të cilët me ëndje do ti vizitonin e shijonin këto dhe bukuritë natyrore, si  vizitohen Guri i Kallugjerit, Shpella e Zgatarit, Truallishta German, pastaj Tyrbja e Babës Ymer në Lez, Tyrbet në Kushnin, Lybeçevë e Poslisht, etj.

Bisedën për këto e dëshirat tjera e ndërprenë krismat e lodrave që grishën dasmorët për krushq. Nuset duhet sjellur në shtëpitë e dhëndurrëve. Në mbrëmje dasmat duhet të vazhdojnë në restorane. Deri sa nuset të sillen në shtëpi, jehona e daulleve pushton edhe Pashtrikun e Cylenin në mes të të cilave shtrihet Hoça e Qytetit. Pushtohen edhe zemrat e hoçjanëve.

Dasmat pushtohen nga gëzimi e vallja që s`ka të ndalur. Gëzimi e pushton gjithë fshatin. Vallëzojnë zemrat kurbetçare, zemrat hoçjane.



(Vota: 46 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora