E hene, 29.04.2024, 10:39 AM (GMT+1)

Faleminderit

E Lumja Nënë Terezë, në 101 vjetorin e lindjes

E premte, 26.08.2011, 08:59 PM


Sot më 26 gusht përkujtojmë një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar: Nënë Terezën, përvjetorin e 101-të ditëlindjes. E Lumja Nënë Terezë Gonxhe Bojaxhiu lindi si sot, më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë, u shpall e Lume në Vatikan nga Papa Gjon Pali II më 19 tetor 2003.

E Lumja Nënë Terezë e përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".

Për t'iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu edhe atyre shpirtërore të të varfërve, më 7 tetor të vitit 1950 Nënë Tereza themeloi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë; më 1963 - Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie.

Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim" ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj. Më 1979 u vlerësua me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen.

Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, duke e shndërruar kështu njeriun në flake dashurie.

 

___________

 

Porosia shpirtërore e Nënë Terezës në 101 vjetorin e ditëlindjes

 

Sot e Lumja Nënë Terezë Gonxhe Bojaxhiu mbushi 101 vjet. Plot mirënjohje për Emrin e saj të madh, që ua la trashëgim të gjithë besimtarëve katolikë e posaçërisht shqiptarëve, zgjodhëm për ne sot këtë rrëfim bazuar tek libri ‘Jeta ime’, që tingëllon si testament:

“Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten.

Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia.

Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme.

Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar.

Pranova të përfaqësoj të varfrit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbrit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.

Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd.

Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para.

Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit.

Kur vërej si trajtohen të varfrit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët.

Kush nuk i përfill të varfrit, vijon të mos e përfillë Krishtin.

Të varfrit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje.

Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte.

Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë.

Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur.

Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë.

Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore.

Por në se secili nga ne do t’i shërbejë Krishtit, atje ku e thërret, Eukaristia e të varfrit do të bëhen një dashuri e vetme!".

 



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora