E premte, 19.07.2024, 06:52 AM (GMT+1)

Editorial

Edita Kuçi Ukaj: Turbulencat nga ekstremizmi fetar

E hene, 04.07.2011, 08:04 PM


Turbulencat nga ekstremizmi fetar

 

Nga Edita Kuçi Ukaj

 

Shoqëria e Kosovës, e përcaktuar qysh kaherë për një orientim të patundur perëndimor, këto javët e fundit, u ndodh papritur në një turbulencë të përmasave shqetësuese. Sikur aeroplani i cili pret aterimin në destinacion, kur prekët nga re të rrezikshme, ashtu shoqëria kosovare e etur për t’u bërë si të gjitha shoqëritë perëndimore dhe për të qenë pjesë e tyre, ju nënshtrua një turbulencë. E gjithë kjo u përjetua me një shqetësim të madh. Me një ankth të  pashembullt, të cilin njeriu e vërente në fytyrat e njerëzve vullnetmirë.

 

Kërkesa e disa besimtarëve islam në Kosovë për një xhami ne qendër të Prishtinës dhe protesta të ashpra gjatë një të premte, për mendjet e shëndosha, duhet të  kthjellë mendjet e shëndosha.

Për një person të logjikshëm është e çuditshme që vetëm meshkuj të shihen që falën dhe bëjnë kërkesë për xhami. Çfarë domethënë kjo për botën tjetër të kësaj feje, për ato gra myslimane, fatin e të cilave e kanë në dorë të tjerët? Kjo pyetje duhet t'i shqetësojë të gjitha gratë. Madje, kjo është në kundërshtim me parimet demokratike dhe vlerat civilizuese që po ndërton Kosova.

 

Një tjetër çështje që është vërejtur qartë, ndërlidhet me shenjat e ekstremizmit të pastër fetar, shenja që e kanë kapë përpara islamin dhe Bashkësinë Islame në Kosovë.  Kjo duhet të shqetësojë çdo shqiptar të Kosovës që do një Kosovë me një të tashme të sigurtë dhe me një të ardhme të ndritshme.  Çdo femër, grua dhe nënë, fakti që këta besimtarë duken të frymëzuar nga bota arabe ekstremiste, duhet ta ndalojnë dhe të pyesin se ku janë ato femra, nëna, motra, gra të këtyre besimtarëve, për fatin e të cilave vendosin të tjerët? A nuk shqetësohen ato se çka mund të ndodh me të ardhmen e tyre. A nuk shqetësohen se të drejtat e tyre njerëzore mund të bien në një nivel shumë të ulët, ashtu siç ngjet sot anë e kënd botës arabe. A nuk frikohen nga ligjet e shiriatit ku gruaja vlen dhe është  vlerësuar vetëm si një zbejt në shoqëri. Ku familja shqiptare mund të shndërrohet në një familje me një burrë dhe shtatë gra? Ose vajzat t'i martojnë 11 vjeçare? Mua më së shumti me shqetëson fakti se femra shqiptare në këtë rast po tregohet shumë injorante dhe e pa arsimuar.

 

Megjithëse në Kosovë mungon ende kultura e respektimit të femrës, ose thënë më mirë nuk është e një niveli të kënaqshëm, me këto veprime kjo gjini rrezikohet të bëhet edhe shumë më e shtypur. Të gjithë jemi të barabartë, pa marrë parasysh racën, kombësinë, religjionet ose gjininë. Këtë duhet të gjithë ta respektojmë. Por, kur femra kosovare këtë nuk e respekton dhe e ndjen veten më të ulët se një mashkull, aty fillon problemi i shtypjes së femrës. Femra duhet ta respektojë vetveten pikësëpari dhe të mendojë të gjykojë, vlerësojë dhe shtrojë kërkesat e veta vetë dhe në bashkëpunim me mashkullin. Vetëm atëherë kur femra nuk lejon që një mashkull të kontrollojë mënyrën e jetës, mënyrën e të menduarit, mënyrën e të besuarit, atëherë është në rrugë të mbarë. Por askush nuk do të luftojë për të drejtat e femrës, nëse femra vetë pranon të sakrifikohet dhe nënshtrohet. Prandaj në betejën kundër të keqes, ajo duhet ta ngrejë zërin e arsyes dhe të luftojë kundër të keqes.

 

Beteja më e madhe i mbetet shtetit, që të marrë përgjegjësi dhe të tregojë ndershmëri ndaj këtyre dukurive të huaja që po e kërcënojnë të ardhmen e Kosovës perëndimore dhe kështu vetë shtetin tonë.



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora