E merkure, 30.04.2025, 07:02 PM (GMT+1)

Faleminderit

Nuri Plaku: Kiu Poro dhe ‘’goca e berberit’’

E shtune, 30.07.2011, 06:02 PM


KIU PORO DHE “GOCA E BERBERIT”

 

Nga Nuri PLAKU

 

Kiu Poro është një ndër emrat më të ndjeshëm në kulturën fierake të viteve ’30 të shekullit kaluar. Është emri i artistit virtuoz të këngës popullore qytetare që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e brezave. Ai i përket periudhës kur populli i Fierit po shfaqte për herë të parë energjitë e tij krijuese të topitura nga luftrat e gjata e të pafundme. Është hera e parë që kjo periudhë, shfaq gjithashtu talente të ndryshme në të gjitha fushat e aktivitetit social. Gjithëshka është e hovëshme në jetën qytetare të këtyre viteve. Jeta kulturore dhe artistike gjallërohet me botimin e poezive dhe artikujve të ndryshëm nga të rinj fierak, me vënien në skenë të pjesëve të para teatrale, me organizimin e formacioneve të para sportive, me orkestrat e para dhe…shfaqjen e çingive të para. Për herë të parë ndërtohen mejhanet dhe luhet kumar, pihet dhe këndohet deri netëve të vona duke mar fillë jeta e natës. Kjo panoramë e plotësonte kuadrin e natyrës urbane të këtij qyteti me elementet e bohemëve, pijanecëve dhe sarhoshëve. Një qyteti të zhvilluar i takojn të gjitha pamjet e jetës së tij, të dukshme e të padukshme, prandaj dhe komplekse të tilla janë të domosdoshme për të parë dy anët e së njëjtës medalje.

  Ndër çingitë e para që zbritën në Fierin e atyre viteve  ishte Difja me shoqen e saj Bihanen. Kishin ardhur nga Berati si valltare me grupin e sazeve të Isuf Përmetit. Isufi ishte “tutori” i parë që ka shkelur në këtë qytet. Fitimet e tij nxirreshin vetëm nga ahengjet ndërsa valltaret ishin të lira në “meranë” e tyre erotike. Ahengun e fierakëve e kishin zili orkestrantë të shumë qyteteve shqiptare, që nga Vlora, Berati, Përmeti e deri në Leskovikun e largët. “Shumë vende kam gjezdisur, por qejfllinj këngëtarë që rrallë ia gjen shokun, nuk kam parë si në Fier[1] thoshte Isufi. Ata kishin një moto të çuditëshme që i befasonte të ardhurit e largët. “Të rrish një vakt pa ngrënë, s’është ndonjë gjë e madhe, por të rrish pa kënduar, i ke lënë mangut ushqimin trupit e shpirtit tënd”[2]. Kjo i mjaftonte Isuf Përmetit që fitimet e veta t’i realizonte pa u larguar nga ky qytet.“Vetëm Fierin të kem, thoshte ai, e s’më duhen të tjerë”.[3] Në xhepat e tij rridhte me bollëk leku i kamjes ekonomike të fierakëve, i tregëtisë dhe “yshyrateve” të çdo stine. Mbi të ardhurat e këtij qyteti kishte rënë prej kohësh “batërdia” e këngës lirike. Tingujt e saj ishin “dalta” magjike që gdhendnin pak nga pak shpirtin e djegur të fierakëve nga “oh”-et e dashurisë. Ishte pikërisht kjo etje shkretëtire që kishte mundur të krijonte terrenin e përshtatshëm për lindjen e atyre vargjeve lapidar që vështirë se mund t’u gjeje shoq në folkun e trevave të tjera shqiptare për digresionin e thellë dhe simbolikën e vezullimit të tyre emotiv: ”U errëti u bëti natë/ S’kemi ku të shtrojmë hordhinë/ Hënëza kurrë mos daltë/ Dritë kemi dashurinë.”[4]

   Në fillim këngëtarët fierak kishin “pushtuar” kazinonë e Taçi Mandit ndërtuar në kapërcyell të shekujve buzë Gjanicës tek cepi i urës së sotme prej hekuri. Netët e shpeshta që gdhiheshin nga shpura e tyre e zhurmëshme u bën shqetësuese për qetësinë e bejlerëve Vrionas që kishin sarajet përball sajë. Nga vitet ’20 me këmbënguljen e tyre kjo kazino u prish dhe në vend të saj u ndërtua një tjetër nga Sotir Ikonomi në oborrin e kishës, ngjitur me cepin e urës dhe një e tillë në hyrje të pazarit nga Nasi Toska. Të treja këto ambiente kan qenë streha e këngëtarëve. Veç këtyre ishin edhe ambientet e hapura në ditët e pazarit dhe të festave të ndryshme.

 Difja është ngulitur në kujtesën fierake më shumë sesa shoqja e saj, Bihanja. Ajo kujtohet si një grua e heshtur, por e veshur me një tulatje pasionante ndaj meshkujve dhe këngës. Ishte valltare dhe këngëtare e zonja ndërsa në fushën e zanatit femëror, rrinte e fshehtë dhe bëhej më tepër pre  e rekomandimeve. Ndoshta ishte frika e mentalitetit të tillë ku udhëve të këtij qyteti kalonin më shumë kafshë pune se sa makina. A ndoshta rekomandimet lidheshin me prezencën e të huajve pasi në Myzeqe sapo ishin vendosur kolonët e parë Italian, kishte punonjës nafte të punësuar në shoqërinë angleze dhe ushtarak të ndryshëm. Të gjithë këta ishin joshja financiare e çingive të këtij qyteti. Por Difja kishte një lloj imuniteti të veçantë ndaj etheve të fitimit. Më tepër se sa leku atë e robëronte dalldia e vështrimeve që e lidhnin aq shumë me pasionin e saj për të bukurën. Ishte brune me sy të mëdhenj, të kaltër dhe tepër tërheqës, vëzhgues dhe plotë botë. Ajo femër ishte e tëra një vorbull epshi ku thëthinte dhjetra sy të uritur meshkujsh. Kishte aftësinë të ndërtonte një “kishë” pasioni ku të faleshin mëkatet përvëluese të një burri.

   Qe e vetmja femër e kategorisë  së vetë që arriti të krijonte lidhje tepër interesante me këtë qytet. Rrinte tek hani – hotel i Tod Nastos, aty ku dikur, bija e vetme e pashait të Beratit, Merjemja kishte ndërtuar urën e vetme të këtij përroi veror, që vetëm dimrave merrte formën e vërtetë të një lumi fushor. Përball hanit, në oborrin e kishës së Shën Gjergjit te kazinoja ose “bakalliloja” e Sotir Ikonomit, pihej, luhej kumar dhe këndohej deri në të gdhirë. Në tavolinat e saj burrat fierak kurorëzoheshin për disa orë ”mbretër” të dëfrimit. Jeta e natës së kësaj kazinoje kishte mundur të kthente në “princ” edhe lypsarin më të fundit të qytetit. Kur binte mugu i kaltër i mbrëmjes dhe shkurret e bregut bëheshin njësh me degët e varura të pemëve, harku i urës dukej midis tyre si një portë e virgjër gjerdheku. Difja zbriste tinëz nën të dhe hidhej plot epsh në krahët e meshkujve këmbëngulës. Seç kishte një ndjesi të veçantë malli nën harkun e asaj ure që ngjasonte aq shumë me simotrën e saj të Goricës ku vajza kishte endur gjurmët e hershme të fëminisë. Herë – herë, rrinte në dritare të hanit me orë të tëra duke përpirë me sy çdo gur të saj.  Sa herë që flitej për urën ajo bëhej sy e veshë. Përthithte ç’do rrëfim për të. Madje një natë kishte “braktisur” detyrën ndaj një klienti të veçantë i cili kishte refuzuar të takoheshin nën harkun e saj. “Kam frikë nga zhgënjimi, kishte thënë ai. Ajo urë ka zhgënjyer dy burra të ditur deri tani, unë nuk dua të jem i treti”. Dhe kishte qeshur. Difja i qe lutur t’i rrëfente historinë e zhgënjimit të urës. Dhe klienti i kishte thënë se në fillim me urën ishte zhgënjyer një austriak i dëgjuar, një arkeolog që kishte ardhur këtu gjatë Luftës së Madhe për të bërë studime rrënojash në Apoloni. Ai e kishte marë atë për urë antike. Ndërsa i dyti kishte qenë një burr shumë i ditur i Mbretërisë Shqiptare, i quajtur Teki. Ai kishte botuar një libër ku thoshte se këtë urë e kishte ndërtuar Rrapushja, e bija e Ahmet Kurt pashës së Beratit. Në fakt Ahmeti kishte patur vetëm një vajzë dhe një djal. Djali quhej Mehmed ndërsa vajza Merjeme. Ishte vajza që dashuroi së pari Ali Pash Tepelena dhe i kërkoi dorën e saj të atit por u refuzua se Pashai ja kishte premtuar të bijën Ibrahim Pashë Vlorës.  Martesa e Merjemes dhe rruga që bënte ajo për në Vlorë e kushtëzonte edhe ndërtimin e urës mbi këtë lum. Kurse mundësia e ndërtimit të saj varej nga i jati Ahmeti i cili në këtë kohë kishte bër shumë vepra të tilla publike. Pra vajza quhej Merjeme dhe jo Rrapushe.

 Difja dëgjonte dhe i dukej sikur ura po i bëhej më e dashur tani se më parë ngaqë autorja e saj ishte një vajzë beratase.

   Profili i çingisë po zinte pak nga pak vëndin e vet të merituar në konturet morale të këtij qyteti. Në fund të fundit edhe në fushën erotike, Fieri po “mësonte” të ecte me këmbët e veta. Ç’do qytet e njihte këtë anë të mbrapshtë të zhvillimit. Kasabaja kishte preferenca të caktuara. Bisha erotike ulërinte edhe këtu urinë e mishit të bardhë. Qyteti i ri i ndjente portat e veta të hapeshin ngadalë nga ulërima mijravjeçare e kësaj bishe. Edhe më vonë jehona e saj do të ruhej në qenien e tij si një element dekorativ. Por me kalimin e kohës do të bëhej vetëm ndryshimi i këtij emri, nga çingi në prostitutë. Ndërsa “harku i urës” do zëvendësohej me motelet e sotëm modern.

 Kisha dhe çingia, dy paralele të kundërta të moralit shoqëror u afruan pranë e pranë ato vite duke përcjellë njëra tjetrën si dita me natën.  Nëse dikush pendohej në mëkatin e moralit, nuk shkonte shum larg, hynte në derën e Zotit dhe “shkundëte” aty “tymin e bardhë të mullirit.”

  Në Fier meshkujt ishin të pashëm. Më të pashëm se në Berat dhe Përmet. Seç kishin një butësi romantike që e bënte pikëlluese “kishën” e pasionit femëror. Kishin edhe një krenari të fisshme që e ngrinin lartë e më lartë çatinë e këtij tempulli. Dhe nga strehët e tij mëkati kthehej në stalaktit. Pikonte mall nostalgjik për epshe të pashuar që digjeshin në fshehtësi.

    Një burr i tillë ishte edhe Kiu Poro. Ishte i pashëm, i mbushur, shpatullgjerë dhe sy “larmë”. Kurora e dendur e flokëve gështenjë i ngrihej si një krifë luani dhe i qarkonte ballin e lartë me një ndjesi pushtonjëse. Buzët e përveshura paksa mbi tulin e tyre të trëndafiltë, dëshmonin një afsh erotik që digjej hor. Ishte si një vullkan i fjetur që mund të shpërthente nga momenti në moment sapo të binte në një vështrim të ndezur gruaje. Por jo vetëm kaq. Ai ishte një emër i dëgjuar, emër publik që i mblidhte shumë njerëz rreth vehtes, një emër mes njerëzve dhe një emër i ngritur në kujtesën e tyre për hir të këngës. Ai ishte këngëtari më i madh i gjysmës së parë të shekullit XX-të në gjithë qytetin e Fierit, krahinës së Myzeqesë e më gjerë dhe tregohej me gisht për zërin e rrallë e të mahnitshëm. Ishte e pamundur ta dëgjoje një herë këngën e tij e të mos mbetej në mëndje. Një siren Odiseje e vërtetë, aq sa edhe sot përflitet si një legjendë e rrallë. Kush e dëgjonte, shtangëte. Dhe të shtangur njerëzit i luteshin së bashku të këndonte sërish për ta. Dhe ai bindej. Ai e kthente këngën në një lum të bardhë ndjenjash ku secili shikonte të vizatuar mbi ujrat e tij, jetën e vet dhe psherëtinte brenda përfytyrimit të saj. Ishte lirika e bukur e tharmit jetik të këtyre banorëve ku shprehej niveli i lartë i konceptimit të jetës mbushur plot mahni dhe zjarr të ethshëm psherëtimash. Ishte lumi i bardhë i argjendit hyjnor të shpirtit të përvuajtur të burrave fierak pikur nga pikëllimi i verdhë i dashurive të lakmuara. Pasioni, afshi dhe dëshira e ndezur erotike japin dallgët e vërteta të këtij lumi. Mbi to fluturonin pulëbardhat e rralla të kujtimeve. Ato ishin dashuritë e parealizuara, dashuritë e ftikura të mbledhur në cepin e vështrimit të së shkuarës.“Psherëtima, doli flakë/ Rënkimi shkoi në qiell/ Në zemrën time ç’m’u hap një plagë/ Ç’ke, o, shpirt që nuk del.”[5] Këto janë vargjet tipike të këngës qytetare fierake që japin më shumë se kushdo tjetër kultin e madh dashuror të një burri.

   Kiu Poro u shfaq si një befasi në mesin e atij grupi burrash interpret të shquar të këngës qytetare fierake, si: Kozma dhe Vangjel Lule, Tuni e Sili Papuçiu, Thoma Poro, Vasil Tase, Jani Bakalli, Ilia Bele, Jani Paloli, Bushi Bogo,Taqo Pogaçe, Thimi Xhokaxhiu e Llambi Pano. Tek  të dy hanet e athershëm të qytetit, vinin edhe këngëtar të tjerë që nga Skrapari e Përmeti e deri tek fshatrat më periferik të Fierit. Tefik Hyskja nga Skrapari, Isuf Berati, Jonus dhe Vangjel Leskoviku nga Përmeti, Llazi Spiro nga Shënpjetra, Kil Gjonçe nga Mifoli i Vlorës, Llaz Shkurti nga Çeligradi, Joti Prifti nga Marinza, Jani Bregu dhe Kadri Troka nga Frakulla, Lame Monia nga Qenasi, Xox Kote nga Semani, Kili Dano nga Sheqi, etj. Të gjithë këta mblidheshin për aheng në ditë festash e pazaresh. Në prag të vitit 1930 në Fier, zbriti për herë të parë formacioni i njohur i sazeve të Isuf Përmetit shoqëruar nga dy valltaret e bukura. Çingitë “këpusnin belin” mes burrave të këngës duke shkundur nga vithet nazet orientale të haremit. Muzika, vallja dhe kënga, krijonin në këto ambjente një gjendje lektisëse. Por të gjithë heshtnin përpara këngës së Kiu Poros. Zëri i tij i magjishëm dëshmonte për talent të dhuruar nga vet Zoti. Dhe vet ai ishte një përzierje krejt e veçantë fizike dhe shpirtërore, sepse kishte një sjellje ndryshe nga praktika e përditshme e njeriut të thjeshtë. Ishte më tepër qiellor sesa tokësor. Ishte ndoshta kjo arësyeja që ai e zhvilloi aktivitetin e tij të përzier me dramë familjare, shëndetësore dhe ekonomike. Ai përjetoi gjithashtu edhe kryqëzimin e përjetshëm të tri grave. Tri gratë e Kiu Poros dhe tri dramat e tij pasqyrojnë më së miri jetën kulmore dhe rënien fatale të një artisti.

   Kiu Poro u lind në lagjen Kishë, më 10 shkurt 1906,[6] në një shtëpi përdhese ngritur përgjatë brigjeve të Gjanicës, në krahun e majtë të urës së sotme me shkallë. Lindi nga prindërit Kozma dhe Sofie Poro. Fisi i Porajve me prejardhje nga Voskopoja kan zbritur fillimisht në fshatin Poro pastaj është transferuar në Fier qysh me themelimin e tij më 1864. Ky vit është edhe viti i lindjes së Kozma Poros në këtë qytet. Çifti  kishte dy djem, Kiun dhe Llazin. Kiu ishte shtat mesatar, “mustaqe prerë, sy larmë, me një vrragë në syrin e djathtë, me profesion punëtor dhe nuk dinte shkrim e këndim”.[7] Në këtë kohë, lagjia Kishë manifestonte shprehjet më të dukshme të jetës kulturore qytetare. Shtëpitë e ulëta me gardhe kallamash mbushur me baltë të rrahur me kashtë të Porajve dhe të komshijve, i kishin oborret të veshura me lule shumëngjyrëshe plot aromë. Shumë nga banorët e saj dhe pjestarët e fisit të Porajve e kishin këngën si një ushqim të përhershëm shpirtëror. Ata mblidheshin e këndonin grupe grupe herë tek njëra familje e herë tek tjetra. Kiu u rrit dhe u edukua mes tyre dhe ndjenjën e lindur të këngës e “holloi” me nektarin e lulemarsit. Lulemarsi bëhej buater në këtë lagje. Rrugicat, gardhet, mezhdat e remave të lumit, agjinatura e ngritur para rrugës për të pritur vërshimin e ujrave të tij, ishin të gjitha të mbushura me kaçubat e blerta dhe kutërmimin e tyre joshës. Fëmijët fierak të këtyre viteve kanë njohur krismat e disa luftrave dhe Kiu përjetoi vrullin e qytetit të tij të lindjes që nga Pavarësia, Lufta e Parë Botërore e deri te Lufta e Vlorës. Përmes krismave të tilla ai u shfaq me këngën e tij lirike si një sfidant i heshtur i tyre. Ai ju përkushtua shpirtit popullor dhe e lartësoi atë krahas përmendoreve të këtyre luftrave.

   Aktiviteti i përditshëm i  këtij njeriu anonte më tepër nga kënga sesa nga jeta rutinë. Ndërkohë momente të ndryshme të këtij aktiviteti, hedhin dritë e zbardhëllojnë si një majë mali shpirtin e tij fisnik. Ai dilte nga shtëpia shpesh dhe merrte drejtimin nga dyqani i Nasi Shtëmbarit në lagjen Belik. Xha Nasi e shihte nga larg dhe e ndiqte me një vështrim dashamirës. E dinte se sa herë që vinte Kiu në dyqanin e tij do ta kishin ftuar diku me ndonjë dasmë dhe ai nuk shkonte kurrë duar bosh. Kur ishte dasëm vajze merrte dy metër kamrik për fustanë, kur ishte dasëm djali merrte dy metër pëlhurë për këmishë. “Babai e pyeste, tregonte i ndjeri Kristaq Shtëmbari, Hë Kiu, djalë apo vajzë? Dhe pasi merrte përgjigjen e duhur, ulte dëngun dhe priste cohën e kërkuar.”

  Por Kiu nuk arrinte kurrë ta paguante me lekë në dorë dhuratën e blerë. Ai gjithmonë e merrte atë borxh tek Nas Shtëmbari. Borxhi i përhershëm ishte  barometri më i saktë i dramës së tij të thellë ekonomike. Një dramë që përplasej me fisnikërinë e tij shpirtërore, sepse edhe pse çonte peshqeshe këngëtari nuk merrte asgjë shpërblim nga dasmat. Nuk pranonte të paguhej edhe kur i luteshin me dorë të zgjatur. Shprehja e tij kundërshtuese ishte taksative. “Nuk e shes këngën me lekë!”. Një moment i tillë ka ndodhur në fshatin Kolonjë të Lushnjes. Ishte i ftuar në familjen e një fshatari të njohur i cili i ishte lutur ta nderonte me ardhjen e tij. Kur vinte Kiu nëpër dasma mblidheshin shumë njerëz. Dhe ashtu ndodhi. Kiu vete darkën e shtunë dhe “Gratë e lagjes erdhën e qendruan prapa gardhit me kallama që thurte oborrin e shtëpisë....shtyheshin për ta dëgjuar sa më afër këngëtarin e madh. Aqë shtyheshin, sa gardhi u rrëzua dhe ato u gjendën pranë konakut ku këndonte bilbili i Myzeqesë.” [8] Tashmë ato ishin të prekura nga magjia e tij. Përball kësaj magjie nuk rezistonte më askush pavarësisht nga mosha dhe seksi. Madje as gardhet e rrugicave. Por kishte nga ata që donin ta “sundonin” këngën e këtij artisti. Po atë natë, nga mesi i dasmës, teksa kënga kishte kaluar gojë më gojë dhe ishte “shumëzuar” me dollitë e ngritura dhe gotat e boshatisura të rakisë, njëri nga të ftuarit, pasaniku i zonës i kërkon Kiut të këndoj një këngë për të. Kiu e sheh i çuditur. Deri tashmë ata po këndonin dhe kërcenin duke formuar një kënaqësi të pashtershme për të gjithë të pranishmit. Ndërsa zotëria kërkonte një këngë për vete... Uli një çast gotën e pijes dhe e pa me vëmendje. Mos ishte i dehur? Tjetri ju përball hetimit me djallëzi duke nxjerrë nga xhepi i jelekut një monedhë floriri. Të gjithë heshtën.

-          Këndo, i thotë agai.

-   Unë këndoj për të varfërit e jo për të pasurit, ju përgjegj Kiu serioz.

-   Unë të paguaj me flori, këmbënguli tjetri.

   -   Unë nuk e shes këngën me para! Thotë Kiu.

Dhe ai nuk e shiti kurrë këngën me para.

  Është pikërisht ky moment dhe kjo krenari që e ka frymëzuar poetin Spiro Sota t’i kushtoi këtij këngëtari një poezi në vend të një balade titulluar Këngëtarit nga Myzeqeja”. “Por pleqtë mbajnë mend akoma zërin tënd,/ E plakat, bashkë me rrobat e vdekjes,/ ndonjë pllakë gramafoni të gërvishur,/ Ruajnë në sepete.../ Edhe pak...e ata janë në të ikur.../ Në udhëtimin e fundit të jetës!/ Veç ti, çohesh herë pas here,/ Duke e thyer vdekjen/ si në bëmat e baladave të mëdha./ E me zërin tënd u thua mbretërve:/ “Madhëri, nuk ta shes dot këngën,/ se kënga nuk shitet me para!”[9]

   Por kjo krenari e bëri të vuante gjatë dramën e tij ekonomike.

Drama e dytë ishte familja. Më 10 nëntor të vitit 1931, në moshën 25 vjeçare, ai vë kurorë me Naje Çomon nga fshati Libofshë. Jeta familjare e varfër e këtij çifti u pasua nga mungesa e fëmijëve. Naja e priste dhe e përcillte të shoqin me një psherëtimë të zgjatur vetmije. Vetmija e saj u shoqërua deri në fund të jetës edhe nga natyra e veçantë, tepër çapkëne e Kiut. Ai ishte një “bard” i vërtetë, një “çarhosh” dhe orvajtjet e tij pragmatike kishin të gjitha një kurorë të vetme dafinash, idealin e këngës. Kënga e kthente atë në një cigan të vërtetë. Lirizmi i tij ishte i përditshëm. Ai e praktikonte atë si një rit të domosdoshëm besimi. Ishte i punësuar në komunalen e Bashkisë së qytetit por sapo dilte nga shtëpia e rrëmbenin klubet dhe kënga. Ditët e pazarit nuk kthehej fare. Gdhihej dhe ngrysej kabareve. Përflitej gjithandejë shoqërimi i tij me Difen. Kjo e pikëllonte akoma më shumë të shoqen. Përflitej me të deri në grindje por ai nuk mund të ndryshonte. Mbas 14 vjet martese, më “10 mars të vitit 1945[10] Naja ndahet nga jeta në një moshë fare të re. Kjo dramë përbënte edhe kryqëzimin e parë femëror të tij.

 Kryqëzimin e dytë këngëtari e ka patur me një tjetër grua, Rukie Emirin. Rukia ishte ndër vajzat më të bukura të Fierit. Në këtë kohë Fieri ka patur shumë vajza të tilla. Binin në sy emra të njohur si Liri Gero e Penallopi Piro. Por Rukia ishte ndryshe. Kishte sy të kaltër dhe vishte fustane të kaltra. Kishte shumë gusto. Flokët i mbante të shkurtër dhe me onde. Banonte në lagjen Kishë tek sharra e sotme përball shtëpisë së Stavri Beles. Ishte vajza e Hajdar Emirit, babait të dëshmorit Adem Emiri. I vëllai i tij Bejdullahu ishte berber. Emirët jan të njohur në Fier dhe kan ardhur në shekullin e XIX nga Kruja ku banonin në lagjen Emir të këtij qyteti. Nga kjo lagje ju mbeti edhe mbiemri. Hajdari kishte qenë në fillim ushtarak pastaj ishte zhveshur dhe ushtronte profesionin e financierit në qytetin e Fierit. “Ai kishte tre vajza dhe tre djem. Rukien, Aishenë, Behijen, Ademin, Sulejmanin dhe Tofikun. Rukia ishte rrobaqepëse dhe binte në sy për bukurinë e saj të veçantë.”[11] Fillimisht vajza ishte fejuar në Mallakastër. Por ndodhi që i jati njihej me një kolegun e vet financier në Lushnje, Muhedin Stërmillin i cili ishte nga Peshkopia i nipi i shkrimtarit të njohur për kohën Haki Stërmilli dhe në një bisedë intime ai i thotë Hajdarit t’i gjente një vajzë nga Fieri se ishin të mira dhe të bukura. Dhe për të, ajo vajzë ishte Rukia. Por meqë ishte e fejuar Muhedini organizoi rrëmbimin e saj. Nga ky rrëmbim ndodhi një tjetër tragjedi. I ati duke dyshuar se mos planet ishin të thurura me dijeninë e vajzave i kërcënon ato pse nuk e informuan për rrëmbimin. Aisheja preket aq shumë nga fjalët e të atit sa sëmuret nga pikëllimi. Haki Stërmilli të cilit i bën shumë përshtypje dhimbja e Aishesë, kunatës së të nipit, e përshkruan atë në romanin e tij të njohur “Sikur të isha djalë”. Dija, personazhi karizmatik i kësaj proze është alias, Aishe Emiri.

   Kiu Poro e adhuron Rukien e bukur të Emirajve dhe i këndon asaj me pasion të pashoq. Në kohë jemi përpara vitit 1930. Në këtë vit është martuar Aisheja dhe Rukija si vajza më e madhe ishte martuar më herët. Ndërkohë Kiu në vitet 1927-’28 ka kryer shërbimin ushtarak në Vlorë[12] dhe nuk përmendet të jet kënduar në Poro ku ai është ndodhur rastësisht në një dasmë dhe ka çuditur dasmorët me zërin e tij. Mbetet që kënga të jet kompozuar në vitet 1928-’29, kur artisti ishte në moshën 22-23 vjeçare dhe porsa ishte kthyer nga shërbimi ushtarak. Pra kjo këngë i përket periudhës para vitit 1930. Në kulmin e rinisë së tij ai i kushtoi vajzës së adhuruar një nga perlat e lirikës fierake, këngën “Moj gocë e berberit”: “Ma kishe, o, moj, shtëpinë/ Mu në fund të Fierit/ Moj gocë e berberit,/ Oh, moj, baluket e tua,/ Prerë me gërshërë të reshperit, moj.../ Të zbardhonte, o, moj, kjo gusha/ Si topi sheqerit, o, moj.../ Ç’m’i more, o, moj, më qafë/ Gjithë këta djemtë e Fierit, moj...[13] Teksti është i thjeshtë pa ngarkesa figurative dhe vëzhgimi poetik fokusohet tek tiparet fizike të vajzës dhe tek elementët gjeografik të banimit të saj. Në vitet e thurjes së këtij teksti, Fieri përfundonte pikërisht aty ku sot është sharra. Referimi “vajzë e berberit” është më tepër për hir të rimës ose për efekt konspiracioni. Ndonëse edhe këtu kishte një pikë lidhjeje me profesionin e xhaxhait të saj Bejtullahut, a ndoshta se të dy vëllezërit banonin të njëjtën shtëpi dhe këngëtari nuk e ka ndarë saktësisht atësinë e saj. Nëse do ta zëvendësojmë vajzën me mbesën teksti del i adresuar plotësisht. Të tilla “florudha” Kiu ka hedhur edhe në krahasimin e faqes kur kthehet nga Përmeti ku kishte qenë i ftuar tek bejlerët për aheng. Atje, duke vënë re “vajzat e bukura me faqe të kuqe” e përdor këtë krahasim tek kënga fierake “Një veri i hollë” “Oh, të kuqojnë faqet dhe, moj,/ Si, moj, çupë Përmeti/ Oh, Përmeti, qasu!...” [14]

   Vetë kjo ngjarje është pëshpëritur dhe është ruajtur si një enigmë porse Kiu del një poet i frymëzuar nga bukuria. Kënga është një atribut kushtuar bukurisë së vërtetë të femrës fierake. Anasjelltaz, asnjë shpirt nuk mund të këndoj pa patur dhimbje. Kënga del nga dhimbja. Ky tekst është thurur për një dashuri të parealizuar të Kiu Poros e cila bëri të lindëte një nga këngët më të bukura dhe më përfaqësuese të këtij qyteti. Edhe vargu i saj “Oh, sytë e tu, moj, në ngjyrë të qiellit” i cili është konsideruar “i tepërt në tekstin e kësaj kënge”[15], nuk duhet të jetë i tillë sepse ai përputhet plotësisht me ngjyrën e syve të vajzës. Ndoshta është shtuar më vonë por për vet faktin se autori i referohet përshkrimit fizik të vajzës sidomos gushën “top sheqeri” është e pamundur të mos përshkruheshin sytë e saj aq të bukur. Jeta gati 80 vjeçare dhe e pashtershme e kësaj kënge shërben tashmë jo vetëm si një përmendore për autorin e saj por edhe për atë “vajzë qytetare të bukur e joshëse”[16] e cila hyri në këngë nëpërmjet frymëzimit dhe dhimbjes së artistit Kiu Poro. Gjithsesi, kjo femër përbën “kryqëzimin” e dytë të këngëtarit. 

   Ndërkohë jehona e këngës së tij i kishte kaluar kufitë e vendit. Madje edhe vet kufijtë e kontinentit. Dhe kjo falë inçizimeve që kishin realizuar  shoqëritë e huaja diskografike si “Columbia” dhe “Odeon”. Në vitet ’20-’30 disa nga këngëtarët më të dëgjuar të qyteteve shqiptare ishin inçizuar prej tyre. Të tillë ishin Kiu Poro në Fier, Zoi Havaja në Vlorë, Hafize Leskoviku në Leskovik, etj. Shumë nga familjet e kulturuara fierake dhe të kamura të kohës, tregëtar, bejlerë, administrator apo zanatçinj të suksesshëm, kishin futur në shtëpi gramafone dhe kishin krijuar fondin e tyre familjar me pllakat e këtyre shoqërive. Një nga këto familje ishte edhe ajo e Ikonom Aleksit. Aleks Doko, prift me titullin Ikonom, ka shërbyer për gati 50 vjet në Manastirin e Ardenicës, në hyrje të të cilit gjendet aktualisht edhe varri i tij që nga viti 1964 kur ai u nda nga kjo jetë. Në fondin e kësaj familje gjendeshin disa nga këngët më të dëgjuara të kohës si: Valse të kënduara nga sopranoja italiane e viteve ‘20 Olga Matteini “amore spento & seduction”, tango të argjentinasit Alfredo Gobbi, si: “Carolina Carolina”, “Milonga Napoletana”, “Los Cocineros” e deri tek pllakat e Kiu Poros. Sot, fal kulturës dhe zhvillimit të atyre viteve gjenden në origjinal tek nipi i tij, inxhinieri Kozma Dashi katër pllaka të këngëtarit tonë. Aty ruhen këto këngë: “Me se m’i ke mbushur gjitë”, “Uat (hundë) të bukur qelibar”, “As more bandill, të rrosh sa malet”, “Plot molla lule të bardha”, “Ke spitali më të dalë”, ”Ke tre ura për matanë”, “Make, make barrën”, “Fryn era e malit ma rrëzoj shaminë”, etj. Në të gjitha pllakat titulli i këngës shoqërohet me shënimin; “Këndu prej Z. Kju Pora (Fjeri)”. Është pikërisht ky popullaritet që e bëri organizatorët e dasmës së mbretit Zog ta ftonin këngëtarin atje si përfaqësues i trevës së Myzeqesë, krahas gjithë krahinave të tjera të Shqipërisë. Midis shokëve  që e përcollën nga shtëpia deri tek sheshi qendror i qytetit, ishte edhe Jan Paloli. Jani kujtohet për shakanë e tij “të vërtetë”. “Një porosi kam unë, i thot ai, kur tia bësh eeeeeee... shto edhe emrin tim, thuaj, ah mor Jani ku je”. Shokët qeshën por Kiu i thot seriozisht. “Unë do ta bëja me kënaqësi o Jani por jam në dasmën e mbretit dhe nuk dal dot nga kënga.”[17]

  Nën efektin e prodhimit të pllakave apo edhe nga njohjet e drejtpërdrejta të Kiu Poros me këngëtarët e Leskovikut, kënga “Goca e berberit” u bë pjesë edhe në repertorin e këngëtares së famshme të këtij qyteti, Hafize Leskovikut[18].

 Kryqëzimin e tretë të tij e bën një tjetër femër, ndoshta nga më të përfolurat e këtij qyteti për kohën, çingia Dife. Me Difen Kiu pati një lidhje të jashtëzakonshe erotike. Përplasja e parë e vështrimeve të tyre në kabarenë e Sotir Ikonomit i bëri të dy robër të njëri tjetrit. Nga ai moment ata u hodhën në krahët e aventurës së pafund romantike. Takoheshin në fshahtësi në çdo kënd e skutë të qytetit duke shfrytëzuar çdo ardhje të saj nga Berati. Harku i urës u bë për të dy vëndi më i dashur i takimeve. Mbuluar me velin e mugët të natës ata rrinin në krahët e njëri tjetrit duke ndjerë me orë të tëra shushurimën e qetë të ujrave. Gjanica ishte dëshmitarja më e madhe e shpirtit të gufuar të dy artistëve. Ky ishte bashkimi i shpirtrave. Pak nga pak ky bashkim filloi të binte në sy të gjindjes. Kjo vihej re në ahengje. Sa herë që mungonte Kiu pas një farë kohe do të largohej edhe Difja. Ose e kundërta. Ndërsa bashkimi i këngës u bë më vonë. Kjo ndodhi një mbasdite të marte. Të martat e famshme të pazarit e kthenin Fierin e atyre viteve në një metropol të folkut krahinor. Kasapët e merkatos të tipit francez buzë Gjanicës, ashtu si edhe mjaftë dyqane të tregëtarëve të tjerë , sapo mbaronin përgatitjen e mishit, mbushnin tepsitë me të përbrendëshme dhe i dërgonin me çirakët në furrat e pjekjes për t’i mar në mbarim të punës. Mbasdreke, shtronin rrogozat në trotuar para dyerve, mblidheshin rreth tepsive dhe gotave të rakisë dhe bënin aheng. Ishte bër traditë që të mblidheshin përherë njerëz. Ishte një tip koncerti në natyrë ku gjallëria e jetës artistike të qytetit merrte përmasa koncertale.

   Në një moment të tillë afrohet edhe Difja. Dëgjonte e mahnitur dhe me droje atë që e konsideronte idhullin e saj. Dhe ndodhi që pikërisht ato çaste, Kiut ju ndërpre kënga nga kolla. Kishte kohë që e torturonte dhimbja e mushkërive. Kish kaluar në tuberkuloz. Ishte duke përjetuar dramën e tretë të tij, atë shëndetësore. Difja ju afrua ngadalë me një guxim të marrë. Ju ul afër gjurit duke e parë me përgjerim dhe filloi të këndonte. Burrat ndërprenë këngën dhe pritën që Kiu ta refuzonte. Por ndodhi e kundërta. Zëri i tij u bashkua plot harmoni me zërin e saj dhe shpërtheu me një energji më të fuqishme se më parë. Isua e Difes e bëri këngën të vezullonte nga koloriti dhe e ktheu atë në një kushtrim emotiv. Njerëzit e grumbulluar u shpërndanë një nga një të zemëruar ndërsa burrat e shtruar në aheng qendronin si mbi gjemba deri sa çingia iku. Tashmë akulli u thye. Kiu takohej dhe këndonte me Difen gjithmonë e më shpesh. Pikërisht ky ishte konflikti i madh i artistit me shoqërinë fierake. Ai dalëngadalë u abandonua nga rrethet serioze të qytetit i konsideruar prej tyre imoral.

 Një vit mbas vdekjes së të shoqes, më 1946[19] ndahet nga jeta edhe i vëllai, Llazi. Ndërsa Kiu “hiqej zvarrë” me kollën e rëndë tuberkulare. I përbuzur dhe harruar prej të gjithëve u dergj për një kohë të gjatë herë në mejhane dhe herë në shtëpinë e tij të ulët në bregun e lagësht të Gjanicës. Difja nuk i ndahej. Kështu vazhdoi deri sa dha shpirt në prehërin e saj, më 3 mars 1948[20] në moshën 42 vjeçare. “...vdiq i vetmuar e në varfëri të plotë, pa asnjë përkrahje sociale e ndihmë shëndetësore. Shoqëria e kohës nuk tregoi asnjë kujdes për të. Ia harruan këngët që këndoi, meloditë që kompozoi, tekstet që hartoi, atëherë kur ky qytet nuk kishte as radio e televizion, as jetë koncertale e festivale.”[21]

   Të nesërmen ditën e enjte, më 4 mars ora 10 u bë ceremonia e thjeshtë e varrimit. Këmbanat ranë trishtueshëm për mortin e asaj dite. Një kortezh i rralluar u nis në përcjellje të të ndierit. Lartë, në majat e përkulura të selvive të kishës këndonin guguftutë e vetmuara si për tu thënë qiejve se shpirti i lirë i atij këngëtari e kishte udhën e Zotit të hapur, pavarësishtë nga rregullat strikte të mëkatarëve të dheut. Difja ishte gruaja që ja mbajti kokën në prehër në çastet e fundit të jetës. Difja i hodhi edhe dorën e parë të dheut. Aventura e saj me këngëtarin kishte mar një ngjyrim trishtues. Çastet e bukura në mejhane, nën harkun e gurt të urës dhe në shtëpinë e tij të varfër kishin krijuar për atë mrekullinë më të madhe të jetës së saj. Ajo nuk u nda prej tij duke e mëkuar ndoshta me dashurinë e saj më të madhe. Ndoshta ka qenë dashuria e vetme edhe për vetë atë grua. Çdo xhest i saj dëshmon pikërisht këtë gjykim. Dhe fal kësaj lidhjeje ajo u bë pjesa më interesante e këtij qyteti. Ndoshta është lidhja më interesante e njohur deri më sotë në historinë e qytetarëve fierak. Ajo nuk i ndau nga ai kurrë përkujdesjet e veta duke u bërë njëra nga tre gratë e jetës së tij. Por nga të treja ato vetëm njëra pati fatin të ngrihej në kultin artistik. Vetëm Rukie Emiri u vesh prej tij me velin e praruar të një perëndie. Vetëm ajo u bë “Beatriçja” e Kiu Poros. Sepse “... këtë këngë Kiu Poro nuk e ndau nga goja deri në momentet e fundit të jetës së tij.”[22] “Goca e berberit” ishte pengu i tij i patretur. Pavarësisht rrethanave sociale dhe burgut të vetmisë, shpirti i tij qiellor fluturonte si një shpend i bardh duke ndjekur nëpër retë e pafundme të mallit, idhullin e vet të pakrahasueshëm. Kjo këngë është një nga kulmet e erotikës fierake dhe gjithë shoqëria e këtij qyteti ka brenda saj diagramën e vetë shpirtërore  të mermerizuar në tekst. Ky është shërbimi më i madh që i ka bër Fierit të atyre viteve ky “Pavarot” i paharruar. Me këtë tekst Kiu Poro del edhe poeti i parë i këtij qyteti. Deri në këtë periudhë nuk kemi asnjë të dhënë për autor fierak. Është e rëndësishme gjithashtu se frymëzimi i tij i parë vjen nga bukuria e femrës fierake. Në këtë mënyrë gjithë kënga me objektin e saj, autorin e tekstit dhe kompozimin është fierake. Tekste të tilla si: “Goca e berberit”, “Një veri i hollë”, etj., tregojnë për ndjeshmërinë e tij të thellë dhe mënyrën karakteristike të ndërtimit të tyre poetik.

   Gjithë jeta e tij është ndërkohë edhe deshifrimi i formulës së bashkëjetesës së një artisti të vërtetë me një shoqëri njerëzore të kapëluar nga kumti i moralit primitiv dhe pamundësitë e vlerësimit të një talenti të vërtetë. Shoqëria dhe artisti, ky dualitet kaq i vështirë dhe aq kontradiktor në shoqëritë e të gjitha kohërave është ndoshta etalloni më i dukshëm i gjysmës së parë të shekullit XX-të edhe për shoqërinë fierake. Tek figura artistike e  Kiu Poros, pavarësisht meritave dhe nderimeve të pasvdekjes, kjo shoqëri ka pasqyruar edhe vetveten. Ajo e viktimizoi atë me forcën e opinionit dhe tregoi se ishte krejt e pa fuqishme  për ta mbrojtur e trajtuar atë nga pasojat e tij. Ajo nuk e ndau dotë artistin nga njeriu. Kiu Poro ishte një viktimë e kësaj shoqërie. Gjysma tjetër e këtij shekulli do të kishte një tjetër “qingj pashke” për shoqërinë fierake. Ky do të ishte poeti disident, Aleksandër Zaka.[23]

    Mbas vdekjes, këngët e tij dëgjoheshin gjithmonë e më shumë, veçanërisht nga brezi i ri. Në këtë kohë, në një nga ambientet që ndodhej pranë shtëpisë së Vrionasve, ngihet qendra e zërit e cila drejtohej nga djaloshi i ri, aktori i ardhshëm Fuat Boçi. “Ne kishim një radiogramafon “Tesla”, tregon Fuati dhe midis të tjerash në programet tona trasmetonim edhe “radiopostën”. Në hyrje të godinës kishim vendosur një kuti ku hidheshin copa letre me porosi për këngët e zgjedhura nga populli. Më kujtohet se shumica e kërkesave bëheshin për këngët e Kiu Poros. Ishte ky këngëtar që kishte më shumë pllaka se të tjerët në qendrën tonë. Në mënyrë të veçantë, “Goca e berberit” kishte shumë kërkesa. Ishte e vetmja këngë që Kiu e kishte inçizuar në dy variante duke e përshatur njërën edhe për kërcim”.

   U desh të kalonin vite që të zhdukej hija përbuzëse e së shkuarës që Kiu Poro të reabilitohej në kujtesën e këtij qyteti dhe të merrte përmasat e merituara të një artisti të vërtetë. Deri vonë, në biseda me pleqtë emri i tij përmendej si i anatemuar.

Kjo mëri e la edhe pa varr. Askush nuk u kujtua për të t’i bënte një qivur, askush nuk u kujtua të gdhendëte një epitaf mbi një gur shtufi te koka, askush nuk u kujtua t’i gjente eshtrat e këngëtarit për t’i vendosur te vorrezat e reja të qytetit. Dhe “askushët” e lanë pa varr. Ndaj dhe poeti Spiro Sota e mbyll poezinë e tij kushtuar këtij këngëtari me këto vargje të dhimbëshme: “...Shkrin qetësisht harrimi, vdes koha e largët,/ Nga varri i humbur çohesh ti,/ këngëtari pa varr./ E pyes veten: “Ç’gjë të përbashkët,/ Kishte Petëfi i madh i maxharëve,/ Me këngëtarin myzeqar?!”/ Më përgjigjet thellë si në ëndërr,/ Vetë kjo fushë e butë, kjo fushë e paanë:/ “Ata të dy, për altar e zot kishin këngën,/ E në këngë varrin e kanë!...”[24]  

   Por kënga u bë edhe varr edhe piedestal për artistin fierak Kiu Poro.

U desh të pritej sa të ikte ky bres që ta merrte me vete kujtimin e hidhët të këtij emri, dhe mbas tij të rishikohej binomi artist-njeri. Të bashkohej vlera e artit dhe njeriu i vlerave. Vitet e fundit, me vendim të Këshillit Bashkisë Fier, një rrugë e këtij qyteti ka marrë emrin e tij. Këto vite është përfshirë edhe në përmbledhjen me figura të shquara të rrethit.

Sa më shumë kalojnë vitet aq më e çmueshme bëhet kënga e tij, aq më shumë vlera reflekton ajo dhe aq më shumë lartësohet kontributi i këtij burri të talentuar që gjithë jetën ja kushtoi këngës dhe vetëm asaj.



[1] Timo Lule, “Fieri dhe kënga, zëra në vite...” Botimet YMERAJ, Fier 2009, fq,61.

[2] Po aty, fq.65

[3] Po aty, fq,100

[4] Shih: N. Plaku, “Qyteti pa statuja”, “Globus R.” Tiranë 2004, fq. 72.

[5] T. Lule, vepër e cituar, fq.38.

[6] Rregjistri Themeltar i Shtetasve Shqiptar. Fier, viti rregjistrimit, 1930, lagjia “Kishë”, fq. Nr.31

[7] Po aty, fq. Nr.31

[8] Kom.Vet. LANÇ. “Figura të shquara të rrethit të Fierit”., Kavajë, “GUTEMBERG” 2003, fq. 88.

[9] Spiro Sota. Mos e zgjoni Homerin, Tiranë, “BOTIMET ENCIKLOPEDIKE”, 2002, fq.100.

[10] Rregjistri Themeltar i Shtetasve Shqiptar. Po aty, fq.31.

[11] Nga biseda me z.Hysen Emiri, kushëriri i parë i Rukie Emirit.

[12] T.Lule, po aty, fq.65.

[13] T. Lule, Vepër e cituar, fq. 59.

[14] Po aty, fq.63.

[15] T. Lule, Vepër e cituar, fq.59.

[16] Po aty, fq.59.

[17] Timo Lule, bashkëbisedim, dt. 20. 07. 2011

[18] “Perla” nr.3, - Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” TIRANE, 2004, Nexhat Agolli, “Hafizeja, këngëtarja e shquar e Leskovikut”,  fq.49

[19] Shpesh kjo datë është marrë si vdekja e Kiu Poros. Edhe viti i lindjes së tij është dhën i gabuar. Shih T. Lule, “Fieri dhe kënga...” fq.69 , më tej, “Figura të shquara të rrethit të Fierit”, botim i KV LANÇ rrethit Fier, “GUTEMBERG” 2003, V. II, fq. 88

[20] MHF. Rregjistri i pagëzimit të Kishës Shëngjergjit Fier, v. 1937, nr. rregj. 26, fq. 163.

[21] T. Lule, Vepër e cituar, fq. 65.

[22] Po aty, fq. 59.

[23] Shih “Qyteti pa statuja”, fq. 92.

[24] S. Sota, vepër e cituar, fq.100.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx