E enjte, 10.10.2024, 07:15 PM (GMT+1)

Editorial

Nexhat Haziri: Edhe çka duhet të ndodhë për ta kuptuar ekstremizmin fetar?

E enjte, 07.07.2011, 09:00 PM


Edhe çka duhet të ndodhë për ta kuptuar ekstremizmin fetar?

 

Shkruan: Nexhat HAZIRI

 

Këto organizata të ashtuquajtura joqeveritare e që financohen nga organizata të ndryshme islamike nga vendet e lindjes së mesme, për synim kanë zëvendësimin e praktikimit të islamit tradicional shqiptar, me atë  që praktikohet në shtete e donatorëve të tyre , pra praktikimin e atij  islami sipas doktrinës së talibanëve dhe ajetullahëve të cilët lakuriqësinë tyre e mbulojnë me çarçafë të bardhë e që ëmbëlsojnë fytin dhe  shpirtin  e tyre me hurma e fiq që t’i mbajë  “huxhuti”  në haremet e tyre, dhe  nëpërmjet këtij praktikimi ekstrem  të islamit  të prodhojnë “kamikazë” të cilët,  gjoja në emër të Allahut, do të ishin të gatshëm për të hedhur në erë këdo që do ta kundërshtonte doktrinën e tyre.

Për shekuj me radhë bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare mes shqiptarëve përbën një vlerë të madhe kombëtare dhe civilizuese të një populli të vogël siç jemi ne. Me këtë jo rrallëherë jemi mburrur para të tjerëve, që  dikur jemi marrë nga këta të fundit  edhe si model të tolerancës ndërfetare. Por sot, sikur me parë, gjendemi para dilemës nëse kjo harmoni fetare do të mund t’u bëjë ballë atakimeve të shumta që vijnë nga grupet e fundamentalizmit të sëmurë fetar. Shikuar në histori, shqiptarët në periudhat më të egra  dhe më të përgjakshme të historisë, periudha këto në të cilën jo rrallëherë është vënë edhe në pikëpyetje edhe vetë qenia jonë kombëtare, me përjashtim të periudhës sunduese të komunizmit ku Shqipëria do të shpallej si shtet  ateist, shqiptarët kanë qenë të bashkuar rreth kombit dhe gjuhës, ndërsa feja ka luajtur një rol të dorës së dytë, si në jetën e përditshme po ashtu edhe në atë shoqërore. Por sot jemi dëshmitarë që kjo harmoni ndërfetare po atakohet gjithnjë e më shumë nga grupet ekstremiste fetare, sidomos nga ato islamike, të cilat në kuadër të strategjisë perverse  nëpërmjet së cilës tentojnë lartësimin e ndikimit fetar mbi at kombëtar, duke sulmuar figurat më të rëndësishme të historisë dhe të krenarisë sonë kombëtare. Asnjëherë në historinë e popullit shqiptar, heronjtë  dhe personalitetet kombëtare e historike nuk janë shikuar në kontestin fetar, siç po tentohet sot nga njerëzit e taborit të ekstremizmit islam, por çdoherë ata janë nderuar dhe respektuar në bazë të kontributit që kanë dhënë për  atdheun dhe për popullin tonë. Është e pafalshme heshtja e elitës intelektuale shqiptare, e liderëve të bashkësisë islame , por edhe e të gjitha institucioneve  shtetërore përballë kësaj fushate të egër kundër personaliteteve historike, si  ndaj heroit kombëtar Skënderbeu, shkrimtarit, historianit dhe filozofit Pjetër Bogdani, ndaj personalitetit dhe veprës së humanistes shqiptare Nënë Terezës, nga grupe të fundamentalizmit islamik. Kjo heshtje në fund do të ketë edhe koston e vet, që do ta paguajnë vetë qytetarët e Kosovës, sidomos në aspektin e imazhit të vendit tonë, edhe ashtu të përkeqësuar nga hajnitë dhe faqet e zeza nga më të ndryshmet që po bëhen nga vetë qeveria, madje në emër të kombit, po e varfërojnë çdo ditë e më shumë qytetarët tanë dhe kjo sikur po u  krijon një terren të përshtatshëm veprimi njerëzve me mjekra si tufa kallamboqi dhe pantallona të shkurtër që në emër të islamit të manipulojnë me shtresat e varfra të shoqërisë.

 

Grupet ekstremiste islamike vënë në “nishan” personalitetin e Nënë Terezës

 

Se sa janë dalldisur imamët nëpër xhami kundër personaliteteve të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe injektimin e të rinjve nga ana e tyre me frymën e një islami radikal, të panjohur dhe të papraktikuar gjer më sot në trojet shqiptare, mjafton t’i vizitosh të gjitha ato faqe të sajteve të tyre nëpër forume të ndryshme të rrjeteve sociale në internet dhe do hasësh postime të ndryshme, si videoincizime nga fjalimet “derset” e imamëve të cilët vjellin vrer dhe njollosin të gjitha figurat kombëtare që nuk i takojnë besimit islam, fjalor ky karakteristik për aziatikët primitivë dhe talibanë, ndërsa për opinionin e gjerë akoma është e freskët deklarata e turpshme e imamit të Xhamisë së  Madhe në Prishtinë, mulla Shefqet Krasniqi, më anë së cilës ky imam fyen personalitetin e nobelistes shqiptare Nëna Tereze. Duhet theksuar se  kjo fushatë, sidomos kundër personalitetit, jetës dhe veprës së Nënë Terezës, sikur mori hov edhe nga veprimi i ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit,  Memeli Krasniqi, i cili që në ditët e para të emërimit të tij në këtë post, hoqi nga ambientet e MKRS-së të gjitha muralet e Nënë Terezës dhe të Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova, për shkak të mosdurimit të tij fetar, edhe pse këto murale u kthyen në vendin e tyre vetëm pas një reagimi të medieve dhe një pjese të shoqërisë civile. Megjithatë ky veprimi i ministrit Krasniqi, i cili njihet edhe për disa predikime të tij fetare kohë më parë në xhamitë e kryeqytetit, sikur u shndërrua në frymëzim për grupet  e fundamentalizmit islamik, të përkrahura në mënyra të ndryshme edhe nga Partitë e koalicionit qeverisës,  siç është Partia e Drejtësisë. Në qytetin e Pejës, grupe ekstremiste islame të mbështetura edhe nga njerëz të lidhur me rrymën vehabiste nga qyteti i Mitrovicës, por edhe të Novi Pazarit, kanë marrë iniciativa për nënshkrimin e një peticioni me anë të të cilit kundërshtojnë ngritjen e një shtatoreje të Nënë Terezës në qytetin e Pejës. Këto organizata të ashtuquajtura joqeveritare e që financohen nga organizata të ndryshme islamike nga vendet e lindjes së mesme, për synim kanë zëvendësimin e praktikimit të islamit tradicional shqiptar, më atë që praktikohet në shtetet e donatorëve të tyre, pra praktikimin e atij  islami sipas doktrinës së talibanëve dhe ajetullahëve të cilët lakuriqësinë e tyre e mbulojnë me çarçafë të bardhë e që ëmbëlsojnë fytin dhe  shpirtin  e tyre me hurma e fiq që t’i mbajë  “huxhuti”  në haremet e tyre, dhe  nëpërmjet këtij praktikimi ekstrem  të islamit  të prodhojnë “kamikazë”, të cilët  gjoja në emër të Allahut, do të ishin të gatshëm për të hedhur në erë këdo që do ta kundërshtonte doktrinën e tyre. Dhe si rezultat i këtyre doktrinave radikale fundamentaliste, ndodhën edhe tragjeditë si ajo e vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në Aeroportin e Frankfurtit nga i riu Arid Uka dhe  po ashtu tragjedia tjetër që ndodhi në Zvicër ku lidhja e dashurisë së vajzës 24-vjeçare Gjyle Leskovicës, bëri që babai i saj ta vrasë atë dhe nënën e saj, gjoja në emër të mbrojtjes së rregullave të islamit. Dhe këto dy raste më së miri e ilustrojnë doktrinën e rrezikshme të këtyre grupeve ekstremiste islamike  dhe qëllimin e tyre për të na kthyer në një shoqëri të sheriatit dhe në një shoqëri primitive. Se sa larg mund të shkojnë këto grupe e forume ekstremiste ne “emër” të Allahut, përballë injorancës nga institucionet e shtetit, pse jo edhe në disa raste të bashkëpunimit ndërmjet vete, treguan më së miri protestat e fundit për realizimin e kërkesës për ta ndërtuar një xhami të madhe në Prishtinë.

 

Valëvitja e flamurit të zi me shkronja të bardha arabe në xhumanë protestuese, tregon qartë synimin e ekstremistëve islamikë

 

Askush nuk duhet dhe s’ka pse  t’i frikësohet ndërtimit të kësaj xhamie, pasi si shoqëri demokratike që pretendojmë të jemi që respekton të drejtat e njeriut, pra edhe të besimit fetar, e drejtë kjo që është e garantuar edhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, obligohemi si shoqëri dhe shtet për t’i krijuar kushte sa më komode cilit komunitet për mbajtjen ose ushtrimin e ritualeve fetare. Dhe kjo kërkesë do të duhej të artikulohej dhe të prezantohej  në institucione të pushtetit nga pushteti lokal e deri te ai qendror, pse jo edhe në mënyrë këmbëngulëse nga BIK-u, pasi askush nuk mund ta hedhë në dyshim legjitimitetin e kësaj kërkese, e jo këtë ta shfrytëzojnë organizata e forume të ndryshme ekstremiste të udhëhequra nga soji i  Ramiqëve dhe të njerëzve me pantallona të shkurtër e mjekra të palara, të cilët prapa kësaj kërkesë fshehin strategjinë e tyre djallëzore  për injektimin e masave sa më të  gjëra  të qytetarëve të Kosovës, me rrymën e vehabizmit, që tashmë konsiderohet si rryma më radikale që është frymëzim për shume akte terroriste të cilat ndodhin sot në botë. Valëvitja e flamurit të zi me shkronja të bardha arabe në xhumanë protestuese, të njëjtë me atë që e bartin dhe e ekspozojnë  si simbol organizatat terroriste si AL Qaida dhe të tjera, është tregues i qartë se elementi ekstremist islamik, po e keqpërdorë për interesat e tyre të fëlliqura, kërkesën e për ndërtimin e një xhamie të madhe në kryeqytet për nevojat e komunitetit islam. Gjithë kjo zhurmë rreth ndërtimit të xhamisë, na nxori edhe një element tjetër, atë elementin politik në “emër” të Allahut, sepse kryeministri aktual Hashim Thaçi, sipas liderëve të protestës, u paska premtuar ndërtimin e xhamisë në shkëmbim të votave. Dhe ky element që ka qenë prezent edhe më parë, sidomos me daljen në skenë të Partisë së Drejtësisë, e cila për çdo fushatë zgjedhore “ndërsente” imamët që t’i bëjnë thirrje xhematit për të votuar këtë subjekt politik, gjoja si mbrojtës të islamit. Po ashtu duhet kujtuar edhe vitet e para të pasluftës, sidomos në zgjedhjet e para lokale dhe ato parlamentare, ku thirrej hapur për të mos votuar LDK-në dhe Ibrahim Rugovën, gjoja si kundërislamistë dhe me pretekst për këto thirrje imamët e politizuar merrnin  fotografitë e presidentit Rugova me Papa Gjon Palin II dhe Nënë Terezën, fotografi këto të ekspozuara në ambientet e kabinetit të tij. Edhe në këtë rast, sponsorizuese ose ajo që i ngarkonte me këtë detyrë këta imamë politik ishte partia e kryeministrit të tanishëm z. Thaçi, e cila në atë kohë nuk zgjidhte mjete e as forma për ta marrë pushtetin. Dhe si fakt  të këtyre zhvillimeve që tregojnë se jo rrallëherë, kryeministri Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjendur në një shtrat me të “deleguarit” e Allahut, është raport i inteligjencës së KFOR-it amerikan, në të cilën pasqyrohen lidhjet e ngushta  financiare të SHIK-ut (Policia  sekrete e  PDK-së) dhe të organizatave islamike që vepronin në Kosovën e pasluftës nën petkun e organizatave humanitare. Dhe kjo është vetëm sa për ilustrim për të treguar se nuk ishte e rastësishme deklarata e liderëve të protestës dhe grupeve të ekstremit islam që involvuan edhe kryeministrin Thaçi në gjithë këtë mesele të ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Dhe sa u përket grupeve e forumeve ekstremiste islame, BIK-ut dhe vetë kryemyftiut Naim Tërrnava do të duhej që para qytetarëve të Kosovës të besimit islam, t’i demaskojë këta njerëz që flasin në emër të Allahut, në qoftë se nuk është i përzier edhe vetë, se veprimet e tyre janë të dëmshme dhe nuk i përfaqësojnë vlerat e islamit tradicional që është praktikuar me vite te ne. Ky veprimi i BIK-ut dhe i myftiut Tërrnava do të ishte në shërbim të ruajtjes së traditës paqësore dhe tolerante të islamit në hapësirat tona, si dhe në  ruajtjen dhe në forcimin e harmonisë ndërfetare, sesa të ngarendin pas kërkesës së futjes së lëndës të  besimit fetar në shkollat publike, lëndë kjo e cila  jo vetëm që është e panevojshme, por jashtëzakonisht e dëmshme. Imagjino në një shkollë publike, kur arsimtari i historisë do t’u ligjërojë nxënësve për luftërat e lavdishme të Skënderbeut ose për aktivitetin humanitar dhe përkushtimin ndaj të varfërve të Nënës Terezë, ndërsa fill pas mbarimit të orës së historisë, në orën e lëndës fetare “profesori” mulla Shefqet Krasniqi, po të njëjtëve nxënës u thotë së këto personalitete janë “kaurrë” – armiq të islamit. A do të thotë kjo se, sipas këtyre të “paudhëve”, historia e shqiptarëve fillon vetëm para 5 shekujve me invadimin e Perandorisë Osmane në tokat shqiptare, kur kjo Perandori edhe e solli islamin në këto treva?



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora