E premte, 13.12.2024, 05:23 PM (GMT)

Editorial

Enver Bytyçi: Kosina, Boboshtica dhe ideologjia e kishës-shtet

E diele, 26.06.2011, 03:04 PM


Kosina, Boboshtica dhe ideologjia e kishës-shtet

 

Nga Enver Bytyçi

eb_shqip@hotmail.com

 

Më 14 prill të këtij viti regjisori i mirënjohur shqiptar Edmond Budina vuri në skenë shfaqjen e filmit “Ballkan pazar”. Subjekti i tij ishte marrë nga aktet e shëmtuara të Kishës Ortodokse të ashtuquajtur “shqiptare”, duke ironizuar aktin e saj antinjerëzor të dhunimit të varrezave në Kosinë të Përmetit. Kurse Boboshtica vjen si zgjatim i Kosonës pas produksionit filmik. Ndërkohë këto ditë është zbuluar një letër proteste e 26 majit, të cilën 145 klerikë ortodoksë (grekë dhe “shqiptarë”) ia drejtojnë kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, me të cilën ankohen ndaj shfaqjes së këtij filmi në kinematë shqiptare. Kjo letër është bërë objekt i analizave dhe komenteve të shumta me karakter politik, duke anashkaluar nga vëmendja e opinionit publik analizën e realizimit artistik të filmit të Edmond Budinës. Por veç kësaj fenomeni që ndodh me letra, ankesa e protesta ndaj artit, në rastin konkret kundër artit filmik, evidenton dhe disa dukuri të pavëna re, së paku në historinë 20-vjeçare të pluralizmit në Shqipëri.

Së pari, letra e klerikëve ortodoksë ka zbuluar thelbin e filozofisë së diktatit, të cilën e zbaton në mënyrë të vazhdueshme Kisha Ortodokse Greke në Shqipëri. Nëse do të hulumtonim më tej në historinë e zhvillimeve dramatike të ushtrimit të diktaturës në Shqipëri, do të vinim re pa ndonjë vështirësi serioze se 145 klerikët ortodoksë i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të ndërhyjë në stilin e diktaturës për të “vënë në vend nderin e priftit të Kosinës”. Sipas tyre, filmi është një herezi që drejtohet kundër Kishës Ortodokse Shqiptare dhe, si i tillë, ai film duhet dënuar e ndaluar. Nëse do ta lejonin rrethanat, këta klerikë do të kërkonin edhe ndëshkimin e dënimin e regjisorit Budina si dhe të gjithë aktorëve e kontribuesve të tjerë në realizimin e filmit të lartpërmendur. Hakmarrja në stilin protestues ishte tipar dallues i Kishës Ortodokse të fundit të shekullit XIX e fillimit të shekullit XX, kur priftërinjtë ortodoksë grekë mallkonin patriotët shqiptarë dhe i dënonin ata më pas me vdekje për shkak të “mohimit të gjuhës greke” dhe mospranimit të sundimit grek në Shqipëri. Ndërsa në kohën e sotme pamundësia për ndëshkime fizike nuk e ka mënjanuar aftësinë për të mallkuar artin shqiptar skenik dhe producentët e tij, midis të cilëve regjisorin Budina. Kjo do të thotë se filozofia, mentaliteti dhe doktrina e krerëve të Kishës Ortodokse nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga filozofia, doktrina dhe ideologjia e diktaturës komuniste, kur shfaqjet dhe programet e artit e kulturës diktoheshin prej ideologjisë së partisë-shtet. Me sa duket, për këtë arsye ideologjia e komunizmit shpeshherë nga studiuesit dhe ekspertët e politikës është emërtuar dhe si “ideologji e ortodoksizmit”. Tashmë ne shohim përpjekjet e prirjet e Kishës Ortodokse për t’u shndërruar edhe në Shqipëri si kishë-shtet.

Standardi antidemokratik që na ka dhënë letra e priftërinjve ortodoksë të ashtuquajtur “shqiptarë” është i përafërt, në mos i njëjtë, me standardin e sistemeve totalitare, në të cilat diktohet gjithçka, përfshirë artin dhe kulturën. Ky standard, i ofruar në mënyrë primitive ose mesjetare, dëshmon se, ndërsa shoqëria shqiptare shkon përpara drejt integrimit dhe përmirësimit cilësor të jetës demokratike, strukturat ortodokse në Shqipëri kanë mbetur diku në skutat e diktaturës.

Së dyti, unë i pranoj plotësisht të gjithë ata njerëz, përfshirë dhe priftërinjtë ose hoxhallarët, që deklarohen hapur në principet e tyre jodemokratike. Kjo kategori e njerëzimit, në fund të fundit, jep mundësinë e ballafaqimit midis dy rrugëve të ndryshme të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, jep mundësinë e konkurrimit dhe, në fund të fundit, edhe të realizimit të njërës prej alternativave të lartpërmendura. Kështu ka ndodhur në Lindjen ish-komuniste në vitet 1980-1990, kështu po ndodh në vendet arabe, afrikane e të Lindjes së Mesme këto kohë dhe kështu është e udhës të ndodhë edhe në ato pak vende që ende u përmbahen qëllimeve, mjeteve dhe praktikave totalitare në botën e sotme të globalizmit. Por me 145 priftërinjtë nënshkrues të letrës për kryeministrin shqiptar nuk ndodh e njëjta gjë. Ata janë të gatshëm të përqafojnë çdo iniciativë demokratike që shkon në dobi të politikave shoviniste në Shqipëri dhe të kundërshtojnë me forcën e ideologjisë fetare çdo iniciativë gjithashtu demokratike, madje dhe në sferën e artit skenik, mjafton që ajo të jetë e shpallur si herezi për Kishën Ortodokse. Pra, në rastin konkret maskohet diçka e rrezikshme për të tjerët, domethënë për shqiptarët - në rastin e dhunimit të varrezave në Kosinë apo Boboshticë - dhe luftohet me të gjitha mjetet një proces normal, por që konsiderohet i rrezikshëm për interesat asimiluese të Kishës Ortodokse të Greqisë, përkatësisht një film që paraqet një të vërtetë të pakontestueshme, edhe pse ai film mund të realizohej njëkohësisht mbi një lloj fantazie të regjisorit e skenaristit. Nëse objekt i një filmi, romani, novele apo tregimi, nëse objekt i një dramë apo komedie do të ishin shqiptarët, mundësisht “shqiptarët kriminelë, trafikantë, kanibalë e me bisht”, Kisha Ortodokse, edhe pse fyheshin besimtarët e saj, do të kishte heshtur. Asnjë firmë nuk do të kishte hedhur ndonjë prej priftërinjve protestues për të linçuar ndonjë regjisor, skenarist apo aktor të filmave të tillë, të cilët me shumicë janë drejtuar kundër dinjitetit dhe personalitetit të shqiptarëve, përfshirë dhe shqiptarët ortodoksë.

Por në rastin e Kosinës dhe të Boboshticës ndryshojnë personazhet. Ata nuk janë më shqiptarë të përbuzur, por priftërinj grekë përdhunues të varrezave, megjithëse dhe injoranca e shqiptarëve dhe përulja e tyre është e pranishme. Përkatësia etnike greke e priftërinjve është shkaku thelbësor i reagimit të sinodit të Kishës Ortodokse Shqiptare. Nëse Janullatosi nuk e ka shënuar emrin e tij në atë listë të gjatë, sa na bëri me çudi sa shumë priftërinj grekë paska në Shqipëri, kjo nuk do të thotë se kreu i Kishës Ortodokse nuk është autori, regjisori dhe skenaristi i protestës gjithëpërfshirëse të grekëve priftërinj. Kjo dukuri dhe sjellje me modele të dyfishta e bën më të dyshimtë sinqeritetin e letrës reaguese ndaj filmit “Ballkan pazar”.

Së treti, para tri-katër ditësh në ekranet televizive pashë që kabinetet qeveritare në Greqi betoheshin në prani të presidentit dhe kryepeshkopit grek, një praktikë kjo që shihet vetëm në Rusi, Serbi, Bjellorusi dhe vende të tjera ortodokse, ku në pushtet janë promovuar elita gjysmëdemokratike ose autoritative. Në të vërtetë në Greqi autoriteti nuk qëndron te qeveritë apo te presidenti sa qëndron te Kisha, e cila dikton edhe në kushtet e sotme politikat e brendshme e sidomos ato të jashtme të marrëdhënieve të shtetit helen me fqinjët e tij. Duke komentuar këtë dukuri, mund të arsyetohet se priftërinjtë grekë të Kishës Shqiptare Ortodokse e kanë më të lehtë të ndjekin ritin e imponimit radikal ndaj politikës për ta detyruar atë edhe në Shqipëri që të shndërrohet në një politikë e tipit totalitar. Historia e mëhershme dhe e sotme ka shënuar me qindra shembuj e praktika të ideologjisë totalitare të Kishës Ortodokse të Greqisë. Gazetari greko-amerikan Takis Mikas në librin e tij “Aleanca e mallkuar, Greqia dhe Serbia e Milosheviçit”, botuar para një dekade, shkruante: “Bashkëpunimi midis kishës dhe shtetit në Greqi këto vitet e fundit duket se ka shkuar paralelisht me zhvillime të ngjashme me marrëdhëniet kishë-shtet në Serbi. Në të dyja rastet shteti dhe kisha kanë përçuar idenë se identiteti kombëtar dhe ortodoksia janë zgjatim i njëri-tjetrit.” Besoj se është i tepërt çdo koment tjetër rreth thelbit të asaj që zbulon Mikas. Ndërkaq ishte e pritshme që kjo ideologji të vinte si një ëndërr e keqe edhe në jetën e shqiptarëve.

Por jo vetëm kaq. Të 145 priftërinjtë nënshkrues të letrës që i kanë drejtuar zotit Berisha, kanë tentuar të provokojnë një reagim qeveritar, gjë që do t’i komplikonte punët e qeverisë e të vetë Shqipërisë. Janullatosi ka qëndruar jashtë pikërisht për të larë duart nga një reagim “i pritshëm” i strukturave qeverisëse. Mosreagimi i qeverisë ka shënuar dhe fundin e përpjekjes provokuese me anën e letrës protestuese. Për pasojë, Kisha Ortodokse e greqizuar Shqiptare është gjendur në një situatë të pakëndshme. Ndërkohë dënimi i kreut të OMONIA-s së Korçës për dhunimin e varrezave në Boboshticë ishte një shuplakë tjetër, të cilën priftërinjtë nënshkrues grekë e kanë përjetuar si një goditje të rëndë, për shkak se në vend të dënimit të fajtorit për dhunim varresh ata prisnin “dënimin” publik të regjisorit të mirënjohur për vlera artistike e morale Edmond Budina.

Filmi “Ballkan pazar” ka zgjuar një debat, nga i cili të përgjumurit zgjohen, të vdekurit lëvizin nga vendi, të përhumburit kthjellohen. Shqiptarët kanë përjetuar njëfarë ndjesie faji se nuk kanë qenë të aftë të mbrojnë nderin e tyre në Kosinë dhe në Boboshticë. Priftërinjtë grekë kanë shfaqur nervozizmin e tyre, sepse ndihen fajtorë për përdhunimin e eshtrave të shqiptarëve, të cilët prehen në banesën e tyre të fundit. Pjesa shqiptare e ortodoksisë ndihet e fyer për pasojat e ideologjisë kishtare greke dhe të politikës së saj asimiluese në Shqipëri. Institucionet e vendit qëndrojnë indiferente, në respekt të nenit kushtetues të ndarjes së fesë nga shteti. Ajo që e bën më të vështirë të ardhmen është manipulimi i fesë ortodokse greke me historinë, konfrontimi i saj me të kaluarën, për pasojë mohimi i një kohe të re, që ka mbërritur tashmë edhe në marrëdhëniet ballkanike, të kohës së lirisë, demokracisë dhe globalizimit. Fatkeqësisht, grekët priftërinj vijojnë edhe më tej të rreshtohen në anën e forcave regresive, që na kujtojnë të kaluarën dhe na rrëmbejnë të ardhmen.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora