Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Mallkimi
E marte, 08.02.2011, 08:58 PM
Gani Mehmetaj
Mallkimi
- Në Shqipni- thonë burgjet janë plot. Heqin për bukën e gojës. Për një fjalë goje të shkon kryet.
- As shkau ma zi nuk di.
- Ah, si nuk u kthye pas lufte mbreti Zog. Enver Hoxha po ua merr shpirtin shqiptarëve.
- Por mbreti iku e na la në duer të jugosllavëve e të komunistëve!
-Nuk e ndihmuen anglezët e amerikanët, nuk e lanë as të kthehej. Mbeti i pa krahë. Hoxhës jugosllavët e komunistët e Moskovit ia dhanë krahun, e nxorën nga hiqi, i dhanë pushtet të pakufishëm.
- Neve na lanë në baltë edhe i pari, edhe i dyti. Nuk e di pse duhet të flasim për ta!
- Për mbretin e shqiptarëve nuk flitet ashtu!
- Ai i shikoi nëpër gishta komunistët, nuk ua prishi çerdhen gjarpinjve, kur i pati në grusht.
- Ishte demokrat.
-Me kopila të Moskovit s’ka demokraci!
-Mos të shkon mendja se Tito ishte ma i mirë?
- Zoti na ruajt! Tito lejoi të bie tërbimi i ushtrisë serbo-malazeze mbi ne. Ata vranë shumë njerëz tanë. Zoti i vraftë!
- Sikur t’ishin prijësit e Ballit e t’ua kthenin pushkën shkive e komunistëve. Si lepujt iknin kur ua shihnin shqiponjat dykrenore në plisat e bardhë.
- Edhe ata ikën të çaprashitur, pikë e pesë u banë: dikush në Gjermani, të tjerët në Amerikë, madje deri në Australi shkuan. Nji me nji nuk u banë.
- I lanë në balt aleatët!
- Athua e gjuajtëm Zotin me gurë që na la të vetëm dhe na i lëshoi gjithë këto të këqija? Pshëretiu i fundit Sokoli.
Biseda zhvillohej nën tymin e dendur të duhanit, në dhomën e ndriçuar dobët me llambë elektrike 25 qirash që herë-herë ishte aq e zbehet saqë nuk shiheshin as fytyrat e bashkëbiseduesve. Pesë burra të moshave të ndryshme flisnin për të kaluarën, në shtëpinë e Ukë Micit.
Bardhosh Fata, që i printe bisedës shquhej me gojëtarinë e këmbënguljen. Menjëherë pas lufte nga ballisti u bë aktivist i pushtetit të ri. Një kohë ndjeni i fshehur, pastaj u dorëzua dhe nuk u morën më me te. E përfshiu amnistia. Ker Culi, të vëllanë e pati me Ballin, por më të përfunduar të luftës iku në Australi, duke ia lënë familjen nën përkujdesjet Kerit. Mysafiri i shpesh i familjes, Mujë Dydeshi e kujtonte me nostalgji kohën e mbretit Zog. Kaloi katër vjetet më të mira xhandar i Naltmadhnisë, sikurse i thoshte, mbretit të shqiptarëve, Zogut. Shërbeu në Labëri.
Curri që më i riu ndër ta. Pak kohë më parë kreu shërbimin ushtarak në Shkretëtirën e Sinajit dhe rrëfente shpesh bëmat e tij. Ndërkaq, Uka, i zoti i shtëpisë nuk ia piu lëngun luftës, apo lufta nuk e zuri, sepse pati fat e nuk e mobilizuan asnjëra ushtri, as ballistët, as partizanët. Pas luftës e morën ushtar. Dy vjet ishte në Kroaci.
Debatet bëheshin më të zjarrta dhe më kundërthënëse kur shpërthente ndonjë krizë ndërkombëtare. Atëherë edhe shpresat se do të vinin anglezët rriteshin, sidomos Muja e Keri e donin Britaninë e Madhe, ata mendonin se pa zbarkuar ushtria e tyre në Shqipëri, nuk do të ketë qetësi. Ata shpresonin të binte Enver Hoxha dhe Tito. Megjithatë kishin fërkime në mes veti për çështje që Luli nuk i kuptonte. Shpresonin shumë që anglezët do t’i ndihmonin. Kriza e Suezit sërish ua ngjalli shpresat. I përflaku dhe gjë tjetër nuk flisnin net me radhë, pos për shpërbërjen e këtij shteti dhe dëbimin e komunistëve. Kriza vazhdonte, ndërsa ata prisnin të dobësohej Jugosllavia dhe të ndërhynte Anglia.
Luli herë e shikonte njërin, herë tjetrin. Nuk i pëlqente bisedat me këtë temë, ndërsa në fakt ideja e tij për njerëzit që përmendshin ishte e vagullt, pos për Titon, të cilin mësuesja ua lavdëronte në shkollë. Në shtëpi mendonin ndryshe për te. Por që të ruheshin nga goja e djaloshit e porosisnin të mos i shpëtoj gjë për ato që fliteshin në shtëpi. Ndonjëherë e paraqisnin më të butë Titon, katolik kroat, sikurse e theksonin për ta afruar më shumë, kur përmendej një ministër serb që bënte kërdinë mbi shqiptarë. Rankoviq e quanin ministrin famëkeq, por njerëzit më së paku e merrnin nëpër gojë, sepse edhe pse ra nga pushteti, ende i frikësoheshin, druanin nga kthimi i tij. Ato ditë flitej shumë për te. “Ia futi ujin nën rrogoz Titos, ndryshe as që do ta rrëzonte nga pushteti. Sa për zullumet ndaj shqiptarëve, askujt s’do t’i bëhej vonë’, fliste babai, ndërsa djaloshi hapte sytë e dëgjonte.
Kushëriri i tyre, Curri që vinte shpesh mbrëmjeve, mbante nën sqetull gjithë kohën një transistor të vogël, të cilën e kishte blerë në Haifa të Izraelit. Shërbeu ushtar një vjet në zonën në mes të arabëve dhe izraelitëve. Radio transistori i tij u hynte në punë burrave në mbrëmje, sidomos kur dështonte radioja e vjetër e babait me xhamin e thyer. Mw interesante dukeshin rrëfimet e kushëririt ish-ushtar në Sinaj për akrepat helmues, që të mbysnin për disa minuta pasi të thumbonin, për jetën në shkretëtirë, ku uji ishte malli më i çmuar dhe ku nuk shihje me kilometra asnjë ngulim, pos tokës së zhveshur ranore të valëzuar pa asnjë dru a pemë tjetër. “Të kapte tmerri e zymtësia në këtë peizazh”, tregonte ai. Natën frynte era si në maje të Rusolisë, por një erë e thatë dhe e padurueshme. Po nuk e mbulove fytyrën me pëlhurë, ta mbushte gojën e sytë me ranë e gurë të imtë si kokrriza. Njerëzit e shkretëtirës na shihnin vengër dhe me armiqësi. Jeta e tyre nëpër çadra ishte diçka e paparë për neve”, tregonte me rrëmbim kushëriri. Ishte interesant rrëfimi për luftën që filloi në mes të arabave dhe izraelitëve, ndërsa ushtarët e Jugosllavisë, ku qe edhe Curri ishin në mes, duke u rrudhur e duke ulur kokën sa herë fishkëllinin granatat a mortajat. Luli bëhej sy e vesh. “Gjithë natën dhe të nesërmen nuk pushoi artileria dhe bombardimet. U ndërprenë furnizimet, mungonte uji, nuk mund të flisnim më asnjëri. Telefoni ushtarak ishte i shurdhër”, tregonte Curri, ndërsa të tjerët, e sidomos Luli e dëgjonte duke e shikuar në gojë, thua se mund t’i shpëtonte ndonjë fjalë pa e regjistruar dhe pa e përjetuar si duhet. Curri pastaj tregonte për frikën dhe vetminë e pakufishme, që ua hante shpirtin dhe ua acaronte nervat e tendosura si telat e telefonit në cigmën e dimrit. Dy javë qëlluan në ferrin e zjarrit, në thumb të artilerisë së të dyja palëve. Nuk shpresonin se do të dilnin të gjallë. Dikur erdhën ushtarët që s’ua morën vesh uniformën dhe nuk e dinin asnjëherë prej nga erdhën. U kujtohej vetëm ngjyra e kaltërtë dhe simboli UN nëpër automobila. Ata i përcollën nëpër shkretëtirë duke i kthyer në Izrael.
Pas vuajtjeve, frikës, pasigurisë, rrezikut sepse të dyja palët ndërluftuese mund t’i merrnin për ushtarë armik, ndërsa ata shkuan për të ndërmjetësuar, kaluan zonën e luftimeve. Kur hynë në kufirin izraelit, pra kur dolën nga rrezja e zjarrit, i futën nëpër autobus dhe i dërguan në Haifa. Pushuan ca ditë, u ngopën me ujë e me bukë, u kaloi frika, pastaj erdhi anija e madhe dhe i ktheu në Split të Kroacisë. Në qytetin izraelit Curri bleu një transistor nga rrogat mujore, çmim për tagrin e frikës e të jetës së vështirë në shkretëtirë. Qe transistori më interesant në qytet, me lëkurë të mbështjell me vrima, me antenë metalike dhe me një volum të lartë zëri. I mbulonte të gjitha radiostacionet të cilat i kërkonte babai i Lulit, Uka, ndërsa nuk i gjente në radion e prodhimit jugosllav për të cilën Muja thoshte se si të gjitha mallrat jugosllave nuk i vlen pesë lekë. Muja kurrë nuk fliste me dinarë, i mbeti leku që nga koha kur ishte xhandar i mbretit Zog.
Fragment nga romani “Qyteti ne ankth” 2011