Kulturë
Ars Clubi “Beqir Musliu”: Trekëndëshi Poetik i Paqes
E shtune, 30.07.2011, 05:59 PM
Manifestimi rajonal i poezisë
TREKËNDËSHI POETIK I PAQES
(edicioni i parë)
Botues:
Ars Clubi “Beqir Musliu”
E përgatitën për botim:
Sabit Rrustemi,
Nexhat Rexha,
Fatushe Haliti
Korrektura:
Lindita Ramushi
Përkujdesja artistike:
Ars Clubi “ Beqir Musliu”, Gjilan
Manifestimi rajonal i poezisë
TREKËNDËSHI POETIK I PAQES
(edicioni i parë)
Ars Clubi “Beqir Musliu” Gjilan
I nderuari lexues:
Poetët, pjesmarrës në këtij Manifestimi poetik, gjegjësisht krijimet e tyre poetike të lexuara në Kishën e Shën Anës, në Dunav, ku edhe u mbajt ora letrare, e titulluar KOHA E POEZISË, janë radhitur sipas alfabetit.
Botimin e këtij edicioni me poezi nga Manifestimi “Trekëndëshi Poetik i Paqes”, e mbështeti financiarisht Zyra e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, për çka i jemi mirënjohës.
Trekëndëshi poetik i paqes bashkon rajonin
POETËT, ZË I PAQES DHE ARSYES
Gjilan, 12 qershor
Pikërisht në ditën e ditën e përvjetorit të dymbëdhjetë të lirisë së Kosovës, në ditën kur trupat e NATO-s shkelën për herë të parë në komunën e Gjilanit, në kufirin kosovar–maqedonas, nisi rrugëtimin e tij manifestimi rajonal i poezisë, i titulluar “Trekëndëshi poetik i paqes”, të cilin e ideoi dhe projektoi Ars Clubi “Beqir Musliu” dhe, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, u realizua bashkërisht me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Poetët ofrojnë popuj dhe shtete
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, duke u dëshiruar mirëseardhje krijuesve të shumtë nga trekëndëshi kufitar Kosovë – Serbi – Maqedoni, po dhe nga Shqipëria, përgëzoi përkushtimin e tyre krijues e veprues, për mesazhet liridashëse e paqedashëse që kultivuan e vazhdojnë t’i përçojnë përmes poezisë së tyre, duke u shprehur thellësisht mirënjohës dhe për gjithë atë angazhim të faktorit kombëtar e ndërkombëtar, në ndaljen e gjenocidit ndaj një populli dhe kthimin e paqes e lirisë në Kosovë, që po e shijojmë prej 12 vitesh dhe po punojmë për thellimin e mëtejmë të paqes dhe zhvillimit në këtë rajon. Dëshmi për këtë, është dhe kjo rrugë e asfaltuar deri në kufi, nga ana jonë, edhe shumë projekte bashkëpunimi në këtë trekëndësh kufitar e, edhe ky manifestim poetik, që u nis sot dhe do ketë mbështetjen tonë dhe më gjerë, ka thënë Mustafa. Ai shprehu bindjen se, edhe kjo pikë kufitare, këtu në Stançiq, së shpejti do jetë pikë qarkulluese për njerëzit, si një urë lidhëse më tepër mes dy shteteve, duke shprehur bindjen se, edhe përmes takimesh të tilla, secili mund të ndihmojë që rajoni ynë të jetë shembull i mirëqenies dhe bashkëjetesës mes popujve, pavarësisht të kaluarës. Misioni juaj human i ofron dhe më shumë shtetet dhe popujt, ka thënë Mustafa, ndërkohë që i ka inkurajuar organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë manifestim poetik që ta vazhdojnë më tutje këtë mision, duke premtuar mbështetjen e institucioneve dhe të publikut.
“Koha e poezisë” - në Kishën e Shën Anës
Kurse, Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Clubit “Beqir Musliu” tha se poetët, në vazhdimësi ishin dhe mbetën zë i paqes, i lirisë mes popujve dhe shteteve. “Në shenjë mirënjohje e falënderimi të përhershëm për gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë dhe na mundësuan që ne të krijojmë të lirë e në kushte më të mira, po fillojmë një manifestim rajonal poezie, pikërisht te këta gurë kufijsh që dëshmojnë realitete të reja në Ballkan. Ishin vargjet e poetëve, njësoj si zogjtë e malit që sfiduan kufijtë, edhe kur ata ishin të hekurt, të minuar dhe ndanin popujt. Është poezia, si gjithnjë, ajo që i mbledh dhe i afron këto shtete dhe i bën tok në një vend, duke dëshmuar se shpirti i krijuesit, është human dhe thellësisht i përkushtuar për paqe, humanizëm e dashuri mes njerëzish”, ka thënë Rrustemi. Për më tepër, ai tha se poezia është ajo që po bashkon krijuesit nga Kosova Lindore (Serbi), Maqedonia, Shqipëria e Kosova, këtu në Grykën e Karadakut.
Më pas, në mënyrë simbolike, pikërisht te gurët e kufirit, vendosur dy vite më parë nga një komision ndërqeveritar kosovar–maqedonas, tre poetë, nga tri shtete, Vaxhid Xhelili (Serbi), Bejtush Memeti (Maqedoni) dhe Ibrahim Kadriu (Kosovë), lexuan poezitë e tyre para krijuesve e mysafirëve të shumtë, në mesin e të cilëve dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nijazi Idrizi, Lirije Kajtazi e Hydajet Hyseni.
Manifestimi rajonal i poezisë, i pari i këtij lloji në këto anë dhe shumë i veçantë nga manifestime të tjera poetike, vazhdoi në Kishën e Shën Anës, në fshatin Dunav, një lokalitet i boshatisur ky, gjithashtu në brezin kufitar të këtij trekëndëshi, ku dhjetëra poetë e dashamirë të artit thyen heshtjen e një objekti që me dekada kishte qenë në shërbim të kultit dhe humanizmit. “Koha e Poezisë”, siç ishte pagëzuar ora letrare e këtij manifestimi, që u drejtua nga poetja e re Linditë Ramushi, krijoi hapësirë dhe mundësoi që nga faltorja e kësaj kishe, që tashmë ka nevojë për përkujdesje institucionale, si objekt i trashëgimisë kulturore –historike, të lexojnë shkrimtarët Vaxhid Xhelili, Arsim Halili, Bilall Maliqi, Demush Berisha e Nehat Ramizi nga Kosova Lindore (Serbi), Nehat Sopaj, Bejtush Mehmeti, Sunaj Rahimi, Burhamedin Xhemaili, Ismajl Bilalli e Rexhep Bajrami (Maqedoni), Suzanë Zisi (Shqipëri) si dhe Ibrahim Kadriu, Sali Bashota, Ramadan Mehmeti, Jonuz Fetahaj, Mexhit Mehmeti, Haxhi Vokshi, Sabile Keçmezi – Basha, Albinë Idrizi, Hydajet Hyseni, Nexhat Rexha, Lirije Kajtazi, Sinan Sadiku, Nijazi Idrizi, Xhevat Latifi, Sarë Gjergji, Sevdije Rexhepi, Tahir Dalipi, Shefqete Gosalci, Demir Behluli, Ahmet Murati, Edonë Beqiri, Fehmi Korçaj, Sadete Tërnava – Osmani, Musa Ahmetaj, Linditë Ramushi e Sabit Rrustemi, të gjithë këta nga Kosova.
Të gjitha poezitë e këtij manifestimi, që u shoqëruan dhe me kafenë e mëngjesit (restorant Dunavi), me një drekë sipas traditës së këtyre anëve (në oborrin e Kishës së Shën Anës) dhe me kafenë e pasdites (restorant Gryka e Karadakut), do të përmblidhen dhe do të botohen, ashtu si është paraparë, në një revistë që do të bartë dhe emrin e këtij Manifestimi “Trekëndëshi poetik i paqes”, që tash e tutje do jetë tradicional.
Vlen për t’u theksuar dhe përshëndetur edhe përkushtimi i veçantë i komunës që, enkas për këtë manifestim, rehabilitoi rrugën dytësore nga Kisha e Shën Anës, deri te rruga e asfaltuar Gjilan – Kumanovë si dhe hapësirën brenda dhe jashtë Kishës, ku u mbajt pjesa qendrore e këtij manifestimi. Me këtë manifestim poezie në brezin e trekëndëshit kufitar Kosovë – Serbi – Maqedoni, komuna e Gjilanit nisi dhe festën e Ditës së Çlirimit, që do shoqërohet dhe me aktivitete tjera kulturore.
Ilmi Musliu
Ahmet MURATI (Gjilan)
LOTI I PURPURTË
Shpërtheva lotin tim në mijëra copëza
që u shpërndanë si një ambient i purpurt
një magji që se kisha parë kurrë
një magji e ngrohtë që e përshkon trupin e tërë
një drithërimë më mbërthen ngadalë gjer në
zemër
në zemër të përvëluar në valët e vetmisë
shekullore
dhe vjen çasti që çdo gjë merr trajtë të panjohur
të kristalizuar nëpër skajet e zemrës sime
por zemra ime, jastëk për trajtën e panjohur
pranon atë dhe më kurrë nuk do ta humb
trajtën dhe ngrohtësinë e saj që ma jep në vetminë
shekullore
Albinë IDRIZI (Gjilan)
RIMISHËRIM
Unë të njoh
Ty, që vjen pas meje.
Hije e zgjatur e kohës
që emër pagëzimi
pret nga e imja vdekje.
Di për habinë tënde,
ngazëllimin, frikën, dobësitë,
di për hobin, dëshirat, marrëzitë...
Pulitjen e syve kur
këndshëm befasohesh.
Dridhjen e lehtë të buzës
kur trembesh, e në vaj
shpërthen papritë.
Di për rrëzimin e parë,
gërvishtjet në fytyrë,
parfumin që pëlqen,
gjellën pa mish,
muzikën që adhuron, e di.
Sepse, unë të njoh mirë
Ty, që vjen pas meje.
Hieroglifëve të emrit tim
do eksplorosh
veten tënde.
Piramidave të ëndrrave të mia
do u shtosh kujtimin tënd
me një dozë nderimi dhe përçmimi
njëherësh.
Shih për këtë, në mirënjohje
dhe tituj lavdie do vishesh,
sipas modës.
Por, njësoj do gëzosh edhe ti.
Njësoj do vuash,
njësoj do qash,
njësoj do bësh dashuri.
Aq i madh sa nis nga unë,
Aq i vogël sa mbaron tek tjetri.
Arsim HALILI (Bujanovc)
TË GJALLËT E HESHTUR
Koha ju pagëzoi emrin
Lakuar nëpër morfologji qëndrese
Ditiramb për sa pranvera
Të mbarësuar shqip
Heshtur në kornizë të bronzit
Shikoni diellin që nuk perëndon
Imazh i tjetërsuar
Bulevardit takohemi
Numërohen legjendat
Trajta e emrit ndryshe ju shkruhet
Bejtush MEHMETI (Kumanovë)
MBI GURIN ILIR
kur guri mbi gur hahet
enderrat fluturojne
djegja zbret ne hi
te gjitha shenjat treten
te gjitha mbreterit heshtin e fshehen
te gjitha fjalet ne eter ikin
por fjala "I lire" ruhet nga qielli
preke ne kohera dashurine dhe serish zbehet
preke harresen e gjurmes
ne shtresa te hirit
aty ku guri mbi gur eshte shlyer
endrra mbi enderr5 eshte zbehur
djegja ka zbrit ne hi
e hiri eshte shtresuar
Bilall MALIQI (Preshevë)
FIJE MALLI
Stinëbukura sheh veten në pasqyrë
Në krahët e erërave pahitet e kalëron
Petalet e luleve i lëvizë frymëlehta puhizë
Ky peizazh ma shkarkon mallin e lodhur
Në sirtar mallëngjimi varet shikimi yt
Unë lidhi kujtesën me buzët e tua të prushta
Pas shumë motesh të mira besa edhe të nxira
I takuam sytë e përmalluar e gati të qorruar
Aty malli u shtrydh u shndërrua në pika loti
Që lagën faqet tona tani të vijosura
Motet e thepisura që thernin shpirtra
U gurëzuan në ledina të kodrës së keqe
Më gjete diku në vargje të pasosura kurrë
E unë ty në ëndrrën që engjëjt ma çelën
Imzot kurrë më të mos ketë harrim
S’e për këtë dashuri engjëjt kanë dëshmi
Sa dashuri është zbrazur në bagazh kohe
Sa herë jam bërë zhytës në pellgun e Fatit
Troket pareshtur imi varg në port të zemrës
Aty ky trok drithëron dashurinë e lënë peng
Jam unë ai varg i gravuar në shpirtin tënd
I pa emër që gjurmët tuaja gjithnjë kërkon
Tani zogu kasnec fluturoi e fluturoi
Në qerpik të saj ngjiti fije malli
Ëndrra tani do ta ndërtoj një kullë
Që kujtesat tona të bëjnë banim ditë e natë…
Burhamedin XHEMAILI (Kumanovë)
TANI
Kur koha e arratisjeve
Dhe ikjeve nga vetvetja
Po merr fund
U hapën portat për të ecur
Me dritën e mendjes
Dhe vizionit
Rrugëve të atdheut
Që po shkurtohen
Drejt botës që na afron
Aty ku lind dielli i përparimit
Dhe nuk dëgjohet kënga e qyqes
Mbi murin e ndarjes ...
Demir BEHLULI (Gjilan)
PAQYRA E GJAKUT
TË DËSHMORËVE
Ca gjëra që duhet të vinë
Ato vinë si lindja
Si ëndrra
Herë rishtuese
Herë trimëruese
Në gjumin tonë
E na zgjojnë e na thonë:
As në Kosovë
As në Kosharë
S`ka pasur tepricë shqiptarë
Ca gjëra që duhet të vinë
Ato s`i ndal
As breshëri as shiu
As urrejtja n`mes veti
Ato kanë fuqinë sa deti
A do të vijë një ditë
E do të zgjohen shpirtrat
E do të njomet gjaku i tyre
E do të bëhet pasqyrë
E do të shikojmë tonën fytyrë
Të pastër apo të ndryrë
Se as Kosovë
As Kosharë
S`ka pasur tepricë shqiptarë
Demush BERISHA (Preshevë)
LISI
Lisi plak
Në Karadak
Degët çufurrak
Se sa vite kanë kaluar
Vetë nuk munda
Për t`i numëruar
Thonë i ka treqind
Me përjetime
Pesëqind
Shtoja edhe nja pesëdhjetë
Po të kishte gojë
Do t`i dëshmonte vetë
Shumë erëra dhe furtuna
Vetëtima
Dhe murmurima
Eh, sa ngricat e sakatuan
Eh, sa vapat e përcëlluan
Por ai token nuk e lëshoi
Vertikal
Sa herë qëndroi
Kush ma bëri të keqen mua
Ti e din po se s`ma thua
E them vetë me belbëzime
Pyka e degës sime.
Edona BEQIRI (Gjilan)
Fehmi KORÇA (Gjilan)
NJË PIKË
Nishani i gjenezës verdikt jo reale
Padrejtësi në shekuj,
rebelim i kalitur në trungun e shekullit që iku.
Prangat ishin dhe mbeten ''identiteti ynë ''.
Mjafton të thuash NËNË...!?
Dhe qakajt nuhasin eren,
pastaj prrojet e përgjakura vargonin me klithje.
E pyeta arsyen, ajo heshti quditërisht !?
Bëri naze mbi të vërtetën.
Po, po...,të gjithë e shiquam të syrgjynosur fjalën
e lirë.
"Kali i trojes", kishte uri.
Kënga ky burim i krojeve të historisë,
ndalohet nga "sorrëshkinat"
ato kokurrisin me sqepin e përgjakur në kulturen
e Dardanisë.
Kaluan edhe shekujt e turpit, erdhi shekulli i ri....,
Një pikë që na bashkon.
Por mos perqaj e sundo o virusi i lugatërisë....,
Akoma ke uri !?
Ne kemi një emër, por ti nuk e pranon !?
Zoti ma vuri emrin Dardan në këto troje...,
Dardan do të mbetem për jetë e mote...,
Haxhi VOKSHI (Gjilan)
MALI
Mali plot cunga
Plot pipa mali
Në të rrinë zogj e fëmijë
Krijojnë orkestrën më të bukur
Që dëgjohet në shtatë palë qiell
E të vdekurin e ngrit prej varri
E lisat
Lisat vertikalisht kah qielli
Si ushtarë të lirisë
Mali plot pipa
Plot cunga mali
Fëmijë e zogj s`lëvizin prej tij
E lisat
Lisat thik përpjetë kah qielli
Si ushtarë të lirisë
Hydajet HYSENI (Gjilan, Prishtinë)
THONE ËSHTË PARË
PJETËR BOGDANI
Një ditë vjeshte, në Prishtinë,
Thonë është parë Pjetër Bogdani,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhë Kadrinë
E me Papa Kristo Negovanin…
Se ç’kuvendonin për përjetësinë,
Për Stambollin, Romën, Vatikanin
Luteshin për Gjergjin, për Arbërinë,
Argjentën, Antarion, për Zveçanin;
Thonë, mallkonin djallëzinë,
Carin, krajlët e Sulltanin…
Është parë, thonë, Pjetër Bogdani,
Në oborr të namazxhasë,
Ku ia coptuan eshtrat e zhvarrosur,
Qentë llaskucë të kasabasë…
Fërkojnë sytë besimtarët e mpirë,
Pas meshës shenjtë e pas xhymasë:
O zot! Një shqype e shenjtë, mjekërngrirë,
Buzëqesh nga froni i arabasë..:
-“Nuk janë gja, thotë, qentë e rrugës,
Që shkërmojnë eshtrat e Bogdanit,
Kujdes qentë që kafshojnë tokën,
Që kafshojnë gjuhën,
kafshojnë fisin,
kafshojnë plisin
Kafashojnë shpirtin e vatanit…
Qofsh i gjalle, qofsh i groposur,
Dhe të vërsulen zagarë e qenë,
Mos u thuaj: tyt! qenëve të zgjebosur
Por atij që i ndërsen…!
Ai qentë t’i ndërsen,
Nga çdo lloj qeni
Është më qen…
Thonë, atë vjeshtë, me ngricë e brymë
Është rishfaqur Pjetër Bogdani
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhë Kadrinë
E me Papa Kristo Negovanin…
Thonë, atë vjeshtë, me suferinë
Përkundte hasiania të vëllain hasianin,
Në ninula, zana e sibila,
Tok me Gjergjin,
Me Pjetër Bogdanin,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhë Kadrinë
E me Papa Kristo Negovanin…
Se ç’ligjëronin për Arbërinë,
Për fisin, plisin, për Vatanin.
Ibrahim KADRIU (Gjilan, Prishtinë)
ATDHEU
Nëse shpërngulesh nga unë
Dhe s`di kujt tjetër mund t`i fal aq kohë,
Dhe s`di të arrijë më askund
Nëse shpërngulesh nga unë
Asgjë s`do jetë imja
As fryma
Nëse shpërngulesh nga unë
Ruana Zot
Nuk do të kem kujt
T`i them mirëmëngjesi
Prandaj përulem
Si fushë pjellore rrëzë maleve
Të lus të më qëndrosh gatitu
Para syve e zemrës
Ashtu siç je
Me të gjitha plagët
T`i shërojmë bashkë
Pa ty si pa diellin
Akulli zë në pritje zemrën
Se ç`ndodh më tutje me të
Një Zot e di
Ismail BILALLI (Kumanovë)
ECËM E ECËM
Ecëm e ecëm
Nëpër
Damarët e mi
Dhe u takuam
Në fjalën e pathënë
Jonuz FETAHAJ (Preshevë, Prishtinë)
TE VARRI I IDRIZ SEFERIT
Zbardhur iu kishin flatrat
Shqiponjës
Dielli kishte rreshkë
Ngjyrëallen
Koka e shkabës
Lodhur nga zezona
Dy shekuj e kusur
Në Karadak
Merreni eshtrat flasin
Për kohë të liga
Idriz Seferi
Nuk plaket në këngë
Ndoshta ditët e netët i kalon
Me tymnajë duhan Hotle
Vijnë e shkojnë tregtarët
Pa fjalën e pathënë bacë
Karadaku ndërrohet nëpër
Kohë si nuse
Linditë RAMUSHI (Gjilan)
KOHA S`NA TAKON NEVE…
Zëri po më lëngon në atë vorbull fjalësh
Ngjitur rri portreti mendimtar qëndron heshtur
Mes kornizës së paepur
Sikur thotë
Koha s’na takon neve.
S’na takon neve koha e thatë
Dhe kur qaj e s’prek fytyrën me hije të verbër
Buzëqeshja për zemrën e përlotur
Bëhet hark vendimtar.
S’na takon kjo kohë e majme
Që kur hap sytë
Ëndërroj të jetë veç makth i natës së shkuar
T’ia shter burimin ku kullon ai vrer si argjend
i flakosur
Rremat e fishkur të yjeve që shohin e s’flasin.
E kur mbillet lulja e bardhë në tokë të motit
të vjetër
Koha s’na takon neve në lindje të një flete
Veç nuri i ngelet si peshqesh
Peshqesh sërish për pritje.
Lirie KAJTAZI (Gjilan)
M-ENDJE MERIMANGE
...edhe pas ecjes
Lakmoj skutat
Kryq e tërthorë
Kanape rrjetash kurdis
Kur e do nevoja
Sikur nga reja lëshohem
E ngjitem
Poshtë a rrihet
Tek pushoj atje mbi re
“vizitorët” e rastit
Me vdekje i gostisë
E (s) di pse fshesa
m- endjet e mia m`i prishë
Mexhid MEHMETI (Preshevë, Fushë – Kosovë)
RRUGËTIM
Udhë e udhë e udhë
Sa shpesh na shkuan ardhjet
e na erdhën shkuarjet
Udhëtim i thënçin
kësaj kotësie biblike
Kumti i vdekjes
thyen heshtjen si krismë sëpate
mbi turrë shkarpash fjalëkotat
digjen tryezave të rrumbullakta
Medet për ne me këto udhë
shpesh na shkojnë ardhjet
e na vijnë shkuarjet
Musa AHMETAJ (Kamenicë)
PROPOZIM!
E kam një propozim miq
kësaj here po e japi vet
Dik Martin e trimëruar
ta bëjmë me brisk synet
Edhe vendin e kam gjetur
atje te Shtëpia e Verdhë
pa ekipë e pa farë opiumi
shikojmë sa gjak ka me derdhë
Nuk do përdorim fare
ndonjë teknike tjetër
por kisha sugjeruar
vërtet sistemin e vjetër
Pastaj te mos përdorim
as gaza e as fasha
le te bindet personalisht
ky fare Dik Marti pasha !
Nehas SOPAJ (Kumanovë)
SHPRISHJA E GJAKUT
E këputëm aortën mes për mes
Gjakun e mblodhën nëpër epruveta
Dhe e përcollën përtej Bosforit në zhbërje.
Sot epruvetat me gjak
Shprishën
Gjithandej përtej detyrave oqeaneve...
Qiellit ia kallajisën një ylber me ëndrra
Për të gjithë të vdekurit në rrugët pa kthim
Në hirin e kohës
E nga Maja e zezë e nga Ujtë e Kuq
Kini kujdes: shpirti ndjen tërmete
Pa zë !
Nehat RAMIZI (Preshevë)
DUKET DËSHIRA
Duket pranvera
Me të gjelbëruar
Duket atdheu
Me të lulëzuar
Duket pavarësia
Që ka ardh
Duken kufijtë
Që na ndajnë
Na duket loti
Në qepallë
Na duket dëshira
Për bashkim kombëtar
Nexhat REXHA (Kamenicë)
ANIJA
Në lundrimet e anijes sime
Kam pa trazimet e detit
Dhe ekuipazhin duke bërë gjumë
Peshkatarët gjuanin karremin në thellësi
Kurse lumenjtë vinin rrjedhshëm
Me gurë në rrotullim
Për në atdheun e pa fund
Me vete bartën këngën trishtim
Valët e detit krijuan dramën
Në ujërat e Korfuzit
Deti Jon ndriçimin ndali
Unë shihja qiellin n`flakërim
Butrinti ruante perëndeshën
Në fron denjësisht
E anija zbarkonte peshkatarët
Me rrjetat në Ksamil
O det i madhi det
Sa nam ke ruajtur për këtë atdhe
Anija ime prej letre
Anija ime në lundrim
Sa shumë të kam ëndërruar
Me ty të kem shtegtim
Të marrë uratën e Butrintit
Me Zotin të kem takim.....
Njazi IDRIZI (Gjilan, Prishtinë)
FLUTURIMI I FENIKSIT
Ne ta bekuam këtë rrugë të rëndë
Zogu ynë
Dhe vargjet perlë me këngë t`i vumë pas
Në flatrat e kuqërremta
Rrezet dielli t`i zhyti për ngrohtësi
E, Eoin e lutëm
Të frynte më pak
Ne të dhamë gjithçka patëm
Të bëmë Zeusin vetë
Vetëm shpresën për vete mbajtëm
Dhe dritën e syrit
Për ti parë drejt
Frymëmarrja të është rënduar gjoksit
Djersët e ftohta po të shkojnë qurk
Fjalët e ngatërruara në grykën e tharë
Kanë filluar të të shkojnë huq
Ti shpejt e humbe ekuilibrin
Nga etja për lartësi
Ne na le në tokën ku bashkë ishim mësuar
Ku kishim bërë tonat CV
Era e fortë t`i mblodhi krahët
Kur arrite aty mbi shkrep
Kot e kërkove ndihmën tonë
Në atë fund pellgu ku kishim mbet
Ti nuk pate krih të ngjiteshe kaq lart
Zogu ynë
Në këtë errësirë e mot të keq
Të gjitha shpresat
Në Ty i varëm
Ky fluturim nuk t`u deshtë ?!
Ne po vrapojmë me klithma dëshpërimi
Se mos të arrijmë pa rënë në kënetë
Po larg jemi larg akoma
Në llucën ku kemi ngecë
E ty zogu ynë
Ky fluturim jo, nuk`u deshtë!
Ramadan MEHMETI (Gjilan, Prishtinë)
PËRSE
Përse
E njëjta melodi
Klith përvajshëm
Derisa pushon dhembja
Përse
Gjaku i dallëndysheve
Shitet në sheshin e vetmisë
Shekujt grinden në pritje
Lotët shteren në shtrat
Dashuria plas nga mërzia
Përse
Fytyra ime qan
Dhe një lojë mbaron
Rexhep BAJRAMI (Kumanovë)
NË VENDIN TIM
Në oborrin e gjyshit
Është ndalur ora
Sot kur takohemi
Me mallin për tokën
Në gjoks zjarret
Kush na i shuan
Pran shtëpisë së vjetër
Fiku jetën një mik
Me plisin e nxirë
Nga djersa e mallit
Na i ruani kujtimet
Kullave të besës
Mallin kush na e shuan
Për tokën gurin e lisin
Sabile Keçmezi-BASHA (Kamenicë, Prishtinë)
ËNDRRAT KËRKOJNË AZIL
Dhe...
Rrokullisen si ortek
Gjymtyrët e këputura
Të ëndrrave shtatzëna
Skënderbeut edhe më tej
I peshon mbi shpatulla
Mijëra kilometra katror
Hartë e Atdheut
Në kallkan
Kthehet pritja
Te Kroi i Vitakut
Adem Jashari nuk i do ëndrrat
Se ende nuk janë kthyer në shtëpi
Sytë tejpamës të Agim Ramadanit
Edhe më tej ëndrrat ëndërrohen
Nën akull
Nën zjarr
Dhe kërkojnë azil
Nën lëkurën e Rozafës
Sabit RRUSTEMI (Gjilan)
POEZIA QË S'U LEXUA
ASNJËHERË...
(aq shumë u deshëmsa gjithçka heshtëm
përveç fjalëveshkaku i të gjallëve)
...
në vete e ndjeja
e thosha pa zë
një ditë do dal përfundimisht
nga varri i heshtjes
për t' jua dhënë kumtin
që prisnit prej meje
mos gërmoni matutje
dherave të qenies sime
nëpër eshtra të të pathënave
asgjë s'do gjeni
pos emrit tim
dhe kësaj që po ua them
unë jam ajo Ana e Ndritshme
e jetës suaj
të dukshme
dhe të padukshme
unë jam ajo Ana
që ju e veçuat
e s'e thatë
as për dritë
as për natë
ama e ndjetë
edhe kur vetëm këtu
më latë
e ndjetë si mëkatin
për atë që ishte
e s'e thatë
unë e doja Atë që ju s'e dinit
atë që as vetë s'e kisha parë
më erdhi si ëndërr që nuk ma besuat
dhe më qëlluat
po Ai shpëtoi
sepse ishte Një dhe i Vetmi
dhe tash është Një
i Vetëm në mua
do jetë gjithnjë
Një dhe i vetëm
për secilin
edhe kur nuk e pranoni
s'ka tjetër thesar në këtë botë
thesar i vetëm që fshihja
dhe e ruaj ende
ishte dhe mbeti dashuria
dhe Ai që mbiu si Lis
e më bën rojë
te koka ime
kurrë pa të
mos mbetshi
Sadete Tërnava – OSMANI (Gjilan)
VARKA E SHPËTIMIT
Mos më thuaj
Se s`erdhëm nga dy vetë
Se s`u bënë një e tretë a e tretë
Mos ma përmend tënden logjikë skajore
Kur vetes i mjaftoje
Mbaje mend si trandeshe e dëboje
Se tani më thuaj të lutem shumë
Kur qan shkruan, flet a bërtet
A të duhet një i dytë a një i tretë?
Kthehu pak kur n`askënd s`besoje
Kur pirgje rëre ndërtoje
I mjaftuar thoshe jam
T`kem s`më duhet i vetëm kam
E sot unë të ftoj miku im
Këtu në varkën e shpëtimit
Në këtë hapësirë të këmbimit
Ku ti unë ai ajo
Të gjithë këtu e këto
Hedhim farën e fjalës
(e )ty ta lëmë kryet valles
Sali BASHOTA (Prishtinë)
ÇASTI I MUNGESËS
Për një çast
Klithma ulërin në rrafshultën e lumturisë
Në dhomë myket kujtimi i ndryshkur
Kur ti s’je më
Për një çast
Ëndrra zgjohet nga rrafshlarta e vetmisë
Në dritare vdes shikimi i zogjve
Kur ti s’je më
Për një çast
Iluzioni trembet nga pagjumësia
Në kujtesë plagoset melodi e fatit
Kur ti s’je më
Për një çast
Etja shndrit ringjalljen e harrimit
Gurët rrokullisin shkretëtirën e vet
Kur ti s’je më
Sarë GJERGJI (Viti)
TRI KËNDE TË NJË HISTORIE
Në fillim ishte vijëdrejtë
Mandej ia futën kleçkën tri herë
E tri herë ra me fytyrë për tokë
Njësoj si Krishti biblik
Ia deformuan të gjitha brinjët e trupit
E shpërfytyruan e, e varën në trekëndësh
Si të ishte cub
Po çka Ju?
Tri herë e rrëzuat me fytyrë për tokë
Po aq herë u ngrit
E mbledh brinjët në Një
Dhe çka tash
Urrejtja juaj dhe Ju
Për ku jeni nisur !?
Trekëndëshi ju pret
Sevdije REXHEPI (Gjilan)
IMAZH
Pa emër lind aurora
Dallgët e shpirtit ngritur
Gjer në qiellin e paprekur
Mendime të lodhshme
Fshehur çdo ditë në përgjumje
Lutje perëndish përzier
Në librat e shenjtë
Lutje...serish për njerinë
Retë zbrazur gjer në shtrydhje
Shkretëtira edhe më e etur
Var në kocka kohësh
Bukurinë e vjetër
Muret e lashta rrinë ulur galuc
Flokëprerë nën lëkurë
Vështron...
Imazhin në tretje si dikur
Sinan SADIKU (Kamenicë)
DIMRI
Shpesh lavdërohet
thotë
edhe zemrën e kam të bardhë
si borën
Për fatin tonë të mirë
ka qëlluar stinë
vetëm një e katërta e vitit
se një Zot e di
a do të dilnim në Shëngjergj
Sunaj RAIMI (Kumanovë)
KOLOMBO I DASHURISË
Gjithmonë kam dashur
Sepse e kam në gjak
Të udhëtoj
Të hulumtoj
Të zbuloj
Toka të reja të panjohura
Të dashurisë
Ku do të mund të vendosja bajrakun tim
të krenarisë
Dhe me dinjitet të deklaroj
E imja je!
Suzana ZISI (Gjirokastër)
SHEKSPIRI IM...
Gjendet dikush, këtu...në kraharor, që shkruan,
për mua, për ty:
“Nata është e errët. E nxirë është dhe dita.
Univers i zi…
Hamletët mes territ enden barkzbrazur…
Laertët “pikturojnë” një mbretëri në mbrëmje
dhe e gëlltisin në mëngjes…
me “kështjella” ne bregdet e varre si bizhu…
Brinjë e eshtra hashashi, shqyhen së qeshuri
me Lolon që për një copë buke
vdes në krye të detyrës…oiiii…oiiiiii…
Kafka Ofelish, përtypin fallosët* e semaforeve,
nderur mbi reklamat e shoqatave për ardhmëri…
Makbethët, i gjen ngado, varur në stërkëmbësha
nderi. Dunkanët ha dheu i zi…
Në të dymbëdhejtën natë, Violat,
fekondohen në fund-det me vezë “peshkaqenësh”,
Foshnjat, ngujohen në thellëdhomat e një trageti,
varur ne ëndrra te lagështa identiteti.
Sebastianët, paguajnë “Kartën e sigurimit të
shëndetit” për në Ferr.
Mbretërit nëpër shalë dashnoresh, tek shtrydhin
brekë parash, pikojnë uri…
Strukmu, strukmu thellëshpirtit Kalndesitin i
Zemrës,
dhe mos rresht së shkruari…që:
Hijet dhe njerëzit i mbulon mëria…
Mashkulli nuk është mashkull Dhimbja ndihet
femër…
Karta e identitetit – false. Emrat - konvencione
me/pa/siguri
Siiii…? Ne qeniet moderne, nuk qenkemi dhe aq
të egër?
Fli, atdheu im, gjumin e pëllumbit, lebrosur e
ngjyer realitetit bardhë e zi…
Ka haraç zhvillimi, ha e nginju Ti!
Se vjen Ai, hamshori që t’i rrejp lëkurët si
shpirtrat e maceve…
Të ngre, të ul, të flak, të përdor…
Dhe…një palë zgjedhje të servir në pusetën e
librit të gatimit,
me garniturat: Lolo, Lir, Ledi Makbeth, urrejtje,
intelektual, farsë…dashnor…
Ejani, me gjak emrat t’ua rishkruaj…
T’u rilind, t’u rivras e numrin përkatës
(të identifikimit në Purgator),
t’ua gdhend mbi lotin.
Që dallga e mashtrimit ta zhysë në bojë e gishti
të shpallet theror…
Dhemb…
Dhemb…
Dhemb…
Dhemb…Shekspiri im…këtu…në kraharor…
*fallos /ët – organ seksual mashkullor, sipas greqishtes se vjetër apo pellazgjishtes (nuk jam e sigurt për këtë)
E kanë përdorur në librat e tyre, Frojdi dhe Sartri
Shefqete GOSALCI (Prishtinë)
LETER SHEFQETES
Shefqete letren ta kam nisur
Nuk e di ne' e ke marr
Brenda ka një qiell të grisur
Një gjysmë jete dhe... gjysmë varr
Nuk munda dot më parë të t'shkruaj
Se duart mua mi kanë prerë
Ndaj çdo çast me vete vuaj
Vdes e ngjallem kurdoherë
Sa shume të doja moj Shefqete
Sa ëndrra thura me kurorë
Në jetë unë njoha kaq tërmete
Dhe fate kanibal...mizor
Ky qiell kurrë s'më bëri shoqe
S'më dha diçka nga kaltërsia
Se s'dija kurrë të bëja lloqe
Siç bëjnë përherë ligësia
Unë kisha kodin tim të jetës
Çka nënkupton veç ndershmëri
I doja këngët e së vërtetës
Ndonëse ato kanë shumë mërzi
Përmbi një varg a metaforë
U ngjita lart në qiejt e shpresës
Ti prekja yjet vet me dorë
Ti ngrija hymn antiharresës
Dhe s'jam pishman për gjithë ç'kam bërë
Kështu jam unë... me sy të dlirë
Nëse s'arrita t’i rrok qiejtë
Me mirësitë u solla mirë.
Tahir DALIPI (Preshevë, Gjilan)
DIÇ TË NGJASHME
SI N`FSHATIN TIM
Unë e vogla copë e t`voglit po jo t`pa zulmë
Nga ju shtatmëdhenj kërkoj me ngulm
Tri ditë në javë pushim
Diç të ngjashme si n`fshatin tim
Për t`sinagogë`s t`kish s`e t` xhamisë
Për ardhmërinë e njerëzisë
Si në Lindje e n`Perëndim
Diç të ngjashme si n`fshatin tim
Ku një Vangjel e një Xheladin
I thërrasin Gjelo nuanca ngrin
E në Krishtlindje e në Bajram
Gjelo uron, Gjelo thotë festë kam
Unë një nga t`Gjelos gjeta guxim
Tu them bëni si n`fshatin tim
Të mos bëhet t`rrahni kok n`me duar
Që vëllain e Gjelos se keni dëgjuar
Vaxhid XHELILI (Bujanovc, Zvicërr)
MË MUNGON
...
Më mungon shëtitja e gjetheve nëpër qiellin
e lagur
Dhe hapat e menduar rreth Moravës
Pritja me gurë kristali në stacionin e ndarjes
Dhe shikimi i heshtur përtej meje
I vetmuar vrapoj rrugëve të mallit
E ti më mungon.
Xhevat LATIFI ( Gjilan)
PIKË NË QERSHI!
Maji iku n’flauflim petlash të bardha
Ndër deje një baladë amshohet si ujë i bekuar
Pikë në qershi asht fryma e jote...
PËRMBAJTJA:
Poetët – zë i paqes dhe lirisë
Ahmet Murati-Loti i purpurtë
Albinë Idrizi - Rimishërim
Arsim Halili - Të gjallët e heshtur
Bilall Maliqi - Fije malli
Burhamedin Xhemaili - Tani
Demir Behluli - Paqyra e gjakut të dëshmorëve
Demush Berisha - Lisi
Edona Beqiri -
Fehmi Korça - Një pikë
Haxhi Vokshi - Mali
Hydajet Hyseni - Thonë është parë pjetër bogdani
Ibrahim Kadriu - Atdheu
Ismail Bilalli - Ecëm e ecëm
Jonuz Fetahaj - Te varri i idriz seferit
Linditë Ramushi - Koha s`na takon neve…
Lirie Kajtazi - M-endje merimange
Mexhid Mehmeti - Rrugëtim
Musa Ahmetaj - Propozim!
Nehas Sopaj - Shprishja e gjakut
Nehat Ramizi - Duket dëshira
Nexhat Rexha - Anija
Njazi Idrizi - Fluturimi i feniksit
Ramadan Mehmeti - Përse
Rexhep Bajrami - Në vendin tim
Sabile Keçmezi-Basha - Ëndrrat kërkojnë azil
Sabit Rrustemi - Poezia që s'u lexua asnjëherë...
Sadete Tërnava – Osmani - Varka e shpëtimit
Sali Bashota – Zanafilla, Çasti i mungesës, Loja
Sarë Gjergji - Tri kënde të një historie
Sevdije Rexhepi - Imazh
Sinan Sadiku - Dimri
Sunaj Raimi - Kolombo i dashurisë
Suzana Zisi - Shekspiri im...
Shefqete Gosalci - Leter shefqetes
Tahir Dalipi - Diç të ngjashme si n`fshatin tim
Vaxhid Xhelili - Më mungon
Xhevat Latifi - Pikë në qershi!
Manifestimi rajonal i poezisë
TREKËNDËSHI POETIK I PAQES
(edicioni i parë)
Radhitja kompjuterike:
Ars Clubi “Beqir Musliu”
Përkujdesja teknike:
Ardianë Mehmeti – BAJRAMI
Shtypi:
Shtypshkronja “ a – print”
Prishtinë
(Në pjesën e prapme të kopertinës)
Fadil CURRI (Shkup)
TREKËNDËSHI POETIK
Në trekëndëshin proepik pjesëtohen ëndrrat jetike
të Atit, të Birit, të Shpirtit të Shtrenjtë pa kusur
Në trekëndëshin këndzhdrejtë zihet vetja ime
e veten nuk e ndjej për ecje
brenda kapakut e tenxheres
sepse brinjët ende nuk më janë kuruar
Baladat ma kujtojnë ditë netëve dhiatën
klithmë të mos harrohet çfarë mëria
por edhe në një mal diçka është tu u zi
Prit pak, më përmend zonja poezi
përballë teje do të jepet filmi Populli sa një kafe
rri zgjuar e kape vesën që shpresën lag
ngadhënjeje gjumin e epshin proepik
ne trekëndëshin poetik sibilat
do te parashohin hak në Karadak.