E enjte, 10.10.2024, 07:58 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kohë cubash

E diele, 11.07.2010, 09:57 PM


Kohë cubash

 

Tregim nga Gani Mehmetaj

 

“Me befasoi sjellja jote, nuk isha mësuar me ketë mënyrë të të folurit, nuk e kuptova pse ma zbraze gjithë atë mllef, thua se unë isha fajtor. Dy ditë e blova sjelljen tënde, i zbërtheva detajet dhe prapë nuk e kuptoja, ose mbase nuk doja ta pranoja ndryshimin tënd, plakjen e nervave tuaja para kohe. Me vjen keq të ta them këtë, mirëpo dikush sikur ka ndërhyrë në karakterin tënd të prajshëm, rrezatimin shpresëdhënës dhe energjinë pozitive. Të ka bërë agresivë, mos durues, nevrastenik, ndonjëherë edhe me shikim dashakeqes ”, me shkruante miku im në postën elektronike. E lexoja këtë letër dhe me vinte habi si të me vinte porosia elektronike nga ndonjë planetë tjetër.

 

“Dikur të shquante durimi t’i dëgjosh të tjerët, aftësia që të hapesh debate të pëlleshme dhe mendoja se ke vizion, gjë që me shtynte të kërkoja vazhdimisht mendimin tënd. Me  hapje horizonte, me gjeje rrugëdalje, edhe atëherë kur unë ia mbyllja vetës të gjitha dyert pa lënë asnjë shteg të hapur”, - vazhdonte miku im letrën e tij në llogari të veseve të mia, pas një debati një mbrëmje të freskët vere, në taracën e një kefeneje kryeqytetase.

 

     E mbylla letrën dhe e ktheva shiritin e kujtesës disa ditë prapa. Rrinim duke pirë verë të ftohtë me mikun nga Diaspora. Shijonim stinën, cakërronim gotat dhe kënaqeshim me ato që i kishim para. Pushonim pas një dite të tensionuar dhe për dreq, në vend që të vazhdonim qejfin ashtu sikur bënim dikur në rrethana shumë më të vështira, e hapëm debatin e problemeve politike.

 

     Në fillim e kujtuam me nostalgji të kaluarën, kur ishim më të rinj, atëherë kur  debatonim aq shumë dhe me zjarrmi për shtetin tonë të ardhshëm, për aleancat e koalicionet, për ata që na ndihmuan dhe ata që bënin sehir derisa ne digjeshim në flakën e luftës, për lindjen ideologjike dhe lindjen islamike, për Perëndimin të cilin në atë kohë të gjithë e kërkonim dhe të gjithë e gjakonim, për betimet tona - vetëm të shpëtojmë nga mizorie okupatore se, kurrë më nuk do ta kujtojmë lindjen ideologjike e as atë islamike, të cilat na e nxorën shpirtin herë njëra, herë tjetra, ndërsa përpiqeshim të shkëputeshim nga të dy lindjet, sikur i sëmuri që nuk le vend pa shkuar për t’i ndihmuar vetës të shpëtojë nga lëngata e cila ia ka sfilitur shtatin kohë të gjatë.

 

    Gjithë ditën ishim tejngopur me gazetat, i konsumuam edhe lajmet e mbrëmjes, me analizat e komentet, me deklaratat e intervistat e gjithfarëllojshme. Do të duhej të shkëlqenim nga lumtura që kishte aq shumë gazeta, e stacione televizive, por dëshpëroheshim me aq pak informacione. Lajmet dhe temat përsëriteshin deri në pambarim, sepse edhe ngjarjet ishin të njëjta si dje, si sot, sikur tash një vjet, si në stinën që kaloi gati pa u ndjerë nga shirat dhe të ftohtit, apo sikur dimrin qe desh na mbyti me acarë. Është një çark i mbyllur i njerëzve e i veprimeve, i bëmave e më shumë do të thosha i të pabërave. Vetëm neve mos të na mbyllin në çark të këtillë pa shtegdalje si minjtë e laboratorëve. Dhe nëse e kanë përfunduar eksperimentin, të na e qelin një vrimë se do të na lënë pa frymë, po na mbysin, ka rrezik të dalim me tru të dëmtuar nga mungesa e oksigjenit. Këtu mbase filloi zjarrmia e debatit, apo këtu unë u tensionova dhe bisedën ia fala dreqit...

 

        Por të fillojmë me radhë. Miku im plot kujtime e nostalgji, ma kujtonte kohën kur bënim debate dhe pinim gota njërën pas tjetrës, unë më shumë se sa ai, ai duke me pa me keqardhje për këtë tejkalim të masës në të pirë. Të jetosh në Diasporë e të mos pish, ose do të çmendesh, ose duhet të ndryhesh dhe të mos rrish me asnjëri: të bëhesh Robinson Kruso nën hijen e xhunglës së rrokaqiejve. Disa e kanë gjetur një rrugë më të lehtë: flasin e flasin, pavarësisht i dëgjon kush apo nuk ua varë veshin, janë të këndshëm apo të bezdisshëm, ia qëllojnë apo flasin në erë. Pra, jetën në kurbet duhet ta kompensosh me diçka që nuk e di se ç’është, sepse nuk e di çka të mungon më parë.  Miku im nuk i kishte asnjërën nga këto vese dhe jetonte qetësisht.

 

       Në atë mbrëmje fatkeqe, miku ai ma shtroi vizionin, të cilin e rrihnim shpesh nëpër ndejat e mërgimit, nën tingujt e muzikës së zhurmshme shqiptare, kur vendosnim të torturoheshim në kafenetë e bashkëkombësve tonë nga nostalgjia , apo kur i iknim zhurmës duke u strehuar në ambientet e qeta me tonet e pianos në ndonjë bari vendës, kur vërtetë synonim të bisedonim, duke e dëgjuar njëri-tjetrin pa e ngritur zërin në kupë të qiellit. Unë nuk e di pse, mbase pse isha i acaruar, mbase pse isha i dëshpëruar, apo ndoshta pse alkoolin nuk ma duronte truri si dikur, u kundërvura me zhurmë e fodullëk, duke përdorë cinizmin që nuk ishte në natyrën time.   

 

    Duke mos e dëgjuar më, ia ktheva:  Miku im perëndoi koha e idealisteve, erdhi koha e tregtarëve, s’ke pse përpiqesh, as pse dëshpërohesh. Të vjen keq pse jeton në këtë kohë për faqe të zezë, por as s’ke pse e vajton të shkuarën, ajo iku, ne nuk e donim, e luftonim kohën dhe i luftonim shëmtitë, bënin përpjekje për një kohë më të mirë dhe për një jetë ndryshe, bëheshin copa të jemi të denjë dhe të jetojmë me nderë e të pa shibla. Mund ta lakmojmë vetëm rininë që nuk e kthejmë më. 

 

     Ai me shikoi i skandalizuar dhe ma ktheu: Por ne duhet të përpiqem edhe sot që të kultivojmë ndershmërinë, jetën e ëndërruar, të luftojmë për të mirën dhe për idealët, e kë gabim nëse dorëzohesh, nëse ua le hapësirën matrapazëve e imoralëve, ma ktheu ai i revoltuar nga ky dorëzim imi pa kushte.

 

     Është tepërt vonë të luftosh, është donkishotizëm t’i kundërvihesh të keqes. Mund të të marrin për budalla, të krisur apo të jashtëkohshëm, të një kohe të perënduar. Mund të te keqkuptojnë se, ua përmend të pabërat, sepse do të thonë që synon t’ua zësh vendin, ashtu sikurse kanë bërë dhjetëra të tjerë para teje: ishin të zhurmshëm e pompozë derisa merrnin poste e pastaj ia grahnin si ata që i kritikonin.

 

     Më shihte duke e shtuar dozën e dëshpërimit në fytyrën e këndshme dhe ende mjaftë optimiste për kohën në të cilën jetonim.

 

    Rrinim në një pijetore verore dhe bënim debate me mikun tim, me të cilin kishim jetuar dhe kaluar nëpër një kohë për faqe të zezë, kur ishte vështirtë të mbeteshe i ndershëm, ishte vështirë ta meritoja cilësimin patriot, ose ta themi një fjalë më të butë e me të thjeshtë të ishe shqiptar, që nuk je vënë në shërbim të pushtuesit, që nuk bënë kompromise me te dhe që nuk ke probleme me ndërgjegjen tënde.

 

     Në këtë situatë fillova të rendisë një letër në postën elektronike: “Nuk arrita të t’i them të gjitha atë mbrëmje, prandaj po të shkruaj: Përpiqu të mos dëshpërohesh, sikurse unë, të mos biesh në depresion që nuk i ka hije moshës sonë, apo Zoti na ruajt të mos vajtosh si gratë e këqija, sepse pastaj kjo bëhet qëllim i vetës. Është fatkeqësi që gjërat u zhvilluan ashtu sikurse nuk e prisnin, është e natyrshme që ne prisnin ndryshe, e gjakonim një shoqëri humane, solidarë ndaj njëri-tjetrit, të gatshëm për sakrifica sublime e privime, të etshëm të zëmë hapin me kohën, të vetëdijshëm që shoqëritë e tjera të qytetëruara, kaluan shekujt, ecën shumë para nesh, derisa ne përpëliteshim nën okupim. Mirëpo, ndodhi ashtu sikurse nuk duhej të ndodhte. Shtetin e bëmë, por që t’ua plasim zemrën shtetasve. E bëmë ashtu sikurse nuk i shkonte ndërmend as atij me fantazi më të çoroditur.

 

     Në sipërfaqe po del një shtresë të babëziturish, të cilët ia kanë dhënë ngjyrimin e tyre gjithë hapësirës duke e ndotur. Ata janë të gatshëm për çdo gjë, nëse dikush u del përpara dhe nëse ia kanë ngrënë hijen, por ata janë të gatshëm në çdo gjë, edhe nëse nuk u del pengesë, ata duan të sigurohen tash dhe në të ardhmen. Psikologjia e cubit është më e theksuar se asnjëherë më parë. Dikur ishim të zënë në luftën për ekzistencë, na kishin përfshirë përpjekjet për t’iu kundërvënë armikut që nuk na linte te jetonim, na e ngulfaste gjithë jetën e veprimtarinë, dikur edhe na vunë në zgrip të ekzistencës, desh na hodhën në humnerë, prandaj nuk kishin as vullnet as energji që ta urrenim bashkëkombësin, edhe atëherë kur të tillët e patën ndihmuar okupuesin. Shpresonim se me mirësinë kristiane, (faljau, o Zot se nuk dinë ç’bëjnë), do t’i kthejmë në rrugë të Zotit, dhe shpresuam se e bëmë një gjë të këtillë, ose të paktën i neutralizuam në shkallë të gjerë, i bëmë që ata t’ia vënë gishtin kokës dhe të mendojnë për të ardhmen e tyre e të fëmijëve të tyre. Mendonim se gjërat e këtilla duhet t’i lëmë pas shpinës, t’ia lëmë kohës t’i gjykojë me gjakftohtësi e pa urrejtje”, - shkruaja duke vënë në lëvizja qelizat trunore për të kujtuar të kaluarën dhe të tashmën që kaloi aq rrëmujshëm mbi ne.

 

      “Por sot kur prisnin se kjo mirësi jona, kjo përpjekje idealiste për të krijuar një shoqëri humane, të shëndosh dhe pa urrejtje, do të realizohet, po shohim se kjo u bë copë e grimë. Është vështirë të mbash baraspeshën, është vështirë të mbetesh gjakftohtë, por është edhe më keq nëse bie në dëshpërim”, shkruaja dhe përpiqesha të kapja mendimin tjetër ende pa e qartësuar si duhet të parin.

 

    “Kemi filluar t’u gjasojmë shoqërive totalitare, të cilat menduam se i tejkaluam, besuam se i shkelem, i flakëm në humnerë. Askujt më shumë se sa neve nuk na shkaktuan fatkeqësi, në shkallë tragjedie. Por jo- ajo mendësi po kthehet, ajo psikologji ka filluar të përvijohet në të gjitha poret e jetës. Shtresa intelektuale dhe ajo e arsimuar, ose heshtin, e në heshtje e tumirin këtë gjendje, sepse nuk kanë mundësi t’i kundërvihen, ose nuk kanë guxim ta bëjnë një gjë të këtillë, druajnë se do ta pësojnë, ashtu sikurse pësuan para tyre, ose shohin punën e vet, e duke shikuar punën e vet, përpiqen të mos digjen, por njëkohësisht të përfitojnë për vete, për pasardhësit e tyre, fundja nuk do të jetojnë njëqind vjet, apo jo? Të tjerë intelektualë ia shitën shpirtin djallit dhe bëjnë garë me te. Këtu u zumë keqas, sepse ti këmbëngulje të mos e durojmë padrejtësinë, të luftojmë, gjithë jeta është luftë, me the. Por dikur njeriu lodhet nga lufta me mullinjtë e erës, ta ktheva. Ndërkaq, ti harrove një gjë, miku im: një pjesë e atyre idealistëve, shkuan, vdiqën, ose u margjinalizuar, për t’ua lëshuar vendin të paarsimuarve, matrapazëve, tregtarëve me flamuj e deri të ata që janë të gatshëm në çdo gjë, për të realizuar interesat e tyre meskine.

 

E di edhe unë sikurse ti që spiunët e djeshëm tash janë bërë patriotë të zhurmshëm, ata që e luftuan nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar, tash janë në ballë të proceseve, konformistët e dhjetë vjetëve më parë, janë bërë të pa kompromis, ta plasin timpanin e veshit me britma kundër të huajve që ua prishin ndonjëherë tymin e duhanit, duke ua kujtuar se duhet të sillen si në Evropë, meqë në atë kontinent jetojnë e jo të zhytën në krim e korrupsion, në despotizmin oriental, ku veprohet sipas qejfeve grupore e të klaneve, ashtu si po veprohet të ne. 

 

      Ne nuk patëm vrasës të paguar-mercenarë dhe i rekrutuam, nuk patëm krim të organizuar dhe e organizuam, ne nuk dinim çka është mafia, pos në filmat amerikanë dhe tash e kemi ndër më të rrezikshmit, nuk ishim të dhunshëm, ishim paqësor saqë as buburrecin nuk e shkelnim, na dhimbsej, edhe atë e fali Zoti, thoshim, por sot jemi bërë të dhunshëm: shihi kronika e vrasjeve, të dhunimeve, atëvrasjeve, incesteve monstruoze, të kurvërisë. Po bëhemi shoqëri e sëmurë, ende pa u formuar, ende pa u organizuar si duhet.

 

     Një mik nga Perëndimi, i cili lëvizte nëpër këto hapësira edhe në kohën e okupimit herë si humanitarë, herë si përfaqësues i shoqatave të ndryshme, me pyeti një ditë me dëshpërim por edhe më një dozë akuze: ku treti entuziazmi juaj i dikurshëm? Ku e bjerrët guximin që e patët në kohën e okupimit? Ju bëtë çudira nën regjimin më mizor në Evropë, organizuat shtetin paralel, atëherë kur në frikësoheshim se do të dorëzoheshit, mbajtët arsimin, shëndetësinë, mbajtët moralin, ruajtët integritetin e popullit, na mashtruat edhe neve perëndimorëve se jeni të aftë të bëni shtet, madje shtet të organizuar e me ligje humane. Betoheshit në simbolet euro perëndimore që i ekspononit gjithkund, ndërsa sot nuk dalloheni nga kasabat  e mjera të orientit! 

 

     E pash me ironi, dikur nuk e fsheha cinizmin, ndërkaq, ai vazhdonte:

 

     Sot nuk jeni as hija e shoqërisë së dikurshme të organizuar, solidar, energjik, entuziast e idealistë, sot nuk mund ta organizoni një komunë pa mos shpërthyer ndonjë skandal hajnie a konflikti i armatosur.

 

    Kur ai i zbrazi të gjithë plumbat, ia ktheva: Ajo energji e aftësi është edhe tash e ndrydhur, energjitë i margjinalizuat ju, ose të përkëdhelurit tuaj. Ata që rrezatonin këtë energji, që e mbanin moralin, nuk janë më në skenën politike, i shmanget me forma të  ndryshme; njerëzit të cilët mund ta bëjnë shtetin sipas ëndrrave të tyre: shtetin e njerëzishëm, të këndshëm dhe të dashur për shtetasit.

 

      Derisa ai me shihte me habi, vazhdova me një frymë: Copë e grimë u bëtë derisa i nxorët në sipërfaqe grupet nga gjirizi dhe pastaj skandalizoheni kur ata bëjnë kështu si bëjnë, habiteni me shkallën alarmante të korrupsionit, çoroditeni pse bëjnë kështu si bëjnë e jo ndryshe, shtiheni sikur nuk e keni ditur kush janë ata dhe çka është pritur prej tyre.

 

Ja rezultati i idealëve të bëra copë e grimë: po vritet ëndrra. Dikur e kishim një ëndërr dhe njeriu që ka një ëndërr, e ka gjithë botën, ai shkon pas ëndrres se tij për ta realizuar. Por ne e bëmë shtetin sipas masës suaj, nuk e bëmë sipas dëshirës sonë. Dikur e kishim një ëndërr, sot kemi kërkesa më të pakta: të mbijetojmë, të mbetemi gjallë, të mos na vrasin dhe lusim Zotin që fëmijët tonë të mos jetojnë në këtë shtet, më mirë të marrin botën në sy, më mirë të kërkojnë fatin e tyre, të vrapojnë pas ëndrrës së tyre në botën e madhe të mundësive të mëdha. Më nuk e kërkojmë shtetin që e gjakonim dikur, tash e kërkojmë vetëm qetësinë, prehjen e eshtrave të lodhur nga jeta e rrëmujshme. I thash edhe shumë gjëra të tjera mikut nga Perëndimi, të cilin dikur e çmoja shumë. Nuk me takoi kurrë më.  

 

       Prandaj miku im i Diasporës, mos u përpjek të përmirësosh shoqërinë, mos shpenzo energji t’u tregosh të tjerëve se si duhet të veprojnë, ata e dinë fare mirë këtë gjë, por s’kanë mundësi, ua ka ngrënë macja përsheshin dhe rrinë e shohin seri.        

 

   Po ta kujtoj, edhe një herë, atëherë nuk e kishim asnjë forcë perëndimore në vend dhe ishim në perëndim me mendësi e me përcaktim, tash erdhi gjithë Perëndimi në atdheun tonë të sfilitur, më shumë se kurrë gjatë historisë, ndërsa kurrë nuk kemi qenë më larg Perëndimit me veprime e mendësi.

 

     Kot që u hynë në hak atyre që s’mund të bëjnë gjë dhe i kursen pa dashje ata që po bëjnë keq, sepse është vështirë t’ia qëllosh në këtë kohë të pakohë, në këtë kohë që të vjen keq pse e jeton dhe pse e prite, ndërsa lusje qiell e tokë dikur që të te jepte edhe ndonjë ditë jetë vetëm ta prisje kohën kur nuk do ta kishe shkaun mbi kokë, kur nuk do të dëgjoje ulërimat e tija kafshërore. Por sa çudi se si ndryshojnë kohërat...”

 

     Derisa jashtë errësira kishte mbyllur gjithë horizontin, dritat e qytetit shkëlqenin me bardhësinë fosforeshente, unë vazhdoja të komunikoja me mikun tim, të hatruar që ishte kthyer në Diasporë: “ S’kishte gjë më siklet se sa të shohësh miqtë a bashkëmendimtarët e dikurshëm me të cilët ke ndarë hallet dhe fatin e përbashkët, ndërsa tash të shmangën, sikur ta ndjenin vetën fajtorë, të përshëndesin ftohtë dhe ta bëjnë me dije se s’kanë kohë të merren me ty, nuk duan të te flasin. Ata janë të njëjtë, vetëm se tash janë për dhjetë a dymbëdhjetë vjet më të mplakur. Nuk duan të të shohin, sepse në fytyrën tënde shohin dështimin e tyre, ndërkohë kanë ndryshuar koncepte a mënyrë të të menduarit, janë larg nga ëndrrat e dikurshme, nuk janë më idealistë, janë bërë materialist, apo praktikë sikurse dinë të të thonë kur të rrëshqet goja dhe ua kujton ëndrrat e dikurshme.

 

 Po të kishe durim, do t’i renditja edhe disa gjëra të tjera, por besoj se është mjaft kaq sa t’i thash.    

 

          Miku im. Po ta shkruaj sepse pas debatesh mospajtimi, u zumë, u hatruam në njëri-tjetrin, thamë edhe fjalë të rënda, jo pse nuk mendonim njëjtë, jo pse nuk na dhembte të dyve zemra për atë që po ndodh, por pse njëri nuk donte ta pranonte realitetin, sikur donte ta fuste kokën në rërë si makushi, kurse tjetri e thoshte troç e më ashpërsi të vërtetën që na lëndonte në zemër. Dhe në atë troçësi, kishte cinizëm. Prandaj, po ta shkruaj këtë letër, jo të të kërkojë falje, as të te them se ti kishe të drejtë, por të të tregojë pafuqinë time dhe pamundësinë tënde. Por me duhet të ta them edhe një gjë: ti prapë je më fatlum- ti nuk ndeshesh çdo ditë me prapësitë tona, ndërsa unë ua pi helmin çdo ditë, çdo muaj dhe vjet për vjet, pa hetuar asnjë përmirësim vetëm përkeqësim. Vonim se shpëtim nuk ka. Por pa të keqen e fëmijëve tanë. Ndërkaq, ti këtë hidhësi pelini fare pak e shijon. Një herë në vjet, apo në çdo dy vjet vjen si era e malit, rri ca ditë në vendlindje, në katundin piktoresk, ku ke ndërtuar një vilë të bukur, (shpreson të të kthehen edhe fëmijët ndonjëherë, gjë që unë dyshoj ), nuk takohesh me asnjëri. Dhe kur ngopesh me nënën natyrë duke iu përmbajtur thirrjes se Rusoit, pastaj del në qytet, takohesh me miqtë e vjetër dhe kur i rrëkëlleni ca gota raki, apo verë të bardhë të ftohtë, pastaj zë e flet thua se ne nuk dimë dhe nuk i shijojmë të gjitha ato prapësi të cilat t’i na i nxjerrë fytyrës, bile na i përplasë zhurmshëm thua se ne i bëmë dhe i pollëm. Revoltohesh pse nuk dalim edhe një herë në ballë të proceseve, pse nuk i luftojmë shëmtitë.

 

 Dhe në fund, miku im, nuk dua të bëhem cinik, sepse jemi miq të mirë dhe shpresojë se deri në fund të jetës do të mbetemi të tillë, mirëpo me duhet ta them, ti ke një atdhe rezerve, madje ke një atdhe kryesor ku jeton tash njëzetë vjet, kurse unë nuk kam atdhe tjetër.

 

     Këtë atdhe ma tjetërsuan, kam frikë se do t’ua nxjerrin hujit edhe fëmijëve të mi, që me dëshpëron edhe më shumë”.

 

  E përfundova letrën drejtuar mikut dhe u ndala para se të bëja çfarëdo veprimi. Vendosa  ta ruaja për vete, në skedarin e letrave pa adresë. Megjithatë nuk doja ta dëshpëroja, nuk doja as ta humbisja, ishim në një moshë kur as nuk e duronim fjalën e rënd as s’na kishte hije ta kthenim.

 

     Atij ia dërgova vetën një fjali: Kohë cubash, miku im, mos ma zë për të madhe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora