Editorial
Leon Duhanaj: A po kanoset rreziku i ekstremizmit fetar në Kosovë?
E merkure, 22.06.2011, 07:03 PM
A PO KANOSET RREZIKU I EKSTREMIZMIT FETAR NË KOSOVË?
Nga Leon Duhanaj
Besimi fetar, është një e drejtë e pa kontestueshme, njëra ndër të drejtat themeltare njerëzore, e si të tilla janë të njohura ndërkombtarisht, të paktën në botën demokratike. Kjo është një nga themelet e shteteve moderne dhe kujtoj që kështu duhet edhe të vazhdoj. Mirëpo, në qoftë se besimi fetar i kalon kufijtë e së lejuarës, apo në qoftë se prijësit fetar i mobilizojnë masat duke thirr në urrejtje dhe duke mbjell hasmëri ndërvëllazërore siç jemi ne shqiptaret, atëherë kjo nuk mund te quhet më lutje e mirëfilltë ndaj Zotit dhe është njëkohësisht manipulim i rrezikshëm me masa, i cili shumë shpejt mund të eskaloj, gjë që mund të prodhoj dhunë.
Të gjitha fetë monoteiste besojnë që është vetëm një zot. Gara në mes besimesh bëhet në atë mënyrë, se cila i shërben zotit më mire, më direkt dhe në mënyrën e duhur. Parimisht të gjitha fetë, të paktën në mënyrë publike thërrasin për paqe dhe tolerancë fetare. Asnjëra nga to nuk ishte dashur të propagandoj ndarje dhe hasmëri ndërvëllazerore. E kjo më së paku na duhet ne si komb, që jemi të ndarë në shumë besime.
Feja është një rit, i cili do duhej ushtruar, në mënyrë që nëse i lutemi Zotit për diçka , atëherë vërtet ta bëjmë në atë mënyrë që Ati ti pëlqej, dhe të tregoj mëshirën e vet ndaj ati, asaj apo atyre të cilët i drejtohen. Unë të paktën nuk besoj se Zoti i thirr njerëzit t’i luten për teke dhe inate që kanë ndaj të tjerëve.
Intensifikimi i ekstremizmit fetarë islam në hapësirat shqiptare gjegjësisht në Kosovë, po bëhet gjithnjë me radikal dhe me i pa kontrollueshëm.
Si rezultat i investimeve të shumta të shumë organizatave Aziatike, sidomos pas përfundimit të Luftës në Kosovë, tashme po i jep frytet e veta të turpshme, ekstremiste, fundamentaliste dhe me prirje armiqësore dhe anti kombëtare.
Falja nëpër rruge dhe vende publike është një proces i cili ka filluar qëmoti, por kohëve të fundit e sidomos falja masive që ndodhi të Premten, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve, ne afërsi te Parlamentit, është një gjest që nuk do koment.
Për të gjithë ata që mendojnë sado pak mirë për këtë vend dhe për shqiptari, ky ishte një demonstrim jo fetar por politik. Ishte një mesazh i cili do duhej marrë shumë shumë seriozisht.
Nëse ka diçka që është ndërtuar vërtet në çdo vend dhe nga çdo kush shumë herë edhe pa asnjë kriter dhe pa nevojë , atëherë ato janë Xhamit. Që nga përfundimi i Luftës në Kosovë jane ndërtuar me qindra Xhami. Unë nuk jam ai qe mëtoj ta vlerësoj se a i duhen vendit si të tilla dhe në aq sasi, mua as nuk me bën përshtypje fare ajo punë, sa janë dhe edhe sa duhet. Tek e fundit, ne tashmë jemi të lirë dhe nëse qytetaret mendojnë që kanë nevojë le te ndërtojnë.
Por mua vërtet me intereson dhe me pengon shumë mënyra e artikulimit të kërkesave të BIK-ut dhe një numri të komunitetit islam këtu në Kosovë përsa i përket ushtrimit të fesë. Nuk mund të jetë mënyrë tolerante, dhe s’mund as Zotit t’i pëlqej nëse një komunitet kërkon diçka , jo për nevojak por për inate të tjetrit. Nuk besoj që ka Zot që thotë lutu tek unë për inat të ati. Kërkesat e disa besimtarëve të besimit islam për ndërtimin e ndonjë xhamie vetëm e vetëm pse tash na qenka ndërtuar katedralja në Prishtinë dhe se katoliket na qenkan shumë pak dhe se ata nuk paskan nevojë fare, për ta sepse qenka shumë pak janë vërtet jo reale, jo të ndershme jo njerëzore dhe jo kombëtare.
Nuk ka kisha as xhami që ka kapacitet t’i zënë të gjithë besimtaret, qofshin ata mysliman, katolik , protestant, ortodoks apo të tjerë, në qoftë se ata mblidhen të gjithë në një vend.
Prandaj mënyra e demonstruar nga besimtaret islam që nuk spo na zen xhamia dhe tash po i leme të gjitha xhamitë thatë dhe po dalim në rrugë të falemi, si shenjë proteste ndaj ndërtimit të katedrales, vërtet nuk është korrekte, në asnjë mënyrë.
Sidomos kur bëhet fjalë për një katedrale e cila është ndërtuan për nder dhe lavd të një bijës së kombit tonë, një bijës shqiptare, një humaniste të pa shoqe për njerëzimin, për të cilën jemi krenar para gjithë botes. Ajo ishte vërtet një person shembull për njerëzimin se si duhet një njeri të jetoj se si duhet t’ i ngjaj Zotit. Duke dashur te afërmin ne emër të Zotit, pa dallim feje , race kombi apo çfarëdo qofshin ato.
Një tjetër shqetësim i madh, e që burimin e ka të njëjti është edhe peticioni i organizuar në Peje, kundër vendosjes së shtatores se Nënës Terezë, në vendin në të cilin unanimisht e votuan të përzgjedhurit e popullit, në bazë të votës së lirë dhe demokratike.
Së pari duket shtruar pyetja a duhet që vendimet ti merr kuvendi komunal që është i përberë nga përfaqësuesit legjitim të popullit? Apo çdo kush që ka ndonjë pretendim ose ndonjë fobi ndaj diçkaje ka të drejt të organizoj dhe bllokoj ato vendime.
Në gjithë këtë çoroditje, shtrohet një pyetje e madhe. Po e parashtroj vetëm për të gjithë të interesuarit. Ku ishin këta kundërshtar të mëdhenj të figurës së Nënë Terezës gjatë viteve të 90-ta ? Kur para dyerve të shoqatave pritej në rënd për ushqim dhe veshmbathje. Ku ishin ata ,,patriot shqiptar’’ që atëherë nuk u deklaruan kundër kësaj figure, e cila u bë sinonim i lirisë sonë? Ku ishin ,, patriotet shqiptar’’, kur nga kisha e Shën Ndout në Prishtinë, fillonin pothuaj të gjitha aktivitetet kombëtare për liri?
Ku ishin ata të cilët tani po dalin dhe po lobojnë që ne nuk qenkemi shqiptar por se po dashka ta ndërtojmë një komb të ri Kosovar, i cili nuk ka flamur te Kastriotit sepse ai nuk na përket neve, i cili nuk ka të kaluar por fillon nga e tashmja. Në të cilin nuk kanë vend as Nënë Tereza as ata qe i ngjajnë asaj. A është ky ndoshta qëllimi përfundimtar i kombit të ri të pretenduar ? I cili më se paku mund t’i ngjaj Shqipërisë e më se shumti Bosnjës.
Këto dhe shumë pyetje të tjera do duhej secili Shqiptar t’ja parashtroj vetës. Ta pyes secili veten se kush jam unë? Nga jam? Ku gjendem? Dhe Ku dua të shkoj?
Një gjë jam i sigurt se shqiptaria do rroj edhe pa mua edhe pa disa ''shqiptarë'' të cilët mund vetëm ta pengojnë në rrugëtimin e vetë, ashtu siç e kanë penguar shekuj me radhë por assesi ta ndalin
Dhe për t’i dhënë vulë gjithë kësaj, del Adem Demaqi dhe vjell vner kundër Papës dhe Vatikanit, duke harruar si ishte pikërisht Vatikani dhe Papa Gjon Pali i II, vende që i çelën dyert së pari Kosovës. Shpikjet e ulëta ndaj Papës dhe krahasimi në një kontekst krejtësisht absurd dhe të marrë, me Gadafin, janë sinjale tepër shqetësuese për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Në këto ditë të nxehta, duket se feja është bë një temë me përmasa të rrezikshme. Nëse shteti nuk ndërmerr masa preventive, që të parandaloj këtë fushatë të ndytë, atëherë shteti ynë vërtetë po futet në një qorrsokak.