Editorial
Alfred Papuçiu: Shqipëria - vendi i 28-të i Europës së Brukselit?
E hene, 04.07.2011, 07:59 PM
Shqipëria - vendi i 28-të i Europës së Brukselit?
Nga Alfred Papuçiu*
Po e ndjek me interes si çdo shqiptar debatin e çfrenuar lidhur me mundësinë apo jo që Shqipëria të bëjë pjesë në familjen europiane të Brukselit. Gjakrat janë ndezur dhe shkohet deri atje, sa “për inat të sime vjehrre”, disa janë gati “të flenë me mullixhinë”.Gazetat shqiptare shprehin mendime të kundërta dhe botojnë shkrime të analistëve, si dhe deklarata të atyre që janë “kundër” apo “pro” përkatësisë europiane të Shqipërisë. E kuptoj se për interesat e tyre politike, grupime të caktuara përpiqen të imponojnë argumentat e tyre. Por këtu nuk është fjala për interesat politike, ekonomike, sociale, vetëm të një grupimi qoftë ky i së majtës, i qendrës, apo i së djathtës, “për të marrë pjesën e luanit” e ku ta di unë, por kemi të bëjmë me interesat e ligjshme të gjithë Kombit, popullit shqiptar: mundësinë e futjes në Bashkimin Europian, paçka se ai është shumë larg së qëni i përkryer. Ëndrra europiane e brezave të tërë, Rilindasve e më vonë, siç duket për egoizëm të disave, do të shtyhet akoma. Në këtë kor, futen dhe grupime të caktuara europiane, qofshin në Bruksel, Strasburg, Luksemburg, etj., që kanë frikë siç duket nga ideja e “Shqipërisë së Madhe” e cila në fakt nuk shtrohet tani. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete miq që i kanë rritur shkëmbimet e tyre, që flasin një gjuhë, ashtu siç është Zvicra me Italinë, Austrinë, Francën, Gjermaninë, Lizenshteinin, ku flitet respektivisht italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja dhe popuj të këtyre vendeve kalojnë lirisht dhe janë vendosur atje ku kanë gjetur punë apo ku kanë interesa dhe jetë më të mirë. S’ka gjë më të mirë se “rruga e Kombit” apo nisma të tjera që ndihmojnë dy vendet për shkëmbime ekonomike, tregtare, kulturore etj. E kam ngritur prej vitesh se porti i Durrësit duhej të ishte kthyer prej kohësh në një “silos” ku të stokoheshin mallrat që do vinin nga gjithë bota dhe pastaj të shkonin me rrugë tokësore edhe në Kosovë e Maqedoni. Këtë rol e ka luajtur deri diku porti i Selanikut apo porte të tjerë në Ballkan.
Nuk dua të jap argumenta të tjera lidhur me problemin madhor të përkatësisë europiane të Shqipërisë apo Kosovës, si dhe gjithë vendeve ballkanike që akoma janë jashtë Brukselit. E vërteta është se Tadiçët, içët, Harrallambosat, etj, fërkojnë duart, pasi u shkon për hosh hallakatja dhe qëndrimi i paprinciptë ndaj Shqipërisë.
Prej mëse 40 vitesh ushtroj profesionin e gazetarit, përkthyesit, botuesit, funksionarit ndërkombëtar, dikur në Shqipëri dhe aktualisht në Zvicër. Kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me shkrime dhe botime, në shtypin zviceran dhe në atë të organizatave ndërkombëtare. Këto vitet e fundit, më tepër jam i prirur të shkruaj dhe të debatoj edhe me miqtë e mij, për Europën dhe Kombin tonë. Sidomos, në këto çaste kur Veriu i industrializuar nuk është akoma i prirur të pranojë peshën në rritje dhe ndihmesën që japin fuqitë e reja të « Europës tjetër » jashtë saj dhe nevojën për të vendosur një ekuilibër të ri midis Veriut dhe Jugut. Vetëm Shtetet e Bashkuara, në erën e re të Obamës mund të krahassohen si Komb, ndërsa Europa e të 27-tëve, është akoma shumë larg që të cilësohet një ditë si « Shtetet e Bashkuara të Europës ». Kontrasti është i madh midis kontinentit të « Po, ne mundemi » dhe asaj « Ne duhej të bënim », për arsye se europianët e Brukselit refuzojnë të përballojnë situatën e tanishme që evoluon dita ditës. Nuk mund të vësh në asnjë mënyrë, siç vënë në dukje analistët, presidentin amerikan Barak Obama me drejtuesit e Komisionit Europian, apo me protokollin e tij që i shkon për hosh nostalgjikëve të epokës së merhumit. A nuk ishte ajo “Europë e kamur” që e mbante të mbyllur Shqipërinë për dekada të tëra, duke mos folur për të dhe shumë europianë nuk e dinin ku binte Shqipëria dhe shqiptarët, si e dëshironte E.H? A mos do ajo akoma, për hir të disa zotërimeve apo privilegjeve që kanë fituar funksionarë të saj diku në Jug të Europës, ta shtyjë “në kalendat greke” futjen e Shqipërisë në Bruksel, që i takon “de jure”? Apo për t’i bërë qefin duke e joshur klanin serbomadh, apo ndonjë shtet “superfuqi” që i shkon pas ?! E dijmë se Tito me politikën e tij” të paangazhuar”, të hapjes, çoi emisarë të tij, burra, gra dhe vajza të reja, në shumë vende europiane, të cilët pasi mbaruan studimet dhe u bënë profesorë, ekonomistë, mjekë, apo u martuan me vendas, tani hapur apo edhe në mënyrë të zhdërvjellët bëjnë politikën e Serbisë.
Europës i duhet përsëri një staf me vizion të qartë dhe që është i paanshëm, pasi ajo po paguan anonimatin burokratik të drejtuesve të saj, me çmim të lartë. Përqindja e dobët e pjesëmarrjes së qytetarëve europianë në zgjedhjet e para do kohe shpreh edhe faktin se ka më pak Bashkim në Europë dhe më pak Europë në botë. Në rast se europianët duan të fitojnë besimin e banorëve që e përbëjnë kontinentin dhe një shpresë kolektive ata duhet të pranojnë zgjerimin e saj edhe me Shqipërinë dhe Kosovën, pasi qindra mijra qytetarë të tyre po e ndërtojnë Europën, siç dhanë kontribut të shquar në organizimin e Lojrave Olimpike në Greqi, apo në prosperitetin e shteteve që e përbëjnë atë. Shqipëria nuk përbën aspak ndonjë rrezik për Europën, por një kontribut për të.
Duke qënë jashtë në Diasporë, më tepër kam mbajtur rolin e spektatorit dhe jo të protagonistit të ngjarjeve të këtyre viteve, sidomos pas viteve 90-të. Detyrat që kam patur si funksionar ndërkombëtar i pavarur , në disa organizma të sistemit të OKB-së, nuk më linin kohë të merresha me analiza e shkrime për shtypin shqiptar. Natyrisht, kam ndjekur në çdo hap gjendjen në Shqipëri, analizat e bëra nga dashamirët e saj, por edhe të atyre dashakeqëve që sa vijnë e pakësohen. Kam shkruar edhe me mllef por edhe me argumenta kundër tyre, siç vazhdoj edhe tani, kur është sidomos çështja e mbrojtjes së interesave të Kombit dhe padrejtësive që i bëhen atij nga disa qarqe vendimarrëse europiane, apo nga fqinj e shqiptarë qaramanë. Kam shkruar dhe e theksoj edhe sot për domosdoshmërinë e ekuilibrit të politikës sonë të jashtme sidomos me fqinjët tanë, qofshin të Jugut, Veriut, Lindjes apo Perëndimit. Edhe për një politikë largpamëse me europianët. Kam shkruar edhe për Amerikën dhe qëndrimet pozitive të administratës së presidentit Barak Obama. Për mua mbetet vendi i parë në botë, i paarritshëm, i lirisë dhe demokracisë. Vendi ku amerikani apo shqiptari, kudo qoftë, në Nju Jork, Nju Xhersi, Las Vegas, Florida, të përshëndet : « Si jeni ? ». Kam shkruar edhe për Zvicrën që kur shkon në fshatin zviceran, si qytete të mirëfilltë mund t’i quash pa hezituar, shikon në ballkonet e shtëpive, krahas luleve shumëngjyrëshe edhe flamurin e Kantonit dhe atë të Zvicrës. Midis Zvicrës dhe vendeve fqinje tani ka vetëm kufij fiktivë. Fqinjë të mirë që ngrejnë sëbashku dolli, qofshin këta zviceranë, francezë, edhe shqiptarë. Kufijtë ndahen vetëm nga breza tokash me grurë apo lule dhe aty këtu ka forca lëvizëse që natyrisht kontrollojnë hyrjen e keqëbërësve të mundshëm.
Kjo më bën në këto çaste të mendoj edhe për Kombin tonë : tashmë ai nuk është më « i mbyllur hermetikisht » si dikur, por i hapur, paçka se shumë bashkëkombas të mij, detyroheshin akoma deri para pak muajsh të mbanin radhën me orë të tëra, ditë dhe muaj, për të marrë një vizë, për të shkuar në Europën e 27-shes. Jo për turizëm, por për të punuar dhe për t’u raskapitur… Ata shkojnë tani lirshëm, por edhe pse për tre muaj janë kthyer me dinjtet, si europianë dhe shkuar europianëve në vendin e tyre.
Kam punuar në organizatat ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, në Byronë Ndërkombëtare të Punës, në OMS, me kolegë të vendeve të Ballkanit, bullgarë, turq, grekë dhe të vendeve europiane, gjermanë, francezë, spanjollë, portugezë, britanikë, hebrej, amerikanë, rusë dhe nuk kishim asnjë kompleks për njeri tjetrin. Punonim si vëllezër dhe ndihmonim njeri tjetrin, ashtu siç më kujtohet kur isha gazetar në Shqipëri, ndihmonim njeri tjetrin, me Kastriot Gjinin e ndjerë kompozitor, me Shaban Muratin analist të zotin, me Ladin, Arshiun, Ilirjanën, Maksin, Marikën dhe Bujarin që rrugët e jetës i kanë shpënë në drejtime të ndryshme.
Ambicja ime e vetme tani është se si të hedhim një gur të mirë në kalanë tonë që është futur në udhën e demokracisë europiane, të NATO-s. Unë kam patur fat, dhe e them sinqerisht, siç mund të kishin edhe shumë bashkëkombas dhe ish kolegë të mij, që kam jetuar për një kohë të gjatë në një vend me tradita të lashta demokratik, si Zvicra, kryesisht për arsye personale. Aty kam vazhduar edhe një universitet të dytë, duke shtuar njohuritë e mija juridike, politike, ekonomike, rajonale për Europën e ëndërruar nga Viktor Hygo, Robert Shumani, Jean Monnet, Henri de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Curçilli, Altiero Spinelli, Alcide de Gasperi, Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont.
Emri “Europë” është shumë i lashtë dhe e gjejmë tek Herodoti. Sipas legjendës, Europa ishte një princeshë feniciane që ja kishte marrë mendjen Zeusit, mbretit të Olimpit. Europa ishte dhe Iliria, Dardania, shumë më parë se treva që u krijuan në Europë moe vonë.
Shumë nga shqiptarët kanë patur fatin, pas viteve 90-të, të vendosen në Europë, apo SHBA, Kanada e Australi. Por për arsye objektive dhe subjektive, shumica kanë vendosur të qëndrojnë aty, për arsye të arsimimit të fëmijëve, të sistemit shëndetësor të përkryer, duke qënë në një shtet ku respektohen e drejta, ku ka pastërti, siguri, mirësi, ku u thuhet ndal « qoftëlargëve », sherxhinjve, sehirxhinjve, atyre që duan ta shtyjnë futjen e Shqipërisë dhe Kosovës në Europë. Atyre po u lëviz toka nëpër këmbë.
E përsëris, e kam shprehur dhe e shpreh hapur dhe pa ndonjë nëntekst, pasi i gëzoj prej vitesh të gjitha të drejtat tek shteti multietnik zviceran: kam një simpati të veçantë për Zvicrën dhe ministren e saj të jashtme, Micheline Calmy - Rey, aktualisht Presidente e Konfederatës Zvicerane, jo sepse më ka dërguar një letër të ngrohtë, por sepse është e guximshme dhe e prerë kur ka të bëjë me çështjen e interesave të vendit të saj. Atë e respektojnë edhe përfaqësues të partive të tjera politike, të së djathtës dhe të majtës, apo të qendrës, për probleme që lidhen me interesat kombëtare. Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj. Por ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me fqinjët që janë në Europën e Brukselit, apo edhe më larg. Zëri i saj dëgjohet dhe vlerësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit dhe jo të shkojmë në Bruksel apo në Strasburg dhe të paraqesim argumenta qesharake që brezat e ardhshëm apo edhe shumica e shqiptarëve europianë nuk i “hanë më”. Po nuk deshëm njeri tjetrin si vëllezër, si miq, dashamirës, solidarë, edhe pse nuk mund ta zgjedhim fqinjin, kolegun, apo përfaqësuesin e një partie opozitare, atëhere do të mbetemi tek demokracia e brishtë e filluar qysh para gati 20 vitesh. Reformat që ka ndërmarrë dhe do ndërmarrë akoma në këtë mandat të dytë qeveria demokratike nuk duhen lënë në mes të rrugës, paçka se Shqipëria ka akoma probleme të korrupsionit, të shtetit të së drejtës, apo i vihen gurë nën rrota, nga llobe të caktuara armike. Shumë parlamentarë dhe diplomatë shqiptarë deri diku marrin edhe mendimin e Diasporës, duke marrë shembull nga vendet me demokraci shumëvjeçare.
Po a janë të gjithë parlamentarët apo zyrtarët e viteve të fundit si ata? Ndonjë parlamentar që e njoh dhe dikur na ka thënë se « ju të Diasporës jeni jashtë loje dhe nuk duhet të jepni mendime për Kombin », tani mund të pëtypet. Atij i kujtoj se Zvicra i quan bashkëkombasit e saj të vendosur jashtë territorit helvetik, në Europë, Argjentinë, Amerikë, Kanada, Tailandë, Sinpapur e gjetiu, si « ambasadorë të nderuar » të Zvicrës, apo “Zvicra e dytë”. Janë mbi 640 nijë zviceranë që jetojnë jashtë shtetit. Popullsia zvicerane tanimë ka arritur rreth 7,4 million banorë, midis të cilëve 20 përqind janë të huaj. Dhe është interesant fakti se në disa rajone të Amerikës së Veriut dhe të Jugut, zviceranët sapo u vendosën themeluan koloni të tyre. Për shembull, në SHBA, 16 qytete dhe fshatra kanë emrin e qytetit dhe të kantonit zviceran të Lucernës. I njëjti fenomen ka ndodhur edhe me Arbanasit që u larguan nga malet e Dukagjinit, si fisi i mikut tim, arkitektit Franko Marussich dhe u vendosën në Zara të Kroacisë, ku akoma sot ka lagje me emra rrugësh shqip dhe flitet po shqip. Ai nuk e harron trevën e tij dhe po boton në Shqipëri një libër të bukur për muzetë e Zarës ku kujtohen paraardhësit e tij shqiptarë, i jati dhe të tjerë që kanë lënë shënime “Jam shqiptar” dhe “di shqip”. Apo me Arvanitasit, Arbëreshët, me Nubianët, me kolonitë e shqiptarëve në ish republikat ruse, në Argjentinë, Australi…
Do të kisha dëshirë që të hapnim një diskutim edhe për rolin e ambasadave dhe Misioneve tona : se çfarë bëjnë ato për të afruar shqiptarët, sidomos në kohët e sotme, për të diskutuar edhe për të ardhmen e tyre, për rolin që duhet të luajnë tani kur na bëhen padrejtësi, për shtyrjen e futjes së Shqipërisë në Europë ?! Korrupsion, kriminalitet, klane mafioze, prostitucion ka shumë më tepër në vende të ndryshme europiane, por për këto fenomene negative flitet shumë më pak në shtypin vendas. Natyrisht ato vende si Italia, Portugalia, Spanja etj., kur hynë në rrugën demokratike, kanë pasur dhe kanë fatin të mos kenë fqinjë “që të qajnë ditën dhe të fusin thikën natën”. Apo nuk kanë në vendin e tyre parlamentarë opozitarë që të punojnë nën rrogoz edhe hapur kundër interesave të Kombit, për të mbajtur karriget e tyre fitimprurëse, apo që për inat të Sali Berishës apo atyre që qeverisin mirë apo edhe me disa mangësi, të lënë popullin e shumë vuajtur shqiptar akoma jashtë Europës, megjithëse ka aspiruar dhe aspiron të shohë Shqipërinë në vendin e 28-të në Bruksel. Nuk jam kundër mendimit se edhe ata, si në çdo vend demokratik të mos shprehin aspiratat e tyre, por kjo bëhet vetëm në rrugë demokratike, në Parlamentin e vendit, në shtypin e tyre dhe në asnjë rast në instancat europiane, sidomos kur është çështja e një kauze që e kapërcen suazën e një partie, qeverie apo Parlamenti: çështja europiane e një Kombi të tërë që është qysh nga lashtësia në Europë, para shumë popujve të tjerë që e përbëjnë atë. A mund të pranojmë të heshtur që Europa të jetë si Shtetet e Bashkuara të Europës, pa Shqipërinë , Kosovën dhe ndonjë vend tjetër të Ballkanit? Jo, duhet të veprojmë sëbashku, sa nuk është vonë, që të mos na shajnë brezat e ardhëshëm shqiptarë, duke na cilësuar si “të mefshët”, që kemi pare vetëm interesat e ngushta vetiake. Të njëjtën gjë duhet të bëjë më tepër, jo vetëm Ministria e Punëve të Jashtme me stafin e saj diplomatik, por edhe Instituti i Diasporës për të tërhequr rreth vetes mendimin e pjekur të atyre mijra ekonomistëve, arsimtarëve, profesorëve, universitarëve, gazetarëve, punëtorëve, ndërtuesve, arkitektëve, artistëve që japin një ndihmesë të çmuar për Europën e të 27-tëve. »Yes, we can ! » ( Po dhe ne mundemi të bëjmë diçka). Të shohim së shpejti Flamurin me shqipen dykrenare, krahas atyre të kombeve të tjerë që e përbëjnë atë në Bruksel, ashtu siç e shohim me krenari, në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, në Gjenevë, apo në selinë e NATO-s dhe organiznave të tjera ndërkombëtare, ashtu siç e shohim në Rokfeler Center e gjetiu në botë. Është në interes të Bashkimit Europian që të ketë Shqipërinë në instancat e saj dhe jo jashtë saj. Me të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli përhapën besimin kristian në Europë. Megjithëse kisha orientale u deklarua e vetmja kishë « orthodokse », duke u ndarë nga Roma, dhe megjithëse Reforma u imponua në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të kristianizmit janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve dhe bazat e moralit kristian njihen kudo. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime : mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Evropën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo ndihmë që ju dha italianëve gjatë « kapitullimit » të Italisë që u strehuan tek vatrat e shqiptarëve të thjeshtë ? Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, edhe vendet e Ballkanit, edhe ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Europë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë. Për ata shqiptarë që në vitet 90-të u larguan nga Shqipëria për të parë një jetë më të mirë. Anijet plot me njerëz të cilët u shpërndanë në Europe apo Amerikë, u përdorën shumë nga shtypi i atyre viteve. Një fenomen i tillë ishte parë edhe në shekullin e XIX me emigracionin e dhjetëra mijëra europianëve në Amerikë, tokën e premtuar. Shumë grekë, sidomos intelektualë, por gjithashtu muratorë, fshatarë janë kudo në botë. Në rast se shkoni në Florida, ju mund të shihni ata që ndërtojnë „billdingjet“ janë grekë; ka shumë restorante greke me „buzuqi“. I njëjti fenomen ndodhi me italianët në vitet e parat ë shekullit të XX-të. Si edhe francezët që janë kudo në botë; me zviceranët që siç e përmendëm më sipër janë mbi 600 mijë, jashtë kufijve të Konfederatës Helvetike. Asnjeri në shtyp nuk ka shkruar apo nuk shkruan artikuj të çuditshëm lidhur me lëvizjen e këtyre popullsive. Në të kundërtën, autoritetet e këtyre vendeve, ambasadorët e akredituar atje, si edhe shtypi, nxjerrin në pah cilësitë e këtyre „përfaqësuesve të denjë“ të Francës, të Greqisë, të Zvicrës, të Spanjës…Dhe kjo me të drejtë. Prandaj edhe pse flitet e shkruhet për diasporën shqiptare, përsëri duhet folur më tepër për ata shqiptarë që punojnë me ndershmëri dhe ndërtojnë rrugët apo pallatet e Europës, apo të botës, apo punojnë si mjekë, inxhinjerë, mësues, piktorë, janë shkrimtarë, gazetarë, ekonomistë dhe japin ndihmesën e tyre modeste për zhvillimin e këtyre vendeve. Këta shqiptarë kanë të drejtë të trajtohen me respekt e jo me përçmim, siç bën herë pas here shtypi i bulevadit; ata kanë të drejtë të shkojnë lirisht në Europë dhe në botë, njësoj si italianët, grekët, spanjollët, bullgarët, çekët, rumunët, hungarezët e popujt e tjerë dhe të kthehen lirisht kur të duan në tokën e tyre amtare. Mjaft më me korniza e ndarje kufijsh për popujt e Ballkanit! Edhe ata meritojnë të shohin diçka më tepër, për vete dhe fëmijët e tyre. Shqipëria dhe Ballkani të mos bëhen pré e keqdashësve që hedhin vetëm anatema ndaj popujve të tyre mikpritës, bujarë, punëtorë, që kanë të drejtën të lëvizin në Europën që u përket jo vetëm gjeografikisht por edhe ligjërisht. Mjaft më me përçarje, grindje, luftëra, përleshje etnike që u shkojnë për hosh atyre që nuk e duan të mirën e ballkanasve, që në një kohë të shkuar ua kanë patur me të pabesë shqiptarëve. Shqipëria, Kosova, si shtete të pavarur dhe shqiptarët kanë miq të mirë në Francë, Zvicër, Angli, Austri, Gjermani, Itali e kudo në botë. Europa është e ardhmja jonë dhe jo më nostalgji.
*Autori ka mbaruar “Studimet e Larta Europiane” në Gjenevë