Kulturë
Blerim Rrecaj: Ecje nëpër qytet
E enjte, 16.06.2011, 07:21 PM
Ecje nëpër qytet
Nga Blerim Rrecaj
…Duke ecur ndodhem para një stacioni të trafikut urban. Një grua e cila është duke pritur i kërkon njërit që hedh hapa para meje 40 centë për biletë autobusi. Pasi që qytetari i dhuron ndihmë duke i dhuruar para e duke ndjerë keqardhje vazhdon rrugën dhe gruaja e uron e të lutet për të me zemër. Vazhdoj rrugën. E ndodhem para tendës së luftëtarëve grevistë. Sapo mbërrij aty mbërrin autoambulanca dhe fillimisht një mjeke dhe një mjek mantelbardhë iu vihen në ndihmë dy luftëtarëve në njërën nga tendat. Iu japin dhe nga një injeksion dhe shkruajnë dhe receta barnash. Këso barnash nuk kemi thotë mjekja me keqardhje, ju mbetet juve t’i bleni. Sipas mjekes njërit nga ta tensioni i kishte shkuar vërtet lart. Shokët që i ka pranë e ngushëllojnë. Ai që ka luftuar me Tahir Sinanin nuk dorëzohet kaq lehtë thotë dikush. Autoambulanca largohet. Mjekët marrin falënderimet nga luftëtarët pasi që bëjnë vizita dhe në tendat tjera dhe largohen. Dhimbje dhe keqardhje vërehen edhe te dy policët e uniformuar që largohen pas pak edhe ata. “Ah Hashim, Hashim ti me klimë në zyre të qeverisë, e ne të shtrirë e në këtë gjendje…” thotë njëri nga luftëtarët duke mbajtur pambukun në damarin ku mjekja ia dha gjilpërën. Më pas vështrimet hidhen te ndërtesa e qeverisë ku zbresin qeveritarë shkallëve ku bijen në sy kostumet e shtenjta e elegante bile bile edhe duke kthyer frizurat me një lloj kapadillëku. E çdo fjalë bëhet e tepërt. Largohem edhe unë duke lënë dhe marrë përshëndetje. Para Ministrisë së Kulturës dy tabela të qarkullimit rrugor me mbishkrimin Kujdes xhepat! Ministria afër!, kur kthehem në shtëpi njoftohem se ky ishte një aksion simbolik i Lëvizjes Vetëvendosje! Edhe kjo ecje sikur dëshmon për përballjen e pashmangshme dhe të domosdoshme kundër tir-h(a-j)nisë…