Kulturë
Dhimiter Pojanaku: Para dalldie
E premte, 17.06.2011, 07:54 PM
Dhimiter Pojanaku
- çeles per antologji poetike -
Të qemtosh nëpër brezat e poetëve e të përpiqesh t`i sjellësh lexuesit ajkën e tyre,ështe njësoj si të zhytesh deteve dhe të rrëmbesh perlën më të rrallë.
Kerkohet jo vetem durim,shije te hollë por edhe mënçuri. Them mënçuri sepse duhet te mbytesh dyshimin : a kam vecuar më të mirën ?! Mos mes poetëve që kane shkuar dhe atyre në gjallje , kam harruar ata që s`duhet të harroja dhe kam renditur ata që s`duhet t`i rendisja ?!
Eshte një pikpyetje e pazgjidhur kurrë për hartuesit e antologjive,ndaj vec mënçurisë,duhet edhe guxim,duhet të përballesh edhe me “revoltën” e atyre qe nuk janë më,sepse atyre ne gjallje mund t`u thuash thjesht, “ kjo me pëlqen dhe,kaq!”,ndonse edhe nje përgigje si kjo,shpëtimtare ne çast,në një kohë tjetër mund të të duket e gabuar dhe, mund të të brejë gjithnjë,ngadalë…
Brejtja mund të vijë edhe sepse,nga një dobësi e çastit per një poet, ky I fundit,pasi është renditur mes më të mirëve ,do fillojë të verë ne dyshim edhe talentin e gjenive,do vetëthurrë kurora lavdie. Do perpije I babezitur gazeta,ekrane televizive,do vetembarset me famen ne menyren me te shemtuar...
Por ç`ti bësh jetës,ajo është aq dorëlëshuar nganjëherë,saqë kur vëren se iks njeri nuk rron dot pa iks delir,I sjell një gënjeshtër për të vërtetë dhe , e ngazëllen deri ne fund!
Me duket se përmenda diku fjalen hartues apo përmbledhës I antologjive poetike.
Mendoj se kam gabuar keq!
Te futesh mes mijëra vargjeve,të thithësh nektarin me sqimë, e të veçosh një poezi,do të thotë të të krisë diçka brenda vetes e shpirti të të tingëllojë,do të thotë të jetosh me botën e poetit ,të dëgjosh zërin e tij,të thënat e të pathënat,sekretet.Pra autoret e antologjive poetike nuk mund të jenë thjesht përmbledhës,hartues,ata janë dhe duhet të jenë krijues te vërtetë!
Nuk di se kur dhe ku kam lexuar për herë të parë një antologji poetike.
Më kujtohet si në smog nje almanak me poezitë e pogradecareve andej nga vitet e gjimnazit. Ahere as qe behej fjale per shtepi botuese ne Pogradec madje edhe ne Tiranë ishte një e vetme,si oaz në shkretëtirë. Alamanku ish punuar në mënyrë artizanale, ish derdhur ne lidhje aq dashuri e kujdes sa edhe sot më bën nostalgjik.
Kam pasur dikur mendimin se antologjite poetike I ngjanin një hoteli malor ,izoluar krejt papritur nga dimri ,ku pushuesit per shkak te moslëvizjes, ishin te detyruar te rrinin pranë njëri tjetrit,madje të shkrihej edhe ndonjë zënkë apo ngrirje e mëparshme,madje te niste ndonje dashuriçke nga ato qe do mbanin gjalle sallonet e cajit.
Ky mendim më është zbehur me kohë.
Në antologji vijnë zëra nga mosha të ndryshme poetësh,ata renditen fletë pas flete ,thua janë ulur diku të shohin një film dhe rastësisht u kane qëlluar karriget afër,apo po fluturojnë me chartëer drejt qiellit të shtatë. Janë afër njëri tjetrit, kapriçiozë e tekanjozë, delirantë e modestë,megjithëse modeste zor të gjeni,sepse për poetët pak mungesë deliri, do ishte si një fund pa fillim, do ish nje pus pergjithnje I mbyllur…
Nëpër antologji ju mund të shihni,tjetër është a do shijoni, se ku është poezia ne nje etapë të caktuar, është në ngjitje apo jo, ç`të pathëna ka thënë,çfarë pritet të thotë?!
Do ketë zëra që mund të thonë se ky gjykim nuk mund të bëhet me dy a tri poezi.por autorët e antologjive kanë përgatitur me kohë armën e denjë te kunderpërgjigjes. Vërtët jane dy a tri poezi për çdo poet, por poezitë jane perzgjedhur me aq mund e dashuri, sa lexuesi mund të shohë lehtesisht edhe pejzat më të holla të shpirtit poetik të çdo poeti, të shohe ngjyrat ne telajot e gjithsejcilit,tingujt që le pas harpa e gjithë sejcilit,universin e kombit te cdo poeti ne kohen e gjalljes se vet.
S`më ndahet pandehma se krijuesit e antologjive poetike para se t`I hynin kësaj dalldie,kane jetuar shkretëtirave të mbytyra në diell me pasionin e çmëndur për t`u sjellë njerëzve më të dashur një grusht nga grimcat më përdëllonjëse.Para se t`I hynin kësaj dalldie janë rrokullisur lëndinave të marsit,kanë shqyer sy e veshë për të mbledhur një dorë me fijet më të gjelbra të barit,më fëshfëritëse…kane jetuar me antikuarë të çmuar ,u kanë fshirë pluhurin e harresës,I kanë ringjallur me dlirësi shpirtërore,
Kane gjurmuar dimrave belbezimet e ujrave nen debore dhe I kane yshtyr me revan drejt ultesirave…
Kështu duhet të ketë qënë!Nuk ka shpjegim tjetër!