E hene, 29.04.2024, 03:43 PM (GMT+1)

Faleminderit

Alfred Papuçiu: Arkitekti me origjinë shqiptare Franco Marussich dhe pema gjenealogjike

E merkure, 17.08.2011, 08:05 PM


Agim, Franco, Alfred, Maria, Roza, Joëlle à Preza

 

Arkitekti me origjinë shqiptare Franco Marussich dhe pema gjenealogjike

 

Nga Alfred Papuçiu

 

       Nën kujdesin e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë   është promovuar në Tiranë studimi” San Donato Zara”(shtëpia botuese JULVIN 2),  i arkitektit te njohur me origjine shqiptare, Franko Marussich (MARUKU). Studimi fokusohet ne rrënjët e se kaluarës si dhe mbi te ardhmen arkitekturore te kishës San Donato ne Zara te Kroacisë, qytet i banuar nga shqiptaret para shume shekujsh ose siç njihet ndryshe edhe si kryeqyteti i Shqipërisë veneciane.

      Studimi i ofrohet lexuesve në gjuhën italiane, por së shpejti pritet të botohet edhe në gjuhën shqipe. Sipas arkitektit, ardhja e tij në Shqipëri ka dhe një motiv tjetër, atë te gërmimit ne rrënjët e prejardhjes se tij dukagjinase. Për familjen e tij dhe për shqiptarët e Zarës është folur gjërësisht në librin dy gjuhësh “Nxënësja e etur e gjuhës romanshë”.

 

Një miku im mjek më tha një ditë: „Ndoshta nganjëherë jemi shumë pranë njerëzve të mëdhenj, por nuk e kuptojmë filozofinë e tyre“. Këtë ndjeva kur e takova para 20 vitesh Frankon, shqiptarin me prejardhjen nga Dukagjini, erudit dhe njohës i thellë i historisë së popullit prej nga e ka prejardhjen, prej „Arbanasi“ të Zarës. U njoha me të krejt rastësisht me të në Gjenevë. E ruajtëm miqësinë tonë. Më ftoi disa herë në shtëpinë e tij, në Kryzej (Cruseilles) të Francës. Një shtëpi e ndërtuar mbi bazat e një ish ferme, ku edhe tavolinën e tij të punës, mobiljet dhe pajisje të tjera të ndërtesës tre katëshe, i ka skalitur me duart e tij të arta. Ai pret atje miq e dashamirës të shumtë, shpesh herë rreth një gote rakije rrushi nga Shqipëria që ja sjellin miqtë, ose « grappa » nga Zara ku banojnë Arbanasit, ose edhe me një gotë verë të mirë e të vjetër që ai e njeh si degustator e prodhues i saj. I tillë është dhe në jetë, gjithmonë me atë buzëqeshjen e tij karakteristike, me respektin që gëzon tek kolegët, tek miqtë e shumtë. Edhe unë kam fatin e mirë të jem një prej tyre, që herë herë i marr ndonjë mendim edhe për artin, historinë e popullit tonë, letërsinë, si edhe arkitekturën. Me njohuritë e tij të thella, shpesh më ka folur për historinë e Ballkanit, për prejardhjen e familjes së tij, pemën gjenealogjike që po e ndërton me kujdes, por nuk ka dashur që ajo të bëhej publike, pasi e quante diçka të zakonshme. Më së fundi ja mbusha mendjen dhe një pasdite, para 6 vitesh, më rrëfeu për orë të tëra këto rreshta në dhomën e tij të punës, ku ndodhet një bibliotekë e pasur. Aty gjen edhe fjalorin frëngjisht-shqip të profesorit tim të nderuar të frëngjishtes, Vedat Kokona, të botuar nga „Toena“, një fjalorth italisht-shqip dhe shqip-italisht, botime për „arbanasit“ e Kroacisë, për Zarën, për historinë e shqiptarëve, të Ballkanit, të Shqipërisë, si edhe relike nga Zara, ku shqiptarët kanë fshatin e tyre me emrin „Arbanasi“, kishën, korin e tyre dhe ku rrugët mbajnë emrat e paraardhësve të Frankos. Ai është këmbëngulës për të arritur diçka, pasi thotë jam si malësorët shqiptarë, pak kokëfort, por dua që gjithçka të jetë e përsosur...Diku, në shënimet e tij ka shkruar në frëngjisht: „Mon père était de langue maternelle albanaise“ (Babai im gjuhën amtare e kishte shqipen)…

Pikërisht nisur nga këto shënime, fillova punën time hulumtuese, gjeta shumë të dhëna historike për Marukët (Mar-uku) e lashtë dhe së fundi e shtyva mikun tim, duke u drejtuar shumë pyetje, duke i marrë orë të çmuara të punës së tij admiruese si arkikekt që kërkohet kudo, të më flasë për shqiptarët që kanë vendin e tyre të nderuar në bregun Dalmat. Për Zarën që ka qënë cilësuar si kryeqytet i Dalmacisë dhe i Shqipërisë veneciane që shkonte deri në brigjet e Durrësit. Ai ruan si relike të ralla monedha të asaj kohe të hershme. Duke u përqëndruar, me zërin e tij kumbues, me pamjen e tij krenare, filloi të më tregojë:

Franco Marussich ka lindur në Zara në 1938, nga prindër Jaky Marussich dhe Fatma Tambini. Në 1939 shkon në Adis Abeba, Etiopi. Për shkak të luftës, pas një ndalese në një kamp të burgosurish, britanik, kthehet në Zara. Që nga 1948 jeton dhjetë vjet në Trieste ku frekuenton liceun klasik deri në vitin e V të gjimnazit. Gjatë një viti punon në Torino. Në vitin 1958 rifillon studimet dhe merr maturën artistike në Brera të Milanos. Universitetin e fillon në « Politecnico » të Milanos, pastaj vazhdon shkollën e arkitekturës në Gjenevë dhe diplomohet në 1969. Punon një vit si asistent në Universitetin e Gjenevës. Gjatë studimeve ka punuar për zyra të ndryshme arkitekture dhe të urbanizmit, pastaj krijoi studion e tij. Punoi në Zvicër, Itali, Somali, Portugali. Në 1974 vendoset në Francë. Punon si arkitekt në Portoriko, Francë, Kenia, Britani e Madhe, Kroaci. Ka punuar sidomos si arkitekt urbanist për programme të posaçme : si në krijimin e qendrave për persona me aftësi të kufizuar,  të banesave sociale, shkollave dhe ndërmarjeve industriale. Ka projektuar vila (si të sheikëve arabë), shalé në male, ka ristrukturuar qendra në zona rurale, dhe është marrë edhe me arkitekturën e brëndëshme. Ka realizuar ndër të tjera një qendër shëmbullore arkitekturale në Gjenevë, në « qytezën » Kolonji (Cologny) ku kanë rezidencat e tyre miliarderë dhe artistë të dëgjuar si Alen Delon, Sharl Aznavur, si dhe ka rinovuar kështjella në Londër, apo « qyteza » antike në Itali.

Së fundi Franko ka botuar librin « San Donato Zara » (Analizë e krahasuar e elementëve arkitektonikë) në Tiranë. Së shpejti libri do të botohet edhe në gjuhën shqipe, pasi botimi i parë është italisht. Libri është tepër i dokumentuar dhe lexohet me endje si nga arkitektët, por edhe nga lexues të tjerë dashamirës të artit, pasi jep një vizion tjetër të arkitekturës. Franko ka ardhur  në Shqipëri për të gjetur gjurmët e të parëve të tij shqiptarë, për të pasuruar pemën gjenealogjike të familjes së tij, si dhe për të dhënë ndihmësën e tij për arkitekturën shqiptare dhe për të sjellë investues francezë. « Dua edhe unë të jap kontributin tij si shqiptar, thotë ai, në zhvillimin e Shqipërisë. Nuk e prisja nga këto që pashë që vendi im të kishte bërë kaq hapa të mëdha. Natyrisht ka akoma shumë për të bërë, por edhe vende të mëdha, si Franca, Italia e gjetiu, kanë probleme me urbanizmin. Unë i përkas brezit të vjetër të arkitektëve dhe më është dashur të merren sidomos me urbanizmin e një qyteze, qyteti, apo edhe me punime të tjera, si ndërtimi i shkollave, rinovimi i kështjellave etj. Këtu në Tiranë shoh që janë bërë hapa përpara për urbanizmin, por duhet bërë më tepër për hapësirat e gjelbëra, për rrugë dytësore që janë akoma me gropa. Rëndësi i duhet dhënë sidomos bregdetit dhe jo të veprohet si në Spanjë ku gjithçka po betonizohet. I duhet dhënë përparësi turizmit, por kjo kërkon të zhvillohet infrastruktura e duhur. Unë do të përpiqem të ndihmoj me mundësitë e mia dhe me miqtë e mi. Ndërkohë, do vazhdoj kërkimet për të pasuruar pemën gjenealogjike të familjes dhe për të gjetur më tepër të dhëna për prerardhjen time. Në këtë drejtim, më kanë ndihmuar vëllezërit e mi shqiptarë, këtu dhe në Diasporë ».

Kur e pyeta Frankon se kur ka filluar largimi i famljes së tij nga Dukagjini, ai duke u menduar thellë, më theksoi : « Migrimi i grupeve të ndryshme familjare u realizua me anën e dy rrugëve të ndryshme : një nëpërmjet Barit (Itali) ku një prej paraardhësve të mij u martua me një italiane ; tjetra gjatë bregdetit dalmat : data e mbritjes së tyre në Zara (tani quhet Zadar) për një pjesë të tyre është në vitin 1723, pastaj më 1726 dhe për një pjesë tjetër në 1733. Paraardhësit e mij ikën nga Shqipëria në atë kohë, pasi kishin luftuar kundër otomanëve që pushtuan tokat tona. Në shekulllim e 16-të, shumica e shqiptarëve ishin Kristianë, me Kishën Katolike Romane që sundonte në Veri, dhe me Kishën ortodokse në Jug. Në fillim, vetëm një numër i vogël qytetesh u kthyen nga  feja Islamike, për të mbajtur pozitën e tyre ekonomike dhe privilegjet e tyre nga pushtuesit otomanë. Ndërsa në mëse 100 vjet, megjithë presionet ekonomike dhe pengesat e shumta, pjesa e shqiptarëve që ishin kristianë e ruajtën fenë e tyre. Kur otomanët filluan islamizimin e vendit, ne u larguam nga Dukagjini… ».Në 1726, 21 familje shqiptare ikën nga vatrat e tyre dhe u vendosën një kilometër në jug të Zarës. « Arbanasit » u vendosën rreth Zarës ku kishte përparësi Kisha Romane dhe kjo bëri që ata të vendoseshin nën mbrojtjen e « Republikës Veneciane të Dalmacisë ». Ata u ndihmuan të ndërtonin shtëpi dhe të kishin stane për bagëtitë e tyre, dhe në rastin e Zemunikut, disa kilometra larg Zarës, ju dhanë livadhe për kullotje, si dhe u pastruan tokat nga gëmushat…Në regjistrin e 15 gushtit 1726 përmenden mbiemrat e disa familjeve shqiptare që u vendosën në Zara, ndër të tjera : Luca d’Andrea Gezghenovich, Nicolo di Luca Marghievich, Prem Vuka Marghicevich, Giesh Prend Marghicevich, Giech Pepa Marghicevich, Prenz Prema Marghicevich, Petar Vuka Gianova, Niko Matessich, Luka Prend, Lesh Pero Marghicevich, Luka Lucich, etj. Tek « Zara Cristiana », Monsinjor Bianki i Zarës thekson mbritjen e « Arbanasi » pranë Zarës. Ai shkruan se në 1726, të udhëhequr nga dy vëllezërit me mbiemrin PETANI, erdhën 24 familje shqiptare. Profesori Vjekoslav Klaic, shkruan për « Arbanasit » në librin e tij « Opis zemalja u kojim stanuju Hrvati (Raport mbi vendbanimet e banuara nga kroatët), i botuar në 1881. Aty ai thekson se ishin 1354 Arbanasi, rezidentë nga Skutari (Shkodra) që u vendosën aty.

Në 1733, shtatë vjet pas migrimit të parë, grupi i dytë i « Arbanasi » lanë tokat e tyre amtare dhe kaluan në Gjirin e Kotorit, disa nga toka dhe disa nga deti, mbritën në Hercegovinë, ku qëndruan përkohësisht dhe pastaj hypën anijeve për në Zara dhe u vendosën në vendin e quajtur Zemunik, që ja u dha qeveria veneciane. Raportet e 11 marsit 1735 dëshmojnë se ishin rreth 28 familje dhe rreth 199 vetë. Disa nga emrat e tyre janë : Stjepo Gjuri, Leka Marko, Paolo Marussich, Mar Mazia, Paolo Prendi, Prento Stani, Jovan Vuci, Andrea Toma, Rado Ruço, Marko Pertu, Prento Markov, Stiepo Luco, etj.

Në vitin 1756, qeveria e Venetikut bëri një regjistrim të tokës për familjet « Arbanasi ». Regjistri kishte si qëllim të nxirrte numrin e vendndodhjeve dhe të njerëzve që ishin në çdo familje. Në librin « Erber » ndodhen disa nga këto mbiemra : Duka, Petani, Marsan, Marsiga, Kovacevic, Marsig, Sestan, Bargela, Gjoka, Kalmeta, Markuz, Marusic, Nikagi, Skopelja, Vuk, etj. A janë këto mbiemra nga migrimi i parë apo i dytë? Këtë nuk është e lehtë ta spjegosh, por sipas Don Mijo Curkovic, janë dy teori:

-           e para, që thekson se mbiemrat e familjeve të para u zëvëndësuan nga mbiemrat e familjeve “Arbanasi” që erdhën pak më vonë. Gjithashtu, ekziston edhe mendimi se familjet fillestare lëvizën prej andej;

-           teoria e dytë është pak më komplekse dhe bazohet në faktin se emrat e fundit u ndryshuan mbi bazën e nofkave, mbiemri mbi të cilin personi ishte krishtëruar, dhe ndoshta dhe në bazë të mbiemrit të babait apo gjyshit të tij. Për shembull, në një dokument që daton në gusht 1726, theksohet se kryetari  i popullimit të  “Arbanasi” ishte Luki Andric. Në regjistrin e pare ishte shënuar emri i Luca d’Andrea Ghesghenovich, i cili duhet të jetë i njëjti Luki Andric. Ai vetë e ndroi mbiemrin e tij dhe mori një tjetër, duke përdorur mbiemrin kristian të të jatit.

 

Pra sipas përfundimit të Mijo Curkovic, në studimin e tij “Povijest Arbanasa kod Zadra”, 1922, mund të pranohet teoria se nga mbiemrat e familjeve nga regjistrat e parë dhe më vonë, në të vërtetë del se nuk janë familje të ndryshme. Në realitet janë mbiemra të familjeve shqiptare që i ndryshuan mbiemrat e tyre, duke marrë mbiemrat e vërtetë, ose të baballarve dhe gjyshërve të tyre kristianë.

Në një dokument të 15 gushtit 1726, për « arbanasit », ndër të tjera thuhet : « Migrimi i parë u bë për shkak të persekutimit fetar dhe dhunës nga ana e otomanëve ; është e shkruar se familjet shqiptare ranë dakord të largohen nga barbarizmi otoman, duke lënë tokat e tyre dhe çdo pasuri tjetër, duke u strehuar dhe marrë në mbrojtje nga Republika ». Në një dokument tjetër të 30 dhjetorit 1726 theksohet lidhur me migrimin e dytë të shqiptarëve : « këto familje u detyruan të ikin nga tokat e tyre, për shkak të persekutimit të shkaktuar nga ana e dy pashallarëve otomanë nga Bar (port që është quajtur edhe Antivari). Vetë turqit kanë njohur se persekutimi nga ana e Akmet Pashës ka qënë i gabuar dhe se kjo i detyroi « Arbanasit » të lëvizin nga tokat e tyre amtare. Sipas legjendës, një nga rrugët që përdornin otomanët për të persekutuar shqiptarët ishte rrëmbimi i grave të reja të krishtere. Si hakmarrje ndaj këtij veprimi çnderues, shqiptarët sulmonin natën otomanët ku ndodheshin, digjnin fshatrat e tyre dhe largoheshin nga vatrat e tyre, për t’i shpëtuar një persekutimi të ri nga ana e pushtuesve.

Kur e dëgjoja Frankon, tek fliste shkurtimisht për familjen e tij, ndjeja respekt të veçantë për këtë njeri të thjeshtë që nuk donte të vinte në dukje madhështinë dhe rravat e jetës së njerëzve të familjes së tij, me emër jo vetëm në « Arbanasi » të brigjeve të Dalmacisë, por edhe në Itali, Zvicër, Amerikë e gjetiu. Mbaja shënime, bëja pyetje por nuk e di nëse munda t’u jap me hollësi në këto faqe të pakta atë histori të madhe të « Arbanasit ». Banorët e „Arbanasit“ flasin sot më pak shqip, megjithatë ruajnë fjalë të parardhësve të tyre. Fjalët „bregdeti“, „pirun“, „marangon“, „kaiço“ (kaike- varkë e vogël), „stan“, „jam i angër“ (Kam uri) etj., përdoren gjërësisht në mjediset me shqiptarë në Zara. Një port i vogël në Zara quhet « Bregdet » dhe atje banonin « arbanasit ».  Pot ë shohësh fjalorin e folur nga « Arbanasit » të Dr. Kruno Krstic gjen një ngjashmëri të çuditshme të fjalëve që fliten edhe sot në shqip atje. Për shembull tek fjala « bregdet » thuhet : « era po fryn pe bregdetit » ; « faculet » që thuhet në Shkodër, « arbanasit » thonë : « e ko mbluo krenin me faculet » ; « fjal » : « me dhan fjalën » ; « fol : « un po të flas si mik mikut » ; « flok » : « kur s i kren flokët » ; « grabit » : « vajzat kan vot në pus me grabit » ; « kap » : « shkon me kap zogj në vishç » ; « këput » : « mos ma këput udhën », « këcye » : « këcen si liepuri » ; « kopësht » : kopshti n’o mas shpie » ; « mbyll » : « mbylli syt në daçësh më flet » ; « mujt » : « sot nuk munj me punua » ; « punua » : « i ati i ti punon në gjutet » ; « rush » : ko rush për me angër e për me bo ven » ; « vogël » : « mere voglin me vete », « Zadër » : « Arbénesh jan sot nji vend me Zadër »Shpesh mblidhen sëbashku dhe këndojnë në kor këngët e tyre në kishën shqiptare. „Arbanasii“ janë katolikë dhe praktikues të fesë së tyre.

Franko Marussich (Maruku) ka ardhur në Shqipëri, me bashkëshorten Joëlle dhe mikeshën e tyre nga Zara, Maria Gerga, e cila e ka origjinën nga Kallmeti i Shqipërisë dhe megjithëse është hera e parë që ajo ka ardhur në Shqipëri, ajo flet shqip. Ajo të ngjall simpati të veçantë dhe së shpejti një grup nga Zara do të vijë në Shqipëri. Ajo do të jetë « ambasadorja » e jonë për të nxitur ardhjen e miqve dhe të njohurve të saj. Franko do të shkojë me miqtë e tij shqiptarë në Dukagjin për të gjetur gjurmët e paraardhësve të tij, të cilët ai i kujton me respekt, siç kujton me respekt ata 12 mijë shqiptarë që janë akoma në Zara të Kroacisë dhe përpiqen të mbajnë të gjallë gjuhën shqipe brez pas brezi.

Emisione për vizitën e Franco Marussich dhe intervista të tij janë dhënë nga TV shqiptar, si TV Vizion Plus, Top Channel etj.

 

Alfred, Maria, Franco, Joëlle

Franco Marussich, Marash Hajati, Alfred Papuçiu
Franco, Aleksandër Cipa, Algfred, Kaçi
Franco, Aleksandër Cipa, Algfred, Kaçi
Franco TV Vizion Plus
Edlira, Franco, Alfred
Edlira, Franco, Alfred
Franco, Joëlle, Roza, Kaliopi, le couple kosovar
Franco, Joëlle, Roza, Kaliopi, le couple kosovar
Franco avec Ornela Islami Top Channel
Franco avec Ornela Islami Top Channel
Franco Marussich avec Juliana Nela
Franco Marussich avec Juliana Nela


(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora