Përjetësi » Lushaj
Zeqir Lushaj: Udha e bjeshkës
E hene, 11.07.2011, 07:44 PM
UDHA E BJESHKES
Nga: Zeqir Lushaj
-Udhëtoj shpesh,(me mend),me karvanin e vrritarëve, për në bjeshkë…,në Shtyllë të Grisë-
…!
Ta duam këtë emër:-Shtylla e Grisë!
Dije mirë,kallxoja gjithëkujt,o djalë:
-T’ja dijmë kimetin…,është hyjnore,
Aty jetohet…,bash,si në përrallë!
1.
Kalojmë,vijën e Dubravçit,mbi Kishë,
Marrim hijen,gështenjave përpjetë,
Flladitem njëherë,në Gurrën e Grisë,
E besoj:-Jemi nisur për në bjeshkë!
2.
Ku dahen rrugët,pushimi i parë,
Aty mblidhet karvaji i katundit,
Kokrrohet,avash,brijës Muzi Kurtit,
Nusja ma e re,gjithmonë,e fundit !
3.
Kah e Rrzuemja e Çutës,(kujdes!),
Aty asht’ terr,edhe në mesditë,
Në Shtek,tu bojlia e Baram Zmajlit,
Mbarojnë gështenjat,hapen sytë!
4.
Në Fushë-Llozhën,dalim prej hijes,
Mrizi,i thotë:-lamtumirë vrrinit,
Prroni i Territ,Lejthia gurbardhë,
Një test i fortë,starti i fillimit.
5.
Të jeshë,sa të duash,djalë i zoti,
Me korin e gjinkallave përpjetës,
Te Kroni i Morajës,del i djersitur,
Kah’ Molla e Idhët,e Ara e Çeles.
Aaah,Ai-Krue,don shumë kujdes!
Rinia,këtë punë,mirë,nuk e di (!),
Edhe kali i shkumuem-buzëtharë,
Aty,(menjëheri),rrezikohet kur pi ! 1)
“Si plajm bore,reshë rreth majës,
Dhamtë,t’i pinë kroni i Morajës…”
(Këto dy vargje,diku i kam shkrue,
Për Kronin e bjeshkës-ujëbekue !)
6.
Mbi Kodër të Morajës,leqe-leqe,
Në Tella të Poshtme,duhet pushimi,
Lugut Dikçorit,Rogave të Gabëlve,
Hap-mbas-hapi,vjen rritet freskimi.
7.
Rrasa mbi Dikçur,len sherbelen pas,
Aty,nis e fry,flladi i bjeshkës Epër,
Muret e Gashit, pushimi i fundit,
Nën Qafë-Shtyllë,thik’ të përpjetës.
Gurrcin e Epër,lamë në të djathtë,
Në të majtë,Rrasën e Sukbukurit,
Lugut të Qafës,mbi ortiqet e borës,
Teferig i hollë,frynë,i bjen përçukut! 2)
8.
Të rinjëve griçorë, dua tua kujtoj,
-Kujdes,nën Qafë,tu Shkalla e Keqe!
Aty,kuajt ndihmohen,që të ngjitën,
Patkonjtë-gaca e flakë nëpër leqe !
9.
Aaah,dhe,vetëm 100 metra ma nalt,
Ndihesh Mbret,sapo shkelë në Qafë,
-Hallall,-ju thue ortigjeve ku u ngjite,
Sheh përpara,një botë të pahesapë!
…!
Nga këtu,syri gjënë hapsirën e vet,
Shpirti,fort gufon,don me fluturue,
Një pushkë-haber,kërcet nga gëzimi,
Orët e bjeshkës,në pritje i ka ftue…!
10.
Për gjysëm ore,në Rudinë të Liqenit,
Ndalojmë-ulim kryet kuajve,uji me pi,
Shtrihemi,rudinës së butë,jeshil-llek,
Ndjehemi të lumtur,dehur,(pa raki!).
11.
Kijet byraten,në stomije të rudinës,
Plisatë,me brina,i gjuejnë përpjetë,
Kumona e dhenve,përcillet shpatit,
Trokaça e dhive,ushton nëpër çetë.
12.
Tani bjeshka,merr një fytyrë tjetër,
Mbushur,bar e lule,si nuse na pret,
Ndër breza,griçorët,krushqit e saj,
Krenarë…,mbi shtratshpirtin e vet.
...!
Ta duam këtë emër:-Shtylla e Grisë!
Dije mirë,kallxoja gjithëkujt,o-djalë!
T’ja dijmë kimetin…,është hyjnore,
Aty jetohet…,bash,si në përrallë !
./.
1)Në kronin e Morajës,gjithmonë duhet me pushue pak,përpara se të pish uji.
2)Perçuku=bar i gjatë dhe i fortë,që del nëpër shkembinj,grumbuj-grumbuj.
Maja e Hekurave,pika më e lartë e bllokut të Jezercës,në Alpet e Veriut, (ku autori i kësaj vjershe,i ka kaluar të 20 verat e para të rinisë së Tij). |
Shënim: Vjersha është shkëputur nga libri “Duhama e Valbonës”,që autori po përgatitë për botim.