E enjte, 01.05.2025, 12:28 AM (GMT+1)

Faleminderit

Nuri Plaku: Ndahet nga jeta shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Tashko Lako

E marte, 19.07.2011, 08:05 PM


NDAHET NGA JETA SHKRIMTARI DHE PUBLICISTI I MIRENJOHUR TASHKO LAKO

 

Nga Nuri PLAKU

 

Sot, ditën e hënë më 18 korrik, u nda nga jeta shkrimtari  dhe publicisti i mirënjohur fierak, Tashko Lako. Qindra bashkëqytetar, miq e të afërm, intelektual të fushave të ndryshme të kulturës, përfaqësues të pushtetit dhe institucioneve të qytetit, deputetë, shkrimtarë dhe artistë, i dhanë lamtumirën e fundit njërit prej bijëve më të nderuar të këtij qyteti, Tashko Lakos.

Tashkua u lind më 17 janar të vitit 1929 në lagjen “Pasha” (“Kongresi i Përmetit”) të qytetit të Fierit, në një familje me origjinë vllehe ardhur nga Voskopoja, që në shekullin e XVIII. I ati, Stavri ishte tregëtar karburantesh po në këtë qytet.

Fëminia e Tashko Lakos kaloi përmes ngjyrimeve  historike të Mbretërisë shqiptare, e të Luftës Antifashiste Nacional - Çlirimtare. Në shtator të vitit 1943, ai radhitet në rreshtat e batalionit partizan “Semani”, ndërsa më vonë inkuadrohet në radhët e Grupit të Tretë të Mallakastrës. Duke u pjekur para kohe nga krismat rrëngjethëse të armëve dhe era e barotit të tyre të djegur, ai u lidh ngushtësisht me “dizenjon” kulturore të këtyre viteve, përcaktuar si “erupsioni” më i fuqishëm i një brezi të tërë fierakësh, të cilët lindën dhe hodhën më vonë themelet e kulturës së këtij qyteti. Një brez i vërtetë djemsh e vajzash të talentuar, të cilët për nga idealizmi, këmbëngulja, sakrifica, potenca e tyre, energjia dhe vetmohimi, formuan “fisin e mohikanëve” të kësaj kulture. Jakov Xoxa, Miçua, Maria dhe Vlash Kallamata, Llazar Verria, Zoica Haxho, Kristaq Shtëmbari, Leonidha Prifti, etj, etj, u bënë idhtarët e paepur dhe përfaqësuesit më kryesor në pararendje të kësaj kulture. Ata ngjasonin aq shumë me rilindasit tanë, ngase shfaqnin në esencë pikërisht reflekset e tyre të thella e ndërkohë, për vet specifikën e këtij qyteti, ata duhen konsideruar rilindasit e tij të vërtetë.

Edhe nivelet arsimore Tashkua i mori si në “gjendje lufte”. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa të mesmen në shkollën teknike të Korçës, të cilën u detyrua ta braktiste, në vitin 1943, së bashku me nxënës të tjerë konviktorë e të kthehej në qytetin e lindjes për t’u marrë fillimisht me veprimtari edukative në përbërje të grupeve të rinisë antifashiste të këtij qyteti. Më pas, mbaron teknikumin bujqësor  të Fierit. Arsimin e lartë e mbaron në vitin 1968 në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike të Universitetit të Tiranës. Më vonë vazhdon edhe një nivel pas universitar në degën e filozofisë.

Der tani për Tashko Lakon jan bërë mbi 60 vjet që shfaqet në disa fusha të rëndësishme të jetës sonë kulturore dhe aktiviteteve të tjera sociale, duke bërë emër të nderuar sidomos në gazetari, letërsi dhe memoristikë.

 

GAZETARIA

 

Fusha gazetareske te ky individ nisi fill mbas çlirimit, me një kronikë sportive të rastësishme lidhur me një ndeshje skuadrash rajonale. Ky lajm për Tashkon, u kthye në fillimin e një kariere të fisshme dhe tepër komode për kohën. Ai u thirr prej kryeredaktorit të at’hershëm të asaj gazete dhe u këshillua të angazhohej në gazetari pasi shkrimi i tij i parë, përmbante të dhënat e duhura të një talenti të vërtetë. “Floririn e njeh kuinxhiu” thotë i urti. Pikërisht nga ky moment për Tashko Lakon nisi udha e gjatë e fjalës së shkruar mediatike e cila e shoqëroi atë në të gjitha periudhat e jetës së tij, duke i dhënë kështu një vend të gjerë e të nderuar në fushën e gazetarisë shqiptare. Nga viti 1946 deri në vitin 1954, ai punon si mësues dhe instruktor e përgjegjës në Shtëpinë e Parkut të Pionerëve. Pikërisht në këtë periudhë shënohen fillimet e kësaj kariere, me angazhimin e tij si korespodent dhe bashkëpunëtor i jashtëm i disa gazetave të kohës, si; “Sporti Popullor”, “Rinia”, revista “Hosteni”, “Pionieri” etj. Më pas emërohet korespodent i gazetës “Bashkimi”, Organ i Frontit Demokratik të Shqipërisë, për të vazhduar pastaj, për vite e vite me radhë, në postin e kryeredaktorit të gazetës “Drapër e Çekan”, deri sa del në pension.

Shumëkush nga bashkëkohësit dhe lexuesit e tij të panumërt, e njohin stilin e formuar gazetaresk të Tashko Lakos. Veçanërisht “thyerja” e tekstit  me një pyetje retorike të midistë, përbënte zakonisht “digën” që mbante para vërshimit, “mllefin” e tij analitik. Në këtë “mllef” të grumbulluar në mënyrë të talentuar, gjendej sekreti i gjithë karakteristikave profesionale të një gazetari të aftë e skrupuloz. Ky sekret ishte energjia e pashtershme e tij që e nxiste në luftë të papajtueshme ndaj të keqes shoqërore, për të afirmuar të mirën e saj, në emër të kohës, rrethanave, besimit dhe idealit që ai përfaqësonte. Si i tillë, Tashko Lako ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e lexuesëve të kohës me shkrime të panumërta edukative dhe problemore, në rreshtat e të cilëve bëhej “gjyqi” i të metave sociale dhe ngrihej “gijotina” e ndëshkimit të tyre të pa mëshirshëm. Pikërisht me këtë status përfaqësimi, Lako shkeli anë e mbanë, gjithë territorin e Shqipërisë, duke i mbushur faqet e shtypit të kohës, me ngjyrimet më të larmishme e më problemore të kësaj gjeografije. Ishin këto gjurmë dhe këto udhëtime të pafundme të karierës së tij që e aftësuan dhe kompletuan atë me një eksperiencë të pasur pune e cila i shërbeu më pasë edhe si “teleferik” për kalimin nga njëri breg i kohës në tjetrin. Ky kalim e gjeti gazetarin e karierës të aftësuar për t’i bër ballë me sukses ndryshimit të sistemit shoqëror. Ai nxori gazetën social – kulturore, “Zegali”, të parën gazetë që dilte në Fier mbas viteve ‘90, në përputhje me kriteret e ekonomisë së tregut dhe kushtet e zhvillimeve demokratike të vendit. Ajo doli radhazi për 24 numra duke dëshmuar kulturë demokratike, humorin e hollë shpotitës, frymën e re, elasticitetin konceptimin bashkëkohor dhe nivelin e lartë të përfaqësimit profesional të botuesit të saj, Tashko Lako.

 

KONTRIBUTI LETRAR

 

Krijimtaria letrare e Tashko Lakos në letërsinë shqipe përbën një korpus të gjerë dhe mjaft voluminoz. Ajo përfshin brenda tij gjini të ndryshme krijuese, si; përralla, tregime për fëmijë, fabula, drama, komedi, romane e novela si dhe letërsi dokumentare, gjithsej 33 tituj. Ky korpus është i përfshirë në një periudhë kohore që shtrihet përgjatë 52 vitesh. Fillon në vitin 1957 me botimin e vëllimit të parë të tij me përralla, “Si u bë qimja tra” dhe vazhdon deri në ditët e sotme me botimin e vëllimit të tij të fundit, “Qesh se nuk qaj dotë”. Janë mijëra faqe të shkruara për tema dhe probleme të ndryshme të jetës dhe historisë sonë lokale e kombëtare veshur me një humor të hollë e tepër shpotitës. E tëra kjo krijimtari përbën në thelb aktivitetin e palodhur të një krijuesi të vullnetshëm e të pareshtur në punën e tij krijuese në shërbim të kulturës, moralit, edukimit dhe fisnikërimit shpirtëror të brezave. Brenda këtij korpusi gëlojnë gjithashtu qindra personazhe të moshave e psikologjive të ndryshme si përfaqësues të një grupimi të caktuar social. Krahas tyre, ngërthehet një botë e tërë artistike ku shfaqen simbolet, modelet, përfaqësimet e rrymave, konfliktet, mosmarrveshje, ngjyrimet etj, etj. E tërë shoqëria e trajtuar në penën e Tashko Lakos, duket si një “Karusel” gjigand ku rrotullohen fatet e njerëzve dhe ku e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, pozicionohen në dy polet me fuqi tërheqëse dhe  përjetësisht të kundërta.

Në thelb, krijimtaria e Tashkos posedon dëshmitë e përfaqësimit interpretues të kohës së tij. Mjafton të përmendim fabulën e njërit nga tregimet e fillimit të krijimtarisë, kur për të mar një violinçel në Tiranë, porositet një makinë “Saurel” dhe për të gjithë ne është mëse i qartë humori demaskues dhe paradoksi i një kohe të caktuar. Po kaq interesante është edhe figura e Xha Mitit, “Nastradinit të Fierit” i cili me qeshjen dhe përqeshjen e tij të vazhdueshme, ndëshkonë pareshtur të metat e shumta të kësaj bote.

Thelbësore te krijimtaria e Tashko Lakos është gjithashtu edhe fryma e saj popullore e cila e përshkon atë tej e ndanë, duke i dhënë “liçencën“ e komunikimit të përgjithshëm masiv. Tashkua është i kuptueshëm për të gjitha moshat, për të gjitha psikologjitë dhe për të gjitha kategoritë e individëve që e lexojnë atë.

Pikërisht për këto arësye kjo krijimtari ka tërhequr vëmëndjen e vazhdueshme të specialistëve dhe dashamirësve të shumtë të letërsisë artistike. Në konkursin kombëtar të vitit 1973, ai nderohet me çmim të tretë për krijimin “Stuhi në çitjanet e burrave”. Po me këtë çmim nderohet në vitin 1978 me krijimin “Shërbetori i dy zotërinjve” dhe në vitin 1979 me krijimin “Vau i rosave në gjolin e dëllinjave”. Ndërsa nnë vitin 2002, Shoqata Atdhetare – Kulturore “Myzeqeja” i jep çmimin “Pena e Artë” për gjithë veprën e tij letrare. Për krijimtarinë e Tashko Lakos kanë shkruar deri tani mbi 30 autorë dhe janë botuar mbi 40 shkrime të ndryshme vlerësuese. Të gjitha këto janë përmbledhur së fundi në vëllimin ‘Tashko Lako – Një jetë në krijimtari”.

Njëri prej tyre, “mbreti” i letërsisë për fëmijë, Odise Grillo do të shprehej në vitin 2002: “Fabulat dhe mikrofabulat e tua janë si receta me ilaçe që u jep të sëmurëve mjeku…Në këtë mori fabulash dhe mikrofabulash ti e ke drejtuar majën e hostenit në hallet e dertet e njerëzve të ditëve tona, në prapësitë e marrëzitë e kohës në të cilën jetojmë…Në fabulat e mikrofabulat e tua ti ke sjellë edhe frymën e humorit popullor në përgjithësi e të trevave të Myzeqesë, veçanërishtë të Fierit”.

Ndërsa poeti dhe gazetari i mirënjohur Xhevdet Shehu pasi ka lexuar “Nastradinin e Fierit” është shprehur: “ Ajo që duhet thënë pa hezitim është se Nastradini i Fierit, është tërësisht shqiptar, modern dhe evropian njëherësh…Dhe për çudinë e të gjithëve, këtë sivëlla bashkëluftëtar, Nastradin Hoxha e gjeti atje ku s’e priste, në një qytet të Shqipërisë, pikërisht në Fier”.

Kurse poeti Xhevat Beqaraj do të përcaktonte: “Tashkua gatuan me brumin e magjes së vet…E njeh mirë gjuhën e gurrës popullore, veçanërisht ligjërimin e trevës së Myzeqesë, frazeologjinë e saj, urtësinë e saj. Dhe, në atë mori pasurish, si nikoqir i kujdesshëm, di të mbledhë e të shoshitë fjalën para se ta hedhë në letër. Qëmton, si bleta nektarin, fjalë e shprehje të lëna, e që, kur të na marrë malli t’i gjejmë, duke shfletuar ndër ato libra”.

Studiuesi i mirënjohur Kristaq Shtëmbari do të shprehej gjithashtu se:”Në veprat e Tashko Lakos bie në sy mprehtësia për të kuptuar disa probleme që në dukjen e parë janë të vogla”, “të rëndomta”, por që në esencë janë probleme të qenësishme dhe që kërkojnë aftësi e përvojë artistike për t’i trajtuar”.

Tashko Lako përfshihet gjithashtu në “Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë” të periudhës 1500 – 2000, hartuar dhe botuar në Prishtinë nga studiuesi kosovar, Hasan Hasani , përfshihet në “Historia e Letërsisë Shqiptare për Fëmijë”, hartuar nga shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur Prof. dok. Astrit Bishqemi si dhe në memorial të ndryshëm lokal e kombëtar. Nga viti 1967 ai pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, duke bërë jetë të gjallë e aktive në degën e Fierit.

MEMORISTIKA

Edhe në fushën e memoristikës, veçanërisht të asaj historike, Tashko Lako ka dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm. Kjo është lidhur sidomos me aktivizimin e tij në krye të Komitetit të Veteranëve të Rrethit Fierit, detyrë të cilën ai e mbajti prej disa vitesh. Në këtë zhanër futen 10 tituj që kapin qindra faqe të mbushura me ngjarje, data dhe vënde “të nxehta” historike të cilat evokohen për vlerat e tyre të pakrahasueshme dhe vihen në shërbimin edukativ dhe patriotik të brezave. Në këtë memorje, risillen emra dëshmorësh e luftëtarësh, përpjekje guerilësh, çetash, grupime e formacione partizane nga më të ndryshmit. Gati të gjithë anëtarët e njesiteve guerile, Debatikut, organizatave të rinisë dhe të gruas, Këshillat Antifashiste Nacional Çlirimtare, Qarkori dhe Organizatat e Partisë Komuniste, komandantët, komisarët e deri te partizani më i thjeshtë i njesive ushtarake të kohës, përvijohet në këto shkrime si një prurje historike e rifreskuar dhe rindezur me ngjyrat më të gjalla të kujtesës sonë popullore. Faqe mbas faqe, pena e Tashko Lakos, ka sjellë në memorjen e lëxuesit, të qendisur me ngjyrën “gjakut”, historinë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional – Çlirimtare për rrethin e Fierit. Të tilla janë; ‘Në ëndërrën e lirisë”,(monografi) “Mespërmes stuhisë armike”,(përshkrime) “Vite të stuhishme”,(kujtime)”Guerilasi”,(monografi),”Militanti”(monogrsfi) etj.

Një vend të rëndësishëm në këto memorial zënë dy nga kryeveprat e shkruara gjatë kësaj periudhe për rrethin e Fierit: Vëllimet “Figura të shquara të rrethit të Fierit” dhe “Album i Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare në Rrethin e Fierit”. Për të dy këta tituj, Tashko Lako është, inisiatori dhe kryeredaktori i botimit të tyre.

Njafton të themi se në “Figurat…”, përfshihen 184 emra të të gjitha fushave dhe të të gjitha kohëve të cilat i bëjnë një shërbim shum të madh kujtesës së komunitetit fierak, duke luajtur për të rolin e një enciklopedie individësh të shquar. Në mungesën e përzgjedhur të informacionit, këto botime jan bërë pika referimi për shumë autorë. Kurse “Albumi…” përfshin 306 fotografi individësh dhe pamjesh të ndryshme të cilat evokojnë nëpërmjet përmbajtjes së tyre, një vlerë të jashtëzakonshme edukativo patriotike të pakrahasueshme.

Krahas kontributit memoralistik, Tashko Lako ka edhe një linjë të pasur të pa përmbledhur në letër ku futen; fjalimet, përshëndetjet, bisedat, intervistat dhe referimet, mbajtur nëpër takime, data e përvjetorë, konferenca dhe festa të shumta me karakter historik. Nëpërmjet këtij materiali të bollshëm, shtjellohet një eksperiencë e pasur pune e gjithanshme prej drejtuesi masovik të aftë e të kompletuar me një autoritet të padiskutueshem në të gjitha fushat e përfaqësimit social. Edhe ky  mbetet gjithashtu një kapitull i vlefshëm, dëshmi dhe shprehje e vlerave të larta intelektuale dhe organizative, të këtij autori.

Në vitin 2009 me rastin e 80 vjetorit të lindjes Këshilli Bashkiak i qytetit të Fierit, me propozim të Unionit të Shkrimtarëve Fier dhe Komitetit të Veteranëve të këtij qyteti, i akordoi atij titullin e lartë “Qytetar nderi i qytetit të Fierit” me motivacionin: “Figurë qëndrore e rëndësishme e kulturës së zhvilluar në qytetin e Fierit. Intelektual, mësues, shkrimtar dhe personalitet me kontribute të shquara në fushën letrare, të arsimit, të publicistikës si dhe në atë historiko sociale. Personalitet i spikatur për evokimin dhe mbrojtjen e vlerave tona historiko kombëtare.”

 

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e këtij burri!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx