E premte, 25.07.2025, 04:01 PM (GMT+1)

Faleminderit

Kostaq Duka: Profesori ynë Vangjush Ziko

E hene, 15.08.2011, 08:05 PM


Profesori ynë Vangjush Ziko

 

-Në prag të 80-të vjetorit të lindjes së poetit, dramaturgut, përkthyesit, Vangjush Ziko-

 

Nga Kostaq Duka

 

Me meritë e pa meritë titullin Profesor e mbajnë shumë njerëz në Shqipëri. Sigurisht me kalimin e kohës e rivlerësimit të vlerave shumë tituj humbasin së bashku me emrat dhe "veprat". Por ka vlerësime të tilla që tingëllojnë aq besueshëm sa shpejt bëhen pjesë e nderimit të merituar e të përhershëm nga një masë e madhe njerëzish.Ish nxënësit e gjimnazit "Raqi Qirinxhi", dikur në të ashtuquajturën lagja e "Shën Triadhës", në periferi të Korcës, sot flokëthinjur mbi 60-të vjeçarë e diku aty afër, mësuesit të letërsisë, që kishte mbaruar studimet e larta në Institutin "Gorki" në Moskë, nuk mund t'i thërrisnin ndryshe, veç profesor.

Ai burrë i gjatë, i hijshëm, fytyrë hequr, me sy plot shkëlqim e dritë, veshur me kulturë, me një ecje elegante dhe një të folur plot edukatë e kulturë të impononte respekt të vetvetishëm.

E kujtoj atë kohë. Gjimnazi përfshinte gjithë vitet e shkollës nga klasa e parë e fillores dhe deri në maturë. Unë isha në 8-të vjeçare. Ëndërroja ditën kur profesor Vangjushin do ta kisha mësuesin tim të letërsisë. Por...një ngjarje bëri që të njihesha e afrohesha me profesorin. Grupi artistik i gjimnazit filloi përgatitjet për të vënë në skenë një pjesë teatrale-muzikore kushtuar jetës së liceistëve në vitet 30-të, ëndrrave e dëshirave të tyre për përparim. Pjesa ishte shkruar nga vetë mesuesi i letërsisë, poeti e dramaturgu që në ato vite po bënte zë në letërsinë shqipe profesor Vangjush Ziko. Atë po e vinte në skenën e teatrit "A.Z.Çajupi" rregjisori i shquar Sokrat Miho. Dhe ja, fati për t'u njohur me profesorin e adhuruar, më trokiti në dera. Në këtë pjesë teatrale m'u caktua një rol i vogël. Duhej të recitoja vargjet e mrekullueshme, plot ëmbëlsi të Naim Frashërit kushtuar gjuhës shqipe. Isha në klasë të gjashtë. Vija shtatvogël por me sa dukej deklamimi im pëlqehej. Si tani kujtoj ato çaste kur në skenën e teatrit rregjisor Sokrati më mësonte me atë stilin e tij klasik, të të kënduarit të fjalës, përcjelljen në mënyrë sa më melodioze të vargjeve të Naimit të madh dhe profesori, idhulli im, mësuesi i letërsisë Vangjush Ziko dëgjonte ulur diku në rreshtat e parë të sallës. Nga buzëqeshja dhe shkëlqimi i syve të tij mësova se diçka kisha arritur. Unë s'mbahesha nga lumturia atë ditë kur dhamë shfaqjen.

Që atëhere ne u bëmë miq. Më vonë pasi mësoi se unë shkruaja vjersha mësuesi i letërsisë që përkujdesej edhe për rrethin letrar të gjimnazit"Raqi Qirinxhi" më këshilloi që gjithë vjershat t'i hidhja bukur e pastër në një fletore që ato të mos humbisnin dhe po të dëshiroja t'ja tregoja edhe atij. U vura para përgjegjësisë por e ndjeja veten edhe më të rritur dhe se diçka e rëndësishme më priste. Këshillën e profesorit e plotësova dhe një ditë gjithë emocion ia dorëzova fletoren. Kisha mërak se do të më qortontë për shkrimin, që gjithnjë e kam pasur të keq dhe jo shumë të kuptueshëm. Por jo. Pas disa ditësh kur u takuam ai më uroi dhe më këshilloi të lexoja sa më shumë poezi, sepse vetëm nëpërmjet leximit do të mund të formohesha si krijues.

Vitet ikën. Unë s'ju ndava gjimnazit " Raqi Qirinxhi" edhe pse më pas ai u zhvendos në dy godina të tjera dhe më shtëpinë ku banoja ishte larg. Por ëndrra për ta pasur direkt në klasë si mësues letërsie Vangjush Zikon s'u realizua.Ai jepte mësim në klasa të tjera. Sidoqoftë praninë e tij unë e krijues të tjerë letrarë e ndjenim afër nëpërmjet këshillave të tij në rrethin letrar. Në një formë ose tjetër ai me të drejtë e meritonte emrin e mësuesit e profesorit tonë.

Ndërkohë ne ndiqnim nga afër edhe sukseset në rrugën krijuese të mësuesit tonë. U bëmë pjestarë të rrethit letrar pranë pallatit të kulturës në Korçë, kur profesor Vangjushi ishte kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve po në Korçë. Merrnim pjesë në të gjitha veprimtaritë e debatet e degës së lidhjes e cila në vitet 70-të ishte nga më aktivet, me një pjesëmarrje krijuesish me zë, në të gjitha fushat e krijimtarisë, letërsisë, pikturës e muzikës. Personalisht, gjithnjë më ka bërë përshtypje të veçantë serioziteti, në drejtimin e debateve, fryma e mirëkuptimit. mirësia njerëzore që ai përpiqej të percillte mes të gjithëve.

Isha 24 vjeç, kur diku në një dhomëzë të pallatit të kulturës, në vitin 1976, u bë promovimi i librit tim të parë me vjersha e poema me titullin " Thjeshtësi". Prania e profesor Vangjush Zikos më sillte një kënaqësi të veçantë. Dhe kjo kishte shpjegimet e veta. Edhe pse unë kam pasur në jetë disa mësues letërsie në tetëvjeçare e në shkollë të mesme, për të cilet ruaj një vlerësim të madh, ai ishte frymëzuesi me autoritetin e një krijuesi të nderuar, që i pari më kishte inkurajuar e stimuluar në rrugën e bukur e të vështirë të artit. Dhe ja një suprizë që profesori më bëri në atë takim të paharruar. Pasi më uroi për librin ai u shpreh pak a shumë: "Kam kënaqësinë që sot t'i kthej autorit fletoren me vjersha që ai ma dha për ta parë shumë vite më parë kur ai ishte një adoleshent, thjesht një nxënës në tetëvjeçare. U bëftë me shumë libra të tjerë." Emocionet që kam ndjerë në ato çaste, s'ka penë ti përshkruajë, edhe sot ato kanë mbetur ashtu të gjalla e të freskëta. Vetëm një njeri me edukate e kulturë të gjerë, me nje rregullsi të jashtëzakonshme në jetë dhe në marrëdhënie me njerëzit, që di ç'është respekti dhe mirësia mund ta bënte një gjë të tillë...

Po ai e meritonte, e meritonte të thirrej profesor nga të gjithë nxënësit, krijuesit e dashamirësit e artit në Korçë, për të cilën gjatë gjithë jetës së tij ai këndoi me aq frymëzim e dashuri, dhe së cilës i dha aq shumë.

Jeta do të na largonte e do të na ribashkonte në kohë. Nuk harroj atë mbasdite, aty nga fillimi i vitit 2000. Pas një takimi të redaksisë së revistës periodike "Tempulli" me profesorin po ecnim përpjetë rrugicës me kalldrem që të çonte në shtëpiza e tij karakteristike aty ku fillojnë kodrat e qytetit. Bisedonim për jetën, artin e letërsinë. Për mua ishte një dëshirë e madhe të shihja mjediset e shtëpisë prej ku kanë marrë rrugë pjesa më e madhe e shkrimeve , poezive, dramave e perkthimeve të tij. Një shtëpi e pastër, e rregullt, e mobiluar hijshëm ku të binin në sy librat e shumtë dhe korrektesa e sistemimit të tyre. Po të jap një përkthim të fundit nga Pushkini, më tha profesori teksa vendoste autografin në faqen e librit. Jam duke punuar për përkthimin e antologjisë së poezisë ruse. (Kjo antologji dëshmi e një pune të madhe me plot përkushtim e dashuri e përkthyesit të shquar Vangjush Ziko tashmë është në dorë të lexuesit) .

Duke zbritur nga rrugica drejt bulevardit mendoja me vete se sa herë në pranverë e në dimër i është dashur profesorit të ngjite e zbresë në këtë rrugicë. Shume vargje melodioze të poezive lirike kushtuar Korçës me siguri janë shkruar në meditimet e përjetuara në këtë ecje në rrugicë.

Pas viteve dymijë gati "humbëm" përmatanë oqeanit. Por tek po filloja të mbushja faqet e albumit të porsa krijuar poetik, në fillim me titullin albpoetry. com e me vonë albpoem.com mora vesh se profesori ishte në Kanada pranë fëmijve të vet. I'a gjeta adresën dhe i shkrova duke i bërë ftesë për të marrë pjesë në këtë sofër miqsh poetë. Përgjigja e tij pozitive më gezoi pamasë. Kështu profesori i'u pergjigj gjithashtu ftesës për të marre pjesë në Botën e Re, po në faqet e internetit, duke u bërë jo vetëm nga pjestarët më aktivë por edhe një këshillues i vazhdueshëm për ta bërë atë një "shtëpizë" të dashur krijuesish që respektojnë, nderojnë e inkurajojnë njeri tjetrin në krijimtari.

Me të drejtë të gjithë pjestarët e Botës së Re e thërrasin atë me emrin e nderuar profesor. Por kështu e thërrasin edhe gjithë dashamirësit në faqet e internetit të cilët e kanë bërë të dashur krijimtarinë dhe emrin e poetit, dramaturgut e përkthyesit të nderuar Vangjush Ziko që së shpejti, me 18 Gusht,  feston 80-të vjetorin e lindjes.

 

VANGJUSH THOMA ZIKO ka lindur në qytetin e Korçës në vitin 1931,ku kreu dhe arsimin e tij të mesëm.Arsimin e lartë për letërsi e bëri pranë Institutit të Letërsisë “M. Gorki” në Moskë.Punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli” në Korçë.

Shkruan poezi,dramë dhe perkthen nga gjuha ruse.

Vëllimin e parë me poezi dhe dramën e parë i botoi në vitin 1959.

Është kryesisht një poet lirik.Poezia e tij dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike.Drama e tij ka natyrë psikologjike.

Ai i është përkushtuar gjithashtu përkthimit të poezisë lirike ruse.Ka botuar përmbledhje të veçanta të poezive të A.S. Pushkinit,S. Eseninit,E. Eftushenkos si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse(katër vellime), ku ka përfshirë rreth peseqind poezi të më shumë se treqind poetëve rusë që nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjete gjer në fund të shekullit të njëzetë.

Është autor i një sërë studimesh,esesh dhe skicash letrare si dhe bashkautor tekstesh të letërsisë.

Ka marrë pjesë aktive në jetën kulturore dhe letrare të rrethit të Korçës dhe në ndihmë të talenteve të reja dhe ka qënë aktivizuar në botimin e disa revistave periodike kulturore.

I është dhënë Urdhëri "Naim Frasheri" i klasit të parë dhe "Kurora e Krijimtarisë 2006"nga Klubi Letrar "Bota e Re"për krijimtarine e tij letrare.

Që prej shtatorit të vitit 2004 jeton në Kanada pranë femijëve të tij.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx