Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Heronjtë dhe tradhtarët
E shtune, 26.02.2011, 08:58 PM
Heronjtë dhe tradhtarët
Nga Ndue Ukaj
Historia njerëzimit, është e mbushur me personazh të gjithfarshëm, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë njerëzore, për të mirë apo të keqe. Në fakt, historia e heronjve dhe tradhtarëve, duket të jetë e vjetër, aq sa gjallimet njerëzore. Në mos, njeriu ka lindur bashkë me prirjet e çuditshme, për të qenë hero ose tradhtar.
Nëse gjurmojmë nëpër historinë njerëzore, empiria na tregon se faqe të shumta të historisë së tij, janë të stërmbushura me elemente të fuqishme dhe të thella konfrontuese, pikërisht mes tradhtarëve dhe heronjve. Pikërisht për këtë, shumë drama njerëzore, kanë si pikënisje pikërisht konfrontimet e ashpra mes këtyre dy kategorive njerëzore. Ndërkohë që këto modele, për etni të caktuara, qytetërime, kultura e fe, nëpër kohë janë shndërruar në modele ose antipod të tyre.
Një analizë e thelluar në këto dy kategori, le të kuptohet se këto prirje të njeriut kanë stimuluar aq shumë, dhe në të gjitha kohët, njëra-tjetrën, aq sa duket se kanë bërë njëlloj bashkëjetese të dhunshme. Heronjtë kanë lindur, janë krijuar, shpikur shpeshherë, do të mund të shprehej njeriu, vetëm pse kanë ekzistuar tradhtarët dhe atë në çdo kohë, kulturë, etni e fe.
Në historinë biblike, tek e cila gjen mbështetjen civilizimi perëndimore, shenjat e shumta të këtyre dy kategorive i gjejmë që në zanafillë. Mjafton të rikujtojmë ngjarjen dramatike mes Abelit dhe Kainit, nga zanafilla biblike. Kjo histori, flet shumë. Mirëpo, një shembull të fuqishëm dhe ilustrativ, po në këtë aspekt paraqet historia e Makabejve, nga Testamenti i Vjetër Biblik. Aty kemi një tipizim të fuqishëm të tipareve të heroit, i cili flijohet për atdhe e fe dhe tradhtarit, që për smirë, para e lakmi, tradhton. Këtë subjekt biblik, me mjeshtëri e ka funksionalizuar në letërsinë shqipe, edhe shkrimtari ynë kombëtar At Gjergj Fishta, te tragjedia me titull ”Juda Makabe”, e shkruar në vitet e para të lirisë së Shqipërisë. Koha e botimit të saj është viti 1920. Mirëpo, autori filloi ta shkruante këtë tekst në vitin 1911, në një periudhë tejet të ndjeshme kombëtare të transformimeve historike, që shoqëroheshin me dramacitet e dhimbje të mëdha. Nëse vendoset tragjedia në kontekstin politiko shoqëror që kalonte Shqipëria, atëherë alegoritë që i sugjerojnë faktet biblike të tremijë vjetëve më parë me faktet aktuale shqiptare të zhvillimeve 1891-1914, janë të prekshme, shenja e ide që tingëllojnë fuqishëm. Kjo tragjedi letrare, ruan shenja të fuqishme aktuale në çdo kohë, veçmas në ambientin shqiptar, i cili edhe sot, pas afërsisht një shekulli, ballafaqohet me të njëjtat probleme. Dhe e ka të pamundur të ndajë qartësisht tradhtarët nga heronjtë. Për pasojë, ajo ende nuk ka ndërtuar një histori unike reprezentative.
Fishta përmes kësaj tragjedie stigmatizon fuqishëm njeriun shqiptar që për kamje e pasuri, tradhton heroin e idealeve të shenjta, heroin e mishëruar me pasionin për liri, për përparim të kombit e fesë. Mirëpo, At Fishta përmes kësaj tragjedie thekson fuqishëm nevojën e njohjes së tradhtarëve dhe heronjve, sepse kështu vetëdijesohet njeriu, konsolidohet shoqëria dhe etnia mund të ec qartësisht drejt së ardhmes më të ndritshme. Për arsyen e thjeshtë, sepse, ata bëhen udhërrëfyes. Prandaj të tillë, pra udhërrëfyes, nuk guxojnë të bëhen psuedoheronjtë, ata që shesin atdhe e fe, pra tradhtarët. Apo edhe më keq, ata që shpiken heronj.
Këto ditë të acarta dimri, duke soditur zhvillimet dramatike në Shqipëri e Kosovë, tingëllon fuqishëm thinja e At Fishtës nga tragjedia në fjalë: “O Perëndu, a’ndjeve/ Tradhëtarët na lanë pa Atdhe”. Një luftë ë pashembullt, absurde, tanimë afër dy dekada zhvillohet në Shqipërinë e lirë, për të ditur heronjtë dhe mundësisht tradhtarët e Shqipërisë. Sekush mundet dhe sekush di pakëz, mundohet t’i përvetësoi bëmat e mëdha të thyerjes së komunizmit. Duke i soditur këto ngjarje, vetja më duket sikur ndodhem para një teatri absurd, ku personazhet luajnë fatet e një kombi të mjerë. Mirëpo, kjo ndodh, realisht në Shqipërinë dhe Kosovën tonë, aty ku sendërtimi i ëndrrave për liri të njëmend ende vazhdon, ku konsolidimi i shtetit të mirëfilltë, ende mungon, ku ligji dhe politika janë për një kategori të caktuar shoqërore dhe ku populli i traumatizuar bërtet Hosana dhe Kryqëzoje, thuajse paralelisht.
Gjendja shqiptare është përplot makth. Pasiguri. Kemi lojë me zgjedhje të gjithfarshme, përpos demokratike, shpikje heronjsh e tradhtarësh, që luhen sikur nga kalamaj që imagjinatën e ushqejnë me filma të ndryshëm aksion. Dhe e gjithë kjo bëhet, sepse ne ende na mungon një vlerësim i qartë sekush është hero, se kush ka vlera dhe kush ja ka shpikur vetës ato. Prandaj, në historinë e re të Kosovës, bëmat e shumëpërfolura, më shumë tingëllojnë të shpikura sesa reale.
Aspak puna më mirë nuk qëndron me raportin tonë me historinë dhe figurat historike, në raport me ngjarje dhe fenomene të caktuara historike.
Po cila është e vërteta shqiptare në këtë kontekst dhe a kemi arritur ne si komb të bëjmë një vlerësim aproksimativisht të pranueshëm për heronjtë kombëtar, së këndejmi edhe për tradhtarët? Kjo pyetje ka dhjetëra nën pyetje tjera, të cilat, asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje të duhur, as nga historianët, as nga filozofët, as nga politikanët, as nga shkrimtarët. Pra, kjo pyetje rri ankthshëm mbi etninë shqiptare, e bënë të tashëm e saj shumë të komplikuar dhe të ardhmen e zbehtë.
Një popull që nuk arrin të vlerësoi dhe selektoi historinë e tij ashtu siç duhet, e ka të vështirë të konsolidohet mirë, mbase të pamundshme të paraqitet unik para botës. Mbi të gjitha, ai e ka të pamundur të tejkaloi ngërçet politike, përçarjet e shumta dhe harmoninë etnike e ka vetëm iluzion. Kjo e bënë atë të jetë i nëpërkëmbur nga faktorët e fuqishëm ndërkombëtar.
Nuk është asgjë e re nëse themi se shumica e problemeve shqiptare i dedikohet historisë, apo më mirë të themi vlerësimit të saj sipas parakoncepteve të caktuara, herë lokaliste, herë regjionaliste, e madje, herë sipas prirjeve fetare e ideologjike. Kësisoj, nuk kemi arritur asnjëherë të ndërtojmë një koncept unik për të kaluarën, për heronjtë tanë, për shenjat identitare, për historinë tonë, letërsinë, artin, etj. Mbase, konfrontimet më të mëdha shqiptare të politikës e dijës, në mënyrë implicite i dedikohen të kaluarës së paqartë dhe vlerësimit ambiguel të saj. Dhe për fat të keq, edhe dy dekada pas lirisë nga diktatura, Shqipëria feston dy dada të çlirimit, Kosova ka disa shenja identitare shtetërore. Historianët shqiptar grindën si është më keq për figurën e Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, për fillimet e nacionalizimit shqiptar, për pasojat e Perandorisë Otomane, për Haxhi Qamilin e Ismail Qemajlin, për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, për Ernest Koliqin e Fan S. Nolin. Ata grindën për heronjtë e demokracisë. Nesër për ata të integrimeve. Pra, historia jonë është arenë e grindjeve të pashembullta. Kësisoj, siç thoshte i madhi At Zef Pllumi, ne vazhdojmë të numërojmë në vend dhe e kemi të pamundur të organizojmë kaosin që gjendet brenda nesh.
Edhe historitë e kombeve të tjera njohin heronj dhe tradhtar. Mirëpo, kombet e konsoliduara, i kanë tejkaluar ato probleme, me debate konstruktive dhe qëllimmire, me histori të vërteta dhe jo kauzihistori e shpikje. Prandaj, ata para botës paraqiten unik. Është koha e jonë, të unifikojmë historinë, të kaluarën, rrjedhat e saj, heronjtë dhe të paraqitemi denjësisht para botës.
Të qartësojmë vetveten dhe identitetin tonë.
Duke mos festuar ndaras data të rëndësishme kombëtare, duke mos i vlerësuar heronjtë tanë ndaras, apo duke mos i diferencuar; duke mos i përvetësuar ata që nuk përvetësohen dhe duke ndërtuar një histori unike të identitetit shqiptar, shoqëria shqiptare tejkalon edhe shumë ngërçe, përçarje çoroditëse dhe kështu mund të bëhet e aftë të hyjë në rrugën e mirëfilltë të prosperimit.