Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”
E marte, 07.06.2011, 07:03 PM
Presidenti Reagan dhe Papa Gjon Pali II
“Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”
Nga Frank Shkreli
“Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”,një film dokumentar i venë në skenë nga Njut Gingric, kandidat për president i Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit të ardhëshëm dhe bashkshortja e tij Kallista, në bashkpunim me Citizens United Productions, fitoi Cmimin e Art si filmi më i mirë dokumentar për vitin 2011, në Festivalin e Filmave të pavarur ndeërkombëtar, në Hjuston të shtetit Teksas.
Filmi “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën” është një skenar i vizitës së parë të Papa Gjon Palit II në vendilindjen e tij në Poloni, në fillim të Qershorit të vitit 1979, vizitë këjo që sipas shumë analistëve e historianëve anë e mbanë botës, filloi një revolucion të ndërgjegjës , i cili transformoi Poloninë dhe ndryshoi në mënyrë themelore gjendjen politike dhe shpirtërore të shekullit të 20-të. Profesori Xhon Luis Gadis i universitetit amerikan Jelle në librin e tij “Lufta e Ftohët – Një Histori e Re” shkruan se:”Kur Papa Gjon Pali i Dyte puthi tokeën në aeroportin e Varshavës me 2 Qershor të vitit 1979, ai filloi një proces sipas të cilit, komunizmi në Poloni dhe më në fund në të gjithë Evropën – do të merrte fund.” Edhe arkitektët kryesorë të revolucioneve anti-komuniste, Lek Valesa i Polonisë dhe Vaclav Havel i ish-Cekosllovakisë i thanë Zotit Gingric se vizita e parë e Papës në vendlindjen e tij ishte vendimtare në minimin eventual te komunizmit.
Ky film dokumentar shqyrton e gjurmon vizitën nëntë ditëshe të Papa Gjon Palit te II, vizitë këjo që shtyri popullin polak të ri-përtrihesh shpirtërisht dhe të fitonte rishtas kurajon që të lirohej, një herë e mirë, nga zinxhirët e komunizmit ndërkombëtar. Papa Gjon Pali i II vizitoi Poloninë teteë herë si udhëheqës i Kishës Katolike, por sic vë në dukje edhe filmi “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”, vizita e parë e tij në Qershor të vitit 1979 ishte ajo që bota dëshmoi si vizitën që filloi dhe që eventualisht solli shkatërrimin paqësor të regjimit komunist në Poloni dhe më vonë rrëximin e komunizmit anë mbanë Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik.
Filmi “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën” ven në dukje rolin personal të Papa Gjon Palit II në rrëximin e perandorisë së kuqe komuniste sovjetike si edhe ven në skenë bashkpunimin midis Gjon Palit II dhe ish-Presidentit amerikan, Ronald Reagan, si dhe shumë udhëheqësve të tjerë politikë, të cilët e kishin kuptuar se sa e rëndësishme ishte lufta kundër regjimeve komuniste totalitare të kohës.
Filmi tregon skena të ndryshme të vizitës së Papës, ku me miliona polakë kishin dalur për ta përshëndetur atë. Këto skena shërbyen atëherë për polaket që të realizonin se në numër, ata ishin me shumë se kundershtaret e tyre komunistë dhe si rrjedhim nuk kishin ndonjë arsye të kishin frikë nga një regjim i pakicës që nuk i përfaqësonte ata. Me thirrjen e tij “Mos Kini Frikë”, që Papa Gjon Pali i II u drejtoi bashkëkombasve të tij gjatë asaj vizite, Polonia bëri një këthesë historike për fatin e vet dhe të popujve të tjerë nën thundrën komuniste në Evropë, e që nuk mund të ndalohej nga askush. Sipas filmit dokumentar, miliona polakë dolën nepër rrugë, sheshe e katedrale për të dëgjuar predikimet e Papës dhe brenda nje kohe të shkurtër, u formua sindikata e parë e lirë në bllokun komunist, me më shumë se 10 milion anëtarë.
Mbi të gjitha, “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”, dokumenton faktin se si Papa Gjon Pali i II kontriboi në fitoren mbi një kundërshtar të gjithfuqishëm, sic ishte në atë kohë perandoria sovjetike—dhe ketë e bëri pa shkaktuar derdhjen e asnjë pikë gjaku. Thuhet se diktatori sovjetik Stalini kishte bërë pyetjen se sa divizione ushtarake kishte Papa, duke u tallur me faktin se udhëheqsi i Kishës Katolike nuk kishte ushtri për të komanduar dhe si rrjedhim nuk përbënte ndonjë rrezik për fuqinë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik. Por Stalini nuk kishte paraparë zgjedhjen e Papa Gjon Palit II,i cili nga zemra e Evropës komuniste u solli bashkëkombasve të vet shpresën dhe frymëzimin për një jetë më të mirë e demokratike; por për më tepër u solli atyre mundësinë për të ringjadhur kulturën, historinë dhe identitetin e tyre duke i bërë të vetdijshëm se ata ishin polakë e jo anëtarë të një lëvizjeje komuniste ndërkombëtare të pa identitet, të pa fe e të pa atdhe.
Në një fjalim para Asamblesë së Përgjithëshme të Kombëve të Bashkuara më 1995, Papa Gjon Pali II reflektoi mbi ato që ai mendonte se kontribuan në revolucionet anti-komuniste të vitit 1989, duke thënë: “Njeë faktor vendimtar në suksesin e këtyre revolucioneve pa dhunë ishte përvoja e solidarizimit shoqëror. Përballë regjimeve të perkrahura nga fuqia e propagandës dhe e terrorit, ky solidarizim ishte thelbi moral i ‘fuqisë së të pafuqishëmve’, një dritë këjo shprese dhe një kujtesë e peërherëshme se është e mundur që për në udhëtimin historik të njeriut të shkohet drejtë rrugës që është në përputhje të plotë me aspiratat më të mira të njeriut.”
“Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën” është një film dokumentar katolik mbi vizitën e Papa Gjon Palit II në Poloni, Qershorin e vitit 1979 – vizitë këjo, gjatë të ciles, ai u tregoi jo vetëm polakëve, por edhe të tjerëve, vlerën e jetës dhe të dinjitetit njerëzor. Gjon Pali II, atë vit u dëshmoi atyre dhe botës, se asnjë person, qeveri ose ligj nuk mund tua mohonte lirinë, besimin, dashurinë dhe shpresën.
Fjalët e tija dekada me parë, janë relevante edhe sot për qytetarët e cdo vendi në bote që vuajne nga shtypjet e shoqërive dhe qeverive të tyre. Sic i tha Zotit Njut Gingric edhe ish disidenti cek, Zoti Vaclav Havel, “është detyrim i të gjithë ne qe kemi përjetuar këte kohë, që këto ngjarje t’ia rikujtojmë botës demokratike, por posacërisht duhet ti tërheqim vëmendjen mbi këto ngjarje sidomos vëndeve ku diktatura ekziston gjithnjë dhe kudo ku ka lëvizje opozitare që meritojnë përkrahjen tonë…”
Prandaj “Nëntë Ditë që Ndryshuan Botën”, megjithse është një film dokumentar katolik është relevant edhe për ata që nuk janë katolikë, pasi Papa Gjon Pali II e donte të gjithë botën të cilën ai e ndryshoi me vizitën e tij të parë në Poloni, në Qershor te vitit 1979.