Kulturë
Murat Gecaj: Kur ke se çfarë tregon, në një 60-vjetor...
E premte, 17.06.2011, 08:05 PM
KUR KE SE ÇFARË TREGON, NË NJË 60-VJETOR…
(Tungjatëjeta, poeti i talentuar, Gjon Neçaj!)
Nga Prof. Murat Gecaj
Publicist e studiues-Tiranë
Ndoshta, krejt rastësisht i kam mbajtur “peng” kaq kohë 3 libra të rinj të kolegut e mikut tim të mirë, Gjon Neçaj, bashkëkrahinas i prejardhjes sime, Nikaj Mërtur i Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Lexuesit e faqeve tw Interntetit, por dhe të tjerë dashamirë të fjalës së shkruar, përmes shtypit, e kanë vërejtur se ai krijon e krijon, pandërprerje. Herë zgjedh temë të tij natyrën e bukur dhe traditat atdhetare të krahinës, por dhe shprehë mendime për autorë krijues në fushat e letërsisë, shkencës, publicistikës etj. Veç, gjithnjë i saktë, i frymëzuar e dashamir ndaj cilitdo. Atë nuk e ka penguar, në këtë udhë, as fakti që nuk ka studiuar për gjuhë-letërsi shqipe. Bile, mundet, dega e ekonomisë, të cilës i është përkushtuar, e ka bërë atë të jetë përherë korrekt, i saktë, si numrat matematikorë.
Në këto pak radhë, nuk dua që të bëj jetëshkrimin e Gjonit, as të studimeve e punës së përditëshme dhe as të rendis librat e tij të bukur, që u ka dhuruar lexuesve. Mjafton të themi se kjo shifër po i afrohet 10-ës. Ndërsa dëshiroj të nënvizoj se ai është një ndër praktikuesit më të aftë e më të njohur të vargut-haiku, në poezinë e sotme te ne. Duke u ndalur përciptazi në tre librat, që ai m’i dhuroi, me shënimet e tij aq të ngrohta, po tregoj diçka për përmbajtjen e tyre.
1.-“Hëna pikon mbi Alpet e mia”.
Besoj, nuk ka shumë nevojë për komente të këtij titulli kaq të frymëzuar e domethënës. I lindur e i rritur në gjirin përrallor të Alpeve kreshnikë të Shqipërisë, ku jetojnë zanat e shtojzovallet dhe ku e kanë burimin këngët e kreshnikëve, të rapsdodive të Mujit e Halilit, Gjon Neçaj e ka derdhur tërë talentin e tij të spikatur që t’i përshkruajë ato bukuri të pashoqe, ndër më të rrallat në botë. Mjafton të lexosh poezitë me titujt shprehës: “Pranverë në bjeshkët e mia”, “Malli i fëmijërisë”, “Kulla ime”, “Pi e pi e s’ngopem”, “Mserrit-Fshatit tim”, “Në stan”, “Lirikë baritore”, Putiro” etj. Ndësa te vjersha “Vendlindja”, shkruar në muajin, kur ai erdhi në jetë, shprehet:
Dielli i qershorit shkrim larat e borës,
shpatijeve nga Kakija;
në luginë bie mbrëmja,
Yjet vijnë mysafirë në shtëpitë bujare…
2.-“Ju, që më shihni çdo ditë”.
Ky libër me poezi dhe me një kopertinë të bukur, është i ndarë në tri cikle. I pari, mban titullin “Etje…”. Nisja është bërë me poezinë kushtuar njerëzve më të dashur në jetë, prindërve. Natyrshëm, kur i kërkon ata me mall të pashuar, nëpër kullën e tij, autori i mbyllë kështu vargjet:
Qerpiku im,
I njomë, i përlotur…
Më tej, shkuan vargje malli për këngëtaren Fatime Sokoli, kujton shkrimtarin Martin Camaj dhe preket në shpirt, “kur këndojnë çikat” e:
Pleqtë dëgjojnë,
e u qeshin mustaqet!
Në ciklin e dytë, “Viti i ikjeve”, Gjon Neçaj ua kushton vargjet e tij disa figurave të njohura, në letërsi e shkencë, që janë ndarë nga jeta: Dh.Shuteriqi, R.Shvarc e S.Andoni dhe 15 gjimnazistëve të Malishevës, që e mbyllën tragjikisht jetën e tyre të re, në një aksident automobilistik. Më tej, autori përsëri u kthehet bukurive të vendlindjes dhe shkruan për “Baladën e çikave”, për mrizat shekullorë në Alpe etj.
Në ciklin e poezive-haiku (kushtuar M.Kallupit) të tërheqin vëmendjen disa prej tyre, me brendinë e bukur dhe domethënjen. Ato u kushtohen vendlindjes, prindërve, kujtimeve të shkuara etj. Ja, një nga ato:
Çibuku i tim eti ende nxjerr tym,
pranë oxhakut në kullën e vjetër:
Vizioni im i fëmijërisë…
3.-“Sinus”
Në këtë libër janë përmbledhur 54 poezi, të përkthyera edhe në italisht, anglisht e greqisht. Ato ndahen në ciklet: “Unë, Robinson i vetmuar mbeta!”, “Lirika në mote” e ”Çburrërim i vonë”.
Meqenëse paraqet interes titulli i librit, marrë nga poezia fillestare e tij, po e shënoj më poshtë:
Nuk është ndonjë formulë shkencore,
as pritje për të vazhduar studimet im bir;
Me sinuse ka rrjedhur shekujve Galaktika e Jetës,
derisa një ditë u zhduk shkrimi hënor!
…Në këtë shkrim-urim për mikun e kolegun tonë, Gjon Neçaj, në 60-vjetorin e ditëlindjes së tij, që e ka pikërisht sot, mund të flisnim më gjatë për këta libra dhe disa të tjerë, që ai ka publikuar ose që ka në dorëshkrim. Me këtë rast, i urojmë atij nga zemra: Shëndet të plotë e jetë të gjatë, sa të dëshirojë vetë; arritje të frytshme në punë e krijimtari dhe lumturi më familjen e tij!