Kulturë
Ilir Muharremi: Fenomeni i natyrës
E diele, 19.06.2011, 06:58 PM
Në Galerinë “Open art” u hap ekspozita personale e artistit Avni Pantina
Fenomeni i natyrës
Nga Dr. Ilir Muharremi
Fotografia lindi më 19 gusht 1839, ku Akademia Franceze e Shkencave njohu shpikësit e fotografisë që quheshin Nisefor Nipse dhe Lui Zhak Manuel Dager. Këta e përcaktuan fotografinë si një ndërthurje mekanike, kimike dhe optike. Me mekanike kuptohen pjesët metalike të aparatit fotografik, me kimike kuptohen solucionet zhvillues, fiksues. Shpikja e fotografisë u mbajt si mrekullia e shekullit të 19. Aristoteli si filozof grek theksonte :”Nëse hapim një vrimë të vogël në një mur në një mjedis të mbyllur do të vizatoje një pamje të një rrezatimi që futet në këtë vrimë. Procesi i parë i fotografisë ka qene me plan-filma të mëdha. Ky proces quhej "Dagerotipi" që do të thotë se fotografia nuk riprodhohet më shumë se një herë . Me pas kjo teknologji evoloi dhe avancoi në një teknologji te re qe u quajt "Kalotip". Leonardo da Vinçi në vitet 1452 deri në 1519 ndërtoi skematikisht dhomën e erret të aparatit fotografik. Mirëpo, po të analizohen thellë fotografitë e artistit të ri Avni Pantina, në planë të parë hasim befasisht në peizazhet lëvizëse të cilat krijojnë konfliktin mes qiellit, dhe tokës, duke reflektuar me ngacmimin estetikë. Krijuesi i ri është i vetëdijshëm për fenomenin e natyrës, dhe kthjellët ai i zë momentet më të veçanta të cilat gjithnjë janë në lëvizje. Frymën e lehtë e cila shkundë gjethet nga pemët, rretë të cilat mbulojnë diellin dhe japin një rrezatim mbi tokën, artisti në formë të planifikuar sikurse i ka renditur vetë format duke i ç’veshur deri në esencë. Perspektiva dhe kombinimi i ngjyrave natyrale zgjojnë atë kureshtjen e pikturës së thellë e cila vazhdimisht pushton mendjen dhe i ndërron vetë planet, por në esencë është vetëm një plan total i cili demaskon dimensionin e tretë - thellësinë. Ajo nuk preket me duar, por mendja bartet në vizionin dhe përmes estetikës na shpijnë në konfliktin. Peizazhet e autorit janë të zhurmshme, mjegulla e cila mbulon bjeshkët e pafajshme, pasqyron atë që të kaluarën nuk duhet mjegulluar, por kaltëruar dhe treguar ashtu si është në të vërtetë. Këtë e vërejmë në peizazhet që në plan të parë si protagonist kanë mjegullën, ndërsa në planë të dytë kullën, qëndrueshmërinë, stabilitetin, dhe historinë e kombit. Shqetësimin tjetër të brendshëm dhe të jashtëm, krijuesi e pasqyron përmes portreteve të fëmijëve. Ata na shikojnë, mendojnë, veprojnë, dhe shprehin lotët e hidhërimit, dhe të humbjes, të cilat zëvendësohen edhe me gëzimin, ndërgjegjja e tyre është e pastër, dhe mimika reflekton në formë të pafajshme, paqësore, mesazhi është paqësor dhe i bardh. Me një kombinim të fuqishëm, mes natyrës, dhe njeriut, autori përpiqet të tregoj se estetika ndodhet brenda dhe jashtë nesh, natyra na shërben ta zbulojmë vetën sepse ajo është pasqyra më reale, ajo nuk dijë të gënjejë, sikurse ata fëmijë që ndodhen në fotografi, natyra qanë, dhe sërish buzëqesh, krejt kjo i ngjan një rrethi që zbrazët dhe sërish duhet të mbushet, që të mund të vazhdohet më tej.