E premte, 19.04.2024, 06:34 PM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Çlirimi nga e keqja

E hene, 13.06.2011, 08:00 PM


Çlirimi nga e keqja

 

Nga Ndue Ukaj

 

Çdo bashkësi njerëzore, etni, shtet apo grup i organizuar, që të mund të projektoj të ardhmen e tij, duhet të jetë i vetëdijshëm për të kaluarën dhe kështu të njoh vetveten më mirë. Ky është parakushti themelore i cili hap shtigje drejt rrugëtimeve të sigurta. Dhe jo vetëm kaq, kjo është premisa ma e sigurt që të mos  përsërit gabimet dhe mbi të gjitha, të mësohet nga gabimet e së kaluarës.

Historia e njerëzimit, është e mbushur me ngjarje, rrëfime, e shembuj të shumtë, që flasin për të këqijat e bashkësisë njerëzore dhe përpjekjet e kësaj bashkësie me u çlirua nga e keqja. Në kujtesën e njerëzimit, kemi shumë shembuj, mirëpo ai më i freskët, që lidhet me një bashkësi të madhe njerëzore, është kombi gjerman, nazizmin dhe katharsisi nëpër të cilin kaloi ky komb i madh, i cili lindi Gëten dhe shumë mendje të mëdha, që sot janë thesare të vlerave universale njerëzore.

Shqiptarët si komb, s’i kanë sjell asnjë kombi të këqija. Nuk kanë qene pushtues. Përkundrazi, ata kanë qenë objekt i të këqijave. Duke u ndodh në pikën e ndjeshme ku kryqëzohen interesa të mëdha, ky komb u viktimizua, u pushtua, u përdhunua dhe rrënua, shpirtërisht dhe materialisht.  Dhe më e tragjikja, u detyra të tjetërsohet nga njëtrajtshmëria kulturore dhe historie, duke dal nga shtrati i tij i natyrshëm i përkatësisë perëndimore, ku jetonte dhe gjallonte. Tjetërsimi i një pjesë të kujtesës dhe shkëputja e hallkave historike, u bë një digë e fuqishme, që edhe sot e pengon të ngrihet dhe të ec drejtë se ardhmes. Rezultat e kësaj shkëputje, kujtesa e kombit shqiptar, zotëron të jetë e shkurtër. Kjo është edhe arsye pse kombi ynë vazhdon të jetë ndër më të përçarët dhe ndarët në rajon e më gjerë dhe me një perspektivë të zymtë e të paqartë.

 Sot, kur shqiptarët jetojnë të lirë, në njërën anë dhe në anën tjetër, kur shohim se klithmat, gjëmat dhe vajet për gjendjen e komit s’kanë pushua, doemos shtrohet pyetja, a kemi nevojë të çlirohemi nga keqja që na kanë lënë pushtimet turko-serbe-komuniste?

Duke u nis nga një premisë themelore se çdo pushtues është i dhunshëm dhe duke e kuptua faktin se këto pushtime kanë tjetërsua kujtesën tonë, duke mbjell mes nesh të këqija të panumërta, për ne shtrohet pyetja imediate, a kemi në nevojë të çlirohemi nga këto të këqija?

Në opinionin shqiptar, ka një kohë të gjatë që shkrimtari Ismail Kadare me ngulmim e kërkon ripërtëritjen e kujtesës, duke kërkua njëherësh çlirimin nga e keqja. Kumti që Kadare jep për të tashmen e kombit është trishtues. Në një intervistë dhënë Shekullit, me 20 06.2009, ai ndër të tjera thotë: "Çlirimi nga e keqja vjen nëpërmjet dënimit të saj dhe asnjëherë përmes harresës..."  Arsyeja pse Kadare kërkon këtë mund të ndërlidhet me faktin se shqiptarët po i riciklojnë të këqijat, nëpërmjet vënies në harresë. Ndaj, klithmat e tij, vijnë si kumte alarmuese, sepse kombi ndodhet në rrezik, pikërisht nga mos ndëshkimi i të këqijave.  E të këqijat shqiptarëve tani vazhdojnë t’u vinë nga vetvetja, nga padija dhe mosgatishmëria me dënua të keqen.  Kadare si një shkrimtar me një ndërgjegje të lartë njerëzore, kërkon një çlirim nga e keqja pa ekuivokë dhe për këtë dha shkëlqyeshëm shembullin sinjfikativ dhe shumë domethënës me dy librat e fundit, “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” (Onufri 2010) dhe “Mbi krimin në Ballkan. Letërkëmbim i zymtë” (Onufri, 2011).  Kadare me intuitën e shkrimtarit të ditur, vë shqiptarin përballë të keqes që i kanoset ankthshëm dhe kërkesës që të ndërgjegjësohet përballa këtyre sfidave të rënda, të cilat vinë nga mohuesit, nga ata strehësat, që janë haxhiqamilët modern, të shkolluar dhe shumë më të rrezikshëm se banditi i dikurshëm. Edhe pas një shekulli, çuditërisht, njëra nga të këqijat më te zeza vazhdon me qenë hija otomane mbi Shqipëri, e stimuluar gjithherë nga fqinjët tanë që se duan aderimin e plotë shpirtëror të këtij kombi në shtratin e vetëm ku mund të ndjehet mirë dhe ku i garantohet siguria e përhershme. Ndaj, Kadare shpreh hapur dhe vendosmërisht shqetësimin  për kthimin e nostalgjisë për otomanizmin, njëqind vjet pas largimit të tyre. Për këtë, ai  ngreh fuqishëm kambanat e alarmit dhe njëherësh shigjeton linjat prootomane, që promovojnë otomanizmin në format me të egra dhe më joetike të mundshme. Ai ngrehet hapur kundër atyre që vazhdojnë ta duan kombin tonë, sa më pak europian dhe sa më shumë otoman. Kjo, për Kadarenë përpara se të jetë osmane, është kundëreuropiane. Kjo filozofi është fatale.

Në librin “Mbi krimin në Ballkan” shkrimtari përveç se shigjeton politikanët miop shqiptarë, të cilët sipas Kadaresë kanë nevojë të qytetërohen, ai në të njëjtën kohë rikujton sa të fuqishme janë doktrinat e fqinjëve, të cilat personifikohen përmes letrës së shkrimtarit Vuk Drashkovic. Çfarë i duhet të bëj politikës shqiptare, në këto ditë të zhurmshme, kur e vërteta ka filluar çuditërisht të përmbyset, përveç se të jenë në nivel të përfaqësimit. Prandaj, Kadare do të shkroi: “Ky popull është i varfër e është i rreckosur, por është drama e tij e rëndë që kërkon, ashtu si çdo tragjedi, një nivel të lartë të përfaqësimit”.

Në historinë e mendimit njerëzor, gjejmë shembuj të ndryshëm sesi filozofë, shkrimtarë, teologë nëpërmjet formave të ndryshme të aktiviteteve intelektuale, kërkuan dhe kërkojnë çlirimin nga e keqja. Është koha që edhe në të dënojmë të keqen dhe assesi ta glorifikojmë atë. Duke i thirrur turqit vëllezër, ne nuk kryejmë detyrimet ndaj historisë, përkundrazi bëjmë një krim të heshtur ndaj të kaluarës dhe historisë. Duke mos ndëshkua komunizmin dhe krimet e panumërta të tij, ne nuk kryejmë detyrat para të ardhmes dhe si shërbejmë të sotmes. Po ashtu, duke mos ndihmuar dënimin e krimit serb, ne shigjetojmë të kaluarën, miqtë dhe aleatët e panumërt që na dolën në ndihmë.  

Prandaj, që të lirohemi nga e keqja, sot na duhet një kujtese e gjate historike, na duhet një vetëdije për të tashmen, në mënyrë që kështu të mund ta projektojmë drejt dhe pa ekuivokë të ardhmen.

Çuditërisht brenda kombit shqiptar ka një prije të tepruar ndaj të keqes, ndaj një të keqe qe ka zgjeruar errësimin e qiellit shqiptar, me trillime te gjithfarshme, ndaj historisë e figurave historike. Kadare me librat e fundit që i cituam, ka prek edhe njëherë ndërgjegjen kombëtare, duke synuar lartësimin dhe fisnikërimin e saj. Autorin, ashtu si çdo shqiptar, e trishton fakti sesi edhe njëherë mbi vendin tone peshojnë rend gjëmimet, ato gjëmime qe është dashtë te jene te shkuara, të pasigurisë, të ndarjeve dhe përçarjeve. Në këtë mënyrë, mosaftësia për me u orientua drejte, vazhdon te jetë një rrezik permanent.

Disa mendje miope, janë mishërua e bashkëjetojnë heshtur me trillime dhe sajime historike dhe aktuale. Kjo është një ecje symbyllazi. Dhe kjo faturë, ka një adresë dhe ajo është kujtesa e shkurtë, sepse “Kujtesa jonë historike ashtë tepër e shkurtë për mos me përsërit gabimet e së djeshmes” (Prof. Ardian Ndreca, Personaliteti i kombit dhe sfida e sotme, Hylli i Dritës). Kjo ka bë që grupe të caktuara shoqërore të shfaqen gjithnjë më arrogante në mohimin e të vërtetave për kombin, për figurat themeltare të historisë së tij.  Në këtë aspekt, kombi ynë ushqen një politikë e cila katërçipërisht është jo perëndimore, në sjellje dhe mënyrën qeverisëse. Brenda kombit shqiptar, është ngrit një armatë e tërë njerëzish që çirren natë e dit, kafeve e mediave, kundër çdo gjëje që lidh fatin e natyrshëm të shqiptarëve me perëndimin. Ndërsa më e keqja tingëllon edhe me tragjike. Në Shqipëri, Kosovë e gjeti hapësirave shqiptare, bëhet një fushate sistematike e shpëlarjes se trurit të njerëzve nga kujtesa historike. Ju thuhet me ngulim ne kemi bashkëjetuar dhe bashkëqeverisur ne Turqinë. Kjo është shenja e pare e humbjes se imunitetit kombëtar, pasojat e së cilës mund të jenë jo vetëm fatale, për më tepër tragjike.

E keqja, shton agoninë shoqërore, turbullon mendjet miope dhe dashakeqe, por s'mund te triumfoj kundruall së mirës, vlerave dhe parimeve universale te humanizmit.

 

Kalvari i kthimit te shqiptareve ne Europe, në kontinentin amë, është penguar dhe vazhdon kështu të pengohet nga fryma proosmane. Andaj, që të lirohemi nga e keqja, duhet ta dënojmë atë, ashtu sikurse edhe të këqija dhe ashtu siç është e vërteta zotëruese, e cila na qorton pa ndërpre për këtë.



(Vota: 17 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora