E diele, 28.04.2024, 10:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Afrim A. Rexhepi: Logjika e objektivitetit estetik / dekonstruksioni i figurës

E shtune, 21.05.2011, 07:57 PM


Logjika e objektivitetit  estetik / dekonstruksioni i figurës

      

(pragmatizëm teorik, romani Pashallëqet e mëdha nga Ismail Kadare)

 

Nga Prof. Dr. Afrim A. Rexhepi – ligjërues i Estetikës

 

Gjuha është bota - pikvështrimi, përcakton Ludvig Vitgenshtajn. Bota e tekstit është tërësi - proporcionalitet i formës dhe përmbajtjes. Përcaktojmë formë dhe përmbajtje në unitetin e qenësisë estetike. Jo vetëm “percepsion i pastër shqisor (përcaktim i Kantit) por edhe të kuptuarit”. Në një pikturë të Pikasos, perceptojmë figurën e gjelit përmes zërit të tij grotesk, perceptojmë “të fshehtën estetike dhe esencialen”. Sikur sqaronte Hajdegeri, “pantenoni grek” krijon hapësirë të hapur ekzistenciale, dikush mund të pozicionohet në dritën e ndritësimit. Leksema ndritësim, ka kuptimin e vetëtëkuptuarit. Leksema e vetëtëkuptuarit ka kuptimin e të qenurit të vetëdijshëm për objektivitetin estetik. E bukura është objektivitet estetik. E bukura është formë e objektivitetit estetik. Objekti estetik është krijim që ruan dhe manifeston objektivitetin estetik. Objekti estetik është në kërkim të objektivitetit estetik. Objektiviteti estetik është objektiviteti i objektivitetit. Sigurisht që nuk gjykojmë vetëm përmes bindjeve estetike të Hajdegerit, i cili pjesërisht devijon në analizën e poezisë së Helderlinit, sepse kontakti me objektin estetik nuk është vetëm kontakt me objektivitetin estetik por edhe percepsion. Të perceptohet figura e objektit estetik Mendimtari i Rodenit, është i patjetërsueshëm proporcioni midis intelegjencës emocionale dhe racios. Estetika idealiste e Hegelit,

“objektivitetin estetik e ngrit në transhcendencë, në botën e shpirtit apsolut”. (Hegel; 94)

Sipas Hegelit, e bukura dhe e vërteta nuk janë identike, por si instancë më të lartë që konstituton të bukurën, konsideron objektivitetin estetik. Është tejet provokativ përcaktimi i Hajdegerit për objektivitetin estetik. Parimore për të është të përcaktohet “esenca e artit” si esencë që i jep kuptim të vërtetës,

“apo esenca e artit është vetëvendosja e të vërtetës në vepër”, (Heidegger, 1959; 25)

e cila nuk është subjektive, por ndodhi e objektivizuar, “e vërtetë e objektivizuar” (përcaktim i Gadamerit). Në pikturën Këpucët të Van Gogut, Hajdegeri zbulon kategoritë Toka dhe Bota. Në planin e parë të pikturës, këpucët janë Toka gjegjësisht materiali, lëkura, lidhëzet. Plani i dytë është Bota, në të cilën këpucët kalojnë në figurë – simbol. Kalimi nga Toka në Botë, nga kaosi në kosmos, përcakton objektivitetin estetik të pikturës.

            Përfaqësuesi i estetikës hermeneutike Gadameri, dhe paradigma e dekonstruksionit me impulse të estetikës postmoderne Adorno, janë të bindur se arti është rinjohje e realitetit objektiv, respektivisht arti ka funksion gnoseologjik. Gadameri definon,

“Arti është rinjohje dhe përvoja e veprës artistike, sugjeron pjesëmarrje në njohje”. (Gadamer, 1988; 15)

Kate Hamburgeri mban qëndrimin, që procesi i fiksionalizimit historik të një romani të caktuar e bën atë johistorik. Objektiviteti për të, nuk mund të jetë kategori estetike derisa nuk e përcakton si objektivitet estetik. Ka të drejtë kur definon,

“bindja estetike e një romani historik, pjesërisht është e pavarur nga faktografia historike”. (Hamburger; 88)

Në pikturën Këpucët të Van Gogut, perceptojmë të vërtetën. Qenia për vete nuk hapet vetëm si qenie për ne siç do të thoshte Hajdegeri, por edhe si qenie në ne dhe për ne. Piktura është demonstrim i interpretimit plural të objektivitetit estetik. Paradigma receptive do të ishte: këpucë fshati (Hajdegeri), këpucë qyteti (Shapiro). Nga mënyrë e vetme ekzistenciale, objekti estetik nuk përbëhet vetëm prej një lënde që krijohen përmes aktit të percepsionit. Ajo që intrigon është interpretimi dekonstruktiv i Deridasë që bën restituimin e të vërtetës në pikturë. Pragma e tij e dekonstruksionit të figurës ështe thënia, “sa më shumë vështroj pikturën, aq më shumë konstatoj që këpucët nuk janë çift / dallohen”. (Derrida, 1988; 382) Në fakt logjika dekonstruksioniste nuk e zhbën por e ripozicionon figurën në pikturë, e ribën / e dekonstrukton atë.

            Si zhanër dinamik letrar, romani është kreacion i gjuhës. Gjuha është bota. Gjuha e romanit është bota e gjasave, bota mimezis. Në romanin Pashallëqet e mëdha të Ismail Kadaresë, nga instanca e narratorit omniscent dhe omniprezent, rrëfehet kolizioni i interesave ideologjike, ushtarake e shpirtërore. Funksionet e thella aktanciale të aleatëve dhe oponentëve ndërtohen në bazë të roleve: heronjë, magjistarë, tradhëtarë, shokë etj. Figura narrative – diskursive Ali Pashai, është pjesë e tërësisë kuptimore. Figura nuk mund të ekzistojë në ndonjë botë tjetër, por funksionon në tërësinë kuptimore të caktuar, në sferën estetike në të cilën sërish rrëfehet. Ali Pashai nuk është figurë faktive por fiktive, “figurë e dimensionit estetik”.

Objektiviteti në art nuk është në përmbajtje, as në formë, por në përmbajtjen e cila është bërë formë, në formën estetike”. (Markuze, 1071; 248)

Në romanin Pashallëqet e mëdha, Ali Pashai është figurë që ekziston në dimensionin estetik. Figura e tij ndryshon nga figura faktive (historike). Figura narrative – diskursive, jashtë logjikës së diskursit fiksional, estetikisht nuk funksionojnë. Përmes gjuhës qenia (shenja) hapet, qenia në vete hapet si qenie për ne dhe në ne. Përmes klasemave: mizer, i tmerrshëm, i rreptë, dinak etj., figurën e Ali Pashait e perceptojmë tragjike,

“Koka e tij u nis drejt Azisë, ndërsa trupi mbeti në Europë, mendoi ai…Ali Pashai do të kishte dy varre. Dy varre, përsëriti më vete dhe po atë çast iu duk se e gjith qenia e tij thiri: Të jem në një varr…Diku anash dëgjoheshin mbyturazi…ca zëra të shurdhë gër – mër…ma jep mua kokën…ti merr trupin…Jo, jo…Ishin Evropa dhe Azia…që grindeshin për dikë”. (Uçi; 29)

dhe si të madhërishme. Të tmerrshme dhe të madhërishme e perceptojmë figurën e Ali Pashait. Në konstruksionin e tmerrshme – e madhërishme, manifestohet apsurdi. Në romanin Pashallëqet e mëdha, Ali Pashai është figurë me elemente të groteskut. Figura groteske funksionon me automatizëm, sipas rregullave dhe normave paraprakisht të parashtruara. Figura groteske nuk është e vetëdijshme për ta vlerësuar situatën, udhëhiqet nga ndjenjat personale për të drejtën dhe humanizmin. Ndjenjat e shndërrojnë Ali Pashain në figurë groteske.

            Ali Pashai në dimensionin estetik, është tjetër nga Ali Pashai në dimensionin historik. Ai nuk është figurë faksionale, është figurë fiksionale, perceptimi i së cilës do të definonte të vërtetën universale të individit. Funksioni i letërsisë është që fiksionin ta bëjë të vërtetë objektivizuese. Objektivizimi estetik i romanit, funksionon sipas logjikës së vet, sipas ligjeve të veta, që janë në funksion të organizimit estetik. Implikacion tendenca e Sabri Hamitit,

“Bioletra, shkrimin e leximin letrar i trajton si procese të ndërligjshme e të lidhura njerëzore që kanë burim individin dhe botën e tij e jo rrethanat sociale dhe ideologjike të kolektivit…kërkesë që letërsia t’i kthehet natyrës së vet, krijimit të vlerave shpirtërore dhe shijimit e njohjes së këtyre vlerave”. (Hamiti; 12)

Ajo që do t’i jepte kuptim interpretimit tonë – logjika e objektivitetit estetik, është forca afektive që tërheq recipientin. Instanca e fundit e një ridefinimi të tillë të artit është imanenca e saj. Vepra është e pavarur nga krijuesi sepse arti është kompozim kaosi, bën kaosin të ndjeshëm. Arti është kaosmos. Van Gogu ishte piktor në pikturat e të cilit sikur harrojmë realitetin e pikturuar nga d?minimi i kompozicionit të ngjyrave. Desubjektivizimi ka të bëjë me dallimin midis subjektivitetit dhe dimensionit personal të ndijimit e që realizohet përmes percepsionit dhe desubjektivizmit e dimensionet apersonale të ndijimit që realizohen përmes percepteve dhe afekteve. Perceptet dhe afektet janë bllokime sensitive që refuzojnë kohën, janë jashtëkohore dhe i japin artit funksion fiziologjik.

“Qenia artist është i pavarur nga krijuesi, meqënëse e krijuara gëzon një vetë – vendosje dhe ruhet në vetvete. Ajo çka ruhet, sendi ose vepra e artit, është një bllok ndijimesh, domethënë një kompozim perceptesh dhe afektesh…Vepra e artit është një qenie ndijimi dhe asgjë tjetër: ajo ekziston në vetvete”. (Deleuze / Guattari, 2008; 203)

Vepra e artit ka disa funksione, funksioni i saj parësor është funksioni estetik. Njëri nga teoricienët më të mëdhenj të letërsisë Zherar Zhenet definon, “Vepra artistike është artefakt me funksion estetik” dhe se funksioni estetik cakton ontologjinë e tekstit përmes pozicionimit perceptues dhe aktit të rinjohjes. Në funksion definimi i Artur Danto,

“Pozicioni im filozofik, është që interpretimi konstituon veprën artistike, ashtu që më nuk kemi distancën, vepra artistike në njërën anë e interpretimi në anën tjetër”. (Danto, 1987; 162)

Duke perceptuar funksionin estetik të veprave letrare dhe artistike, intelegjenca emocionale dhe truri analitik, bashkë do të kuptojnë se objektiviteti estetik është abjektiv, krijohet kundër frikës të mos ngatërrohemi në kaos. Dialektika estetike e Hegelit kërkon proporcion midis jetës dhe vdekjes, pikturat e Rembrantit kërkojnë proporcion të dritës dhe hijes, teoria e Borgesit kërkon proporcion semantik të metaforave globale. Arti kërkon paraekzistencën që lëshohet në ekzistencë, kërkon ekzistencë objektive / world constructing text. Principin e shpresës, Anri Bergsoni e gjen në kategorinë dyshim – logjika e objektivitetit estetik.

 

Referencat:

Arthur Danto, The Art world, Temple University Press, Philadephia, 1987.

Gilles Deluze, Felix Guattari, Ç’është filozofia? Tiranë, 2008.

Martin Heidegger, O biti umjetnosti, Zagreb, 1959

Sabri Hamiti, Bioletra, Prishtinë, 2000.

Kete Hamburger, Istina i estetska istina, Zagreb, 1982

Alfred Uçi, Grotesku Kadarean, Onufri, Tirane, 1999

Herbert Markuze, Estetska dimenzija, Zagreb, 1971

Hans Georg Gadamer, Istina i metoda, Sarajevo, 1988.

Jacques Derida, Istina u slikarstvu, Sarajevo, 1988.



(Vota: 7 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora