Editorial
Lis Bukuroca: Kombi i shkokëzuar
E enjte, 30.06.2011, 07:05 PM
Kombi i shkokëzuar
Nga Lis Bukuroca
Vështrim sinoptik: asnjë komb në Europë nuk është shkokëzuar si kombi shqiptar.
Nuk ka vend në botë, ku festohet dita e pushtimit. Te ne po! Nuk ka asnjë vend në botë, që dëshiron të ndërtojë komb të ri duke huazuar një fjalë nga gjuha e atij, që i robëroi dhe masakroi. Te ne po! Nuk ka asnjë vend në botë, ku me dëshirë do të rrëzohej përmendorja e themeluesit të kombit dhe vihej e pushtuesit. Te ne po. Madje, mëtojnë edhe ta fshijnë nga librat dhe kujtesa. Madje, dëshirojnë t’ i imponojnë njerëzve ndjenja turpi dhe fajësie për krenaritë e djeshme. Diçka e tillë nuk ndodhë askund në Europë. Te ne po!
Predikuesit e brendshëm në favor të shteteve të jashtme, përhapin ide edhe kundër qenies shqiptare. Çdonjëri ka shpjegimet e veta historike dhe shkencore. Çdonjëri arsyeton, përligj dhe “dokumenton” faktet e veta. Çdonjëri përpiqet të fitojë njerëz. Dhe, çudia më e madhe shqiptare, të gjitha këta gjoja përpiqen për të mirën e kombit. Të gjithë këta qëndrimet e veta i quajnë patriotike. Nuk ka demokraci funksionale aty ku rrënohet çdo gjë e shenjtë kombëtare, por anarki vlerash, i gjykimeve dhe i qëndrimeve. Kaos i plotë politik dhe shoqëror: gjendje patologjike. Plogështia, oportunizmi dhe depresion shoqëror shquhet si rezultat. Ata mundohen të ndërtojnë realitete dhe bindje të reja. Pasi të përmbyllin këtë dezorientimin tërësor, do të paraqiten si shpëtimtarë dhe udhërrëfyes. Ky është qëllimi i tyre. Prandaj u duhet kjo zallamahi.
Dikur posedonim një kohezion shpirtëror dhe kishim një strumbullar, ku lidheshim dhe patëm personalitete që nderonim dhe adhuronim të gjithë. Si kombet tjera për rreth. Sot, kombi shqiptar, si asnjë komb tjetër, ka ngelur pa shëmbëlltyra të veta. Madje, kësaj dukurie vetëshkatërruese, nuk i shpëtoi as Nënë Tereza. Rinia e sotshme ka probleme orientimi. Ajo nuk mund të konsiderojë si shëmbëlltyrë një politikan shqiptar. Politika jonë ka rënë në shkollarizëm dhe vetëm zbaton ide, që i jepen nga jashtë. Nga të gjitha anët.
Nëse rinia zgjedh një shkrimtar si shëmbëlltyrë të veten, shfaqet tjetri, që mendon se din më shumë dhe ia rrënon. Çdo lagje ka analistin dhe predikuesin e vet të madh. Rinia nuk ka me kë të mburret e as modele të pa damkosur, që do të duhej t’ i imitonte. Këtë gjendje mund t’ ia dëshironte një vendi vetëm armiku. Komb i shkokëzuar dhe i shkokëluar. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse ne nuk kuptojmë demokracinë. Ne mendojmë se në demokraci mund të shkatërrohet çdo gjë që nuk i pëlqen një grupi të caktuar apo nuk i përshtatet bindjeve të disave apo të një individi. Nëse një personalitet kombëtar me veprën e vet na imponon respekt dhe mirënjohje, ngrihen “intelektualët” dhe kërkojnë “fakte” për ta poshtëruar në mënyrë sa më të përkryer. Në një vend të tillë nuk mund të funksionojë si duhet as shteti, as ligji, as ekonomia. Ata që duhet të kujdesen për mirëqenie e popullit, merren me thashetheme dhe mirëqenien e vet! Ata nxjerrin përfitime nga kjo katrahurë.
Me elitën e sotshme politike, me orientimin e saj dhe me punën e saj, mirëqenien do ta kërkojmë me teleskop duke e drejtuar atë drejt Perëndimit, si në shekullin XX. Si në kohën e komunizmit. Asnjë komb tjetër në Europë nuk ka problem të orientimit. Ky është eksperimenti më oportunist, që po bëhet dhe tolerohet nga klasa politike shqiptare me kombin e vet. Kombit i duhet një lajtkulturë, një doktrinë politike dhe morale, sepse jemi katandisur si asnjë komb tjetër. Ajo që shkatërrohet te ne me aq lehtësi dhe pasion, nuk mund të shihet askund! Më të përçarë se ne, nuk mund të gjendet tjetër komb në Europë.
Duket se po na ndjek sindroma e Rozafatit. Atë që ndërtojmë ditën me shumë mund, rrënojmë natën me shumë lehtësi. Pasdarke, nëpër oda, nëpër gazeta e nëpër internet. Dikur mburreshim me Kadarenë të gjithë, tani u shfaq R. Qosja dhe shpalli letërsinë tonë inferiore kundrejt asaj perëndimore. E ku lexohet Kadare? Në Perëndim. E çka thotë kritika perëndimore për Kadarenë? Ajo e konsideron si njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë në botë...
Ne shajmë Nënë Terezën, kurse Shkupi i falë qytetit të Nyrnbergut një shtatore të saj, e cila vendoset në oborrin e spitalit. Jo vetëm që i falin, por siç njoftonte N-TV, Shkupi ia falte duke e quajtur maqedonase Nënën që quhet Gonxhe. Televizori gjerman bën të ditur se shtatorja e Nënë Terezës është shndërruar në vend vizitorësh, ku njerëzit vendosin pusulla me dëshira për shërimin e shpejt të të dashurve, apo dhe copëza letrash me falënderime për shërimin nga sëmundjet. Gjermanët dhuratën e maqedonasve, jo të shqiptarëve të Maqedonisë, e pranuan me falënderime.
Maqedonasit i ndërtojnë përmendore Lekës së Madh. Ne përlloçim tonat. Maqedonasit mburren me Nënën tonë, ne protestojmë kundër shtatores së saj. Sllavët fshehin krimet edhe të kriminelëve të vet, ne përpiqemi t’ i kriminalizojmë edhe humanistët që fisnikërojnë imazhin tonë. Serbet fshehin mendimet fashiste të Ivo Andriçit, neve trishtohemi nëse Kadare fiton Çmimin Nobel dhe me zell të madh jemi kundër. Naiviteti jonë dhe zelli infantil për drejtësi, nuk ka fund. Ne prodhojmë iluzione dhe dëshirojmë t’i bindim bashkëkombësit se jetojmë në një botë ideale ku sundon drejtësia dhe peshorja e mëkateve...Të shkruhet për moralin, normat e mirësjelljes, për esëllim në një vend ku çdo gjë matet me dobi vetjake, përfitim, inat dhe smirë, është gjëja ma më e pamoralshme që mund ta bëjë njeriu! Për fat të keq, po ditojmë duke hëngër vetveten! Greqia hëngri shtetin, ne po hamë kombin!