E diele, 13.10.2024, 12:13 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Kultura e dialogut

E hene, 17.05.2010, 09:57 PM


Kultura e dialogut

 

Në përditshmërinë shqiptare, duke u nisur nga politika, e cila qëndron në majat e të këqijave, pastaj tek strukturat tjera shoqërore, akademitë dhe institutet e ndryshme, deri tek elitat e mediat, shohim se nuk eksiton madje asnjë fushë ku të arrijmë të përbashkohemi rreth të mirave të përbashkëta, duke i harruar cenet e caktuara dhe të metat e ndryshme, që mund të na diktohen nga çfarëdo faktorësh.

 

Nga Ndue Ukaj

 

Kriza shqiptare, të cilën e përjetojmë, edhe sot e gjithë ditën, ka ndërlidhje të pashmangshme, mbase në disa aspekte esenciale, me dimensionet tona historike, qytetëruese, shpirtërore, dhe natyrshëm në këtë arenë hyjnë mungesa e dialogut parimor e të brendshëm, që për pasojë ka sjellë humbjen e besimit në të ardhmen, dvarrjën e idealeve deri në shkallmim. Mungesa e ndjenjës së bashkëpunimit, është një ndër  faktorët që po bën pengesë e mëdha, që po e trondit edhe sot e gjithë ditën kombin tonë dhe po e pengon të ecë në rrugën e përparimit, krahas kombeve tjera të qytetëruara, për të përmbyllur kapitullin e vajtimit të tipit që shkruante poeti Pashko Vasa, me vargun rrëqethës e me status të veçantë tragjiciteti: “O Moj Shqypni, e mjera Shqypni”. 

 

Cenet, paragjykimet dhe shpirtngushtësia

 

 Në të vërtetë, të “pesë anarkitë tona” të cilat i identifikonte me një dije- analizë të veçantë e lakonike Fan Noli, brenda një strumbullari të larmishëm, të përkufizume si: anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike, anarkia e idealeve, në fakt, janë identifikimi i te pesë pengesave që janë sforcuar deri në paradigma për të tashmen dhe të ardhmen. Këto plagë, apo anarki, si të këtilla, edhe pas shumë decenieve, janë diga të fuqishme që na pengojnë t’i flakim tutje cenet tona, paragjykimet dhe shpirtngushtësinë, karshi idealeve dhe të mirave të përbashkëta, për të sforcuar moralin e mirëbërësisë (Branko Merxhani), moral që duhet ndërlidhet me mendimin sistematik, veprimin sistematik. Këto anarki, të ndërlidhura edhe me sindromën e filozofisë së brohoritjeve dhe duartrokitjeve të pakontrolluara, na kanë sjellë para një gjendjeje anarkiste, edhe në fillimet e shekullit XXI, kur besohej se çështja shqiptare do të përmbyllej me jetësimin dhe sendërtimin në plotëni të projekteve nacionale të nisura me shekuj.

 

Mungesa e idealit

 

Dijetari i viteve të tridhjeta, Lumo Skendo në shkrimin “Ç’na mungon? Ç’duhet të kemi?”, po ashtu sikur Noli, një ndër plagët tona sheh mungesën e idealit. Ky dijetar shkruan: Një popull nuk rron dot pa ideale, pa një shtytje, pa një qëllim që e bën të ec, të përpiqet dhe të përparojë.

Idealet duhet të ushqehen nga qëllime të mira dhe të përbashkëta. Një gjë e tillë, nuk ndodh te ne. Në të kundërtën, shoqëria jonë formësohet në kontraste të fuqishme, mes dimensioneve civilizuese, të cilat konfrontohen mes perëndimoreve dhe lindorëve, mes gegëve dhe toskëve, mes qytetarëve dhe katundarëve, mes të djathtëve dhe të majtëve, mes këtij dhe atij, etj. Si rezultat i këtyre divergjencave, nuk kemi arritur të ndërtojmë kompromise për asnjë aspekt të rëndësishëm nacional: shqiptarët, varësisht nga vendi ku jetojnë, ndryshe e konceptojnë problemin tashmë ekzistues të gjuhës shqipe, shqiptarët ndryshe e konceptojnë dhe e vlerësojnë historinë e tyre, shqiptarët ndryshe e konceptojnë letërsinë e tyre, shqiptarët ndryshe e shohin të ardhmen e tyre, shqiptarët pikë e pesë, nuk kanë arritur sot e gjithë ditën të bëjnë një kompromis, madje as për të shkruar një histori të letërsisë, të historisë, etj. Në këtë konglomerat problemesh, nuk mund të mohohet se fajin kulmor e ka politika, por këtu nuk mund të justifikohen as elitat intelektuale, shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët, gazetarët, etj. të cilët nuk kanë ndërmarrë asnjë përpjekje dashamirëse, qëllimmirës për të ardhur deri te një kompromis unik, për  ndonjë çështje të rëndësishme.

 

Dialogu është thelbi i demokracisë

 

Në fakt, dialogu është thelbi i demokracisë, shpirti i cili i jep fizionomi një kombi si njësi e veçantë e një universi qytetërues më të lartë. Përmes këtij instrumenti, shoqëritë arrijnë të realizojnë paqen e qëndrueshme; përmes këtij instrumenti të komunikimit dhe të ndërtimit- sforcimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore, grupet, shoqëritë, kombet arrijnë të bashkojnë forcat, idetë, idealet dhe potencialet në drejtim të të mirave të përbashkëta, në të cilat të mira të përbashkëta, të gjithë kontribuojnë dhe nga të cilat të mira çdonjëri përfiton. Në të vërtetë, përbashkimi i kombeve, përveç për arsye etnike rreth të mirave të përbashkëta, hap shanse të mira për të përparuar shoqëria, vendi i caktuar. Njëherësh e ul mundësitë për shpërthimin e diversiteteve të rrezikshme, që mund te pasojnë me dhunë, shkatërrime, luftë etj. Empiria na tregon shembuj të shumtë në këto drejtime të lartshkruara; aty ku ekziston dialogu dhe ku problemet diskutohen në mënyrë parimore, humb gjasa për kërkimin e zgjidhjeve tjera me forma jodialoguese.

Në kulturën perëndimore, dialogu është alfa dhe omega e çdo problemi, angazhimi e vizioni. Perëndimi mendon se ku përfundon dialogu, aty fillojnë të vijnë në shprehje instrumentet e tjera që sjellin dhunë, shkatërrime, destruktivitet, që sot i gjejmë anekënd botës lindore, në të cilat kemi probleme të thella, të cilat përveç mungesë e aspekteve të tjera, janë rezultat i mungesës së dialogut thelbësor. Sot virtytet karakteristike që e kanë ndihmuar Perëndimin të krijojë mirëqenie të lakmueshme, janë produkt i etikës së përbashkimit dhe krijimit të vlerave të përbashkëta. 

Në realitetin shqiptar, ky fenomen paraqitet mjaft kompleks dhe fenomen në përshkallëzim, për të keq. Disi ka humbur sensi i dialogut të mirëfilltë dhe të sinqertë. Shqiptarët anekënd hapësirave, dialog bëjnë për t’ia bërë qejfin njëri-tjetrit, apo për ta kundërshtuar njëri-tjetrin. Ndërsa, më së paku për të shtruar ide dhe për të zgjidhur probleme. Ndaj, sot, si komb, vazhdojmë të vërtitemi mes një të kaluare të mjerë dhe një të ardhme të panjohur, pikërisht nga mungesa e vullnetit dhe besimit për të ardhmen dhe nga mosaftësia për të komunikuar, për t’u marrë vesh.

 

Dialogu ka munguar dhe ende po mungon

 

Kultura e dialogut është premisa e të gjitha zgjidhjeve; është aspekti që shtreson elementet bazike të një sistemi të qëndrueshëm shtetëror dhe kombëtar. Në të kaluarën tonë, dialogu ka munguar. Për fat të keq, edhe sot po mungon. Madje, në momente më të rëndësishme për kombin, dhe ka indikacione se do të mungojë edhe në të ardhmen. Dhe atë, ”falë” pikërisht njerëzve të cilët janë të ngarkuar të promovojnë dialogun. Të cilët, për fat të keq promovojnë antidialogun, kulturën e bojkotit, mendësinë stereotipe të zgjedhjes së problemeve, ikjes dhe kamuflimin e problemeve. 

Me këtë strukturë të elitave, politikës dhe arsimit, as që duken shenja të nisen debate të mirëfillta, të cilat do të shtronin probleme, do të analizonin shkaqet dhe pasojat, dhe do të nxirrnin pastaj konstatime në bazë të premisave empirike për problemet, që gjithsesi do të rezultonin me përbashkimin rreth të mirave të përbashkëta, për të cilat, të gjithë shqiptaret kudo që janë, duhet të kontribuojnë, dhe nga të cilat të gjithë duhet përfitojnë. Pa e ekzagjeruar këtë problem, analizat e çfarëdoshme që bëhen në realitetin shqiptar tregojnë se dialogu është për shqiptaret gjithçka tjetër përpos aftësi për t’u marrë vesh, për të bashkëpunuar, për të bashkërenduar dhe për të ndërtuar kompromise të caktuara në drejtim të së mirës së përbashkët. Madje, për shumëkënd, dialogu, ndërdijshëm konceptohet turp, frikë, lëshim e çka jo tjetër. Duke mos e kuptuar të kundërtën, se pikërisht dialogu është vlerë, është shans dhe shprehje e vetëdijes së lartë emancipuese.

Në përditshmërinë shqiptare, duke u nisur nga politika e cila qëndron në majat e të këqijave, pastaj tek strukturat tjera shoqërore, akademitë dhe institutet e ndryshme, deri tek elitat e mediat, shohim se nuk eksiton madje asnjë fushë ku të arrijmë të përbashkohemi rreth të mirave të përbashkëta, duke i harruar cenet e caktuara dhe të metat e ndryshme, që mund të na diktohen nga çfarëdo faktorësh.

Në debatet e shumta që bëhen anekënd botës shqiptare, sheh gjithfarë tezash e gjithfarë trajtimesh, por më së paku gjen analiza që merren me realitetin e problemit, atë që konceptohet shkak dhe pasojë.

Shqipëria lindi nga zoti( nga idealizmi), shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët, shkruante dijetari i madh Faik Konica. Sot, vrasësit e shqiptarëve nuk janë armiqtë e jashtëm, ata nuk janë as vetëm politikanët, ata janë brenda, duke tharmuar shpirtin shqiptar. Kundër këtij fenomeni, duhet të dilet në betejë të hapur dhe të pakompromis.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora