E hene, 29.04.2024, 11:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Profesori i shquar, Sami Repishti rrefen 14-muaj tortura në burgjet komuniste

E diele, 19.06.2011, 07:07 PM


Profesori i shquar rrefen 14-muaj tortura në burgjet komuniste

 

Arrestimi

 

Fol, shpirtin do ta nxjerrim!- më thanë.Unë insistova se nuk i njihsha përsonat e kërkuem. Ata banë sikur u zemëruan edhe më shumë. Njani vazhdoi të më rrahë më dru në kurriz, ndërsa dy të tjerët me këpucët e lustrueme, më dërrmuen mesin e më damtuen veshkat.Fillova me humbë ndjenjat, por akoma i ndiejsha dhimbjet.

I shtrimë në shesh me duer e më kambë të lidhuna, pashë një roje që hyri në dhomë. Pa folë fare preu me thikë pantollonat e mija. Para oficerëve ishin të zbulueme organet gjenitale.Nuk kuptojsha gja.Dy fije telefonike shternguen organet e mija para se të kisha mundësi me folë, nga një aparat telefonik doracak, korenti elektrik më tundi nga vendi.Tronditja e parë më krijoi një ndjenjë zjarri të brendshëm, shterngova dhambët që më kersitshin, sytë më nxirrnin xixa e muskujt e fytyrës u defromuen.

 

Nga Prof. Sami Repishti

 

Në mbasdrekën e 22 tetorit 1946 u arrestova në zyrën ku punojsha.Ma në fund rashë në kurthin e diktaturës. Shokët e zyrës u ngrinë në vend. Binte shi me rrëshekë. Rrugët ishin të zbrazta. Dy partizanë të armatasun me shoqnojshin drejt ndertesës së sigurimit të shtetit, skëterrës ku njerëzit vriteshin cdo ditë më dru dhe më plumb. Me pranga në duar fillova jetën time si i burgosun politik, kundërshtar i regjimit komunist në Shqipëri.

“Hapu ferri i pafund !”, thashë më vete, ”Mu në qëndër të zjarrit tand , me kambëngulje,  marshoj ! Në atë cast nuk e njihsha akoma rrugën e kalvarit që më priste…Në zyrën e “shefit” ku më la partizani, gjeta tre oficerë elegantë.Dukej që më pritshin. Shefi më bani tri pyetje për tre përsona, dy prej të cilëve ishin të panjohur për mue. Unë u përgjigja. Ai nuk më besoi. Nga tryeza ku rrinte hodhi me të gjithë fuqinë e krahut një zile metalike që e mori nga tryeza dhe ma kaloi pranë veshit të majtë. I pakënaqun, tue kërcënue me të gjitha llojet e torturës u afrue dhe më dha një shuplakë që më errësoi sytë. “Shpirtin do ta marr, qen bir qeni”, me tha,  “ose trego gjithcka dhe nuk të torturojmë!”

Fjala “torturë” me tronditi! Por shuplaka e parë duhet të jetë grushti ma i randë që lëndon dinjitetin e të burgosurit. Më dukej vetja i poshtnuem, pa mujt me u mbrojtë.

Në qelinë ku më hodhën kishte një dritë elektrike të varun në tavan, por asnjë dritore. Roja masi më lidhi shterngueshëm dyer e kambë, mbylli deren, fiku dritën, më hodhi një të shame të ndytë dhe u largue.Mbas pak minutash fillova me u ambientue me errësirën. Isha i lagun deri në palcë nga shiu dhe ftohtësia e qelisë me detyroi të tkurem sa më shumë. Shterngova dy krahët për trup më u ngrohë, hoqa këpucet plot ujë e fillova me levizë kambët e prangueme. Dridhesha pa pushim, pa mujtë me zanë vend. I këputun nga lodhja, i lagun e i uritun , u ula në cimenton e qelisë, me të dy këpucët nën vete.Dhëmbët kërcisnin pa pushim. Fërkojsha duert e lidhuna me hekura kuajsh e hukatesha, por pa dobi. “Nuk mund të vazhdoj pa ndërpremje kështu deri në mëngjes…”, mendova, “do të vdes!”

 

II

 

Rreth mesnatës filluen  të hapen dyert e disa qelive. Ndigjova britmat e rojeve të terbueme e kambet e të burgosurve, që vrapojshin si kuajt, pa asnji fjalë. Mandej u hap edhe dera ime: “Ngrehu, derr!”, më tha roja. Më zgjidhi prangat e kambëve dhe më urdhnoi me vrapue: “shpejt, shpejt, derr!”

Në zyrën e hetuesit gjeta tre oficerë sigurimi. Më pyeten si quhem. U përgjigja më za të ulët që dridhej nga të ftohtit e frika.

Me naivitetin tim, shpresojsha se informata e tyne ishin të gabueme. Doli e kunderta!Kjo ishte një taktikë që bante të mundur me fillue torturen që në takimin e parë   kundër “kokfortëve”.

Porsa dhashë përgjigjen, një breshën shuplakësh , grushtash dhe shkelmash, më dërmuen trupin. Në gjendjen time kjo batare mjaftoi. Rashë nga karrika në shesh si një lamsh.Gjoksi dhe kërcijt e kambëve ishin të ekspozueme për shkelma e përseri shkelma, që më jepshin sa njeni aq tjetri.Fillova më renkue, e sytë mu mbushën me lot.

“Nuk i njoh zoti kapiten”! -, tashë me një za lutës, “Ju betohem! Nuk i njoh .“

Ata qeshën. “Kemi fakte, prova, deshmitarë që ti i njeh mirë, e ke bashkëpunuar me ta.”

“E keni gabim !-përgjigjem unë ._Nuk i njoh !

Atëherë kapiteni, një shkurtabiq me trup muskuloz , mori një dru që mbante mbi tryezë, e filloi të më bjerë pa ndërprerje, sidomos në gjoks dhe në kofshë.Për cdo goditje hidhesha nga dhimbjet. U luta të më besojshin, se flitsha të vertetën, por asnjëni nuk përgjigjej. Më ngritën nga sheshi, zgjidhën litarin që më mbante të lidhun për karrike e më ulën përsëri në shesh.

-Fol, shpirtin do ta nxjerrim!- më thanë.

Unë insistova se nuk i njihsha përsonat e kërkuem. Ata banë sikur u zemëruan edhe më shumë. Njani vazhdoi të më rrahë më dru në kurriz, ndërsa dy të tjerët me këpucët e lustrueme, më dërrmuen mesin e më damtuen veshkat.Fillova me humbë ndjenjat, por akoma i ndiejsha dhimbjet.

I shtrimë në shesh me duer e më kambë të lidhuna, pashë një roje që hyri në dhomë. Pa folë fare preu me thikë pantollonat e mija. Para oficerëve ishin të zbulueme organet gjenitale.Nuk kuptojsha gja.Dy fije telefonike shternguen organet e mija para se të kisha mundësi me folë, nga një aparat telefonik doracak, korenti elektrik më tundi nga vendi.Tronditja e parë më krijoi një ndjenjë zjarri të brendshëm, shterngova dhambët që më kersitshin, sytë më nxirrnin xixa e muskujt e fytyrës u defromuen. Sa herë që vinte korenti shterngohesha më vete, e koka më ngrihej e mandej përplasej mbi dysheme, pa kontroll. Nuk fola ma, por lotët më rridhnin pa papushim.U duk se ata u lodhën. për nji minutë, i shtrimë në shesh, i lidhun me hekura kambë dhe duer, e me tela telefonike në organet gjenitale , rrobat e preme me thikë  e trupin e dërmuem, u përpoqa më kuptue gjenjen time. Në këtë kohë dera e zyrës u hap. Një burrë, që nuk e pashë se ishte takue më mue e zhvillue bisedime kundër pushtetit.Kur mbaroi i dhanë urdhër me u largue.

-E tani more i poshtër,  e kupton se kemi deshmitarë? I dimë të gjitha, por duem që ti të tregosh të vertetën. I zanun keq në një gjenje pa rrugëdalje, kuptova se asgja, as pranimi, as mohimi nuk do të më ndohmonte në këtë rast. Kuptova se taktika e tyre ishte me tronditë  të “akuzuarin” në mesnatën e parë me një dozë  të randë torture  me shpresën se nga efekti psikologjik  i tmerrit të pësuem , “viktima” do të dorëzohej, do të fillonte “rrefimin”,  ashtu si kërkojshin ata, e do bante procesin sipas planeve të tyre djallëzore.

“Zoti kapiten!”,   thashë  më një za që mezi dëgjohej  e me lot në sy nga dhimbjet e padurueshme, “nuk e njoh këtë njeri!”. Pa mbarue ende fjalinë një valë e re tërbimi u lëshue mbi mue. Pra syve gjysëm të mbullun, më delte trupi i oficerit që më rrihte  papushim, si një hije e paformë që dridhej, e që në gjendjen e turbullt nga dhimbjet më dukej si një pemë që lëkundej, jo nga era, por nga një forcë e padukshme që nga rrahja deri në majat e dëgëve.Nuk kishte mbetë një gisht vend në trupin tim, që nuk u godit më dru, ose me shkelm. Më në fund humba ndjenjat…

Kur u zgjova, kuptova se isha në qeli. Pranë meje dallova dicka në platfromë. Ishte racioni i bukës, që roja kishte hedhë nga dritarja e vogël me kapak e qelisë. Ishte ditë. Kur roja urdhënoi të ngrihem me krye nevojat biologjike, i thashë se nuk mundem me levizë. Pa kontroll mbi trupin tim kisha urinue në qelinë që qelbej fare.

Me veshtiresi u ngrita, aq sa të mbeshtetem për muri. Cdo qelizë e trupit ishte një dhimbje fizike e padurueshme.Shikova rreth e rrotull në errësirë, e pashë një kuti teneqeje që të burgosunit e perdornin për nevojat përsonale. Pa shpresë, pa ushqim, me rroba të laguna dhe të preme me thikë, i dërmuem prej të ftohtit, urisë e torturës, nuk besojsha në ndryshimin e madh që kisha pësue brenda një nate.

Më kapi frika se pas gjithë këtyne kësaj torture të gjatë e të randë do të përfundojsha në vdekje, vetëm dhe  i harruem. Isha i ri, shumë i ri. Kjo ide banale me tmerroi.

… Kur u kthye kapiteni ishte i zymtë. Nuk foli fare, qarkullonte me nervozitet nëpër dhomë, pastaj thirri rojën.

-Partizan !

-Urdhëro !

-“Merre këtë qen dhe vare përjashta në pemë…”

Me dyer të lidhuna shterngueshëm, i mbajtun përkrahu nga roja, dola përjashta.Tyj zbritë shkallët, nuk i besova veshët e mij. Pse u ndeshkojsah pa thanë ansjë fjalë ?

Në katëin përdhes një derë conte në oborrin e ndertesës, ku gjindeshin tri pemë të një lartësie mesatare. Njëra prej tyre ishte “pjeshka”.Roja thirri “tetarin e rojës.” e të dy sëbashku, mbasi më hoqën rrobat e trupit, tuj më lanë vetëm me brekë më lidhën me litarë në të dy shpatullat, e më ngritën në ajr, dërisa kaluan litarin mbi njanën nga degët e pjeshkës dhe e forcuen.Kisha përshtypjen e cuditshme se po ngrihesha në kryq.Atëherë më zgjidhën duert nga para e m’i lidhën përseri nga mbrapa. Kur mbaruen këtë operacion më leshuen dhe unë mbeta pezull, i varun disa centimera mbi tokë.Pesha e randë e trupit,  e litari i ashpër me shkaktuen një dhimbje që nuk e durova, e thirra me za të lartë: “Vdiqa, vdiqa !” “ Pusho derr !”, bërtiti roja me automatik. “Pusho se do të dermoj në dru.!”

Unë nuk pushova thirrjet derisa filluen të më merren mendtë.Dhimbja ishte aq e fortë sa më cmendi. Për fatin e keq filloi një shi i randë që zgjati disa orë në atë natë dhjetori. Duhet të kem humbur ndjenjat më shumë se një herë, sepse zgjohesha vazhimisht nga dhimbja e madhe.

…Kur mora vetën isha në dyshemenë e qelisë time, i shtrimë dhe pa levizje.Kisha akoma duert dhe kambët e lidhuna me zinxhirë.Po dhimbja që me cmendte, prej dy sqetullave të rjepuna nga litari. U përpoqa me leviz krahet por nuk munda, dhimbja ishte një torturë e vertetë.

 

Për rreth meje nga cdo qeli vinte zani i të burgosurve të torturuem me ashpërsi nga oficerët e sigurimit të shtetit. Fshamja e dënesa e të rrahurve për vdekje ose të lanun pa ushqim dhe pa ujë për ditë me radhë e në pamundësi me krye nevojat biologjike, nuk pushojshin gjithë ditën dhe gjithë natën.

 

Të nesërmen dhe për  katërmbëdhjetë  muej vazhduen “hetimet”,  një metaforë për torturat e përpjekjet e sigurimit me ba një proces  ashtu sic deshirojshin ata.Qellimi i tyre kryesor nuk ishte e verteta, por procesi. Me procese të detyrueshme nga torturat, e të kombinueme me plotësue planet e tyne, sigurimi i shtetit do të nxirrte para publikut një “organizatë armike”, të zbulueme nga “vigjelenca e popullit dhe partisë.”

 

*Fragmenti është marrë nga libri “Nën hijen e Rozafës”, narrativë e jetueme.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora