E marte, 15.10.2024, 08:29 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Rrofsh Ilirian!

E shtune, 25.06.2011, 08:04 PM


Rrofsh Ilirian!

 

Nga Gani Mehmetaj

 

Tregim

 

Ulur në karrigen e parë pas shoferit, në autobusin e linjës Zarë-Split, sodisja me kureshtje peizazhin përrallor të detit të kaltër në të mbyllët. Tej detit ishte Italia e ëndrrave tona. Nga dritarja e hapur para meje depërtonte me vrushkuj fresku i erës së njelmët që me rrihte flokët e shpupuritura e fytyrën dhe më freskonte gjoksin. Dielli i madh mëngjesor përskuqte horizontin, ndërsa dilte nga pas maleve me përpëlitje të vagullta. Topit të zjarrtë i shihej vetëm një cep flakë i përgjakur. Kodrinat e rrëpirëta dhe të zhveshura na dilnin befas para dhe më mbanin pezull në kureshti, ndërsa prapa meje udhëtarët lëkundeshin të përgjumur. Rruga gjarpëronte me kthesa të vrullshme mesdhetare, ku sa të dilte para deti i paanë me kaltërinë e vet disa qindra metra për fundi autobusit, sa të mbyllej pamja me shkëmbinjtë gëlqerorë. Nata në agoni ia lëshonte vendin ditës me diellin e madh që e mbyti në dritë dalëngadalë gjithë horizontin.

 

Ende pa u ngopur me pamjen madhështore të mëngjesit bregdetar që të linte pa frymë, shoferi, një burrë i bëshëm me kokë të madhe e flokë të zbërdhulur, i moshës mesatare, më pyeti me kureshtje nga isha. Nuk e di pse më pyeti, mbase të tjerët i njihte, mbase i dukeshin fytyra të njëllojta, ndërsa pamja ime ishte ndryshe apo e huaj, por më zuri ngushtë. Ishte e pazakonshme për natyrën e një vendësi të kësaj krahine kureshtja ndaj turistëve. U shkëputa nga ngurrimi i parë dhe iu përgjigja me një lloj indiference, por kumbueshëm në gjuhën e tij. Përgjigjja ime i zgjoi nga përgjumja e mëngjesit në të lindur të diellit edhe të tjerët. Nuk mund të thuhet se u bënë sy e veshë, por një kureshtje dashamirëse pashë që rrezatoi nga sytë e tyre gjysmë të mbyllur.

- Nga pamja të njoha që je Ilirian, – më befasoi shoferi, ndërsa ndiqte me vëmendje rrugën, duke manovruar me shkathtësi kthesave të forta të dhiareve të asfaltuara bregdetare. Qesha i befasuar me këtë ndërhyrje, m’u duk diçka e pazakonshme.

–Pse si duken ilirianët?!, -ia ktheva i befasuar dhe i lajkatuar njëkohësisht.

- Ashtu si ti! Prandaj të pyeta, – vazhdoi ai pa e prishur terezinë, duke ndjekur rrugën dhe duke iu shmangur reflektimit të diellit nga sipërfaqja e detit që bartej edhe në retrovizorin e autobusit.

Qesha nën buzë, sepse unë i tregova nga isha dhe nuk i thashë përkatësinë time kombëtare, mirëpo ai më dha cilësimin e paraardhësve të mi pa dyshuar se mund të isha i një kombi tjetër.

Pati kureshtje edhe për emrin tim. Ia thashë pa entuziazëm jo pse nuk doja të pranoja bisedën krejt të pazakonshme, por sepse emri im nuk do t’i shkonte për shtati euforisë së tij për ilirët. Nuk e kisha emrin Dardan, as Ilir dhe as Genc, aq të përhapur te bashkëkombësit e brezit tim.

Sikur të mos e vërente mungesën e entuziazmit, ma priti me pyetjen tjetër: -Të pëlqen Dalmacia jonë?

– Është e mrekullueshme, hyjnore! -ia ktheva aty për aty, jo për t’ia bërë qefin. Ky rrip i gjatë bregdetar disa qindra kilometra gjithnjë më kishte mahnitur. Deti fantastik, vera e bardhë e shkëlqyeshme, proshuta që të shkrihej në gojë, njerëzit e sjellshëm e të butë me shpërthime emocionale mesdhetare, muzika plot mall, më kujtoheshin edhe në acarin kontinental në qytetin tim. Sidomos buzëmbrëmjet të linin pa mend në të perënduar, me netët e freskëta buzë detit kur gdhiheshim duke pritur përflakjen e qiellit, duke iu gëzuar ditës së re sikur fëmija ëmbëlsirave.

- E di, ti Ilirian, – më pagëzoi ai, duke ma harruar emrin, – Dalmaci vjen nga fisi dalmat, e më duket se ju ngjashëm i thoni edhe sot, apo jo, – më pyeste dhe përgjigjej fare i sigurt në ato që thoshte.

Ia pohova. I cytur nga pohimi im filloi të fliste për epokën e artë të Dalmacisë, për Ilirinë dhe mbretërit e tyre. Shën Jeronimin e Biblës e kishte në majë të gjuhës. -Ai është nga qyteti im – Zara, – mburrej ai.

Dikur si për ta frenuar entuziazmin e tij, ndryshoi ngjyrim të zërit. – Të gjithë ne dalmatët ishim ilirë, por u përziem. Zoti e di a jemi edhe sot dalmatë apo diçka tjetër. Dalmatë i themi vetes. Unë ende e ndiej veten dalmat – ilir, por fatkeqësisht nuk e di asnjë fjalë ilire, ndërsa ju e keni ruajtur gjuhën, – vazhdonte të fliste shoferi me një ligjërim të kthjellët e të sigurt. E shihja me simpati dhe buzëqeshje të lehtë duke ia pohuar me kokë. Të tjerët që e dëgjonin herë e tumirnin, herë e ndiqnin me interesim. Ai fliste për hordhitë që erdhën e u tërhoqën, për shkatërrimet e vrasjet, thuajse i kishte ndier mbi kurrizin e vet.

Për përkatësinë e tyre ilire i kisha dëgjuar të flisnin edhe sllovenët sa herë u tregoja nga jam. Sikur e konsideronin kategori më të lartë të qenit ilir. Nuk e di pse i kërkonin këto rrënjë dhe pse donin ta zbusnin të qenit sllav. Një lloj kompleksi i mundonte. Asnjëherë nuk u thellova në këtë temë. Edhe kroatët, ilirët i kishin në majë të gjuhës. Ishin edhe më të zëshëm në deklarimet e tyre se të gjithë ata janë ilirë. Lëvizjen për zgjim nacional në shekullin e nëntëmbëdhjetë e kishim emërtuar “Lëvizje ilire”. Mirëpo, dalmati temperament e vuante humbjen e identitetit dhe mallëngjehej me të qenit ilirian.

Sikur të ma kishte lexuar mendjen, m’u drejtua: – Të vjen habi me ato që them?

Nuk ia fsheha habinë. Ndërkaq ai vazhdoi:- I kam dëgjuar edhe nga gjyshi im, i pushoftë shpirti në paqe. Ai veten e konsideronte ilir. Më tregonte se kemi të gjakut tonë tutje në jug, duke menduar për ju dhe për ata përtej kufirit, – ndërsa ngurronte të përmendte Shqipërinë. Ato ditë ky shtet i vogël i mbyllur pas shtatë drynash ishte nën breshërinë e kryqëzuar të artilerisë së propagandës jugosllave. Heshta.

Sa më shumë iknim drejt jugut dhiareve të asfaltuara bregdetare, dita bëhej më e nxehtë, zëri i pulëbardhave dëgjohej më i thekshëm, ndërsa çadrat e hipive e të studentëve turistë shtriheshin gjithandej buzës së detit apo shkurreve mesdhetare. Ua pata lakmi jetën e tyre pa andralla – e adhuroja lëvizjen hipi. Kthehesha nga një pelegrinazh dhjetëditësh turistik që e kalova në Istër. Pastaj si për ta harruar peizazhin joshës e shtrimë bisedën në temat historike, për Ilirinë, për mesjetën, dyndjet sllave, apo “shçavi”, siç u thoshte ai sllavëve ashtu sikurse i quanin fqinjët italianë, deri vonë zotërues të Dalmacisë, pas ilirëve. Franjo quhej bashkëbiseduesi im. Zotëronte njohuri të habitshme për gjithë këto tema, shquhej për mprehtësi dhe për guxim që rrallë e takoje në këto mjedise, pas fushatës së federatës jugosllave kundër lëvizjes populiste “Mas Pok”, sikurse cilësohej lëvizja kombëtare kroate në vitet e shtatëdhjetë kundër qendërzimit të pushtetit.

Edhe të tjerët më shihnin me simpati për përkatësinë time ilire, apo iliriane sikurse më thoshte dalmati. Këmbyem adresa e numra telefoni. – Nuk i dihet jetës, shtëpia ime është shtëpia jote në çfarëdo kohe, – fliste i mallëngjyer pasardhësi i dalmatëve. Po i afroheshim Splitit. U përshëndeta me të dhe me udhëtarët që më dëshiruan rrugë të mbarë.

-Rrofsh Ilirian!, – më tha ai në fund, kur zbrita në Split. Më duhej të ndërroja autobusin për të vazhduar në Prishtinë.

Më la mbresa shpërthimi nostalgjik i dalmatit, i cili i mburrte bashkëkombësit e mi që nuk e borin gjuhën e të parëve dhe që janë të qëndrueshëm e kryeneçë. Gjuha e dalmatëve iku e vajti, pikëllohej ai. Ka mbetur vetëm ndonjë fjalë dhe malli për atë që ishim, fliste me mallëngjim sikur këngëtari i tyre Oliver Dragojeviq në këngën e përmallshme “Adio Pape” .

Gjithë rrugën e mendova dramën e dalmatëve dhe dramën tonë: me shpërngulje e gjenocid, me luftëra të pafundme dhe me heshtjen qindravjeçare, e cila sikur mëkonte e harronte në qetësi plagët e popullatës bregdetare.

Përkatësia ilire edhe një herë më doli si mburrje një mbrëmje me vapë korriku në Dalmaci, në kohën kur në gjithë ish-Jugosllavinë, apo në pjesën më të madhe të këtij shteti mujshar, shtypi dhe televizioni sa nuk tërboheshim, sepse e kishim shkruar në librat shkollorë që jemi ilirë. Pse nuk e kemi lënë dyshimin-mbase mund të ishim trakas, dakë apo diçka tjetër të papërcaktuar nga shekujt e mistershëm të antikës apo nga errësira e mesjetës – pyesnin të indinjuar propagandistët jugosllavë, kryesisht serbë. Disa intelektualë të kombit tim përpiqeshin të mbroheshin sikur e ndienin veten të fajshëm përkatësinë ilire, por atëherë i tërbonin edhe më shumë prokurorët e medieve. Ftesa për festival filmi në Pulë qe një freski shpëtimtare pas atmosferës së sikletshme në kryeqytetin tim, ku edhe asfalti e rrokaqiejt e betonit lëshonin zabullimë.

Ishte mbrëmje e mrekullueshme në qytetin e Pulës. Deri vonë pas mesnatës pamë filma në Arenën e lashtë të Vespazianit. Pastaj në një anije vazhduam debatin në detin e hapur me verën e bardhë dalmate, proshutën e mrekullueshme të Istrës dhe peshkun e skuqur që “e dehnim” në verën e bardhë. Gotat mbusheshin e zbrazeshin njëra pas tjetrës, ndërsa biseda kalonte nga filmi në letërsi, pastaj në muzikë, dikur hynim në hullitë e historisë. Prapë e njëjta dashamirësi e një grupi kineastësh për ilirianët: Marko nga Podgorica, me prejardhje nga Limi, fliste gjithë kohën, hercegovasi Stipe me pamje babaxhani nga shkrepat e pas Dalmacisë ia pohonte, kurse dalmati Josip ia plotësonte bisedën me informacione të tjera pikante. Nga efektet e verës dhe të natës së mrekullueshme, ndërsa era e njelmët na i përkëdheltë fytyrat e skuqura, u bëmë më të afërt, më të sinqertë. Nuk e di pse, por të gjithë më drejtoheshin mua, “ilirianit të moçëm”. Gati sa nuk filluan të më rrëfeheshin, pse nuk mbetën edhe ata ilirë.

- Ishim ilirë, pastaj erdhi Bizanti, ndërruam edhe një herë fe. Prapë kur u tërhoqën ata thonë se të parët e mi iu kthyem fesë së parë katolike. Dikur në muzgun e mesjetës apo mbase shumë më vonë, prapë ndërruam fe e gjuhë dhe u ngatërruam as vetë nuk e dimë se si, -fliste podgoriçani i Limit me zërin pak të zvargur dhe sytë në të perënduar nga efekti i verës së bardhë. Pastaj me po atë pamje të përhumbur, kur mendoja se do ta ndërpriste rrëfimin, ai vazhdonte: – E di ti stërnip i ilirëve se gjyshja ime, Zoja, ndjesë pastë, nuk e fliste asnjë fjalë në këtë gjuhë të cilën e flas tash. Gjyshi im, Leka, po ashtu fliste edhe në gjuhën e gjyshes, gjuhën iliriane si tuajën. Ai thoshte se dikur kishte qenë edhe gjuha e tij. Ndërkaq, unë mbaj mend vetëm ndonjë fjalë. Gjyshen e kuptoja kur fliste, por ia ktheja në gjuhën malazeze, të cilën ajo po ashtu e kuptonte, por vazhdonte të mos e fliste.

Ai rrëfente si për diçka të vdekur, sikur edhe ai të kishte marrë pjesë në mort. Dhe sa më shumë fliste aq më shumë gota rrëkëllente derisa dikur gjuha iu trash, dëgjohej vetëm fërshëllima e tij. Dalmati ia pohonte me refrenin “Gjaku ujë nuk bëhet” thuajse ai rrëfente edhe për tragjedinë e tij, a të familjes së tij. Na kishte zënë gjumi në një cep të anijes.

-Rrofsh Ilirian!, – më përshëndeti për herë të fundit miku i mbrëmjes, të cilin e pashë edhe të nesërmen, por pa euforinë e mbrëmshme. Dy të tjerët: dalmati dhe hercegovasi më ofruan edhe dy-tri herë verë mbrëmjeve në tavernë, por nuk i ftilluam bisedat për ilirët, megjithëse nuk e fshihnin simpatinë ndaj ilirëve. Ndonjëherë dalmati më jepte zemër: “Mos u dorëzoni, s’kanë ç’u bëjnë”, ndërsa mendonte për fushatën e egër që zhvillohej kundër nesh në gjithë hapësirën e shtetit të përbashkët. Ishte mesi i viteve të tetëdhjeta. Përpiqesha të dukesha i shkujdesur.

Në të kthyer nga Pula kujtoja rrëfimin e Markos. Ndërsa fliste nën ndikimin e verës së bardhë dhe euforisë për ilirët, kishte pamjen e njeriut të humbur. E kujtoja me habi: një anas nga shkrepat e Malit të Zi, kundër të cilëve të parët e mi nga Dukagjini e Rugova kishin bërë luftëra të përgjakshme në njëqind vjetët e fundit. Na vranë dhe i vramë mizorisht. Dhe sipas rrëfimit të tij binte se kishim luftuar kundër gjakut tonë. Nuk e flisnim të njëjtën gjuhë, prandaj duket nuk u morëm vesh më.

Derisa sistemoja përshtypjet e bisedave në detin e hapur me kolegët e mi, më kujtohej në prapakthim këmbëngulja e regjisores së krishterë boshnjake për gjakun e njëjtë, por gjuhën e bjerrë. Rrëfimi i saj ishte më pak patetik, por malli për identitetin e mbetur nëpër cepat e shekujve nuk ishte më pak tronditës. Ajo tregonte se si ana nga vinte nuk e flisnin gjuhën e shtetit derisa nuk arsimoheshin në Sarajevë apo Zagreb. Dhe kur ktheheshin në vendlindje nuk merreshin vesh më katundarët. “Ishim të huaj për ta, e kishim tradhtuar katundin. Një krahinë e deltës së lumit Neretva fliste këtë gjuhë, të afërt me gjuhën tuaj”, ishte e sigurt ajo.

Se si më ndrydhej zemra kur kujtoja se me të mbërritur në Prishtinë do të ballafaqohesha me fushatën e egër kundër përkatësisë ilire. Kthehesha në një botë tjetër më reale dhe më të ashpër. “E keni më lehtë ju, nuk pranuat gjuhë tjetër”, me kumbonin në veshë fjalët e regjisores nga Neretva, e cila asnjëherë nuk më tha cilës etni i takonte. Ajo bëri një film të shkëlqyeshëm për vendlindjen. Unë qeshja thartë me këtë formulë ngushëlluese të saj.

Autobusi vazhdonte të gjarpëronte nëpër rrugët e përthyeshme bregdetare. Fresku i natës dhe aroma e ajrit të njelmët depërtonte brenda. Shumica e udhëtarëve flinin, ndërkaq unë vazhdoja të përpunoja përshtypjet e së kaluarës dhe së tashmes. Dalmacinë e lashë prapa.

Por ende me tingëllonte në vesh urimi i tyre euforik: Rrofsh Ilirian!



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora