E premte, 26.04.2024, 03:24 PM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Kriza e demokracisë

E merkure, 12.05.2010, 10:00 PM


Kriza e demokracisë

 

Gjithçka shohim të ndodh në botën e politikës shqiptare, ka të bëj më gjithçka tjetër, përpos me demokracinë, të menduarit demokratik, sjelljet demokratike dhe veprimet demokratike

 

Nga Ndue Ukaj

 

Shoqëria shqiptare, nëpër mbarë hapësirat ku jeton, edhe në dekadën e dytë të shek XXI është gdhirë me ankthin e pasigurisë, me hallet e shumta e shpresat e vogla, me paperspektivën e tmerrshme dhe vizionet e cunguara. Për më tepër, shoqëria shqiptare edhe këtë vit, numëron me ankth regjistrin e pafundmë të problemeve, të cilat, sipas gjitha parashikimeve, s’do marrin edhe për një kohë të gjatë. Pa drita, pa punë, me infrastrukturë shkatërrues, pa përkujdesje shëndetësore, me korrupsion të madh, me qeveri mediokre, etj. është fizionomia e jetës shqiptare. Kjo pasiguri e ky kaos, artikuluar me gjuhën më të thjeshtë, ka vetëm një adresë: politikën, atë e cila, siç thoshte dijetari Faik Konica shkatërroi Shqipërinë (lexo shqiptarët).

Derisa përcjellim zhvillimet politikë nëpër hapësirat shqiptare, s’kemi sesi të mos gjëmojmë me të njëjtat klithma, sikur At Gjergj Fishta: Zot ruaje Shqypnin nga Shqyptaret. S’do mend se kriza e përgjithshme shqiptare, degradimi dhe deformimi që po ndodhin kudo, i ka kundërshtarët e vet, pikërisht ata të cilët janë të thirrur të krijojnë zgjedhje më optimale, tek politika e politikanët. Në të kaluarën, kemi pasur adresa (mbase shpeshherë të shpikura) ku t’i hidhnim fajet për moszhvillimin tonë, ndërsa sot, krijojmë alibi të gjithfarshme, ndërsa shkaktarët real të kësaj gjendje bizare, i kemi brenda. Në gjithë këtë amulli e paperspektivë, kundërshtarët e brendshëm, të cilët bluajnë kombin dhe frenojnë përparimin, janë ata që kanë marr përsipër drejtimin e tij: politikanët, por, duke mos përjashtuar në këtë rast as elitat tona, akademitë, mediat, të cilat shpeshherë janë treguar dhe tregohen konformiste dhe heshtin para këtij stagnim e degradim. 

Demokracia, sistemi politikë që po mëtojmë të ndërtojmë, nuk ka asnjë armik më të madh se partitë politike, ato organizata të cilat janë krijuar dhe kanë mision avancimin e demokracisë.

Duke parë pafytyrësinë e klasës politike, sikurse në Prishtinë po ashtu edhe në Tiranë, ka pak, ose thënë troç aspak shpresa, se kombi ynë është gati të përmbyll kapitullin e stërvështirë të këtij tranzicioni të lodhshëm; tranzicion ky, i cili në dimensionet shqiptare ka marrë trajta çoroditëse. Dhe si i tillë, ky tranzicion ka arritur në përmasa trishtuese, duke e përçudnuar shoqërinë tonë, deri në shkallmim- nga pasojat e së cilës gjendje, vështirë do mëkëmbemi shpejt. Këndej pari, porta drejtë rrugës së lartësimit dhe zhvillimit të kënaqshëm, duket ende të jetë e mbyllur, nga prangat  e politikës.  

Në një shoqëri, ku manipulimi në emër të kombit, punëve të shtetit, është më se normal, madje një lloj normë që të mvesh me pushtet; në një shoqëri ku mediokriteti dhe injoranca dominon punët e konsolidimit të vendit; në një shoqëri ku dëshira për lavdi dhe vetëkënaqësia janë tipar dalluese e mbisunduese; në një shoqëri ku sistemi i vlerave është përmbysur, vështirë të shihet epilogu i procesit të tranzicionit, sepse institucionalizimi i këtyre veseve e sëmundjeve shoqërore, ka ndërtuar një digë, e cila po pengon çdo alternativë përparimtare. Për të sforcuar këtë ide, flasin tensionet absurde, sikundër në politikën e Tiranës zyrtare, mes pozitës dhe opozitës, po ashtu zhvillimet aspak demokratike në partitë më të madhe të Kosovës dhe qeverinë e degraduar dhe të komprimituar, aq sa nuk shkon më shumë.

Ne kemi shumë mangësi si komb, por, ajo që predominon dhe është kryesëmundja e kombit tonë, akoma vazhdon të mbetet mos aftësia për t’u bashkuar rreth koncepti të së mirave të përbashkëta, postulati themelor mbi cilën është ngritur dhe qëndron qytetërimit perëndimor, vlerat dhe sistemi i tërësishëm perëndimor. Në dimensionet tona shoqërore, kultura e të mirave të përbashkëta, nuk ekziston.

Më shumë se për çdo gjë, shoqëria jonë ka nevojë emergjente për edukim të mirëfilltë; edukim në frymë perëndimore, edukim për të mirat e përbashkëta e për interesat e përbashkëta. Ky edukim, duhet të formësoi kulturën e vlerave të përbashkëta, e interesave të përbashkëta, për t’u manifestuar pastaj kjo ne veprime konkrete, që kanë për qëllim, synimet e përbashkëta. Duke u pasuruar më këso ide e ideale, atëherë edhe objektivat tona realizohen më lehtë. Shoqëria jonë ka nevojë për edukim shumëplanësh, emancipim të përgjithshëm e transformime esenciale, si kushte themelore për t’u lartësuar si komb, për të tejkaluar këtë tranzicion të stërlodhshëm dhe këtë gjendje degraduese. Në të vërtetë, në korpusin e sfidave të shumta, kjo është sfida më e rënd, me tejkalimin e së cilës, gjitha segmentet me rëndësi kombëtare do të këndellën dhe do të lartësohemi drejtë vlerave të përbashkëta e qëllimeve pozitive. Në këtë mënyrë, edhe do të shmanget shpirtngushtësia që ka mbërthyer të ashtuquajturat elita tona politike, kulturore, mediale, etj. Por, çka është më e rëndësishmja, do të shmangemi nga kultura e mbrapsht e vetëkënaqësisë dhe lavdisë, dy koomponente, të cilat po na rëndojnë nëpër rrugëtimet tona, si dhe po na pengojnë për të gjykuar drejtë procesit dhe pozicionin tonë karshi tyre.

Jeta jonë publike, organizimi i saj i shumëformshëm, nëse e analizojmë në raporte racionale me modelet e qytetëruara, shohim se përfaqëson, për fat të keq, modelin më të prapambetura të menduarit dhe të jetuarit në Europë e më gjerë. Andaj, edhe brenda organizimeve tona politike, kulturore, shoqërore, kemi aq shumë çudira, degradime e antivlera, aq sa gjitha sondazhet, në vënë në fund të listave, për të keq.

Zhvillimet e fundit politike nëpër hapësirat shqiptare, (të fokusuara tek qeverisja në Kosovë, te PDK-ja dhe LDK-ja, si dhe drama absurde politike në Shqipëri, e ndërlidhur me procesin e shenjtë të demokracisë: zgjedhjet dhe normaliteti i tyre), për mendimin tim, më të drejtë, na vënë para një sprove shumë të rëndë, madje, pse të mos themi, shtrojnë një dilemë të ankthshme: çfarë është demokracia shqiptare? Apo, edhe pyetjen e dilemën tjetër, pakëz më ekstreme: a ekziston në botëkuptimin e njerëzve të cilët bëjnë politikat në hapësirat shqiptare, koncepti i demokracisë esenciale, apo demokracia është vetëm një teori abstrakte, mbrapa së cilës fshihen maskat e gjithfarshme, të cilat mbjellin urrejtje, mos bashkëpunim, jo tolerancë? Gjithçka shohim të ndodh në botën e politikës shqiptare, ka të bëj më gjithçka tjetër, përpos me demokracinë, të menduarit demokratik, sjelljet demokratike dhe veprimet demokratike. Pra, demokracia në ambientin shqiptar, akoma mbetet fluks i jashtme, jo qenësore, i pranuar vetëm por t’iu përgjigjur trendëve dhe rrethanave më të gjëra politike, e jo mendësi, për të krijuar alternativa, për të mirën e përbashkët. Të gjithë ne që kalojmë me ankth këtë tranzicion të stërlodhshëm, në të cilin politika mbetet top tema e opinionit publik, kemi shpresuar, e, mbase ende kemi kuraje të shpresojmë, në tejkalimin e mendësisë primitive të bërit politikë, drejtë ndërtimit të një sistemi perëndimor, në të menduar e në të jetuar; sistem ky që nënkupton transformime e shndërrime esenciale. E, të cilat ndërrime, për fatin e keq, tek ne, në vend që të iniciohen nga politika, bash nga kjo bllokohen.

Politika shqiptare, e futur në rrethin vicioz të marrjes me vetveten, nuk ka arritur të zhvillohen, të pasurohen, të hapët ndaj vlerave dhe ideve të reja.

Sot, duket se kemi ardhur tek pyetja e dilema: si të shpëtohet demokracia shqiptare? Ky shpëtim është i vështirë, por jo i pamundur, është i dhimbshëm për momentin, por mundësi për të nesërmen. Andaj, duhet bërë, duhet, në mos për asgjë tjetër, për të shpëtuar demokracinë shqiptare dhe kështu, kombin, përgjithësisht. Që e nesërmja mos të na gjykojë.

Është thënë dhe vazhdon të thuhet, ky vit është i shqiptarëve. Tanimë gjendemi para sfidave e dilemave që duket edhe njëherë na largojnë në fazën embrionale të pyetjes: a është kombi ynë i pjekur të hyj denjësisht në korpusin e vendeve të lira, të zhvilluara, demokratike e përparimtare, që i quajmë: Familje Perëndimore. Gjitha parametrat e sotëm, mbase edhe parashenjat e së ardhmes, po tregojnë një realitet aspak shpresëdhënës. Së këndejmi ky qëllim, sa vjen duket më i vështirë, për fajin e vetëm, të politikës.

Në mes retorikës dhe praktikës, në vendin tonë ka nevojë për t’u funksionalizuar demokracia pluraliste, e cila, do të shmangte njëmendësinë politike, që sjell tirani e autokraci, jo bashkëpunim- drejtë sistemit të mirëfilltë të koordinimit të vlerave të përbashkëta, së këndejmi edhe qëllimeve të përbashkëta. Në të kundërtën, do të kemi edhe një kohë të gjatë modelin e rremë të demokracisë nacionaliste (instrumentalizimi me fatet dhe proceset e vendit) dhe anën tjetër, gjendje të mjerë në vend.

Me sistemim e vlerave të përbashkëta s’ka kompromis, ngase koncepti i interesit të përbashkët, është njëri ndër postulatet themelore të demokracisë dhe integrimeve euro-atlantike, ku synojmë të integrohemi si komb.

Nëse mohojmë këtë, mohojmë dhe deformojmë demokracinë.



(Vota: 23 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora