E diele, 10.11.2024, 07:41 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Jo më frikë nga plakja!

E premte, 01.02.2008, 11:28 PM


Meshkujt janë të fiksuar pas rinisë, po aq sa edhe femrat. Mendoni për pak çaste për Juan Ponce de Leon – pushtuesin e famshëm spanjoll, i cili shpenzoi vite të tëra të jetës duke kërkuar Burimin e Rinisë. Lajme të këqija na vijnë për Ponce-in: ky burim nuk ekziston. Por ka disa gjëra që mund të bëni për të ngadalësuar plakjen. Nuk janë aq magjepsëse si Burimi mitik apo Kupa e Artë, por kanë provuar se ju bëjnë të dukeni dhe të ndiheni më i ri për një kohë të gjatë.
 
Hani fruta dhe perime

Rrëshqisni perime në ezofagun tuaj dhe gëlltitni frutat më të mira që mundeni. Frutat dhe perimet janë burimi më i mirë i antioksidantëve, ilaçi më i mirë për rininë nga mrekullia e natyrës. Studime të kohëve të fundit kanë treguar se përbërësit e gjetur te perimet mund të ngadalësojnë plakjen e trurit. Në vitin 2006, shkencëtarët në Akademinë Amerikane të Neurologjisë kanë zbuluar se njerëzit të cilët hanë perime çdo ditë, përjetojnë më pak ulje të ritmit mendor me kalimin e moshës. Perimet me gjethe të gjelbra, si: spinaqi, rrepa dhe lakra, kanë treguar se kanë efektin më të madh. Fatkeqësisht, frutat nuk kanë të njëjtën fuqi. Megjithatë, frutat janë të pajisura me antioksidantë, të cilat neutralizojnë oksidantët (mbetje natyrale tejet reaguese, të cilat dëmtojnë qelizat dhe ADN-në). Reduktoni dëmet e oksidantëve dhe do të ndiheni më i ri për një kohë më të gjatë. Përveç kësaj, vitamina C, që është e pranishme në shumë fruta, rrit prodhimin e kolagjenit dhe forcon kapilarët e gjakut.

Sugjerim: hani fruta dhe perime, të paktën pesë herë në ditë.

Ushtrohuni

Ushtrimet e rregullta është një nga mënyrat më të mira për të qëndruar i ri. Studimet kanë treguar se njerëzit të cilët kryejnë rregullisht ushtrime, e ruajnë rininë në sistemin kardiovaskular dhe janë më energjikë. Vriteni rutinën duke ushtruar me biçikletë nëpër rrugë, të paktën për tri herë në javë. Bëjeni zemrën të rrahë në 90% të shpejtësisë saj maksimale për 15 deri 60 minuta. Nëse nuk mundeni me këto ritme, bëni një shëtitje më këmbë. Të ecurit për 30 minuta në ditë mund t’i shtojë vite jetës suaj. Nëse keni pishinë, përdoreni.

Noti është ushtrim i mirë aerobik dhe gjithashtu ndihmon në fleksibilitetin dhe fuqinë e muskujve.

Ngrini pesha

Mbani muskujt të fortë dhe do të shmangni shumë nga dhembjet dhe sëmundjet karakteristike të moshës së vjetër, si dhembjet e shpinës dhe të ijëve - dhe do të keni kocka më të forta. Shtangat e hekurta, gjithashtu rrisin nivelin testosteronit, çka mund ta bëjë çdo burrë të ndjehet si adoleshent. Doni më prova? Shkencëtarët për kërkimet mbi moshën në Institutin Buck, kanë vendosur një grup njerëzish të moshuar (mosha mesatare 70 vjeç) në një program të moderuar për trajnimin e fuqive. Ata zbuluan se indet e muskujve të njerëzve të moshuar dukeshin më shumë si të një 22 vjeçari nën mikroskop - madje edhe në nivelin gjenetik. Gjurmët digjitale gjenetike të pjesëmarrësve të moshuar u këmbyen me ato të të rinjve – jo krejtësisht, por mjaftueshëm për të thënë se profili i tyre gjenetik ishte më shumë i ngjashëm me atë të të rinjve se sa me atë të të moshuarve.

Kështu që bashkojuni palestrës – në fakt do ishte mirë nëse e bëni menjëherë.

Shmangni diellin

E keni parasysh se si ngjan rrushi kur lihet në diell për një kohë të gjatë. Nëse nuk doni të përfundoni duke ngjarë si stafidhe, qëndroni larg diellit. Që do të thotë: jo banja dielli, mbani kapele dhe përdorni krem mbrojtës. Rrezet e diellit kanë treguar se dëmtojnë ADN-në dhe shpejtojnë plakjen e qelizave. Në fakt, studimet kanë provuar se dielli është një nga shkaktarët kryesorë të plakjes (dhe për më tepër të rrudhave). Gjeni një krem që bllokon rrezet ultravjollcë (UVA dhe UVB) dhe një tjetër për ta mbajtur lëkurën të hidratuar.

Dhe mbani mend: rrezet e diellit janë të forta mes orës 11:00 deri në 14:00

Nëse bëni më shumë seks, mund të keni gjetur metodën më të mirë për të ngadalësuar plakjen...

Pushoni

Stresi mund t’ju dëmtojë rëndë dhe t’ju plakë shpejt. Vetëm shihni se çfarë u bën politikanëve (në të gjithë botën e kemi fjalën): katër vjet në pushtet është e barabartë me 20 vjet jetë normale. Studime të kohëve të fundit kanë treguar se stresi dhe reagimi i trupit ndaj stresit, mund ta përshpejtojnë në një masë të madhe plakjen. Shkencëtarët në Universitetin e San Franciskos kohët e fundit kanë parë efektet e stresit në plakje në nivelin qelizor. Ata kanë vëzhguar qelizat e nënave të reja, të cilat janë nën stres kronik dhe kanë zbuluar se ato tregojnë rreth 10 vjet më tepër plakje në nivel qelizor. Në të kundërt, mamatë pa stres nuk i kishin pasur këto efekte të plakjes.

Mësoni si të përballoni stresin edhe nëse duhet të këshilloheni me ndonjë specialist - mund t’i shtoni vite jetës suaj.

Bëni seks

Seksi çliron sasi endorfine, - ilaçi i prodhuar nga vetë trupi që lufton stresin. Studimi ka zbuluar se njerëzit që bëjnë seks më shpesh jetojnë edhe më gjatë. Shkencëtarët në departamentin e Mjekësisë Sociale, në Universitetin e Bristolit (SHBA), kanë zbuluar se burrat që kanë më shumë se 100 orgazma në vit kanë 50% më pak mundësi për vdekshmëri se sa ata që nuk kanë kaq orgazma. Është fare e qartë, apo jo?

Bëni më shumë seks dhe jetoni më gjatë.

Qeshni

Një qeshje e fortë mund ta kthejë me të vërtetë plakjen përmbys. Studimet kanë treguar se ata që kanë sens të mirë humori, mbesin të rinj për një kohë më të gjatë. Kur njerëzit qeshin, qelizat që vrasin tumoret rrisin numrin e tyre në qarkullimin e gjakut. Ashtu siç bën edhe Gamma-Interferoni (proteina që lufton sëmundjet) dhe qelizat-T (qelizat imunitare). Por nuk është kjo e gjitha. Shkencëtarët në Universitetin e Maryland-it (SHBA), kanë vëzhguar 300 njerëz të moshuar, gjysma e të cilëve kishin pasur probleme me zemrën dhe kishin vuajtur nga një lloj shqetësimi kardiovaskular. Pjesëmarrësit me zemër të shëndetshme kishin humor më të mirë se sa ata që kishin pasur shqetësime të zemrës. Njerëzit me sëmundje të zemrës përgjigjen më pak me humor në situatat që shfaqen në jetën e përditshme. Gjithashtu shkencëtarët sugjerojnë se ky grup qesh më pak dhe e shpreh zemërimin dhe armiqësinë më ashpër.

Shkoni në ndonjë videotekë dhe merrni me qira një komedi të bukur - do ju shpëtonte jetën.

Hiqni dorë nga duhani dhe alkooli

Të hiqni dorë nga këto vese është mënyra më e mirë për të zgjatur jetën. Gjithashtu, është një nga gjërat më të vështira për të bërë. Të largosh një zakon të tmerrshëm nikotine është gjëja më e vështirë që mund të bëni ndonjëherë, sepse ndoshta është droga me varësinë më të lartë që qarkullon. Dhe, me t’u pleksur me të, ndoshta nuk do arrini të dilni kurrë. Cigaret mund të thithin vite nga jeta juaj –një mesatare që mund të marrë nga pesë deri dhjetë vjet nëse jeni duhanpirës i rregullt. Kjo pa përfshirë ndërlikime të tjera si kanceri i mëlçisë. Dhe konsumimi i alkoolit është e njëjta gjë. Konsumi i alkoolit në mënyrë të tepruar mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Një tjetër rrezik është se alkooli mund të maskojë dhembjen që paralajmëron sëmundjet e zemrës. Rrit gjithashtu presionin e gjakut dhe rrezikun e diabetit. Megjithatë ajo thënia “Një pije në ditë të bën mirë”, duket se vlen ende.

Shkencëtarët rrëfejnë se një gotë verë në ditë ndihmon në shëndetin e zemrës.

Trajtojeni trupin si një tempull

Nuk keni pse të bëni një jetë të mërzitshme për të jetuar më gjatë. Kujdesuni për veten dhe kini parasysh të jeni i matur në gjithçka që bëni. Hani gjërat e mira, por mos e teproni. Ushtrohuni çdo ditë, por mos e lëndoni veten.

Dhe merreni çdo gjë me filozofi. Disa ditë pushimi sipas modës së vjetër mund të bëjnë mrekulli.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora