E enjte, 03.10.2024, 01:53 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Gjuhëshkulurit

E shtune, 22.05.2010, 09:58 PM


Tregim nga Gani Mehmetaj

 

Gjuhëshkulurit*

 

Atë fundmarsi me shi e shqotë nuk do ta harroj kurrë. Ditët u bënë të lëmeritshme e netët plotë ankth. Herët në mëngjes  filluan shpërthimet, si nga fundi i ferrit. Qytetit të vjetër sa bjeshkët që e rrethonin, i lëkundeshin themelet. Flakët e harlisura përpinin  shtëpitë. Tymi ngrihej sipëri  qytetit dhe krijonte re të dendura të irnosura. Era me shqotë e ngopte ajrin me tym e blozë, me erën e rëndë të barotit dhe lëndëve shpërthyese. Të dukej vetja në midis të kataklizmës,  ku luftonte qielli dhe toka, ndërsa ti, për fatkeqësi, u dole përpara për të marrë mërinë e të dy forcave vrastare.

 

 –Po digjet qyteti i vjetër. Dyqanet  dhe shtëpitë janë në flakë - vinte valë- valë e me shqetësim thashethemnaja për fatkeqësinë që e kaploi vendlindjen time.

 

 –Lagjen e Dardanisë, me Fushën e Pejës, rrafsh janë duke i bërë - vazhdonte thashethemnaja tjetër edhe më e frikshme se e para.  – Asnjë banor nuk mbeti për be,  ikën të lemerisur ose i vranë. Pa e hapur mirë derën e shtëpisë, i zunë brenda- tregonte ndonjë dëshmitar me telefon. Dhe ajo bisedë pastaj kalonte nga fqinji te fqinji, e përshkonte pjesën tjetër të qytetit të mbetur në këmbë. Ne, me vesh të cucërruar si lepujt në gëmusha, përgjonim të frikësuar. Prisnim me tension zhvillimet e mëtutjeshme, pa ndonjë ide a udhëzim si të vepronim, pa asnjë mundësi t’i kundërviheshim të keqes, megjithëse po të pyesje secilin prej nesh çfarë priste, asnjëri nuk do të dinte të ta sqaronte.

 

 Kjo gjendje hutie dhe e kaosit të frikësonte deri në panik, të bënte të pafuqishëm, gati të paralizonte. Nuk e kishe idenë se si duhej të silleshe në këtë situatë dhe çfarë t’u thoshe të tjerëve po të te pyesnin. Prisje dhe nuk dije çfarë prisje. Shpresoje dhe dukej edhe më absurde, sepse nuk dije çka duhej të shpresoje. Askush me asgjë nuk ishte në gjendje të të ndihmonte, a të tregonte çfarë të bëje dhe si të silleshe. Me dukej vetja si delja e një kopeje pa bari. Të gjithë u bëmë të këtillë, kope e braktisur në gojën e ujkut të përbindshëm. Me shpërthime të kohëpaskohëshme,  që e dridhnin qytetin, u mësuam edhe para marsit. Luftimet zhvilloheshin tash një vit nëpër fshatrat përreth qytetit. Por shpërthime të fuqishme me këtë gjëmim shurdhues, me përshtypjen se dridhej qyteti nga themelet, dëgjoheshin për herë të parë. Ato nuk vinin nga artileria, nuk vinin as prej armëve të përdorura deri me tash nga ushtria serbe; shpërthimet vinin nga qielli, pas një fishkëllime të thekshme të raketave, të cilat shënjestronin cakun. Dhe, pas disa minutave, dëgjohej shungullima e tokës.

 

   Kur pushuan këto gjëmime që të tmerronin, ndërsa artileria kundërajrore nuk villte zjarr  më, nuk vonuan krismat dhe britmat e policëve serbë në fund të lagjes. Me ulërimat e thekshme e jonjerëzore, sikur përpiqeshin ta mbysnin zhurmën e pakmëparshme të shpërthimeve në kazermën e ushtrisë, në periferi të qytetit, Ose përpiqeshin ta mbysnin frikën që i kishte pushtuar nga këmbët deri në  majë të kokës së mbështjellë me shami të zezë pirati ose helmetë polici. Në këso situatash, pasi dilnin nga strehimoret, bëheshin edhe më të tërbuar. Gjithë natën e mbrëmshme qemë në pritje të tensionuar, pas fillimit të bombardimit të aeroplanëve të NATO-s. Në qytet, qysh dje, pasdite, u përhap një thashethemnajë e frikshme për masakrat serbe që do të bëheshin gjatë natës dhe, sikurse thoshin, do të harroheshin të gjitha masakrat e deritashme të kësaj ushtrie në këtë qytet dhe në gjithë Dardaninë. Fëmijët i hapnin sytë për tmerr, kur i dëgjonin fjalët e të rriturve; të rriturit e humbën ndjenjën se disa gjëra duhej t’i fshihnin nga të vegjëlit. Kalamajtë  me sy të mëdhenj të gapërruar që e ndiqnin çdo lëvizje të prindërve a të fqinjve të rritur, kur e ndjenin edhe më shumë frikën e të rriturve, rrudheshin si iriqi dhe ndiqnin pa frymë çdo fjalë a çdo lëvizje të mbrojtësve të tyre. Por askush nuk merrej me ta.

 

  Më në fund, edhe në lagjen tonë, ndamë mendjen të iknin. Përgatitjet i bëmë një ditë më parë. Morëm  valixhe dore e çanta të vogla, me gjëra të domosdoshme, të vetëdijshëm se me valixhe të rënda nuk mund të ecnim me orë dhe nuk duhej t’u binim në sy policëve të babëzitur për gjak dhe për plaçkë. Askush nuk na tha çka të merrnim e çka të linim, por ne ashtu vendosëm.

 

*

 

  Flitej se asnjë njeri nuk do ta lejonin të rrinte në shtëpi. Vetëm kolonët do ta gëzonin qytetin e djegur, më shumë do të thosha do ta gëzonin pjesën e mbetur të qytetit të padjegur. Disa lagje të shënjuara më herët, nuk i prekën. Të mëdhenj e të vegjël duhej t’i braktisnin shtëpitë. Tashmë erdhi jehona e një urdhri të dhënë në mënyrë të prerë për braktisje të përgjithshme. Urdhri tjetër dukej edhe më pak i besueshëm së i pari: dyert e shtëpive të braktisura nuk duhej të mbylleshin. Ndryshe do të shkallmoheshin dhe në shenjë hakmarrjeje do të digjeshin shtëpitë. E dinim inatin dhe hakmarrjen e tyre. Dëgjuam se edhe pleqtë me kryeneçë, të cilët nuk e lëshonin shtëpitë, i pushkatuan, ndërsa vatrat ua dogjën, së bashku me kufomat e tyre brenda. Në këtë katrahurë, shpresonim vakët se mos lagja jonë do të kursehej. Sot më duket një shpresë absurde dhe pa fije mbështetjeje, por atëherë qe ndryshe: përpiqeshim të kapeshim pas një fije kashte.

 

Shpresa u shua kur pash njerëzit me uniforma se si ecnin shpejt si t’i ndiqte dikush. Me fytyra të shtrembëruara nga tërbimi, me sy të skuqur nga pagjumësia e frika e aeroplanëve, me shkumë në gojë si qentë e çartur në pikun e verës, bërtitnin  me sa u hante fyti. Shqyenin me dhunë dyert e mbyllura dhe ulërinin, shkrepnin breshëri kallashi nëpër dritare, duke i bërë copë e grimë xhamat, ndërsa cifla të suvasë për anash shpërndaheshin gjithandej. Dhe vazhdonin me të njëjtin zell në shtëpitë e tjera.

 

Ende pa e bërë hapin e parë për ta braktisur pragun e shtëpisë, sepse asnjërit nuk na bënte zemra të iknim në pasiguri, ata ia bëhen. Sa nuk u tërbuan, kur na panë.

 

 - Çfarë  prisni, kafshë, - na bërtitën duke vazhduar me sharje të pista, aq të zakonshme për skotën e tyre gojështhurur.

 

Unë, gruaja me dy fëmijët tanë -vajza 13-vjeçare, Blerta, dhe Loriku 15-vjeçar, pastaj  nëna dhe babai dolëm si të ndërkryer. Dy familje fqinje ishin me ne. E konsideruam veten me fat që nuk morëm asnjë grusht turinjve, të rëna kokës a ndonjë plumb pas shpine. I frikësohesha sjelljes së policëve ndaj çunit tim. Dukej më i rritur se sa që kishte vjet. Ata i veçonin të rinjtë nga kolona. Vazhduam të zbresin teposhtezës  së butë të lagjes sonë. Ecnim të tronditur, por vetja më dukej si somnabull. Ishte ora tetë e mëngjesit. Qyteti dukej si fantazmë: gjysmë i djegur, me tymin që ngrihej në qiell dhe me flakët që lëpinin edhe më tutje çatitë ose trerët e shtëpive e të dyqaneve, me rrugët bosh që dukeshin aq të gjera, me veturat e braktisura me xhama të thyer nëpër trotuare. Bëmë mbi një kilometër rrugë dhe nuk takuam asnjëri. Më kaploi ligështimi i braktisjes e i frikës.

 

  Vetëm qentë e rrugës dhe policët endeshin të trimëruar. E ndjenin veten mbretër të rrugëve të shkreta. Kur e kaluam pjesën më të madhe të qytetit, iu ngjitëm kolonës së pafundme, që lëvizte   si një qenie parahistorike. Mezi tundte gjymtyrët e lodhura, ende pa filluar marshimi i gjatë. Nën britmat e policëve, që silleshin si të kishin kapërdirë speca djegës, vazhduam ta lëshojmë qytetin, duke marrë kthesën drejt fshatrave të Burimit të Drinit. Ecëm disa orë në rreshta të ngadalshëm të pafund: pleq, fëmijë, gra, foshnja që qanin, burra që thërrisnin me zë. Binte shi i imët, si të ishte gjysma e vjeshtës. Të ftohtit e marsit të depërtonte në palcë, veshët të skuqeshin nga kjo erë e ftohtë bjeshke. Nga Gryka e Rugovës dhe Gryka e Burimit të Drinit, të ndihmuara nga Maja e Rusolisë frynte thellimi si të ishte janari.  Bora mbulonte gjithë ato maje, duke zbritur deri rrezë kodrave të qytetit. Kolona lëvizte me ngathtësi breshke rrugës gjarpërore. Të ftohtit e lodhja bënte të mblidhej kruspull. Dhe terrorizohej nga mujshia e atyre që na ndiqnin prapa.

 

  Sa më shumë që i afroheshim skajeve të kodrave, aq më kërcënueshëm rrinin bjeshkët e larta sipëri. Tashmë e dinim kah na drejtonin: Kulla, përtej se cilës pastaj shtriheshin fshatrat e Dacajve e të Lajçve, tej në kufirin administrativ me Malin e Zi.

 

-Ku na qojnë, more bir-më pyeti babai, pas një kohe të gjate ecjejeje, që edhe mua me dukej e pafund.

 

-Duket na kanë nisur në Rozhajë, e pastaj kah sytë këmbët, - i thashë unë me dëshpërim.

 

-E bën Zoti mirë, mos e ngushto zemrën, - më ngushëlloi plaku tashmë me frymëmarrje të rënduar dhe me faqe të zbehta. Nëna, në krahun tjetër, më e fortë dhe më e shëndetshme, nuk ankohej, ofshante ndonjëherë  dhe shihte me pikëllim përpara. Gjithë vëmendjen e kishte te  dy fëmijët e mi.

 

- Më keq s’ka ku të shkojë, - i thash, për t’iu kundërvënë atij optimizmi, që nuk ia shihja mbështetjen.

 

-Ka, more birë, ka edhe më zi, por mos e ndjell të keqen, - ma ktheu prapë me një zë të shtruar, në kundërshtim me gjendjen tonë shpirtërore dhe forcën e tij fizike.

 

Gruaja dhe të dy fëmijët nuk bëzanin. Vajza ndonjëherë përlotej, por pastaj shpet e shpejt i fshinte lotët, sikur t’i vinte turp mos ia shihnin të tjerët. Nëna përpiqej të ecte në ritmin e ngadalshëm të kolonës, me hapa të pandjeshëm. Vazhduam rrugën pa e ushqyer bisedën më. Vajet e fëmijëve dhe ankesat e grave u bënë më të thekshme. Kërkonin ujë, ishin të uritur, donin të pushonin.

 

 Nuk pushuam as në vendin ku ndahej rrafshi me përpjetëzën e përnjëhershme, që shkëputej përfundimisht nga Lugu i Drinit.

 

*

 

 Iu koptisëm leqeve të rrugës së asfaltuar, duke ecur me vështirësi e ngathët. Bjeshkët bëheshin edhe më të mëdha e më të frikshme sa më shumë që u afroheshim. Mjegulla e dendur qarkonte majat dhe na sillej nëpër këmbë, duke u shtrirë copa-copa në një hapësirë të gjerë. Shiu nuk pushonte, i përzier me borë të ftohtë e kokrriza ta fshikullonte fytyrën dhe ballin. Dikur kolona u ndal. Gra, fëmijë e pleq u ulën të pushojnë; turma mësyu malin a strehën e degëve të lisave ende pa gjethe, halorët e rrallë, sepse ende ishin në ahishte nuk e prisnin shiun e imtë, që ta hante shpirtin me këmbënguljen e vet. Shpresuam për ndonjë shtrojerë natyre, por ishim larg tyre. Fëmijët qanin dhe dridheshin nga të ftohtit. Të rriturit përpiqeshin t’u krijojnë pak mbrojtje, por edhe vetë pikonin ujë. Të dukej sikur u morën vesh njeriu me natyrën kundër kolonës së gjatë e të lodhur, që zvarritej me gulçime.

 

  Policët na nxorën nga shtëpitë në shiun e të ftohtit, që na bënte të mblidheshim kruspull; bjeshkët na rrinim sipëri dhe nuk na prisnin me dashamirësi. Sa më lart ngjiteshim, aq më e dendur ishte mjegulla e ftohtë akull. Shqota bëhej e padepërtueshme dhe më e turbullt, të pengonte në të ecur, ta mbyllte pamjen. Dikur shqota u shndërrua në fërfëllizë që ta ndante frymën dhe të bënte të shtrëngoheshe  mirë se mos rrëzoheshe . Mbaheshim për njëri-tjetrin. Zërat  filluan të çanin me vështirësi ajrin e rralluar, por jehona e zërit nuk dëgjohej larg, e mbyste era. 

 

-Biri im, edhe sa do të ecim, -më pyeti babai, përtueshëm dhe me zërin gati të shuar nga lodhja dhe nga pleqëria. Dukej se e humbi durimin.

 

-Nuk e di, baba, por nuk shoh vend ku mund të pushojmë. Kulla është ende larg. Rozhaja edhe më larg, ndërsa nuk mund të strehohemi as në ndonjë tëbanë vere, - i thash i lodhur dhe i dëshpëruar.

 

- E bëjmë natën në një guvë, nuk është larg nga këtu, e pastaj vazhdojmë të nesërmën, se kështu si kemi filluar, gjallë nuk do të mbërrijmë askund, -më tha me zërin e sforcuar, gati autoritar që nuk e kisha dëgjuar më herët. Finjtë  vazhduan xhadesë së vjetër, ne e thyem rrugën dhe morëm në të majtë, fare afër greminave, kah na tha babai, i rryer nëpër këto bjeshkë. Natën e bëmë nën një shtrojerë. Të nësërmën  u nisëm në ferkë të mëngjesit, pas një nate të shqetësuar nën një shkëmb të madh. Pushuam disi, megjithëse u zgjuam me gjymtyrë të rënduara nga ecja e djeshme, me fytyra të buhavitura nga gjumi i çrregullt dhe flokë të shpupurishura nga mungesa e shtratit të butë. Nuk ishim mësuar me marshime të këtilla. As me natë marsi të ftohtë në natyrë. Edhe kur dolëm në rrugën kryesore, përtej kufirit, nuk pamë asnjë njeri të kolonës. Duket pjesa më e madhe e kaloi kufirin para muzgut.        

 

 Në periferi të qytetit të Rozhajës arritëm të nesërmen kah mesdita. Fshatrat kufitare nuk i pamë nga mjegulla e dendur, ndërsa lagështia na depërtonte mishin dhe eshtrat. Sytë me digjnin, me gojën e tharë mezi kapërdihesha, kurse fyti me përcëllonte nga një ftohje e keqe, që ma ngjiti mbrëmë pas mesit të natës. Në atë shtrojerë, nuk bëra gjumë. Por iu shmangëm fërfellizës ballazi. Morëm rrugën e dytë në të hyrë të Rozhajës. Do të bënim konak te kumbara Hamdo. Këtë cak e patëm që kur morëm vesh se do të na dëbojnë përtej kufirit.  Babai e njihte nga Lufta e Dytë Botërore. Pastaj e vazhduan miqësinë edhe më vonë. Ai m'i preu flokët. U bëmë kumbarë. Muajve të fundit, kur bëja rrugë nga Prishtina në Pejë, kaloja përmes Rozhajës, sepse rrugën nga Komorani në Klinë e mbyllën policët serbë. Shpesh  natën e bëja në shtëpinë e kumbarës. Me këto mendime në kokë, iu afruam shtëpisë së tij disi me droje, megjithëse babai doli i pari. Por unë e thërrita, meqë kisha më shumë zë.   

 

  Plaku i moçëm, shtatgjatë, me fytyrë të çelet e ballë të gjerë, me vetulla të dendura ngjyrë gruri, plis të bardhë si bora dhe pantallona të plishit, doli në kapixhikun e ndërtuar nga druri dhe pyeti sllavisht: "Kush është?".

 

Babai, i mallëngjyer, iu përgjigj : "Jam unë, Bardhi".

 

-Hajde, bujrum, - ia ktheu boshnjakisht, i befasuar kumbara Hamdo, duke i zbritur me shpejtësi të habitshme për moshën e tij shkallët e drunjta të shtëpisë dykatëshe. U shtrënguan gjatë n’grykë. Dhe seç i flisnin njëri-tjetrit, nuk i kuptoja qartë, se ishim më larg tyre. Kur u shkëputën nga njëri-tjetri, u shkëlqenin lotët në sytë e lodhur. Gati sa s’u shkreha në vaj jo nga mallëngjimi, për kumbarën Hamdo, por pse shpresoja të bëja një gjumë dhe të ngrohesha sa t’i shkrija eshtrat nga zjarri i druve.   

 

  Dikur pleqtë e përmalluar u kujtuan për ne. Kumbara Hamdo na  mori n’grykë, sipas traditës, nënën, mua, gruan time. I përqafoi fëmijët, na priu brenda dhe i thirri të vetët. Doli një plakë me tesha malësore, rugovase. Na foli të gjithëve shqip, me shqiptimin e rugovasve të moçëm dhe diftongun ua, për dallim nga e bija e tyre, me dy fëmijët e moshës së fëmijëve të mi, që na përshendetën sllavisht, me përzemërsi e të prekur nga gjendja jonë. Fëmijët e mi panë me droje, por unë lehtazi ua shtrëngova dorën të qetësoheshin.

 

Nikoqirët ranë copë të na krijonin komoditet e ngrohtësi. Ne pikonim ujë, dridheshim nga të ftohtit. Mezi flisnim. Pas drekës së bollshme këmbëngulën të na shtrojnë të flemë, sepse e shihnin fare mirë se si na mbylleshin sytë. Pyesnin për çdo gjë që ndodhi në qytet e në rrethinat, ndërsa ne u përgjigjeshim me sy gjysmë të mbyllur, gati përqartë. Nuk e di sa fjetëm, por, kur u zgjuam, një zjarr bubulak e kishte bërë dhomën të ngrohtë, sa të të shkriheshin eshtrat. Vinte aroma e mirë e drurit të pishës. Rrobat tona të lagura avullonin pranë oxhakut të madh. Jashtë muzgu e pushtonte gjithë hapësirën. Dëgjohej kohëpaskohe fishkëllima e erës dhe fërfëllëza, që i rrahte xhamat.

 

  Kur u këndellëm mirë, erdhën nikoqirët. Secili përpiqej të na ofronte ngrohtësi, në mënyrën e vet. Duke ngrënë darkë, e bija e tyre- Muradija, nëna dhe e babai, donin t’i mësonin detajet: sa u vranë, a është gjendja tragjike sikurse thuhej nëpër televizione e radiostacione, kush shpëtoi nga ata që njihnin.

 

Kumbara Hamdo, me gruan Nafon, me përqendrim, flisnin shqip, me thyerje të lehtë të gjuhës, me ndonjë fjalë sllave që u përvidhej, ndërsa e bija e tyre dhe dy fëmijët bisedonin sllavisht, me dialekt vendës.      

 

-E mban mend, more Bardh, kur na dëbuan shkitë dhe erdhëm në Rrafshin e Dukagjinit, me kuc e me macë - e kujtoi plaku Hamdo tragjedinë e tyre, të cilën tash e shihte të përsëritur te ne.

 

- E kujtoj, si s’e kujtoj. U ngjitëm pastaj bashkë me burrat e Dukagjinit në Mbasbjeshke.

 

- Hë, - u ngrefos me mburrje babai, - ia ndalëm turrin shkaut dhe e dëbuam deri në Berane. Deshtëm të hyjmë në qytet, po na dolën italianët, na thanë është zonë e tyre, fliste i skuqur në fytyrë nga emocionet ose nga zjarri i oxhakut. Përnjëherësh u gjallërua. Sytë i shkëlqenin.

 

- Më kalojnë të rrënqethura nëpër trup, kur e kujtoj pritën. Shkitë nga kreshta na qëllonin me mitraloz e mortaja, na i përgjysmuan kuajt me ushqime, që i sollëm nga Dukagjini për ushtarët e Xhafer Devës. Kuajt hingëllinin si të çmendur. Ne qëllonim si të pa kokë. Pastaj, kur e humbën shpresën se do ta shpërthenim pritën, vendosëm ta shisnim lëkurën sa më shtrenjtë, kur na erdhën në ndihmë plisbardhët me shqiponjë në ballë, me Kapiten Zefin e Shkodrës. Hej, o Zot, po ç’luftë u ba. Mu duk se fluturonin.    

 

-Eh, sikur t’ishim edhe një herë të rinj, ofshau kumbara Hamdo- dhe hodhi dru të trashë në oxhakun e rregulluar mirë e me shije, ndërsa duart i dridheshin lehtë. –Edhe sot më tingëllon në vesh kushtrimi i tyre luftarak: Muleni, burra!

 

Plaku im përnjëherë ndërroi disponimin. Me sy të picërruar, që dukej donte t’i ndalte lotët, psherëtiu: - Dje na poshtnun. Pa e shkrepur asnjë plumb, na ndoqën si delet!

 

U bë një heshtje varri. Më përftoi si në shirit filmi fatkeqësia jonë. Pastaj, në atë heshtje të gjatë, e kujtova tragjedinë e malësorëve të Mbasbjeshkës. Dikur kumbara Hamdo e theu heshtjen:

 

- Edhe atëherë na dolën krah shallbardhët e Rugovës dhe burrat e  Dukagjinit; ndryshe shkitë do të na zhbinin fare. Ne s’ua kthyem juve të mirën më të mirë, - dëgjoja se si përpiqej t’ia zbuste ndjenjën e poshtërimit babai tim.

 

Derisa plaku rozhajas fliste e fliste, plaku im dëgjonte i shushatur dhe ofshante kohëpaskohe. Djalit dhe vajzës sime u erdhi gjaku në fytyrën e humbur nga lodhja e të ftohtit. Shikonin të hutuar e me kërshëri. Pak gjë kuptonin nga biseda jonë. Nipat e kumbarës rrinin pranë tyre dhe seç çuçurisnin në mes veti, fëmijët e m’i rrudhnin me supe të druajtur. 

 

 Me këmbënguljen e kumbarës Hamdo dhe plakës Nafo, ndjenjëm edhe tri net mysafirë.

 

 - Forcohuni pak dhe pastaj vazhdoni, - na e shtyente çdo ditë nisjen ai dhe gruaja e tij mikëpritëse.

 

*

 

Në mëngjesin e ditës së katërt, u nisëm herët me autobusin e orës tetë. Situata dukej e paqartë në këto zona kufitare. Fëmijët i zuri gjumi në karrigen  prapa nesh. Gruaja kotej dhe ndonjëherë hapte sytë trembshëm. Dy pleqtë e mi i lashë të kumbara Hamdo. Rruga do t’i lodhte edhe më, ndërsa nikoqiri thoshte se nuk i lëshonte: - Ata do të rrinë këtu, deri në fund të luftës. Kjo rrëmujë do të kryhet, shkitë nuk e kanë të gjatë.

 

- Ju shkoni te  tuajt, ata i gjetën të vetët – e kujtoja plakun Hamdo, që m’i thoshte këto fjalë duke më bindur se s’kisha pse të brengosesha. 

 

Derisa autobusi vazhdonte të ngjitej përpjetëzës së Turjakës, i kujtova bisedat që i bëmë gjatë këtyre tri netëve. Më përftonte sidomos toni pikëllimtar i kumbarës Hamdo, me ata sy të kaltër të shpëlarë nga pleqëria. E tërë brenga e tij shpërtheu, kur fëmijët e mi thanë se nuk i kuptonin çfarë flisnin nipat e kumbarës:  

 

-S’keni faj; ne na e shkulën gjuhën!

 

-Jes allaha mi, ishqupashe nam jezik (Po për Zotin, na e shkulën gjuhën),- i doli në mbështetje gruaja e tij, Nafo, e cila njëherë m’u duk se nuk merrte pjesë në bisedën tonë, ndërsa përnjëherë e mbështeti burrin në sllavisht, megjithëse gjithë kohën fliste shqip më ne.

 

E shikova me habi. Nuk e kuptoja se ku do të dilte plaku i Mbasbjeshkës. Ndërsa ai, pa e vërejtur habinë time, vazhdoi:

 

- Feja e turkut nuk i pengoi, nuk na e ndërruan. Gjuhën po. Na lanë memec. Erdhën shkitë me zjarr e me hekur. Na i dogjën shtëpitë, i vranë burrat e fortë. Na thanë: prej sotit, kush kapej duke folur shqip, i pritej gjuha, - tregonte ai. Sa herë e përmendtte këtë, rrëqethësha: më kujtoheshin inserte të tragjedisë nga mesjeta të ushtarëve dhe të popullatës gjuhëshkulur të gadishullit tonë. Dija kronika edhe për ushtarët me vrima të frikshme në ballë, në vend të syve që ua nxorën,  por nuk më kishte shkuar nëpër mend për njerëzit me gjuhë të shkulur, memecë, që shtriheshin gjithandej në këto hapësira.

 

- Gjuha i pengoi dhe na e shkulën, - e përsëriste me pikëllim e i përhumbur. - Pastaj na e dhanë gjuhën e tyre. Më mirë të na e merrnin edhe shpirtin. Ç’na duhej jeta pa gjuhë, belbatikë si të përhënët. Nuk merreshim vesh në mes veti. Flisnim me duar e më këmbë, a me klithma si kafshët, pa gjuhë. Shumë hoqëm -  e di kumbara Bardh, - e përsëriste me pikëllim plaku i dëshpëruar dhe i emocionuar nga gjendja jonë.

 

E bija e martuar përpiqej ta qetësonte, duke i pëshpëritur me ngrohtësi se nuk duhej të emocionohet, se nuk i bën mirë për zemër. Por ai ndonjëherë i rreknehej edhe asaj. –Lem të qetë, mjaftë kam heshtur, do të flas, shyqyr që është kumbara Bardh; e kam kujt t’ia tregoj fatkeqësinë tone; do të me plas mullani, po e mbajta, - dhe i rrëmbushesin sytë me lot.

 

-Jadni, moj baba ( babai im i gjorë), dosta si se namuçio (mjaftë ke vuajtur), - e përkëdhelte butësisht e bija, një leshverdhë e këndshme e shtatëgjatë si babai. Ai  qetësohej, shkëputej nga e kaluara, për t’iu kthyer mysafirëve me një disponim tjetër: kërkonte falje që u rrëmbye. Pastaj shihte herë të bijën, herë dy nipat me flokë të zbërdhylur në ngjyrë kalliri e faqet e mbushura, të cilët rrinin të cucërruar në një kënd, duke i shikuar me kureshtje mysafirët e tronditur, por edhe gjyshin e tyre që fliste me emocione, në një gjuhë që ata s’e kuptonin.

 

Më kujtohej - foli për memecët që nuk e flisnin asnjë gjuhë, - një kohë që nuk mbahej në mend. Prapë askush nuk donte ta kujtonte me dëshirë, kur filluan të bëlbezojnë gjuhën e re që ua shartuan me përdhunë. Ishte e rëndë. Vështirë shqiptohej. Edhe më vështirë kuptohej kjo gjuhë, tregonte plaku. Një herë mësuan sharjet e ushtarëve të tyre, pastaj mësuan edhe fjalë të tjera.

 

-E di, ti djali i kumbarës Bardh, - m’u drejtua mua, aq i interesuar të më bindte dhe të më tregonte se dikur ishte ndryshe. -Në fëmijëri me babain e nënën flisnim shqip. Kur dilnim në rrugë, ose kur vinte dikush i huaj, ia kthenim në gjuhën e tyre. Kur me vdiq babai e nëna, vdiq edhe gjuha. Filluam të flisnim “nashki”.

 

Plaku edhe natën tjetër, pak më i qetësuar, më tregoi gjëra, të cilat nuk i dija, ose kisha dëgjuar diçka nëpër mjegull.

 

- Emrat e arave e të livadheve nuk dinin si t’i përkthenim, prandaj u themi edhe më tutje: Arat e Priftit, Livadhi i Kishës, Sukat e Nikës. Edhe deleve bardhoka e syka u themi, e jo si sllavët. Të tjerat më kohë i përkthyen. Hajla dhe Bogajt u bënë kufi. Nuk mund të kalonim, megjithëse kusherinjtë, miqtë dhe kumbarët andej kufirit të ri jetonin. Peshteri, Pazari i Ri, i tërë Sanxhaku, kaluan edhe më keq. Ata gati harruan çka janë. Një kohë bënin krushqi me Rugovën, tregti me Dukagjinin, por u dilnin në prita shkitë, prandaj ia mësynë Bosnjës, me shpresë se atje do ta gjenin veten, por thonë nuk e gjetën. Ishte kohë e rëndë, biri im - më drejtohej mua, sikur donte të më arsyetohej pse është kështu, e nuk është ndryshe, sepse për babain tim ishte i sigurt që e kuptonte. Ata kishin vuajtur e kishin luftuar krah njëri-tjetrit. Druante që unë e gjykoja. U përpoqa ta siguroj se nuk me shkonte ndërmend një gjë e këtillë. Më vinte keq për tragjedinë e tyre, por nuk e gjykoja. Ai ofshante.

 

– Mos u harroftë, - e përsëriste shpesh, plaku shtatëgjatë i Rozhajës, kumbara ynë.

 

-Ka edhe më keq, - m’u kujtua  ngushëllimi i babait katër ditë më parë, duke u ngjitur Bjeshkëve të Nemuna, kur gati sa s’ia plasja vajit për katandisjen tonë.

 

Dhe kjo ka edhe më keq, kur e dëgjoja të përsëritur dhe kur i kujtoja fjalët e burrit të moçëm të Rozhajës, kumbarës Hamdo: - Gjuhën na e shkulën, na lanë një kohë pa gojë! Pastaj na e dhanë gjuhën e tyre. Në fillim nuk i gjenim fjalët, u bëmë si bëlbatikë. Kokën e kishim bosh.

 

Më përftonin nëpër kokë dhe rrëqethesha pa dashje, derisa shihja nga autobusi peizazhet e bukura të një pranvere të hershme me pishat e gjelbra, nën qiellin e zymtë të shiut të prajshëm e të imtë.

 

U nisa drejtë Podgoricës: isha në mëdyshje-të merrja kthesën për në Tuz e Bozhaj, drejt Shkodrës ose të vazhdoja kah bregdeti nëpër Tivar drejt Ulqinit.

 

Sa herë e kujtoja vajtimin e plakur rozhajas, për gjuhën e shkulur ndërsa përpiqesha të bëja një sy gjumë, diçka ma shtrëngonte fytin; zemra me tkurrej dhe me dukej sikur dikush ma shkulte mishin nga trupi....

 

Gruaja e fëmijët flinin si të mos kishte ndodhur asgjë. Rruga me kthesa me përmendte shpesh dhe me shkëpuste nga kujtimet e hidhura. Tej, në horizont, retë e dendura grumbulloheshin dhe errësoheshin për një furtunë tjetër...

 

* Nga përmbledhja e tregimeve "Kujtimet e vendlindjes", që së shpejti del nga shtypi. Autori është drejtor i Kosova Filmit.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora