E marte, 08.10.2024, 08:05 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kapiten Kola

E marte, 30.11.2010, 10:58 PM


Tregim

 

Gani Mehmetaj

 

Kapiten Kola

 

Nga maja e Bjeshkëve të Thata vështroja i përhumbur bardhësinë verbuese të borës dhe qiellin e plumbtë që të ngufaste me peshën e vet acaruese. Gjithë rrafshi para meje në largësi dukej i shushatur, gati i dyzuar me kulmet e shtëpive të mbuluara nga bora. Vetëm ndonjë sy i mprehtë që e njihte terrenin, do të hetonte ku ishin shtëpitë, kazerma a magazinat, që mezi veçoheshin nga tymi i oxhaqeve dhe nga njollat e murrme në vendet ku bora ishte pastruar gjatë natës.

   Kund frymë njeriu nuk shihej, as bishat e malit nuk lëviznin. Ishte ferku i mëngjesit,  atij mëngjesit ters e të zymtë. Me ngufaste një parandjenjë ogurzezë.

Bishat po aq të heshtura e të shushatura sikurse dhe njerëzit, duhej të ishin në fund të guvave a të shpellave të errëta. Mbroheshin nga të ftohtit, duke e ruajtur atë ngrohtësi të pakët nën trupin e tyre. Po njerëzit ku fshiheshin?

  Maje malit vazhdimisht frynte erë e ftohtë edhe në pikë të verës, kurse tash vinte acarë që të mpinte fytyrën. Shihja në këtë shurdhëri sikur të mos të bënte fare me mua gjithë kjo pamje dhe kjo situatë absurdi. Ç’kërkoja maj mali në fund të dimrit të sertë? Ç’ më kishte gjetur që rrija i vetëm? Me dukej vetja i zbrazët e i shurdhër, bosh, i jashtëkohëshem, që s’përkonte me rrethinën e borëtuar e të ftohtë, me këtë humbëtirë.

 Pak më parë dola nga shpella si shqarthi kur del nga vrima e vet nën tokë dhe shikon me hutim e mpirje njëkohësisht, duke hetuar me frikë mos ka ndonjë armik afër. Fshiheshim ditën dhe natën. Rrinin në pritje të tensionuar.

   Unë e dija se armiku diku afër është, por në çfarë largësie, nuk e përcaktoja dot, megjithëse nuk dëgjova as mbrëmë dhe as dje ndonjë shkrepje pushke a lëvizje të zhurmshme të ushtarëve të mobilizuar. Bora e zbuste çdo zhurmë, mundet edhe ecjen e tyre drejtë nesh. Lajmet që vinin, bënin me dije për një lëvizje të madhe, në shkallë të gjerë të armiqve tanë. Ata e kishin pushtuar gjithë rrafshin dhe tash shihnin bjeshkët, të cilave do t’u qepeshin me siguri së shpejti vetëm sa të merrnin informacion për gjendjen e atyre që fshiheshin nëpër shpella e gërxhe. Ne ishim ata që na kërkonin. Dhe ne rrallë dilnim në ajër të pastër. Vetëm ata që bënin roje rrinin të strukur prapa ndonjë shtrojere duke vigjiluar.

        Jehu i largët i thashethemeve na vinte qe nga rrafshi. Flitej për mobilizim me dhunë të katundarëve, duke i vënë përpara për t’ua treguar rrugën, por edhe për t’i pasur nën thumb: ata që i kishin vënë përpara dhe ne që u rrinim përballë me shënjestër pushke në shteg të ballit të tyre. Të mobilizuarit ishin mish pa dhimbje, ushtarë të pa numëruar e, në të cilët nuk ishte bërë asnjë shpenzim, lëndë e parë e papërpunuar, e gjetur në rrugë,  në rrugë do të lihej shakull sa ta përplaste ndonjë breshërimë mitralozi a shpërthim mortaje.

     Duke shikuar këtë natyrë të trishtë e ktheva kujtesën prapa si për t’u përmendur pse isha këtu, maje malit dhe fqinji i parë me arinj e ujqër, apo për ta bindur vetën se isha në ëndërr dhe duhej të zgjohesha, të bija në tokë dhe të hiqja iluzionin që jam maje malit, por shpirti im a fryma ime kishte fluturuar kaq lartë, ndërsa unë duhej të isha diku tjetër... 

 

“ Ushtarë, fati i luftës po ndryshon. Të kuqët e gjithë botës janë forcuar. Aleatët janë bërë të luhatshëm, po bëjnë sehir dhe më shumë po i armatosin kundërshtarët tanë”, fliste oficeri me kapele ushtarake me strehë dhe shqiponjën në ballë të kapelës. Kishte trup të drejtë, të gjatë e lëvizje të prera ushtaraku. “ Nuk patëm fat dhe aleatë. Fati dhe aleatët na munguan gjatë gjithë historisë, na mungojnë aq shumë edhe tash. Ishim jetimë, fatkeqësisht mbetëm jetimë. Ata që duhej të ishin me ne, na ndërruan me të tjerë, bënë këmbime...‘ fliste Kapiten Kola, shkodran, prijësi ynë, ndërsa ushtarët rrinin të mpirë në këmbë “Gatitu”, si të ishin në ceremoni a ndonjë parakalim.

     Kapiteni dhe oficerët e batalionit tashmë na kishin dhënë urdhër të rrinin lirshëm, si të donin, nëse ishin të lodhur mund të uleshim në barin e posa mugulluar. Por ndjeheshim më mirë kur e dëgjonin kapitenin në këmbë, të shtangur, në pozitën gatitu. Ashtu ishim mësuar.

      Dëgjonin të shushatur, nuk lëviznin majtas as djathtas, nuk kolliteshin fare.  Përqendroheshim në fjalët e eprorit, me gojë hapur si fëmija kur e dëgjon nënën a babanë i tronditur nga ajo që i thuhet dhe nuk e ka pritur. Nga dëshira për të përpirë çdo fjalë të kapitenit tonë, kishim harruar të ndërronin peshën e trupit nga njëra këmbë në tjetrën.

     Kapiten Kola, shtatë lartë me uniformë të mbajtur pastër dhe të hekurosur si për paradë,  i zbehtë në fytyrë, me sy që shkëndijonin ende, por që ishin në të shuar nga një pikëllim i cili e mbulonte edhe turmën e ushtarëve para, fliste i emocionuar dhe i tronditur. Derisa u drejtohej ushtarëve një pikë loti i rrëshqiti në mollëzën e faqes së tharë e të shterur, që i vihej në pah më shumë nga mungesa e mishit që do t’ plotësonte faqet  dikur të mbushura. Ndërkaq, mollëza e Adamit i dridhej më shumë se zakonisht. Lëkura  e rrezitur nga dielli dhe nga era e terrenit, ia bënte fytyrën edhe më të mprehtë e më të rreptë. Loti i tij na tronditi. Ai zakonisht ishte i ftohtë akull dhe tepër i rreptë. Prisnim diçka të kobshme pas kësaj. Ai kurrë nuk ishte ligështuar!  

      Megjithëse zëri i dridhej pahetueshëm, ai përpiqej më të gjitha forcat të mbahej, të qëndronte me dinjitet para ushtarëve, të cilët i kishte udhëhequr në sa beteja, duke i nxjerrë gjallë dhe me dëmtime të vogla. Ai vuante kur vritej ndonjë ushtarë, por po ashtu e dinte se lufta i kishte këto gjëra dhe ushtarët e dinin që vdekjen e kishin aq afër.  Gjithnjë na këshillonte t’i shmangeshin vdekjes, i duheshim të gjallë e jo të vdekur, na e  përsëriste shpesh këtë refren, Kapiteni ynë. 

     Në fjalimin e parë të gjatë të cilin e ngatërronte, ai përpiqej të na thoshte troç atë që na  priste, por e kapte sikleti kur shihte qindra sy që iu kishin qepur dhe nuk i shqiteshin me një besim të madh në te dhe me një shpresë se ai do t’i shpëtonte edhe tash e tutje. Dhe ai pikërisht këtë donte t’ua thoshte: tash e tutje ishte i pafuqi, prandaj e zgjaste bisedën,  duke mos dal të thelbi i problemit. Ndërkaq, ushtarët e tij e njihnin pikërisht nga gjuha e drejtpërdrejtë dhe nga të folurit e qartë e në mënyrë të prerë. Herë-herë u dukej nuk qe kapiteni i tyre, por ndonjë ushtarak tjetër.  

  Ata, ushtarët e mpirë e të përhumbur e besonin në mënyrë të verbër. I kishin besuar gjatë gjithë kësaj kohe, nëpër zgripin e zhdukjes, nëpër drama që zhvilloheshin para tyre. Ndërkaq, të gjithë këta ushtarë, idealistë e të rinj dolën në mal për të mbrojtur kombin, shtetin, për të mbrojtur familjet e tyre, ia përsërisnin shpesh vetës, sikur donin t’ia mbushin mendjen vetës së nuk dolën për aventurë as për mendje të madhe. Shumë rrugë e shtigje kishin rrahur, i ranë trup e tërthor tokave të tyre, nga veriu në jug, në ndjekje të ushtarëve të huaj që shkelnin territore, digjnin shtëpi dhe vrisnin bashkëkombësit e tyre. Sidomos ushtarët e fqinjëve ishin mizorë të cilësdo ngjyre qofshin.  

   Dhe në këtë vrap theqafje, krejtësisht pahetueshëm zbritën në rrafshin e Dukagjinit, u ngulitën në periferi të qytetit buzë Grykës së Rugovës. Pritën një ditë, pritën edhe ditën e dytë pa bërë asgjë. Eprorët me Kapiten Kolën në krye, kur panë se urdhra të tjerë nuk kishte, se komanda qendrore i kishte harruar, atëherë ai na tha të mblidheshim. Doli para nesh dhe ja tash fliste e fliste. Përpiqej të na e sqaronte gjendjen. Ne shihnim të hutuar dhe ngatërroheshim edhe më  tepër.

       Kapiteni vazhdonte të qëndronte përballë nesh më i shqetësuar se asnjëherë më parë. Ndërsa ne me të qartësuar pak më shumë gjendjen në të cilën ishim, një herë filluam të mendojmë për kobin që na kishte gjetur apo që do të na gjente së shpejti me kuc e me mace. U druanim masakrave hakmarrëse, ia kishim frikën edhe vëllavrasjeve. Gjatë luftës iu shmangëm shumë vrasjeve me njëri-tjetrin, por tash ishte ndryshe. Ishim të gatshëm të luftonim deri në fund, por Kapiteni ynë përpiqej të na e sqaronte kotësinë e rezistencës së mëtutjeshme. Mendja na shkonte gjithkah, ndërsa e dëgjonim kapitenin tonë me habit e të frikësuar, sepse na qartësohej gjithnjë e më shumë se këtu kishte ardhur fundi.

     Për fatin nopran të luftës na erdhën lajme edhe më parë, por disi nuk donim ta besonim dhe mbështeteshim vetëm në atë që na thoshte komanda jonë.

     Dikur mendja na bridhte gjithandej. Filluam të druajmë për familjet tona. Nuk i pamë më shumë se një vjet. Dëgjuam aq pak për ta. Vetëm nëpër tym na vinin lajmet e përgjysmuara a të shformësuara. “Janë mirë”, vinte ndonjë fjalë gojë pas goje e lajmëtar pas lajmëtari. “Filan plaku vdiq, në fillim të verës, i biri i filanit u martua me të filluar të ftohtit e parë të vjeshtës”, qarkullonte lajmi tjetër më i plotësuar. Dikur filluam të shqetësoheshim për fatin tonë.

   Pak a shumë e dinim që kthim prapa nuk kishte, s’na pranonte askush dhe s’kishte si të mos na ndëshkonin. Sepse ishim në anët e kundërta dhe tash pas disfatës së pritshme ishim në anën e humbësit. Do të hiqnim shumë vuajtje. Ndërkaq, partizanët serb po edhe ata shqiptarë nuk të falnin po qëllove në anë të kundërta. Për ta thuhej që nuk të falnin edhe po qëllove në anën e tyre, kur rrëshqisje në rregullat e rrepta, atëherë të ndëshkonin me mizori sikur armikun më të egër. 

     Ndërsa mendoja këto gjëra, rrija i shtangur në këmbë, i mpirë nga qëndrimi i gjatë dhe mendimet ogurzeza. Befasia e disfatës më mpinte edhe më shumë gjymtyrët e trurin, me depërtonte vazhdimisht në vesh përsëritja e fjalëve të kapitenit: ”Duhet të shpërndaheni! Armët hidhini! S’ka fije kuptimi rezistenca e mëtutjeshme, ne jemi të humbur. Na tradhtoi koha!”. Gjithë kjo filloi të më ushtojë kumbueshëm në vesh, më bëhej se me depërtonte edhe nëpër damarët e trupit, nëpër gjakun që filloi të qarkulloj vrullshëm në shtatin e mpirë.

       Pastaj u nisëm secili kah sytë këmbët, një herë në grupe e pastaj ashtu si përrenjtë që ndahen nëpër degë e meandra, grupi bëhej gjithnjë më i vogël, për të mbetur nga dy apo nga tre veta.  

     Duke ecur kokulur i  kujtoja fjalët e tij. Ecnim e ecnim pa u ndalur kund. Dikur filluam të bëheshim më të kujdesshëm, ndaleshim e përgjonim. Me kujtohet kur u nisëm jo fortë larg logut ku Kapiten Kola na foli për herë të fundit në jetën e tij dhe për herë të fundit në jetën tonë, ne i hodhëm pushkët dhe rrethatorët nëpër gëmusha, dikush madje i hodhi në baltë. Një herë na u duk lehtësim i madh, mu bë që hoqa një barrë të rëndë. Ndërkaq, automatikun e shkurtër më bëhej se e mbaja një shekull. Por pas një kohe mua dhe të tjerëve na u bë sikur jemi lakuriq pa pushkë dhe pa rrethatore, pa bomba që na vareshin skajeve të rripit. Nuk ecëm gjatë kohë kur u kthyem, të bërë pishman për atë që bëmë: i morëm pushkët, ata që i kishin hedhur në baltë i pastruan dhe i thanë derisa u bënë vizllimë, shkëlqenin. I ngjeshëm sërish nëpër trupë apo i varëm në supe duke i shtrënguar edhe më shumë, thua se donim t’i merrnim më të mirë të mos hidhëroheshin pse i hodhëm dhe i braktisëm një herë me aq përbuzje, madje disa edhe me pështirosje. Sepse, pati në mesin e atyre që deshën  të nxirrnin kalemin dhe t’i lagnin me ujët e hollë armët e hedhura, por të tjerët i kapën për mangash dhe i hoqën zvarrë të ecnin më tutje.   

“Është mirë të fshiheni për një kohë. Disa është mirë t’u bashkoheni partizanëve”, na tingëllonin në vesh fjalët e tij, ndërsa vazhdonim tutje. Ne nuk donim t’u besonim veshëve.  Dikush me kujtohet që i mbylli veshët më të dyja duart. Madje i shtrëngoi fortë-fortë të mos e dëgjonte atë që fliste.

“ U duket habi kjo që ua them? Para pak kohësh do të tingëllonte tradhti ndaj atdheut, dezertim kjo fjalë imja. Deri dje i patëm armiqtë më të tërbuar. Ata kanë mbetur të pabesë e tinzarë edhe tash, na vrisnin dhe na zinin pusi aty ku nuk e prisnim, ndërsa ne sa mundim u tregonim se duam të luftojmë kundër shkakut e për vendin tonë, pa u përzierë në politikë. Mirëpo, tash ai armik është fitimtarë dhe ai do të caktojë rregullat e luftës e të paqes së cilës nuk i shihet filli as fundi. Është mirë që ju të shpëtoni, është mirë që edhe popullin ta kurseni, duke mos e provokuar fitimtarin, sepse ai pastaj do të hakmerret me egërsi ndaj të afërmve tuaj, nëse tashmë nuk ka filluar represaljet dhe vrasjet. Duhet të ruajmë njerëzit për një kohë tjetër. Pushtuesi do të bëhet arrogantë nëpër qytete e katunde, u bëmë ne ujqër apo qengja. Do të sjellin popull tjetër për ta kolonizuar këtë vend. Por, mos harroni, vendi do të jetë i atyre që e kanë tokën e bjeshkët.  Pra, ata do të jeni ju dhe fëmijët tuaj. Qeverisja e atyre që po vijnë nuk do të jetë e gjatë, na thoshin kohëve të fundit eprorët tonë. Unë druaj për të kundërtën, ata nuk do të shqitën nga ky vend edhe  një kohë të gjatë. Dhëntë Zoti fëmijët tuaj të mos i kenë mbi krye. Kurrë nuk duhet ta humbisni kurajën. Një ditë edhe ata- fitimtarët do të ikin, sikurse që ikën turqit para tyre. Deri atëherë ju do të duhet të mbijetoni, toka do njerëz të gjallë e jo kufoma”, me ndiqnin prapa fjalët e eprorit tim derisa mora ikën kah sytë këmbët, vet i dhjeti në kolonë njëshe. Pa me caktuar askush, u prija. Ata me vinin prapa pa bëzajtur. Gati të gjithë qenë të moshës sime: njëzetë e tre deri në njëzetë e shtatë vjeç.   

 

   Tashmë e kishim shpejtuar hapin dhe shihnim më vëmendje të shtuar majtas e djathtas. Pak më vonë dërguam dy veta pararojë, në mënyrë që të mos na vrisnin të gjithëve si berrat në pritë dhe pa shkrepur asnjë plumb. Filluam të organizoheshim sërish, megjithëse kapiteni ynë na tha të kundërtën. 

 “Amerika dhe Anglia nuk do të na braktisin përgjithmonë. Do ta shohin gabimin dhe do të ndërrojnë kahet.  Kësaj radhe u gabuan, apo bënë këmbime të gabuara shtetesh e territoresh. Por një ditë - sërish do të kthehen”, e kurajonim vetën duke kujtuar fjalët e fundit të Kapiten Kolës. 

 Dikur ai e mbaroi fjalimin. Na përshëndeti ushtarakisht dhe na dëshiroi fat e mbarësi, gjë që na duhej aq shumë.

  U shpërndamë si zogjtë e qyqes. Secili më i vetmuar dhe më i pambrojtur se tjetri.  Secili më i dëshpëruar dhe më i braktisur. Gjithsecili synonte drejtimit e shtëpisë së vet, dy nga dy apo në treshe, apo krejtësisht të vetmuar.

    Nuk bëmë shumë rrugë, kur u dëgjua një shkrepje e thatë revoleje. Vetëm një here. Nuk vonoi shumë e lajmi u shpërnda nga grupi në grup. Ndërkaq, secili nesh kishte edhe hallin e vet. Hallit tonë i dha kapak lajmi i hidhur. Kapiten Kola vrau vetën, me një plumb në kokë. Nuk la asnjë porosi.

    Por, thanë, më parë ishte betuar që nuk do t’u ofronte mundësinë as kënaqësinë oficerëve shki a shqiptarëve partizanë të luanin me te. Ky lajm një herë na i preu të dyja këmbët, u ndalëm në vend, mua mu duk se zemra mu ndal. Këtë ndjenjë mu bë se e patën edhe shumë të tjerë. Ata u ndalën sikur unë, prekën gjoksin dhe vazhduan të turpëruar. A mos e tradhtuam kapitenin tonë? A duhej të rrinim me te? A do ta pengonim në aktin e vetëvrasjes?  Na u renditën pyetjet dyshuese, njëra pas tjetrës dhe na e hanin shpirtin. Por ai na tha të shpërndaheshim, madje na urdhëroi në mënyrë të prerë. “Ky është urdhri im i fundit, ushtarë. Respektojeni fjalën e eprorit!”. Dhe ne u shpërndamë me zemër të thyer.

   Me të përsëritur për së dyti lajmin e kobshëm për vetëvrasjen e kapitenit të gjithë u ligështuan, nuk na bëhej të ecnim më tutje, megjithëse gati-gati e dinim që Kapiten Kola  nuk do t’u binte në duar gjallë armiqve të vet, e njihnim natyrën e tij dhe s’di pse na vinte i befasishëm lajmi për vetëvrasjen e tij.

     Në anën tjetër donim ta zgjasnim edhe ndonjë qastë iluzionin, vetëmashtrimin se ai do të na e lëshonte sërish kushtrimin dhe do të na thoshte: “Kthehuni, ushtarë, e gjithë ajo që e thash pak më parë qe mashtrim, fati i luftës sërish u kthye në të mirën tonë. Lajmet nga komanda erdhën të gabuara! “. Pastaj kur u këndellem nga mashtrimi i budallellëpsur, Kapiten Kola na u dhimbs për tmerr, na i shtoi brengat sa s’ka ku shkonte më shumë. Na bëri edhe më shpresëhumbur. Një herë na u duk fundi i botës: e çmonim dhe e donim aq shumë, e besonim në mënyrë të verbër.

       Sa herë hymë në flakë të luftës nën urdhrat e tij, të sigurt që ai kot nuk na fuste nën breshërimat e mitralozave, pëlcitjen e mortajave dhe gjëmimet e artilerisë së rëndë. Ishim  të sigurt që e kishte edhe planin se si të dilnim nga ky ferr. Dhe vetëm kur mbinte para nesh me nagantin në dorë, kalonte para, duke humbur nën tymin e luftës. Atëherë se si na e përshkonte trupin një rrymim i ngrohtë, faqet na digjnin.

   Derisa shumica u nisën kokulur drejtë shtëpive të tyre apo jataqeve ku do ta bënin natën apo javën, për t’u çmallur më të afërmit, me gratë, unë me një grup shokësh dredhuam rrugën dhe iu koptisëm bjeshkëve të rrëpinjta  e të larta që na prisnin kërcënueshëm. Asnjëri prej nesh nuk e bisedoi ku do të shkonim- por të gjithë sikur e dinim që më parë se Bjeshkët e Thata, do të ishin shtëpitë tona për një kohë të gjatë. Nuk na e merrte mendja të ktheheshim nëpër shtëpi. Na vinte turp, por edhe druanim.

   Në fund të këtyre bjeshkëve të zhveshura ishte Shpella e Qyqës. Kishim qenë edhe më herët nëpër këto bjeshkë, ndonjëherë nga zori a nga rrebeshet e shiut e patëm bërë natën në te, e njihnim çdo skutë të errët të kësaj ngrehine të nëndheshme që na ofronte nikoqirllëk e siguri në brendësinë e vet të lagësht e të errët, si të përbrendshmet e një kafshe të madhe prehistorike.

      Nuk lëngonim nga iluzionet, as në mendje nuk ia bënim vetës qefin se mund të bënim namin, edhe po të qemë më shumë. Mirëpo, u grumbulluam në këtë shpellë, ku e ndjenim sigurinë për njëfarë kohe, ndërsa qëndruam gati dhjetë muaj, nga fundi i prillit. Se si na vinte kur ndërdyheshim a të dorëzoheshim apo jo. Na dukej poshtërim, një ndjenjë pështirosje, megjithëse gati-gati qemë të sigurt se herët a vonë duhej të dorëzoheshim, por përpiqeshim që këtë gjë ta shtynim sa më shumë që të jetë e mundur, sa më gjatë të rrinim nëpër male, ku e dinim se do të hiqnim të zitë e ullirit, i druanim dimrit, ndërsa bjeshkët dimrit ishin tepër të ftohta dhe shumë jo dashamirëse.

    Dhe tash dimri qe në grahmat e fundit, por mbante shtrëngueshëm. Ende mendonim se të dorëzoheshim do të thoshte fundi i botës. Dhe nuk donim ta shihnim fundin, apo nuk donim të bëheshin dëshmitarë të fundit.

         rrëmbyer nga ndjenjat e larta, nga ato gulçe që na kishin entuziazmuar të shkonim në luftë dhe të rrezikonim, ndërsa me gjithë peripecitë, sakrificat dhe vuajtjet luftën e kishim humbur, heshtazi vendosëm të mos dorëzoheshim. Ende asnjëri nga ne nuk kishte krijuar ide të qartë çfarë kërkonim dhe si do t’ia bënim, ende truri ynë ishte krejtësisht në tym e në mjegull, ishim të frikësuar, nuk kishim bërë as ndonjë strategji si do ta përballonim dimrin, kur e dinim fare mirë që muaj të tërë do të na priste me armiqësi gati sa ajo e partizanëve, të cilët sigurisht pas një kohe kur ta kenë paqësuar vërrinë do të mësynin bjeshkët. Madje do të mësynin me njerëzit tanë të cilët do t’i nxirrnin në rreshtat e parë për siguri, por edhe për t’i flijuar pa dhimbje nëse ishte e nevojshme.

Megjithatë diçka duhej të bënim...     

 

 Trurin ma përshkonte skena e dhimbshme e vetëvrasjes së Kapiten Kolës,  skena me fanitej shpesh në ëndërr, me dilte parasysh edhe kur isha zhgjander. Më shokët e mbetur vendosëm që në atë acar që të thantë fytyrën e veshët e mbuluar me kapelë leshi të dhirtë, të hidhnim pushkët dhe të zbrisnim në verri. Të dilte ku të dilte, të bëhej çka e kishte ndër mend të bëhej, apo çka e kishte shkruar Zoti, më kështu nuk jetohej, ne nuk ishim kafshë. Do të vdisnim apo do të jetonim por kështu nuk do të vuanim.

      Një ditë më parë derisa ecnim gati si të ndërkryer, dy ujq që nuk ishin larg nesh na panë më vëmendje, por kur ne u mblodhëm grumbull që të mbroheshim apo të sulmonin, nuk dinim çfarë të bënim nga hutimi, të shtinim nuk donim, druanim se do të na dëgjonin armiqtë, ata u tërhoqën dhe na lëshuan rrugë... dukeshim më të çartur se sa ata. 

   Duke i bluar gjithë peripecitë nëpër të cilat kaluam, i përhumbur në mendimet e mia, mu bë se pash një lëvizje tutje në vërri. Lëvizja bëhej e ngadaltë e me qetësi të frikshme, asgjë nuk dëgjohej. U rrëqetha. Atëherë e pata të qartë që na bëhej rrethimi. Kolonat e heshtura njëshe ishin shumë. Dhe ashtu sikurse na kishin thënë gojë pas goje e fjalë pas fjale, në kolonat e para gati të shthurura pa rend ishin katundarët me veshje të bardhë, tirq e xhamadanë e herrkë të bardhë sipëri. Vetëm ndonjë shenj e zezë në trupë, shoka e zezë, apo gajtanët e zinj i dallonin në bardhësinë verbuese.

     Qetas i zgjova të tjerët, edhe më qetë u thash të bëheshin gati për marshim, duhej ta braktisnim Shpellën e Qyqës. Asnjëri nuk kundërshtoi. U veshën me nxitim, fërkuan fytyrën me grushte bore, u  grumbulluan në një këndë dhe u shtrënguam ta braktisnim vendin ku qëndruam gati dhjetë muaj. Në vend të dilnim ballazi, pra në daljen kryesore të shpellës, ashtu sikurse prisnin ata që e kishin organizuar rrethimin, ne dolëm nga hyrja e fshehtë anësore. U përshëndetëm për herë të fundit me njëri-tjetrin dhe u morëm vesh që secili të shkonte kah të mundte. E përsëritëm edhe një herë- nuk duhej të shtinim, as të provokonim përleshjen, duhej të shmangeshim dhe të kursenim katundarët. Dhe u zhdukem nëpër bardhësinë e borës.

     Nuk kaloi shumë kohë kur u dëgjua një breshëri mitralozi, plasi një mortajë, ndërsa ne ishim në anën e kundërt të krismave. Ia lëshova edhe një herë shikimin hapësirës së bardhë ku tashmë shiheshin kolonat e shthurura të katundarëve, ndërkaq disa qindra metra prapa tyre binin në sy ushtarët me uniforma ngjyrë ulliri që ishin ngulitur pas një shtrojere dhe shtinin kuturu pa i kursyer pararojat e tyre.

     Me kapi tmerri dhe u shtanga nga ajo që druaja gjatë gjithë kohës, me tingëlloi profetike këmbëngulja e kapitenit tonë:

” Hidhini armët, mos i provokoni kundërshtarët, shpërndahuni. Ata nuk do të kursejnë pastaj askënd”. Dhe ata  nuk kursenin askënd . Kur e hetuan që në Maje të Malit të Thatë nuk ka asnjëri, atëherë filluan të shtien në katundarët e shkretë që kinse i kishin vënë në ndjekje të kaçakëve. Isha krejtësisht i pafuqishëm të ndihmoja dhe s’ më  bënin këmbët të ecja. Shikoja me dylbi, ndërsa automatikun e shkurtër e mbaja kot krah qafe. Të tjerët tashmë ishin zhdukur....

     Bora skuqej nga gjaku i atyre që binin të hutuar, duke u përpjekur të ktheheshin dhe të shihnin andej nga nuk e prisnin vdekjen.

Mu bë që ne ishim shkaktarë të kësaj masakre jo ata që gjuanim pa mëshirë mbi ta. Duart me dridheshin dhe buzët me rridhnin gjak ngaqë i kafshoja me tërbim e pafuqi...

 

Shtator-  nëntor 2010



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora