Editorial
Shpat Bregu: Feja, ekstremizmi islamik dhe Kurani
E merkure, 29.06.2011, 07:04 PM
Feja, ekstremizmi islamik dhe Kurani
Nga Shpat Bregu
Feja si temë, kohët e fundit, po zë vend gjithnjë e më të madh në mjetet e informimit në gjuhën shqipe, madje është bërë një nga temat më atraktive. Kjo temë, herë-herë po shkakton debate të ashpra, por, do të thosha, në të shumtën e herave konstruktive. Unë, meqë „nuk më vjen ndoresh“, nuk preferoj të shkruaj, por, kësaj radhe, megjithatë vendosa të shkruaj, dhe pikërisht për këtë temë.
Fatkeqësisht, ka vite që po përballemi me një problem shumë të rrezikshëm, ekstremizmin fetar. Duhet pranuar se ekstremizmi fetar, i nxitur nga të huajt apo nga ekstremistë tanë, është i pranishëm te të gjitha fetë, ku më shumë e ku më pak. Në fillim po marrë si shembull disa veprime të klerit ortodoks dhe të ekstremistëve të tjerë të kësaj feje, të nxitura pa dyshim nga fqinji ynë jugor, Greqia, e pastaj do të kaloj te ekstremizmi islamik.
Që me ardhjen, më mirë të them me sjelljen e Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, u bë e qartë se apetitet e Greqisë për të na shkaktuar goditje nëpërmes kishës u rritën. Dhe kjo u pa shumë shpejt: në kishat shqiptare u sollën priftërinj grekë, madje shovinistë të zgjedhur, të cilët, në vend të gjuhës shqipe përdornin gjuhën greke. Gjuha shqipe pothuajse është hequr krejt, dhe Kishës Ortodokse Shqiptare vetëm emri i ka mbetur „autoqefale“. Të udhëqura nga kjo Kishë, por sigurisht të nxitura nga qendrat shoviniste në Athinë e gjetiu, janë organizuara ekspedita të ndryshme në kërkime të varreve të „heronjve“ grekë në territorin shqiptar dhe bëheshin zhvarrime e varrime të ndryshme. Pra, kisha shqiptare, natyrisht jo e tëra (jo të gjithë) u vu në shërbim të politikës shoviniste greke.
Por, rreziku më i madh kombit tonë, megjithatë, i kanoset nga ekstremizmi islam, një ekstremizëm shumë i vrazhdë e shumë primitiv. Në radhë të parë, sepse ky ekstremizëm, në përmasa botërore, me metodat e tija të veprimit, paraqet rrezik të madh. Dhe, në radhë të dytë, për ne shqiptarët ky ekstremizëm është më i rrezikshëm, sepse pjesa më e madhe e popullit tonë i përket besimit islam, prandaj edhe ekstremistët nga radhët e kësaj feje janë më të shumtë. Ka shumë shembuj që tregojnë se ky ekstremizëm po na rri mbi kokë dhe po na kërcënon për çdo ditë. Ky ekstremizëm, ka kohë që është shdërraur në terrorizëm që, me të gjitha mjetet e metodat, po terrorizon botën, rrjedhimisht edhe ne si pjesë e saj. Fatkeqësisht, edhe shumë nga rradhët tona, të cilët nuk do t’i quaj më tanët, para së gjithash të rinj, i janë bashkuar terrorizmit ndërkombëtar. Vëllezërt Duka në SHBA, pastaj Hysen Sherifi, po në SHBA, së fundi Arid Uka në Gjermani, që shtiu dhe vra ushtarë amerikanë, pra ushtarë nga radhët e atyre që kanë luftuar për lirin tonë, janë shembuj që do të ishte dashur të na alarmojnë të gjithë ne. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se, nga ekstremistët e tillë dhe veglat e tyre, për çdo ditë e më tepër po egërsohet fushata kundër historisë, kulturës e simboleve shqiptare, duhet vërtet të rrënqethemi.
Pse ky ekstremizëm në mesin tonë, kush janë këta „njerëz“?!
Ekstremistët e tillë, të dalë nga radhët tona, sigurisht se nuk mund të quhen shqiptarë. Veprimet e tyre, në radhë të parë, janë krejt antishqiptare: propaganda e tyre e vazhdueshme dhe e egër kundër bashkëkombasëve tanë të feve të tjera; fushata, siç u cek më lart, kundër historisë, kulturës e simboleve kombëtare; mbështetja që i japin terrorizmit islamik në përmasa botërore si dhe veprimet e hapura (aktive) nga këto pozita, sidomos kundër atyre që në momentet më të vështira qenë dhe janë në anën tonë, tregojnë se kemi të bëjmë me „njerëz“ që mbi gjithçka e urrejnë shqiptarizmi, me „njerëz“ që vetëm gjuhën e kanë të përbashkët me ne, po që janë pjellë tjetër. Fatkeqësisht, sundimi i gjatë turk në trojet tona, la shumë turkoshakë në mesin tonë. Sot, pasardhësit e tyre kanë gjetur terren të përshtatshëm për të vepruar dhe për të na goditur. Kjo, në një anë, dhe fakti se terrorizmi islamik në përmasa botërore, jo vetëm me propagandë, por edhe me para përhapë ideologjinë e vet, në anën tjetër, ka gjetur terren të përshtatshëm në mesin tonë. Madje, pikërisht paraja luan rol të dorës së parë, kur bëhet fjalë për ekstremistët islamikë te ne. Ne shqiptarët, kudo ku jetojmë, po kalojmë momente të rënda. Papunësia është e madhe dhe, sigurisht si pasojë, varfëria këto vite është shtuar shumë. Në anën tjetër, siguria , si në Shqipëri, si në Kosovë, si në viset tjera ku jetojnë shqiptarët, është nën çdo nivel. Prandaj, emisarët e ekstremizmit islamikë nga vendet islame, e shfrytëzuan dhe po e shfrytëzojnë këtë gjendej.Varfëria dhe mungesa e sigurisë, krijuan kushte idela për ta për të depërtuar e vepruar këtu. Ata i gjetën dyert e hapura dhe terren shumë të përshtatshëm për të vepruar. Në mesin tonë gjetën njerëzit e tyre, mendoj pjellën e tyre, por gjetën edhe individë të gatshëm për t‘u rekrutuar, të tillë që shesin lëkurën për pesë qindarka.
Unë nuk mund të them se të gjithë të rekrutuarit janë njerëz të shitur, mendoj të paguar. Misionarëve islamikë u ka mjaftuar të gjejnë Abdi Baletën, Olsi Jazexhin, Mexhid Yvejsin, Hysamedin Ferajn, Shefqet Krasniqin, Naim Tërnavën, Kastriot Dukën (ish-imam i një xhamie në Drenicë), Fuad Ramiqin e të tjerë si këta, t’i paguajnë mirë, e këta pastaj të rekrutojnë të rinj të mjerë, analfabetë e gjysmëanalfabetë, të cilët, të mbetur rrugëve, mashtrohen edhe për një koskë dhe i bashkohen ushtrisë së mjeranëve islamikë.Të rinjtë e tillë, pa menduar shumë, i binden propagandës së errët të eprorëve të tyre, për një jetë „të mrekullueshme“ në „botën tjetër“, ku nuk do t’u mungonte asgjë, dhe i bashkohen kësaj ushtrie mjeranësh. Qëllimi i ekstremistëve islamikë, sikur edhe i çdo ekstremizmi tjetër, është krijimi i një bote sipas dëshirës dhe vullnetit të tyre.
Ku mbështeten propaganda dhe veprimet e ekstremistëve islamikë?
Secila fe ka librin e saj bazë që, siç thonë, është vetë fjala e Zotit. P.sh., të krishterët kanë Biblën dhe në bazë të mësimeve të saj, ata që e praktikojnë këtë fe, mundohen të sillen dhe veprojnë në jetë. Ndërsa, besimtarët islamë mundohen të sillen e veprojnë në bazë të mësimeve të Kuranit, libër bazë i fesë islame.
Unë nuk jam ndonjë studiues i fesë, prandaj qëllimi im këtu, nuk shkon më larg se dhënja e një mendimi për një problem shumë aktual e shumë të rëndë për ne- ekstremizmin islamik.
Çka është, në të vërtetë, Kurani?!
Kuranin ma solli një mik imi dhe më tha: „Lexoje, nëse ke kohë, dhe shiko se në çka besojnë prindërit tanë!“. Për hirë të së vërtetës, prindërit e mi nuk kanë qenë edhe aq fetarë, madje, mund të them, kanë qenë më tepër se liberalë për sa i përketë fesë. Ramazanin e kanë mbajtur, por edhe atë jo me ndonjë bindje të veçantë. Madje, ka ndodhur edhe ta prishin, ndërprejnë fare. Sa i përketë Kuranit, mund të them me bindje se, në të kaluarën, kjo fjalë në shtëpinë tonë nuk është përmendur fare. Sot, kur te shumë shqiptarë të besimit islam, sidomos te ata që fenë e kanë mbi gjithçka, kjo është fjala më e dashur, më vete mendja te e kaluara, dhe mendoj se ata, prindërit e mi, ndoshta as që e kanë ditur se çka është Kurani.
Kuranin fillova ta lexoja, sepse isha kureshtar të zbuloja çka ka, në të vërtetë, në të. Pata dëgjuar të thonë se është vepër me shumë vlera, është udhërrëfyes për njeriun dhe se është një libër i përkryer, sepse, sipas besimtarëve, „është vetë fjala e Zotit“ dhe prandaj, si i tillë, është i përkryer. Sigurisht se unë, si ateist, nuk i besoja fare këto thënje, por, megjithatë, isha kureshtar dhe vendosa ta lexoja. Për ta lexuar më patën nxitur edhe më shumë fjalët, se kinse „kushdoqoftë nuk e kupton Kuranin“, prandaj doja të shoh, pse qenka aq vështirë të kuptohet ai?! Fillova ta lexoja, siç thonë, „me laps e fletore përpara“. Pra, doja të shkruaja diçka që do të më bënte më tepër përshtypje. Ashtu bëra. Por, fatkeqësisht, jo çdo gjë që e kam shkruar e kam ruajtur.
Unë, e kam përdorur edhe më lart, por edhe në vazhdim të këtij shkrimi do të përdor fjalën (emrin) „Zot“. Megjithë bindjet e mia, për të mos lënduar ndjenjat e bashkëkombasëve të mi besimtarë, pra as të atyre të besimit islam, këtë fjalë (emër), do ta përdor pa e mbyllur në thonjëza. Kështu do të mundohem të veproj edhe në raste tjera, edhe nëse unë nuk pajtohem me atë që thuhet. Megjithatë, unë jam shumë i bindur se ky shkrim imi do të shkaktojë reagime, sidomos të ekstremistëve islamikë. Do të më shajnë e fyejnë, por qëllimi im është të thuhet e vërteta.
Megjithë zhurmën e madhe, megjithë propagandën e pandërprerë që bëhej (sot bëhet edhe më tepër) për të na bindur se Kurani është vetë fjala e Zotit dhe si i tillë është i përkryer, në fund të leximit qesh bindur se këto fjalë janë vetëm sa për të gënjyer njerëzit. U binda se Kurani është krijim i dobët i Muhametit. Së paku mua më ka lënë një përshtypje të tillë, dhe, nëse nuk i ka fajet përkthimi, siç mundohen të arsyetohen shumë fanatikë fetarë (unë e kam lexuar të përkthyer në gjuhën shqipe), nuk mund të më bind askush për të kundërtën. Se kemi të bëjmë me një vepër të dobët, si nga pëmbajta si nga ana artistike, dëshmon fakti se shumë „ajete“, të njëjta apo përafërsisht të njëjta, përsëriten mjaft dendur. P.sh. disa herë përsëritet kinse gabimi i Adamit (Ademit) „marrja e mollës së ndaluar“; pastaj shpeshherë përsëritet veprimi, kinse përulja e të tjerëve pos Iblisit (Shejtanit) para Adamit (Ademit) ; shumë herë përmendet veprimi i Musait me shkopin e tij „gjarpër“ para faraonit. Jo pak përsëriten edhe „ajetet“ e njëjta apo përafërsisht të njëjat, të cilat përshkruajnë „madhshtinë“ e Zotit, si „Allahu falë shumë dhe është mëshirues“, „Allahu është më i fuqishmi, më i urti“ pastaj „Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di“ etj., etj. Pra, ka aq shumë përsëritje saqë lexuesi i paanshëm krijon përshtypjen se ka të bëjë me një vepër që është fund e krye përsëritje.
Një e metë e madhe e Kuranit, sipas mendimit tim, është se, nga ajo që është shkruar aty, nënkuptohet se Zoti nuk i trajton të gjithë njerëzit („krijesat e veta“) njësoj. Kuptohet se jobesimtarët nuk trajtohen si besimtarët, por edhe besimtarët nuk trajtohen të gjithë njëjt. Muhametin e dallon si shumë nga të tjerët. Vërtet „Pejgamber“, por kur bëhet fjalë për martesa, për Muhametin pothuajse nuk kishte pasur kufizime. Ja një „ajet“ që e dëshmon këtë: “ O ti Pejngamber, Ne të kemi lejuar gratë, të cilave u ke dhënë shpërblimin e kurorës dhe ato që me ndihmën e Allahut (duket të jenë fjalë të Zotit, por habit fakti që vetë Zoti të thotë „…me ndihmën e Allahut,- shënim imi) hynë në posedimin tënd (robëreshat e luftës) dhe bijat e axhës tënd, bijat e tezeve tua (të janë të lejuara pos grave me niqah dhe të afërtat), të cilat kanë migruar (kanë bërë hixhret) si ti, dhe një grua besimtare nëse ajo ia falë veten Pejgamberit dhe nëse Pejgamberi dëshiron të martohet me të (një martesë e tillë pa shpërblim të niqahut), duke qenë ky (rast) vetëm për ty e jo edhe për besimtarët…“ (Suretu El Ahzabë, faqe 584, Ajeti 50). Liri e tepërtë, apo jo?! Në gjuhën e sotme, për veprime të tilla, përdoret një fjalë e caktuar. Unë, për të mos i lënduar besimtarët islamë, nuk po e përdor atë fjalë, por ajo nënkuptohet. Megjithatë, Zoti përmirëson gabimin e tij, kur dërgon një „ajet“ tjetër, sipas të cilit edhe besimtarëve të tjerë u lejohet një liri, pothuajse e pakufishme, sa i përketë martesës. Për ndonjë lexues që nuk e di, Muhameti , pos grave të tjera që i ka pasur „me leje“, i ka marrë gruan edhe djalit të tij të adoptuar, Zejd Ibni Harthit. Dhe, Zoti nuk harroi të dërgojë një „ajet“ me të cilin përligjte këtë veprim të Muhametit. „ Dhe janë të ndaluara gratë e bijëve tuaj që janë të lindjes suj (jo të bijëve të adaptuar). Pra, Zoti gjithnjë ishte në anën e Muhametit. Nga kjo shihet se, megjithëse fanatikët islamikë mundohen të na bindin për të kundërtën, gruaja ka qenë e nëpërkëmbër, apo krijesë, mbi të cilën, me „vullnetin e Zotit“, mashkulli ka ushtruar tërë diktaturën e tij. Pikërisht ashtu siç ndodhë edhe sot në botën islame.
Mbulesa e femrës, për të cilën debatohet shpeshherë dhe predikuesit e fesë islame, duke u munduar ta mbrojnë këtë shëmtim, japin mendime të ndryshme e herë-herë edhe kontradiktore, zë poashtu vend në Kuran. Para dy apo tri vjetësh dëgjova një predikues, nga radhët „tona“, i cili thoshte se Zoti ka urdhëruar femrën të mbulojë „pjesët e turpshme“ të trupit?!!!! Sipas këtij sharllatani, koka, krahët etj. na qenkan „pjesë të turpshme“ të trupit. Pikërisht, për problemin „mbulesë“, për lexuesin po jap këtu mendimin e një studiusi e mbrojtësi të Kuranit, egjiptasit Dr. Mustafa Mahmud. Në një libër të tijin, të cilin e kam lexuar para pak vjetësh, ai thotë: „Mbulesa shkon në llogari të femrës dhe të dinjitetit të saj. Islami ka lejuar zbulimin e fytyrës dhe duarve, ndërsa ka ndaluar zbulimin e pjesëve të tjera të trupit…mbulimi i pjesëve të caktuar të trupit vetëm e zmadhon tërheqjen (d.m.th. i bën më tërheqëse- vër. ime) dhe dëshirën për to…“ Sipas kësaj, femra duhet të bëhet tërheqëse, të provokojë mashkullin dhe pastaj, kur të ndodhin veprimet „ e pamoralshme“, përsëri duhet ta pësojë femra, madje në mënyrë tepër të vrazhdë, makabre. Kështu ndodhë edhe sot në botën islame, madje aty-këtu edhe më keq. Ekstremistët islamikë, të dalë nga gjiri i popullit tonë, kërkojnë fat të tillë edhe për femrën shqiptare.
Thuhet se Kurani është shpallje e Zotit, por, në bazë të asaj si është shkruar, nënkuptohet se fjalët nuk janë vetëm të Zotit, por edhe të Muhametit, madje aty-këtu edhe të ndonjë të treti, dhe kjo është një dobësi tjetër e Kuranit:
*“Që të mos adhuroni tjetër përveç Allahut, unë jam dërguar nga Ai qortues e përgëzues për ju“. (Suretu Aud, faqe 298, Ajeti 2). Duket se janë fjalë të Muhametit, por jo të Zotit.
*“Pasha Allahun, Ne dërguam edhe para teje të dërguar ndër popuj, por veperat e tyre (të këqija) ua hijeshoi djalli, se ai është mik i tyre, e ata kanë një dënim të idhët“ (Suretu En Nahl, faqe 370, Ajeti 63). Si është shprehur këtu, është e qartë se autori i fjalëve nuk është Zoti, por as Muhameti. Zoti jo, spse nuk do të ishte normale të betohej në vetveten. Betime të tilla hasen edhe shumë herë të tjera, që vetvetiu demantohet se kinse Kurani është shpallje e Zotit. Por, kjo thënje këtu tregon se fjalët nuk janë as të Muhametit, por të dikujt tjetër.
*“Unë nuk krijova xhinet dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë“ (Suretu Et Tur, faqe 726, Ajeti 56). Duket të jenë fjalë të Zotit, por është për t’u habitur që Zoti paska krijuar „xhinet dhe njerëzit“ për asgjë tjetër, vetëm për ta adhuruar atë?!
Muhameti ka pasur pretendime të bëhej „Pejgamber“ i gjithë njerëzimit, sepse kinse Zoti urdhëron që njerëzimi (të gjithë popujt) të përqafojnë fenë islame. „Kjo fe është e juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua“. Thuhet në Ajetin 92 të Sures El Enbija, faqe 453). Mirëpo, në Ajetin 118, Sure H. faqe 3 (5) 14) thuhet: „…sikur të dëshironte Zoti do t’i bënte njerëzit të një feje…“ Është kjo një nga kontradiktat e shumta të Kuranit. Një kontradiktë tjetër kuranore ka të bëjë me përdorimin e forcës (dhunës) për arritjen e qillimit. Në fillim, nuk preferohej dhuna, sepse kështu ishte vullneti i Zotit, prandaj edhe Muhameti, si „i dërguar i tij në Tokë“, për përhapjen e fesë islame përdori metodat paqësore, kryesisht fjalën. Mirëpo, kur Muhameti arriti t’i mashtrojë disa nga kryesorët kundërshtarë të tij, dhe e pa veten mjaft të fortë ushtarakisht, ndryshoi mendjen dhe nga Zoti „i zbriti“ një Ajet tjetër, sipas të cilit lejohej përdorimi i dhunës (forcës) për arritjen e qëllimit.
Pikërisht te këto dy kundërthënje të Kuranit, mendoj se e ka burimin e keqja e sotme që ka kapluar botën islame dhe po rrezikon edhe botën në përgjithësi. Ekstremistët islamikë mendojnë se Zoti ka lejuar përdorimin e dhunës për t’ia arritur qëllimit. Dhe, qëllimi i tyre është krijimin e një bote me nje fe të vetme, natyrisht kjo do të ishte feja islame, sepse edhe ky, sipas tyre, është vullneti i Zotit.
Në këtë luftë janë përfshirë edhe shumë ekstremistë nga radhët tona, fundërrina të Paramesjetës, të cilët këtij kombi po ia përgatisin varrin.