E hene, 29.04.2024, 04:32 PM (GMT+1)

Faleminderit

Shevki Sh. Voca: Ihsan Toptani, veprimtar, atdhetar dhe politikan i dalluar të diasporës shqiptare

E diele, 28.08.2011, 07:58 PM


Me rastin e 103 vjetorit të lindjes gjegjësisht 10 vjetorit të vdekjes së Ihsan Toptanit veprimtarit, atdhetarit dhe politikanit të dalluar të diasporës shqiptare

 

Nga SHEVKI SH. VOCA

 

“Figurat e Lëvizjes Kombëtare shqiptare nuk duhet të ndahen s’i me shpatë, në “patriot” dhe  “tradhtar”.  Mendimet mos t’i mbështesim në “autoritetet politike” por, në gjurmimet e vërteta   shkencore,”  thoshte orientalisti shqiptarë i përmasave botëror Hasan Kaleshi.

Toptanët ishin familje e madhe çifligare me tituj bejlerë dhe, si të tillë ata në zonën e Tiranës dhe në Shqipërinë qendrore ishin me influencë. Nga gjiri i kësaj familjeje dolën figura të dalluar, të cilët ani pse ishin me tendenca të ndryshme ata historisë tonë kombëtare i dhanë figura shumë të rëndësishëm. Vlen  t’i cekim disa si për shembull Seid Sermedin Toptani dhe dy djemtë e tij Murati dhe Refiku, pastaj i famshmi dhe mjaft kontrovers në historiografinë tonë Esat Pash Toptani, Abdi Toptani dhe i biri Ihsani e shumë të tjerë.

   Rreth familjes Toptanaj ekziston në literaturë një legjendë, të cilën e ka përhapur i pari, me sa dihet, konsulli frëng A. Degrand. Këtë legjendë, konsulli frëng e kishte dëgjuar në Tiranë nga goja e Fuad Bej Toptanit, tek i cili kishte bujte me rastin e vizitës në këtë qytet në vitet e fundit të shek. XIX (1898). Ndërkaq që, për origjinën e kësaj familje kemi të dhëna edhe nga Murat bej Toptani, i cili është shumë i ngjashëm me atë të Degrandit por një version më të shkurt. Ne me këtë rast këtu do ta paraqesim versionin e Murat Toptanit i cili sipas një gojëdhëne të botuar në revistën “La Nazione Albanese” shkruan si vijon:

“Kur u pushtua Kruja pas vdekjes së Skënderbeut, shpëton nga masakrat një pasardhës i Topiasve, të cilin e birëson një jeniçer shqiptar nga rrethinat e Ohrit. Kur djali Topias që tashmë ishte bërë mysliman me emrin Ali, bëhet 18 vjeç vret një njeri  për të nxjerr gjakun e një shoku dhe detyrohet të arratiset dhe hynë në ushtrinë osmane. Si rezultat i shkathtësisë dhe zgjuarsisë arrin postin e sanxhakbeut të Krujës.” Kjo, pra ishte shkurtimisht përmbajtja e kësaj gojëdhëne të ruajtur në traditën gojore të derës Toptani. 1). Tani e japim gjenealogjinë e familjes në vijën e Ihsan Toptanit prej Aliut i cili u bë mysliman: 1-Ali Beu; 2-Ibrahim Beu; 3- Adem Beu; 4-Kapllan Pasha; 5-Abdi Beu; 6-Adem Beu; 7-kemi prapë Abdi Beu dhe 8-Dr. Ihsan Toptani. 2). Ihsan Toptani ishte i biri i Abdi Toptanit i lindur në Tiranë në vitin 1864 në një familje të pasur me tradita atdhetare. Aktiviteti i tij politik si njëri prej plejadës së rilindësve ishte mjaft i bujshëm. Mësimet e para i kishte marrë në mejtepin e Tiranës të cilat më pas i vazhdoi në Stamboll. Abdiu qysh në rininë e tij u shqua me ndjenjat kombëtare duke rënë në kontakt me kushëririn e vet Murat Toptanin i cili po ashtu ishte një veprimtar dhe figurë mjaft markante dhe poliedrike e kombit tonë, pastaj me Sami Frashërin, Shahin Kolonjën dhe patriot e atdhetar të tjerë që vepronin aso kohe në Stamboll dhe gjetiu. Ai vazhdimisht ishte aktiv dhe çdoherë gjendej në punët po thua se kryesore për realizimin sa më të shpejtë të qëllimeve dhe aspiratave tona kombëtare. Mbajti korrespodencë dhe takime me Hasan Prishtinën. Në lidhje me këtë Hafëz Ibrahim Daliu në librin e tij shkruan: “...Një çetë e madhe nën kryesinë e Abdi Toptanit e ç’qetësoi (lexo shqetësoi Sh. V.) vendin dhe tronditi turqit për së tepërmi...” 3). Në nëntor të viti 1912 priti në Durrës Ismail Qemalin dhe atdhetarët e tjerë, dhe bashkë me ta shkoi në Vlorë si delegatë i Tiranës në Kuvendin Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë. Në Qeverinë e Vlorës u zgjodh Ministër për Financa. Në vitin 1914 nën qeverinë e princ Vidit u emërua ministër,ndërsa pas një viti u detyrua të lë atdheun e të emigrojë në Zvicër, ku u bë njëri ndër nismëtarët e krijimit të gazetës “Albania” . Në janar të vitit 1920, mori pjesë në kongresin e Lushnjes dhe u zgjodh anëtarë i Këshillit të Lartë, së bashku me Aqif Pashë Elbasanin, Luigj Bumçin  dhe dr. Mihajl Turtullin. Pas dy vjet përkrahu dhe mori pjesë në kryengritjen e marsit të vitit 1922 të udhëhequr nga Elez Isufi dhe Bajram Curri etj., për të cilën u dënua me vdekje, por falë protestuesve të elementëve atdhetarë, u lirua. Për punën dhe aktivitetin e tij patriotike-atdhetare është dekoruar nga Mbreti Zog  dhe nga regjimet e mëvonshme. Abdi Toptani vdiq në Tiranë më 1 gusht 1942. 4).

Për dallim nga i ati Abdiu, Dr. Ihsani me përjashtim të Marrëveshjes së Mukjes që u mbajt më 1 dhe 2 gusht 1943, (për cilën do të bëjmë fjalë më poshtë), ai kohën më të madhe të jetës dhe aktivitetit të tij patriotike deri në vdekje e zhvilloi jashtë atdheut, prej nga u detyrua të largohet në nëntor të vitit 1944, për shkak marrëdhënieve që i mbante me misionin anglez.

Dr. Ihsan Toptani lindi në gusht të vitit 1908 në Tiranë. Deri në moshën 8 vjeçare ai jetoi në shtëpinë e gjyshes, pasi që shtëpinë e tij dhe të dy kushërinjve Murat dhe Refik Toptanit ia kishte djegur Haxhi Qamili (diku e gjejmë që shtëpia tyre ishte djegur edhe nga ana e kushëririt të tyre Esat Pashë Toptanit, Sh. V.), dhe pasi që i ati Abdiu për shkak të veprimtarisë patriotike kohën e tij shumë shpesh e kalonte jashtë atdheut. Në këtë moshë ai me vëllezër dhe disa kushërinj Toptanas dërgohen në shkollim në Austri, pikërisht në Gracë.  Këtu vazhdon shkollimin duke kryer gjimnazin klasik të Gracit prej vitit 1920 deri më 1928. Më pas në Universitetin e këtij qyteti mbaron fakultetin e shkencave politike, ku në vitin 1940,  edhe doktoroi me temën: “Mendime ekonomike-ushtarake  kontradiktore lidhur me  drejtimin e politikës gjermane të tregtisë së jashtme përpara Luftës Dytë Botërore”. Mbas mbrojtjes së diplomës ai qëndroi edhe dy vite në Austri, kur më 1942 kthehet në Shqipëri-Tiranë. Kthimi i tij në atdhe u bë kur shteti shqiptar ishte në momentet më të vështira të përjetimit sepse ndodhej para invadimit fashist italian. Me të kthyer në Tiranë, e gjeti vendin të tërhequr gjithnjë e më tepër në gëlltitjen e fashizmit Italian dhe zotërimi i vjetër që Toptanët kishin shijuar në shoqërinë e Tiranës po gërryhej nga burra të rinj të nxituar, që e kishin vënë veten në radhë me Italianët. Ai u përfshi në një martesë të shkurtë të mjeruar e mblesëruar nga familja e tij. Mbreti Zog nuk ishte kur shumë i dhënë pas Toptanëve dhe Ihsanit i mungonte një parti politike që të përparonte interesat e tij, 5).

Gjatë periudhës së LDB, dr. Ihsan Toptani luajti një rol mjaftë të rëndësishëm si ndërmjetësues në mes të përfaqësuesve të Ballit Kombëtar, zogistëve dhe komunistëve si dhe bashkëpunoi ngushtë me misionet ushtarake të aleatëve e sidomos me ata anglezë. Ihsani u dallua veçanërisht në përgatitjen e Mbledhjes së Mukjes i cili deri në kohën kur ndërroi jetë më 28 maj 2001 në Londër, ishte nga dëshmitarët e fundit të këtij takimi historik. Kishte biseduar disa herë me Mithat Frashërin e Ballit Kombëtar, Abaz Kupin të krahut zogist, dhe Mustafa Gjinishin të lëvizjes komuniste. Ndonëse dihej që aso kohe Mit’hat Frashëri dhe Abas Kupi nuk i kishin marrëdhëniet e mira mes veti. Ata sipas rrëfimeve të Ihsan Toptanit as që dëshironin të shiheshin e lëre më të bisedonin 6).  Megjithatë, Ihsani ishte ai i cili arriti tua mbushte mendjen që të takohen dhe bisedojnë. Ja se çfarë i kishte thënë vetë dr. Ihsan Toptani në lidhje me këto takime profesor Tahir Berishës me rastin e vizitës që ky ia kishte bërë në Londër, gjatë qëndrimit të tij në Angli, i cili disa herë e kishte vizituar dr. Ihsanin në banesë 7).  “Takimi i parë midis tyre u mbajt në shtëpinë e Toptanajve në Topizë (me 26 korrik 1943, T. B.). Në takim kishin ardhur delegatët kryesor: Mitëhad Frashëri dhe Hsan Dosti nga Balli Kombëtar, Mustafa Gjinishi dr. Ymer Dishnica, Abaz Kupi dhe Myslim Peza nga LNÇ. Sekretar për të mbajtur shënimet u emërua Mustafa Gjinishi ndërsa, unë në këtë takim isha si vëzhgues. Abas Kupi dhe Myslim Peza edhe pse ishin anëtarë të LNÇ nuk e kishin besimin e plotë të komunistëve. Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë tensioni. U shqyrtuan 13 pika. “Krijimi i Shqipërisë etnike” dhe “Formimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë” u kundërshtuan shumë nga komunistët. Por nën presionin e lajmit se “ishte arrestuar Musolini ” të dy palët vendosin që ta miratojnë marrëveshjen “ad referendum” dhe u shpërndan për të marrë pëlqimin e qendrave të veta dhe për t’u kthyer dhe për ta nënshkruar marrëveshjen definitive.”8). Mirëpo pasi që kishte njerëz si gjithmonë, që bashkëpunonin me okupatorin në këtë rast me italianë, këta e kishin kuptuar se një mbledhje do të mbahej në Topisë, ndërkaq që për t’iu ikur rrezikut delegatët u detyruan që ta ndërrojnë vend takimin e mbledhjes, dhe për këtë zgjedhën fshatin Mukje në rrethinën e Krujës si vend më i përshtatshëm për ta mbajtur mbledhjen. Mbledhja u mbajt më 1 dhe 2 gusht 1943 (diku hasim edhe 3 gusht Sh. V.), në të cilën morën pjesë përfaqësues të dy delegacioneve: ata të Frontit Nacionalçlirimtar të kryesuar nga Ymer Dishnica dhe grupi i Ballit Kombëtar të cilën e kryesonte Mit’hat Frashëri. Në këtë mbledhje u ra dakord që të luftohej për “Shqipërinë etnike” dhe u vendos që të krijohej “Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë”, me një numër të barabartë përfaqësuesish, si nga Balli Kombëtar ashtu edhe nga Fronti Nacionalçlirimtar, gjithsejtë 12 vetë prej dy palëve nga 6 persona. Ky komitet do të kishte atributet e një qeverie të përkohshme. 9). “Me pak ndryshime kjo marrëveshje u nënshkrua dhe mbledhja u shpërnda thotë Dr. Ihsan Toptani dhe vazhdon, duke pritur që secila palë të njoftonte nga gjashtë kandidatë për takimin e ardhshëm. Mirëpo shpejtë kishte mbërri lajmi që Enver Hoxha me insistimin e Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviqit e kishte hedh poshtë marrëveshjen. Pas kësaj ngjarjeje filloi lufta civile ne Shqipëri”-thotë Ihsan Toptani në rrëfimet e tija dhënë prof. Tahir Berishës, 10). Pra sikurse që po shihet kjo marrëveshje nuk u pranua nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të Luftës Nacionalçlirimtare, të cilët pastaj ndaj dy përfaqësueseve të vet, Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit, morën masa ndëshkuese. Në lidhje me këtë program te përbashkët Ymer Dishnica si përfaqësues kryesor komunist në këtë mbledhje i Enver Hoxhës shkruante: Çështja e krijimit te “Shqipërisë etnike” (qe do ta përfshinte edhe Kosovën), kishte qen njëra nder dy gurët e kufirit, kurse çështja tjetër kishte qenë thirrja për pavarësinë shqiptare, për te cilën ballistet refuzuan të bënin kompromis...Në fund, raportonte Dishnica: “Ne iu shporrëm pengesës se “Shqipërisë etnike”, në saje të një formule te neutralizuar”. Formulimin të cilin e zgjodhën ishte kështu: “ Te luftojmë për një Shqipëri të pavarur, duke zbatuar parimin-që është i njohur si parim universal dhe i garantuar nga Karta e Atlantikut-për vetëvendosjen e popujve, për një Shqipëri etnike.” 11). Që nga prishja e kësaj marrëveshjeje u krijua një çarje e madhe midis Frontit dhe Ballit, një prishje që siç thamë solli dëme të mëdha në bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe në luftën e tij për liri kundër armiqve pushtues.

Me këtë rast vlen të theksojmë se Milladin Popoviqi që u cek më lartë në lidhje me Marrëveshjen e Mukjes i kishte shkruar Titos: “Kemi ndikuar tek PKSH dhe LNÇ që, gjithsesi ta prishim Marrëveshjen e Mukjes”, kurse Dushan Mugosha i tërbuar thotë: “Marrëveshja e Mukjes shkaktoi një turbullirë të madhe. Organizata e partisë në Vlorë, nën direktivën time, shkroi traktatin dhe ua drejtoi gjithë njësive të Ballit Kombëtar ku thuhej shkurtë e qartë: kush nuk dëshiron me ne, është kundër nesh...! 12). Ndërsa Vlladimir Dedijeri shkruan: “KQ i PKSH dënoi tradhtinë e turpshme në Mukë. Shokët delegatë në Mukë ranë në pozitat nacionaliste dhe të oportunistëve duke u kënaqë nëse ndonjë fjalë ose fjali në program është ndryshua. Atëherë aty ka qenë shoku Tempo. Kemi biseduar dhe me KQ dhe studiuar çështjen, situatën etj, dhe atëherë vendosëm që të nxjerrim një trakt dhe të mos njihet mënyra e organizimit të “Këshillit të Shpëtimit të Shqipërisë” dhe as funksioni i tij si instanca më e lartë në luftën nacional-çlirimtare që sa më parë të ftohet konferenca dhe të zgjerohet Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.” 13). 

Dr. Ihsan Toptani nga pikëpamjet  e tij politike ishte i pavarur.  Ai gjatë luftës në Shqipëri  shoqërohej dhe mbante lidhje të mira miqësore me misionarët ushtarak britanik. Kur disa misionar oficer ushtarak të lartë britanik si për shembull: William Tillmani, Julian Amary dhe  Peter Kempy u gjendën në tokat shqiptare të Shqipërisë, atyre iu doli shumë në ndihmë  dr. Ihsani , i cili u veçua me shoqërimin që i bëri më së shumti kapitenit Julian Amary (1919-1996,

Sh. V.). Secili prej këtyre tre oficerëve (lexo dy major dhe njëri kapiten), pas përfundimit të luftës kishin shkruar dhe botuar librat e tyre në formë të kujtimeve, në të cilat kuptohet në kaptina të veçanta ata i përshkruajnë edhe zhvillimet politike në Shqipëri.  Këta tre oficerë britanikë kanë qenë në pjesë të ndryshme të Shqipërisë dhe kanë pasur lidhje me forca të ndryshme të arenës politike e ushtarake. Pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre nuk janë të njëjta. Librat e tyre janë botuar me largësi të madhe vitesh...14).  Ja se si në ditarin e vet e përshkruante ky oficer britanik (Julian Amery), dr. Ihsan Toptanin: “...Ihsani ishte një çifligar dhe kreu i njërës prej familjeve më të mëdha në Shqipërinë e mesme. Ai gjithmonë kishte ndenjur larg politikës por personalisht ai kishte simpati pa rezerva ndaj anglezëve dhe kishte përballuar rreziqe të mëdha për t’i shpëtuar oficerët britanikë, që kishin mbetur të sëmurë ose të plagosur  pas operacioneve ndëshkimore të 1943. Për ne ai ishte një këshilltar i mençur e i paanshëm dhe më se njëherë ai kishte shërbyer si ndërmjetës për t’i penguar planet e gjermanëve që ta forconin regjimin “kolaboracionist” në Tiranë...” 15). Pastaj vazhdon J. Amery duke na përshkruaj detaje interesante dhe tepër të rrezikshme nga aventurat të cilat i kishte arritur ekskluzivisht duke iu falënderuar, guximit, trimërisë e para se gjithash vendosmërisë dhe simpatisë tepër të madhe të dr. Ihsanit që kishte për britanikët... 16).

Në lidhje me Luftën e Dytë Botërore, akoma ekziston një mendim që është përhapë mjaftë se kinse britanikët për disa qëllime të interesave të tyre nuk i paskan përkrahur sa, dhe, si duhet krahun nacionalistë në Shqipëri. Një ide e tillë u bë bazë e ndërtimit të një teorie të ashtuquajtur  “Teoria e Konspiracionit”, të cilën oficeri anglez i Shërbimit të fshehtë informativ Reginald Hibet në librin e tij “Fitorja e hidhur-Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë” nuk e pranon dhe e kundërshton. Është mjaft interesant çështja se edhe vet dr. Ihsani qëndrimet e Qeverisë britanike për një ndihmë në ngjarjet në Shqipëri i kishte parë si të vonuara. Ai thotë se Britanikët, deri më 1943, nuk ishin në favor të një aktiviteti të dukshëm ushtarak në Shqipëri. Britanikët kishin sjellë një vendim qëllimi i së cilës ishte që të vriten sa më shumë gjermanë duke mos marr  asgjë tjetër parasysh. Ndërsa Ihsan Toptani insistonte se gjatë kësaj faze duhet vënë në dukje sidomos momentin e kapitullimit të Italisë dhe ardhjen e ushtrisë gjermane, gjë që kishte rezultuar me formimin e një Asambleje të Përkohshme, e cila do ta shpallte përsëri Pavarësinë e Shqipërisë dhe neutralitetin e vendit. Gjermanët e kishin pranuar këtë neutralitet të Shqipërisë. Mirëpo sikurse që edhe dihet pas pak kohësh, çështja e këtij neutraliteti u harrua, sepse siç cekëm më lartë në Shqipëri filluan të arrijnë misionarët anglez nga Greqia. Ata kontaktet e para i vunë me çetat e partizanëve. Dr. Ihsani thotë se Britania e Madhe nuk kishte pasur interesa ne Shqipëri, andaj për Britanikët, nuk ishte fort me rëndësi ndryshimi i strukturës shoqërore shqiptare. Britanikët, sipas  dr. Ihsanit u ndihmuan atyre me të cilët kishin interesa. Interesa të tilla anglezët kishin me Greqinë e cila  ndaj Shqipërisë është sjellë gjithmonë në mënyrë armiqësore, agresive dhe grabitqare. Duhet theksuar se gjatë luftës, grekët në Londër, ishin angazhuar shumë që Britania e Madhe të mos bëjë asnjë deklaratë me të cilën do ta favorizonte pavarësinë e Shqipërisë si dhe pa prekshmërinë e kufijve.  Dr. Ihsan Toptani i cili i kishte vërejtur këto lëvizje nga afër, potenconte se Britanisë së Madhe iu paska deshtë që të ju bëjë qejfin grekëve. Në këtë mënyrë çështja e partive nacionaliste shqiptare kishte mbetur anash, e që njëherë kjo kishte ndikuar që forcat partizane të forcohen më tepër se ato nacionaliste, për arsye se parullat e luftës kundër fashizmit ishin joshëse për shqiptarët, të cilët, duke u futur në radhët partizane, u futën në grackën komuniste. 17).  Një pjesë të madhe të partizanëve e përbënin  jo komunistët por, të cilët, siç del nga ky rast, i kishin shërbyer komunistëve. Forcat nacionaliste (zogistët dhe ballistët) ishin gjetur para një dukurie shumë të vështirë. Po të luftohej kundër komunizmit, këtë Britania e Madhe mund ta konsideronte se ishte luftë kundër interesave të saja. Interesantë është me këtë rast të cekim se e gjitha kishte marr fund kur po thua se kur fuqitë e mëdha në konferencën e mbajtur  në Jaltë, prej 4 deri më 11- shkurt, 1945 të kryesuar nga  koalicioni antifashist SHBA në krye me Ruzvelltin,  Britania e Madhe në krye me Çerçilin dhe  Rusia në krye me Stalinin, kishin pru vendim që Greqia  të mbetet në hemisferën kapitaliste, kurse Shqipëria në atë komuniste. Sipas rrëfimeve të Ali Ferhat Dragës (1910-1993), i cili pohonte fjalët e majorit anglez Hill, i cili haptazi ju  kishte thënë se s’ka asgjë prej sistemit kapitalist në Shqipëri, sepse kështu është vendosur në Jaltë 18).

Me që dr. Ihsan Toptani me të madhe kishte  mbajtur kontakte dhe i kishte shoqëruar në shumë raste oficerët misionarë anglez të zbarkuar në Shqipëri, siç kemi cekë edhe më lartë, ai dhe bashkëmendimtarët e tij shpejtë u bënë armik të komunistëve, por kësaj i ndihmojë edhe prejardhja e familjes së tij e cila ishte mjaftë në zë për pasurinë e madhe që kishin. Oficerët britanik kishin pas një marrëveshje që me rastin e tërheqjes së tyre nga Shqipëria me vete ti evakuojnë edhe Dr. Ihsanin, dhe anëtarët tjerë siç ishin bie fjala ata të ballit kombëtar të cilët nuk arritën të gjejnë ujdi apo pajtim kombëtar me palën komuniste të cilët kryesisht dirigjoheshin nga kominterna Sovjetike-Bullgare-Serbe. Mirëpo në momentet më tragjike dhe më të pa volitshme për palën antikomuniste në çastet e fundit sikur ju ndodhi një befasi e pa pritur. Oficerët britanik kishin marrë urdhër që gjatë tërheqjes së tyre të mos e marrin asnjë qytetar jo britanik me vete. Ky njëherë ishte një lajm shumë i hidhur për grupin e intelektualëve shqiptar të cilët nuk kishin ra në ujdi me palën komuniste, dhe tani qëndrimi i tyre në një Shqipëri komuniste çdo herë e më tepër rrezikohej.  Në këto rrethana Dr. Ihsani duke mos lënë që të kaloi koha, shkon në Shkodër dhe nga një mik i tij merë një barkë benzinës për të kaluar matanë Adriatikut. Me këtë bark udhëtoi edhe Abas Kupi me dy djemtë e vetë, Gaço Goga i cili ishte sekretar i Legalitetit, dhe oficeri Dilaver Berberi. Mirëpo gjatë udhëtimit ju ishte prishur barka dhe disa ditë kishin qëndruar nën mëshirën e Zotit dhe detit. Ja se si e përshkruan këtë ngjarje të jashtëzakonshme kapiteni anglez  Julian Amery në librin e tij “Bijtë e Shqipes” botuar pas lufte në vitin 1948, (përkthimi në shqip në vitin 2002, Sh. V.) “...Morëm vesh se një natë pas largimit tonë me benzinatën  MAS, Ihsani dhe kapedani malazez kishin dalë në det nga gryka e Bunës. Duke marr me vete Again dhe miqtë e tij. Gjatë natës kishin lundruar (në libër qëndron shprehja jo adekuate ecur Sh. V.) mjaft dhe, të nesërmen në mëngjes kishin arritur në një pikë ku dukej Brindisi. Ndërkaq motori i barkës ishte prishur përnjëherësh.  Ata ishin përpjekur ta ndreqnin dhe kishin bërë shenja për të kërkuar ndihmë, por të gjitha mundimet e tyre kishin qenë të kota dhe valët, i kishin hedhur përsëri në detin e hapur. Shtatë net dhe shatat ditë, u shtynë në drejtim të jugut, duke mbajtur veten e tyre gjallë me ujët e shiut dhe me thërrimet e pakta të ushqimeve që kishin marr  vetëm për një natë. Ishin dëshpëruar shumë, por mëngjesin e shtat, ndërsa rryma i shpinte në ngushticën e Otrantos, u panë nga një minaheqës dhe u shpunë në Brindisi krejt të kapitur...” 19).

  Pas aventurës së pa dëshiruar dhe shpëtimit nga përmbysja e barkës në deti, Ihsani vendoset për disa muaj në një kamp refugjatësh afër Barit. Në ndërkohë shpërndahen dhe Ihsani shkon në Romë ku punësohet në revistën amerikane “Newsweek” e më pas u bë edhe menaxher për biznes i Zyrës së  Romës. Dr. Ihsani në Itali qëndroi deri në vitin 1947, prej nga u shpërngul në Angli ku qëndroi deri sa vdiq më 28 maj 2001, në moshën 93 vjeçare, ndërsa varrimi u bë më 7 qershor 2001, në Krematoriumin e Londrës Jugore.

   Në përcjelljen e tij të fundit, përveç mbesës së tij Gajde Toptani-Mema, e cila e vizitonte shpeshherë nga Tirana dhe kushëriri Sali Toptani me banim në Londër, kanë marr pjesë edhe shumë bashkatdhetar dhe miq anglez. Në mesin e tyre ishin edhe shumë aktivist, anëtarë dhe përfaqësuesit e Shoqatës Anglo-Shqiptare, anëtar i së cilës ishte edhe tashmë i ndjeri z. Pavli Qesku i cili edhe përveç tjerash theksojë: “...Kur fliste Ihsani për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, kur përmendte gjendjen e Çamërisë dhe të arvanitasve nuk kishte si të mos ndjehej në fjalët e tij zemërimi që Enver Hoxha me shokë ia shitën Kosovën Titos, që çështja e Çamërisë mbeti e varrosur për pesëdhjetë vjet të sundimit hoxhist. Në mendjen time-vazhdon z. Qesku, dr. Ihsani mbetet mëshirim i shqiptarit dorëhapët e të sjellë i mendjes së lirë nga prangat e ideologjive, i njeriut me shpirt të madh që e deshi vendin dhe popullin e vet ashtu si ishte në të gjitha kohët...”20). Me rastin e vdekjes së dr. Ihsan Toptanit, gazeta britanike “The Intepedent”, botoi një artikull të gjerë të autorit James Pettifer, në të cilën autori i shkrimit dr. Ihsanin e cilëson si personalitet të fundit të dinastisë së Toptanajve, themeluese e qytetit të Tiranës, e cila dinasti për gati 150 vjet dominoi ne skenën shoqërore-politike të Shqipërisë...”.

Dr. Ihsan Toptani, kur dhe, në asnjë mënyrë nuk u pajtua me regjimin bolshevik komunist, ashtu që ai tërë jetën nuk pushoi por me krejt qenien e tij fizike dhe intelektuale sa kishte mundësi ishte angazhuar në drejtim për t’i ndihmuar Shqipërisë. Kur në gushtin e vitit 1949, me ndihmën e Fuqive të Mëdha, gjegjësisht me iniciativën e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe u formua “Komiteti Shqipëria e Lirë” ai kishte marr pjesë. Themelimi i këtij Komitetit qe bërë më 26 gusht 1949, kurse menjëherë të nesërmen, anëtarët e këtij komiteti kishin shkuar në Londër dhe po atë ditë kishin shpallur themelimin e saj nëpërmjet Radio-BBC-së. Qendra e këtij komiteti qëllimi i së cilës ishte veprimtaria kundër regjimit komunist në Shqipëri, pa zgjedhur format dhe metodat që iu vinin në dorë, u caktua Roma. Sipas rrëfimeve të dr. Ihsan Toptanit Ky Komitet ishte formuar prej dy partive kryesore: Partia Monarkiste e cila përfaqësohej nga Abaz Kupi dhe Nuçi Kote, si dhe partia e Ballit Kombëtar që përfaqësohej nga Mit’had Frashëri dhe Zef Pali, ndërsa si anëtar i pavarur i Komiteti ishte edhe Seid Kryeziu. Qëllimi kryesor i këtij Komiteti ishte destabilizimi i regjimit komunist. Fuqitë e mëdha nëpërmjet këtij Komiteti, anëtarë i të cilit ishte edhe vet dr. Ihsani, arritën të armatosin disa grupe diversantësh të cilët i dërguan në Shqipëri për të krijuar qendra të diversionit për ta përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës. Por siç edhe e dimë rezultati i këtyre veprimeve, nuk ishte pozitiv. Spiunazhi kishte punuar dhe të gjithë ata që u zbarkuan në Shqipëri u zunë, ca u pushkatuan ca u burgosën etj. Sipas informatave të më vonshme u kuptua se në zbulimin dhe kurthin e përgatitur për kapjen e këtyre diversantëve mërgimtar shqiptar, Enver Hoxha ishte informuar nga spiunët Rus të cilëve ju kishte zbuluar planet spiuni anglo-amerikan  KiIm Filbi, emri i vërtet i të cilit ka qenë Harolld Adrian Rasell (1912-1988) i cili njëkohësisht kishte punuar edhe për interesat e bllokut perëndimor por edhe për ato lindore (lexo Ruse), pra ishte një spiun i dyfishtë.

Pas fitores dhe vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri shumë shqiptarë ikën dhe u vendosën në Athinë ku ekzistonte një kamp për refugjatë shqiptarë të ikur nga regjimi komunist i Shqipërisë. Numri i tyre shkonte në 400 refugjatë. Ashtu që anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, Shqipëria e Lirë, dr. Ihsanin e kishin emëruar përfaqësues për punë me këta refugjatë nga Shqipëria. Këtu Ihasanin e kishin vu në përgjegjësi për rekrutimin e refugjatëve shqiptarë, të cilët u përfshin në trupat që stërviteshin nga dy anglez David Smiley dhe Xhulian Amery në Maltë. Kjo ishte kohë që njëkohësisht shënonte aktivitetet e fundit dhe përfundimin e ëndrrave të emigracionit shqiptar nacionalist për përmbysjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Për këtë aksion anglezët kishin kërkuar ndihmën e amerikanëve të cilët për këtë rast kishin krijuar në Gjermani një repart prej 4000 shqiptarëve emigrant. Këto forca pasi u përgatitën i sollën me anije në Shqipëri por, ata të gjithë u zunë dhe u likuiduan. 21).

   Në vitin 1953, dr. Ihsan Toptani dha dorëheqje nga ky Komitet. Dorëheqja e tij pasoi për shkak se sipas tij, anëtarët e tjerë kishin vendosur që në Komitet të hynë edhe njerëz të cilët gjatë okupimit fashist të Shqipërisë kishin bashkëpunuar me okupatorin. Mirëpo pas disa vitesh, Komiteti bënë përpjekje për të riorganizuar në SHBA, me ç’rast ftohet edhe dr. Ihsani që të merr pjesë përsëri, por një kërkesë të tillë ai e refuzoi për shkaqe të njëjta. Pas kësaj iu kthye sërish punës në BBC, ku qëndroi deri në mbylljen e Seksionit Shqip, që ndodhi në vitin 1967, kur ai edhe u pensionua. Që nga kjo kohë e deri në vdekje Ihsani u angazhua në “Shoqatën Anglo-Shqiptare.” 22).

Sipas rrëfimeve të Ihsanit pushimi i tij aktiv nga politika në radhë të parë  kishte si rrjedhojë kyçjen e disa anëtarëve që përfaqësonin “bllokun indipedent”, si bie fjala Ismet Vërlaci (djali i Shefqet Vërlacit), i cili ishte nga organizatorët që kishte ftuar italianët për të okupuar Shqipërinë. Pastaj Ernest Koliqi ishte organizatorë i Grenoblës, ku Mustafa Kruja, Ali Këlcyra dhe Qazim Kërculi kishin nënshkruar një deklaratë që thoshte se kurora e Shqipërisë duhej t’i jepej një princi nga shtëpia e Savojëve të Italisë.

Personat të cilët kanë pas rast të rin me Dr. Ihsan Toptanin dhe të marinë informata dhe shënime të pasura nga biografia e tij, thonë, se ka qenë kënaqësi e madhe të vizitosh Ihsanin në shtëpinë e tij në Streatham, në pjesën jugore të Londrës. Publicistët dhe njerëzit e pendës siç ishin prof. Tahir Berisha dhe publicisti i njohur Daut Dauti, kanë lënë ca shkrime të mira rreth bisedave që i kanë zhvillu drejtë për së drejti me dr. Ihasanin. Ai edhe në moshë bukur të shtyrë nuk pushoi së shkruar, ashtu i lodhur nga sëmundja dhe nga pleqëria qëndronte pranë kompjuterit të vet, nga ku dërgonte letra në të gjitha drejtimet kundër barbarisë serbe që ushtrohej në Kosovë. Ishte shumë i lumtur që arriti ta shoh shkatërrimin e regjimit komunist në Shqipëri. Në vitin 1993 ai e kishte vizituar Shqipërinë dhe nuk i kishte pëlqyer situata politike por i kishte pëlqyer natyra e atjeshme. I pyetur se a dëshiron të rikthehet sërish në Shqipëri, Ihsani përgjigjet: “Kur të mbush 100 vjetët, në qoftë se populli i ka përdorur ato forca shpirtërore dhe fizike, që kanë bërë të mbijetojë me mijëra vjet, për të ruajtur identitetin kombëtar, do të kthehem për të kaluar në vendin e lindjes, atë kohë që do të më ketë mbetur.” 23). Për dr. Ihsan Toptanin dhe për aktivistët tjerë si ai, Kosova ka qenë një plagë që gjithmonë ia ka lënduar shpirtin. 24).

Dr, Ihsani me që Zoti i fali një jetë bukur të gjatë, ai pati fatin që të përjetoi dhe shoh dy dëshira të mëdha të jetës, shkatërrimin e regjimit komunist në Shqipëri dhe Lirimin e Kosovës martire nga Serbia shkatërrimtare. Ndonëse shumica e bashkëkohësve të tij nuk e patën të njëjtin fat.

                                                                                                                                                  FUND.

Shfrytëzimi i literaturës për këtë material:

1 .   Jaho Brahaj, “Kurora Mbretërore Shqiptare” faqe, 37 dhe 48.

2 .  “Pema gjenealogjike e Topiajve” cituar sipas, J. B. dhe “Familja Toptani” marr nga interneti).

3 . Hafëz Ibrahim Daliu “Patriotizma në Tiranë”,  botuar në Tiranë, 1930, faqe 76).

4 . Aristidh Plaka, Ibrahim Xhamaj “Kalendari Enciklopedik I” faqe, 304;  Bardhosh Gaçe “Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare”, faqe, 173-176; Kristo Frashëri “Historia e Tiranës I” faqe, 304, 312, 315, 323...etj.

5. Nga interneti si nën 2.                                                                                        

6 . Daut Dauti “Reflektime shqiptaro- britanike” 58-59.

 7 . http://www.tahirzberisha.com/e_ecejaket.htm. Me gjerësisht ne lidhje me ketë shih në Dr. Hakif Bajrami “KOSOVA Prej Bujanit ne Kaçanik”, faqe 84-86. Prishtinë 1997.

8 . Tahir Berisha “Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova”, Londër 2001. Libri u shkarkua nga interneti; Julian Amery  “Bijtë e Shqipes”, faqe 85, Tiran 2002.

9 . “Fjalori Enciklopedik” faqe, 485-486 Tiranë, 2002;  Peter  Bartel “ALBANCI-od srednjeg veka do danas” faqe, 230, Beograd, 2001.

10. T. B. “Shënime dhe ecejake....”

11. Noel Malkolm “Kosova një histori e shkurtër”, faqe 315-316. Prishtinë 1998.

12. “Që historia shqiptare të mos mbesë në kurthin serbo-sllav”, njëzet autorë për tre librat e Sabri Maxhunit-Novosellës. Faqe, 134, Prishtinë 2011.

13. Vlladimir Dedijer “Marredhanjet Jugosllavo-Shqiptare (1939-1948)”, Beograd 1949, faqe, 94-95. Shtojmë se V. D. për këto të dhëna bazohet në raportin e Milladin Popoviqit drejtuar KQ të PKJ me 19 tetor 1943. (Në librin e V. D. të botuar në gjuhën shqipe nuk figuron askund emri i përkthyesit, Sh. V.). Këtu vlen të cekim se librit në fjalë të Vlladimir Dedijerit i referohet edhe oficeri i Shërbimit të fshehtë informativ anglez gjatë luftës dytë botërore , që u hodh me parashutë në Shqipëri në dhjetor të vitit 1943,  Reginald Hibert, i cili në librin-ditar të tij “Fitorja e hidhur-Lufta Nacional Çlirimtare e Shqipërisë”, në disa vende e përmend  Marrëveshjen e Mukjes. Libri u përkthye në gjuhën shqipe më 1993, nga përkthyesi i njohur Xhevat Loshi.

14. Dy fjalë për lexuesin në “KUJTIME QË NUK SHLYHEN-Tre oficerë anglezë gjatë luftës në Shqipëri dhe në Kosovë”, faqe, 4. Tiranë 1997, në përkthim të Xhevat Loshi.

15. Julian Amary “Marshimi I Afrimit nën kapitulli Tirana”, në librin, “Kujtime që nuk shlyhen” nga tre oficer anglezë gjatë luftës në Shqipëri dhe në Kosovë. Faqe, 134.

16. Njëjtë faqe 134, 135, 136 137...

17. D. Dauti vepra cituar, faqe 58.

18. “KOHA”-nr. 6, viti i I, 5-dhjetor-1990, faqe, 33. Shih dhe Vladimir Dedijer “Interesne Sfere” Beograd, 1980, faqe 409; si dhe në “Popularna Enciklopedija”, Bg. 1976, faqe, 472.

19. Julian Amery “Bijtë e Shqipes”, fq. 382-363. Tiranë 2002.

20. T. Berisha në vep... e cit... “Ecajake....”, shkarkuar nga interneti.

21. http://psikologji.net/forumi/index.php?action=printpage;topic=2677.0

22.  D. Dauti vep. e cit. faqe 56.

23. T. Berisha në “Ecajake....”

24. D. Dauti, faqe 51.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora