Përjetësi » Lushaj
Zeqir Lushaj: Llagapi
E hene, 30.05.2011, 07:58 PM
1.LLAGAPI
Nga: Zeqir Lushaj
-Blini-“mbiemri” i parë, i gjyshit tim -
(Tregim,për një ngjarje reale,në Gri të rrethit të Tropojës,në vitin 1918)
Mundoheshin ata,të regjistrimit,
Komisioni shqiptaro-austriak,
Të bindnin gjyshin tim të vjetër,
Ç’ka do t’thoshte,fjala “llagap” !!
Bereqavers prej jush,o burra,
E di,ka mundohi për mirë ini,
E pra,llagapin tim,shkruanje:
-Shkruanje…-Selman Blini !
-E kan marrë blinin,o Selman (!),
Foli Ai,që shkruente në letër,
Ngrysi vetullat gjyshi çartan:
-At’ fjalë ,thueja dikuj tjetër!
-Kush more,ma muer Blinin?
Ç’ka je ka thue, o Ti- zotni ?
Qetash,e lash aty,kah’ erdha,
S’mund ta marrin,as me ordi !
Merr e jep,me gjyshin tim të sert,
(U shkrinë në gaz,me sho-shoqin),
Selman (Blini) i kapte përkrahu:
-Çouni…,të dalim e ta shohim !
E pyetën për gruan:-Si e ka emrin?
-Lene at’ punë,pash Zotin-allahile !!
(At’herë i luejti gjaku përnjëmend),
-E pra,shkrunje!...I thonë-Karajfile !!
…!
Blinin e ndrruen ,me gysh-gjyshin, *
(Ish rritë në hije të Tij,dekada vjet),
Për gjyshe Ajnen,muer vesh mileti,
Karajfilja e Selmanit,”emri” i mbet !
./.
*Selmani-Hasani-Matoshi-Lusha = Lushaj
2. MRIZI I BURRAVE
-Për krejt ata,që nuk e dijnë-
…!
Asht,
Midis Krasniqes.
Mes,Qafë-Agri,
E ,Qafë-Morinë.
…!
Zoti,
E fali ndërmjet !
Që ta ruaj,
Pa-anësinë…!
(Aty,jam katalik,
Aty,jam musliman,
Shkodër e Gjakovë,
Motra-binjake,i kam ! )
…!
Ky Blini i Grisë,
(gjigand),
Ku,Unë,në fëmijëri,
Mrizojsha gjanë ,
E ka nje dekoratë,
(të madhe):
-Mrizi i Burrave …!
Burrat,i kan’ pas’ thanë !
./.
3. DOKTORR-BLINI
-Skicë…,dimnore-
…Veeeri,
I hollë-brisk,
Borë- meqavë, *
…Si ,
N’Kodër të Çuklës,
Tu Blini i Grisë,ma…a !
Turra e druve,
Të duket larg,në oborr,
Në oxhak,cunglat-avullaaa ! *
…!
E ,dikur vonë…,
Mbas vegshit me fasule,
E lojës së kapuçave,
…Pak,para se të flini,
Një çaj aromatik,me emrin:
-Doktorr Blini !
./.
*meqavë=bora që e sposton era andej-këndej.
*avullaaa=flakë,perpjetë.
4.USHTIMA E MEHOVÇIT
Asht vada e madhe e katundit,
Buron,sipër kazhnjetit tonë,
Merr turravrapin gështenjave,
Vada e Mehovçit ,me jehonë!
Rreth 1000 metra,shprazet teposht,
Fushave të Epra,Shkemzës përmes,
Me një ushtimë, “muzikë dhome”!,
Lagë rrënjët e Blinit-Mirëmëngjes !
Në flladin e hijes,bjen në potolog,
Sikur pushon,i ndalet pak turri,
Njihet me skedën e shpërndarjes, *
Rradhën e vadës,pret katundi !
…!
Shtrihem të fle,(ku jam) matan Botës,
(Zhurma,e gjithfarëllojshme,më mbytë),
Kujtoj Mehovçin,tek dirgjet Shkemzës,
Ambëlsoj shpirtin,që të mbyllen sytë !
./.
*Skedë=listë=rend=rradhë=program,etj. = sinonime.
5.ATY, KU U RRITA…
-Nën hijen e Blinit,eja,me tako…-
-Kujtime dhe…, Andrra-
Nja,100 metra,afër shtëpisë,
Në hijën e madhe,gati terr !
Nën Blinin e pushtetshëm,
Një skenë gjigande,ndjen.
…!
Sjapi i trokaçës,tund kokën,
I fton dhitë,si me një violinë,
Ladrojnë shpatit,tranueshëm,
Si çapërpik…,tek hija vijnë.
Edhe Blini,merr tjetër pamje,
Me tufën nën vete,ma serbes,
Rreh ajri,origjinal-kondishën,
Vija e Mehovçit, mespërmes .
…!
Në mrizin ku u rrita,tu Blini i Grisë,
Lash shpirtin tim:”Më raftë pika!”,
Kur duhej të rrinja,mora rrugat,
M’i plasi Zoti sytë!Fluturova,ika !
Një ditë aty,do më shihni,shtrirë !
Mos kujtoni se,-mos kam vdekë?
Jo more!Bashkohem me shpirtin,
I bindur,ku e lash,kam për ta gjetë !
Nuk i la vetëm,babë e axhallarë,
As,Tyrben e Avdylit,(jo që jo !),
Jam Ai që,(mbase) e mbaj fjalën,
…Nën hijen e Blinit ,eja,me tako!
./.
6.BLINI I RI …
- Blinin e Grisë e quaj, simbol të familjes, -Blini i Ri…,po rritet-
Gjithçka u plakëka,
Ligj i natyrës,(n’daç),
Urdhër i Perëndisë,
Edhe vigani shekullorë,
Një ditë e puthi tokën,
Mbi lëndinë,i mbylli sytë!
…!
Shkurtoja në drutë e Blinit,
(Të shenjëta ishin degët e Tij),
Sikur po bëja (vet)-autopsi !
Qafa,mbeti,si shkret-bosh !,
(Shenjat e vjetër,i kërkon syni),
…Një Bli të Ri,e mbolli Qazimi. *
Po ecën drejtë,tufalak,
Në rrugën e t’Parit,
…Blinit Plak .
…!
Asht’ ba i hijshëm,
Do të ruaj një emër,
Dhe…,shumë histori.
Për të gjithë Selmantë, *
I kërkoj falje:
-Jetim !...Po rritet (gati),në vetmi !!
./.
*Qazim Lushaj-djali i madh i axhës Ramë
*Mbiemrin e kemi Lushaj,por njihemi-Selmantë e Grisë.
Gri,Prill,2011 - Blini i Ri,po rritet…- ( Foto:-Lela Mehmet Lushaj)
7.KACAFYTEM ME VDEKJEN
-Harroj dhe…,pres !…(ose,mysafir,aty ku u linda e u rrita)-
Në vetminë e kullës,
Në shtëpinë ku u linda,
(Sa i madh sikleti !),
Unë dhe vdekja,kacafytem ndërveti !
…!
Në markëzen e babës,
Jam gozhduar me sy.
Sikur pres,kutinë e duhanit,
Një cigare,t’i dredh Atij .
Harroj dhe …,pres,
Në heshtjen që gërthet,
Babai (i ndjeri),ka vdekë,
Ka vdekë,tash 25 vjetë !
…!
Harroj dhe…, pres,
Pres,me sytë në derë,
Të shoh kudo,Ukën, *
Tuj na shërbye,kafet a bukën !
Nxihem,(si oxhaku),
Në vaj me dridhet buza,
Ku asht’ zjëmi bubulak,
Luga e gacave,mashët,urza ?
…!
Harroj dhe …,pres,
Të thërasë mysafiri në oborr,
Uuu…!,ka vdekë edhe rruga,
Medet ! …Medet,sa zor !
…!
Harroj dhe…, pres,
Pse s’po vijnë djeltë e Bacit? *
Edhe aty,ka ra kallukanxha, *
Shkimë,si hini rreth samraçit !
…!
Asht ba Zot Heshtja,
Mos e prano,mos daç !
Më llomitin kujtimet,
Më bluajnë,deri n’asht.
As të qeshi… ,as te qaj,
Nuk kam forcë, as za,
Cili pushtues,k’tahen,e kish ba ?!
…!
Nisë e z’bardhë sabahi,
Unë i them: -Pse erdhe ?
Ndihmë,o Zot! Eci,dal përdere!
Ma keq se brënda,
Edhe jashta,“Pesë me hiç!”,
Veç Lorëza mali e Lakuriq !
…!
Them,t’i kërkoj falje kullës,
Por,jo !
Më duket,shumë hipokrizi !
O djepi i t’parve,ku linda e’u rrita:
-Të kam me vete,si çerpikun mbi sy !
Freskoj ballin,t’u Çezma a Babës,
(Ajo,hala nuk ka tradhtue !),
Më përcjellin,…Tyrbja dhe Blini,
Tapia e shpirtit,vjen kudo me Mue.
Tapia…, në shpirt,
Shpirti …,në at’ prak,
Koka mbrapa…,prap e prap!
…!
Në vetminë e kullës,
Në shtëpinë ku u linda,
(Sa i madh sikleti!),
Unë dhe vdekja,kacafytem ndërveti !
./.
*Ukë Lushaj:-vëllai i autorit,vdiq në Tiranë,në korrik të vitit 1999.
*Djemtë e axhës:-Qazimi,Salihi,Alia,Mehmeti,Abedini.(Të gjithë,në Tiranë)
*Kallukanxha = Humbje e rrugës në mjergull të dendur.
8.IMELLA E LISIT
Një kalavesh rrushi, 1)
Varur,
Në kujtesë fëmijërie,
E shoh nga larg…,
Në degën gjatoshe të lisit të vjetër,
Lisit, ma të vjetër se gjyshi im.
Aaah(!), lisi në stom të oborrit,
(Nxjerr kuj me kohën e hekurbetonit)
Lisi që më bani dhuratën e parë,
M’i fali djepit, drulisin bujar.
Ai lis, m’i jep vjeshtës identitetin.
Si një pallto e ngrohtë,
Më mbështjell edhe këtu,në mërgim,
Më ruan nga uraganët,
Nga dallgët e serta-erë Perëndim!
Ndoshta, nuk do t’i ngjitem ma atij lisi…(!!),
Vilën e rrushit e shoh nga larg,
(Ma mirë që, atje e di),
…Nuk bahem merak,
Edhe pse, sot, nuk e arrij!
Vjeshta, kudo,i rrëzon gjethet,
(Bistaku i rrushit në Gri, pozon në diell),
I çukitur, nga sqepat e zogjve,
Zogjtë le ta hajnë, dhe…,
– Dhe, ju baftë mirë!
Gjyshi dhe Baba,
Të gjithë të parët e mi të tabanvatanit,
Ishin burra “pre vërteti”, 2)
Ju lan hise edhe zogjve të malit!
Unë, (demek,ma i mençëm),
Tërë botës i rash qark,
“Ku nisi e ku bitisi…”. 3)
Nuk bana, jo ma shumë se ata,
…Por, as një kalavesh rrushi,
Nuk e lash majë një lisi!
* * *
Lisi i vjetër imellë më çon,
(Ai, e njeh para meje internetin!),
– Mos e harro hijen e Babë-Gjysh-Lisit,
Flladin, që ta përkundi djepin!
Të paktën, sa të jemi gjallë,
Ti dhe Unë,
Le ta shihnim njëri-tjetrin ndërsy,
Dhe, ndoshta…, ndoshta…,
Nuk na duhej gja ma shumë!!
./.
1.Kalavesh-vesh-vilë-bistak…= sinonime.
2) Shprehje toskërishte
3) Shprehje e vjetër popullore
9.VDEKJA E VARREVE
Katragjyshi im,Lush Maka,
Pati fatin e kohës,
Ju rrënue varri,
Bashkë me Kishën,
Kishën e famshme të Grisë.
Brezat pasardhës,
Matoshi,Hasani,
Dhe,gjyshi Selmani,
U varrosën në Kodër të Bokës,
10 minuta – larg shtëpisë.
Babai im , Sadiki,
Me të tre vëllezërit e Tij , *
Më afër i deshën varret,
Sipër Arës së Madhe,
Nën hijën e të motshmit Bli.
Tri vendvarrime:
-Te Kisha,
-Në Kodër të Bokës,
-Dhe,nën Bli,
Vendvarrime shekullore,
Por,sot…!
Varre,pa shtëpi !
Varret kallxojnë,
Ku i kemi të parët,
Kur mbyllet shtëpia,
Kan’ vdekë dhe varret !!
./.
*Tre vëllezërit e babës:- Ademi,Rama,Arifi
Kullat e Selmanve,në gështënjat e Grisë. (Foto:- Nuredin Lushaj)
10.BUKE E KRYPE
-Me mijëra e kan thanë,Unë,vetëm po e hedh në letër –
Kurrë nuk pushonte ajo rrugë,
Lidhja jetike Gjakovë-Shkodër,
E din udhtari i largët,(anonim)
(I rraskapitur e barkthatë),
Sa herë ka fjetë,tu Blini i Grisë,
T’u shtëpia e madhe,n’kodër ?
…!
Hallall,të qoftë,gjysh Selmani !
Kur sheka e drithit,(krizat e kohës),
E kish çmimin, gati sa një dash,
(Vepra bujare përmendet çdo ditë),
Udhtarit të lodhur,ja qitshe te rruga,
Tu hija e Blinit,kish bukë e krypë !
Si i përballuan të parët tanë jetës?
(Rromanet e filmat,larg të vertetës).
As nga Baba ,e të vëllezërit më pas,
Kurrgja nuk hupi,o gjyshi im i mirë,
Veç,asht naltue ,një copë bukë-thatë,
E lyer me mjalt,nga fjala: -Hajde-byrë!
Jeta kështu erdhi.Mileti mori rrugat!
Unë,përfundova larg…,në Amerikë (!).
(Me fal,për këtë lajm,gjyshi im fisnik),
Edhe pse Blini e trolli,mbeten shkret…!
(Kjo Botë,vertetë,asht’ shumë e vogël),
“Sofrën e Blinit”,e gjeta në Internet.
…!
-Për të mira!-Tu rritët beriqeti!
I thash një miku,në USA,një ditë. *
Ai,i buzqeshur,mu drejtue Mua:
-Lene he burrë! Ç’ka asht ajo fjalë?
Qysh 7 vjeç,(mbaj mend,me gjyshin),
Kam hangër bukën tande,o Ti djalë !
./.
*Petrit Dedë Sokoli,djalë nga Lekbibajt,banues në Nj,USA.
11.SELMANTE E GRISE
…!
Nëse,
Ndokush ju pyet,
Për Selmantë e Grisë,
Përgjigj-juni,
Pa asnjë hezitim:
-Krejt në rregull!
-Të shpërndarë,
Si koha (!)..,por,
-Vazhdojnë,të përpjetën!
…?!
-Të gjithë,
I kanë fëmijtë,
(Edhe) ma t’mirë se veten !
./.
12.SHTEPIA NE KODER
…!
Shiheni këtë foto,
Bardh e zi,e vjetër,
Fotografuar, nga Kolë Progni, *
Që…,nuk i dua nderë tjetër !
Kjo ka qënë,djepi im,
Tu blini i Grisë,në kodër,
Le të jetë kjo vjershë-diçiturë:
-Na ishte dikur,“Rozafa” e Vogël !
…!
E vështirë,të shkruash,dogri,
Poemën e Qëndresës: - Jetë !
Unë,vetëm sa po e ceki,
Me imydin…,-ta vazhdojnë të tjerët !
./.
*Kolë Progni,gjeografi i pasionuar,intelektuali i gjithanshëm nga Nikaj – Mërturi,
( mik e koleg i autorit të librit,në shkollën e mesme të Tropojës së Vjetër ,1973-74).
(ish), Shtëpia në kodër. Gri,1974. ( Foto:- Kolë Progni )