E marte, 08.10.2024, 07:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Jane Fonda

E merkure, 31.10.2007, 07:08 PM


Si të jetosh plot ëndrra, plane e lumturi në prag të 70-ve

Do të mbushë 70 vjeçe për dy muaj. Vjen nga një vit plot beteja, suksese, martesa dhe dështime. Sipas saj, tashmë ndodhet në atë pikë të jetës që e konsideron si "akti i tretë". Megjithatë, Jane Fonda nuk tërhiqet aspak. Ndihet gjithnjë e më e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme për rolet që ka ende për të luajtur, si në skenë ashtu edhe në jetë

E shkuara? Kam bërë vetëm dy gabime të rënda: i pari në jetën publike dhe i dyti në jetën private. Kështu, Jane Fonda ndalet paksa, përkëdhel flokët dhe tund kokën. Jemi në suitën 501, në katin e pestë të "Hiltonit" në Vjenë, qyteti ku aktorja amerikane është ftuar si yll kinemaje dhe protagoniste e Vienales, Festivalit të Kinematografisë. Në momentet e pakta që ka të lira ndalet për të rrëfyer pak nga jeta e saj, ajo e djeshme, si yll i Hollivudit e militante politike dhe ajo e sotme e një zonje që është në pritje të 70-vjetorit të saj në dhjetor. Pavarësisht moshës është në "lule" të forcave dhe energjive. Flet pareshtur për karrierën, familjen, idealet, dashuritë dhe projektet për të ardhmen.

"Përse të mos e nisim bisedën pikërisht nga dita e sotme? Zakonisht në moshën time njerëzit i cilësojnë si "të moshës së tretë", por mua më pëlqen më shumë shprehja "akti i tretë". Në fund të fundit jam një aktore. Kur nis akti i tretë, një nga gjërat për të cilat ndërgjegjësohesh është kufizimi i kohës që ke në dispozicion. Gjëja më e keqe është të bësh sikur kjo nuk është e vërtetë, të krijosh iluzionin se "akti i tretë" nuk ka nisur, të mohosh se para nesh, pas pak kohe do të shfaqet vetë ajo: vdekja. Përshëndetje, vdekje! Unë nuk kam frikë prej teje! Kjo është fraza që ia përsëris vetes përditë. Mendoni për Meksikën, për shembull, për kulturën e atij vendi, traditat që nuk janë fetare, e, megjithatë, vdekja është gjithmonë e pranishme, është një takim jetësor. Nëse di se çfarë bën, nëse ke dëshirë të veprosh e të hysh në "aktin e tretë", atëherë ky akt është i bukur. Kur mendon për vdekjen e pyet veten se cilat janë gjërat për të cilat do të na vinte keq po të iknim, ato që kemi bërë dhe ato që do të kishim dashur të bënim në jetën tonë. Ja, unë nuk dua që të kem keqardhje. Kam ende shumë kohë përpara për të bërë gjëra që dua të bëj dhe do t‘i bëj.

Ikonë e pacifizmit në vitet ‘70 (vitet e luftës në Vietnam), aktore e impenjuar në maksimum, feministe militante. Në çfarë është shndërruar sot Jane Fonda, a beson ende në idealet për të cilat njëherë e një kohë ka sakrifikuar jo pak? Aktorja buzëqesh dhe më pas rendit ngadalë fjalët: "Më parë më pyetët se cilat janë gabimet e mia të së shkuarës. Tani po jua them. Dy prej tyre nuk do të doja t‘i kisha bërë kurrë. I pari ka të bëjë me jetën time publike. Jeta e Jane Fondës si aktore, aktiviste, feministe. Kur shkova në Hanoi, në mesin e luftës së Vietnamit bëra një fotografi pranë një bombarduesi amerikan të shkatërruar, por ishte një foto për të cilën jam penduar shumë që e bëra. Që pas asaj më cilësuan armike të Amerikës, tradhtare. Për sa i përket vajtjes në Hanoi, ai ishte një vendim i drejtë nga ana ime, por ajo foto me të vërtetë që nuk duhej bërë. Ishte një nga gabimet që më ka peshuar më shumë në ndërgjegjen time për vite me radhë dhe sot e rendis si një nga më të mëdhenjtë e jetës sime. Dhashë përshtypjen se po gëzohesha me fatkeqësinë e ushtarëve tanë, ndërkohë që doja të bëja të kundërtën, të tregohesha sa më njerëzore. Gabimi i dytë ka të bëjë me jetën time private. Është një gabim që e kam bërë ndaj vajzës sime, vajzës sime të parë. Mund dhe duhej të kisha qenë një nënë më e mirë për të, ndërkohë që në atë periudhë kur ajo ishte e vogël, isha shumë e dhënë pas karrierës, punëve të mia personale dhe impenjimit në politikë. Për atë nuk kam qenë një nënë e mirë. Tani, pas shumë vitesh jemi rilidhur, afruar me njëra-tjetrën, jetojmë në Atlanta, në të njëjtin qytet dhe mundohem të jem të paktën një gjyshe e mirë. Nuk është kurrë vonë për të kuptuar dhe për t‘u përpjekur t‘i ndryshosh gjërat, por fotoja e Hanoit dhe të qenit një nënë e keqe janë gabime që më peshojnë në ndërgjegje dhe do të më peshojnë deri në vdekje. Është folur shumë për një Jane Fonda që ka gjetur një ekuilibër të ri brenda vetes dhe në fe. Është pasoja e ndikimeve të "aktit të tretë"? "Mendoj që për sa u përket grave kur ato nisin të plaken, bëhen gjithnjë e më shpirtërore, jo domosdoshmërisht fetare. Feja jep disa përgjigje. Pyet veten: Përse jam këtu? A ka diçka, a është dikush më i madh e më i fuqishëm se ne? Janë pyetje metafizike. Në çfarë besoj unë? Nuk ka rëndësi nëse e quaj Zot, Allah, Buda, unë jam e sigurt që ajo krijesë mbi ne nuk i do luftërat, nuk e do fondamentalizmin. Në momente të ndryshme të historisë, fondamentalistët e çdo lloji, e çdo feje janë bërë përgjegjës për kryerjen e akteve të dhunës. Edhe Jezusi, nëse do të kthehej tani në Tokë, nuk do t‘i aprovonte shumë nga veprimet e kryera prej katolikëve dhe nga gjërat që janë bërë në emër të tij.

"Akti i tretë" dhe spiritualiteti nuk ia kanë zbehur Fondës pasionin për politikën, pasion që e kishte shumë më të madh njëherë e një kohë. Nëse do ta pyesësh në lidhje me zgjedhjet e ardhshme amerikane, ajo thuajse bërtet: "Hilari". Nëse do ta pyesësh, a është e gatshme Amerika për të pasur si Presidente, si shefe të ushtrisë, ajo përgjigjet pa hezitim: "Absolutisht që po". Politikën e ka në gjak të trashëguar nga i ati, aktori Henri Fonda, i impenjuar me demokratët në kohën e Ruzveltit. "Jam e sigurt që do të zgjidhet Hilari, por nëse kjo nuk do të ndodhë, unë do të shkoj sërish të votoj dhe do të votoj për kandidatin demokrat, cilido qoftë ai.

Po çfarë mendon për Irakun? "Jam kundër luftës, sigurisht, kundër asaj lufte që nuk duhej të kishte filluar dhe që tani po shkon keq e më keq. Krahasimi me Vietnamin? Ka shumë mospërputhje, gjëra të ndryshme, por ka edhe pika të përbashkëta. Mendoni për thirrjen në ushtri. Në atë kohë ishte e detyrueshme, edhe pse "djemtë e baballarëve" të fuqishëm gjithmonë ia dilnin që ta evitonin rrezikun. Por, ndërkohë, thuajse të gjitha familjet amerikane u përfshinë në këtë luftë. Sot kemi një ushtri profesionistësh, por, në njëfarë mënyre, një ushtri të varfërish, pasi vetëm ata që janë më të varfër dhe që nuk e kanë gjetur veten në profesione të tjera, shpesh emigrantët, djem e vajza pa ndonjë të ardhme të qartë përpara vendosin të shkojnë në luftë. Në Vietnam nuk ishte CNN, por televizionet dhe gazetat e asaj kohe rrëfenin në mënyrë më të lirshme dhe më hapur realitetin e dhimbshëm të një lufte të tmerrshme. Sot, media zyrtare nuk është aq transparente dhe e vërteta nuk vjen prej saj, por më tepër prej blogëve, apo dokumentarëve të ndryshëm, të shoqërive të vogla filmike. Në Vietnam nuk kishte femra ushtare, ky është një dallim i madh mes Vietnamit dhe Irakut, por për kë nuk kthehet në shtëpi, problemet si tani, si atëherë janë të njëjta. Bush? Kërkon të dish se çfarë mendoj për Presidentin amerikan? Do të më pëlqente që ta takoja në Teksas, ndoshta në ndonjë nga ato festat e mëdha që organizohen në atë shtet mes miqsh shumë të pasur. Do të doja të flisja me të, ta ftoja të vinte me mua në Afrikë për t‘i treguar gratë dhe fëmijët që vdesin për copën e bukës, për t‘i treguar pasojat dhe rezultatet e politikës së tij. Bush është një i krishterë, mendoj se edhe ai duhet të ketë humanizëm diku.

Kur flitet për politikën, apo për luftën, Jane Fonda përgjigjet me fytyrën që i merr një shprehje serioziteti të theksuar, por ndërron imazh sapo i bëhen pyetje nga profesioni i saj, kinematografia, karriera, rikthimi triumfues në skenë dhe në ekran, pas 15 vjet mungese (në të shkuarën kishte premtuar se nuk do të recitonte më kurrë), por ja që duket se dëshira për ta bërë ka qenë më e fortë se premtimi që i bëri vetes dhe publikut. Fillimisht ajo iu rikthye ekranit të madh me filmin "Vjehrra vrasëse" dhe më pas me filmin "Georgia Rule". Ndërsa flet për filmat e rinj, i pëlqen që të ndalet tek ata më të vjetrit, më të suksesshmit, që e bënë me famë botërore. Një ndër ta është "Klute". Ajo e konsideron si pikën e kthesës në karrierën e saj, e cila nga kukull e kinemasë e bëri një artiste me të vërtetë kalibri dhe në një grua të impenjuar jo vetëm në kinematografi. Në këtë film, Fonda luan rolin e një prostitute të klasit të lartë, një rol i vështirë, që ndryshe nga sa mund të dukej, ishte ai i një personazhi shumë të komplikuar, me një botë të pasur dhe dramatike, që kuronte një punë të madhe përgatitore. Por është Parisi qyteti që solli në jetë Jane Fondën e vërtetë, atë artiste, feministe dhe aktiviste. "Po, isha në Francë në vitin 1968, thuajse 30 vjeç dhe me shtatzënë. Aty takova Simone Sinioret dhe ajo më mësoi që të doja filmat që kërkonin shumë punë, që mbase nuk ishin tipikë hollivudianë, por rrëfenin për personazhe shumë të thellë dhe të ndërlikuar. Ajo më shpjegoi edhe historinë e Vietnamit dhe asaj çka po ndodhte në atë vend, gabimet e francezëve të përsëritura nga amerikanët. Në Paris njoha Sartrin, Simone De Beauvoir dhe dhjetëra regjisorë, aktorë e njerëz të artit e të kulturës, e intelektualë që ishin kundër luftës që vendi im kishte nisur në Vietnam. Sulmet ishin aq të mëdha, saqë shpesh më duhej të vihesha në pozicion mbrojtjeje, por e kisha të vështirë ta bëja, duke pasur parasysh veprimet e amerikanëve. Kur u ktheva në Shtetet e Bashkuara të Amerikës isha një njeri i ndryshuar krejtësisht. Kur Alan më telefonoi për të xhiruar "Klute" nuk ndihesha në lartësinë e duhur për ta luajtur rolin e propozuar. Kalova orë e ditë të tëra në shoqërinë e prostitutave të Manhatanit, por prapë nuk isha e bindur nëse do t‘ia dilja mbanë. Për personazhin e prostitutës, Jane Fonda fitoi "Oskarin" e saj të parë. "‘Klute‘ ishte fillimi i një karriere të re, më pas erdhën filmat e tjerë, ata që dua më shumë si ‘Coming Home‘, një ndër filmat më të bukur që flasin për Vietnamin dhe nuk e them vetëm, unë". Për "Coming Home" (Kthimi në shtëpi) Fonda u nderua me "Oskarin" e saj të dytë dhe më pas luan edhe një tjetër film shumë të suksesshëm, "Xhulia". Pas tij vjen filmi që do të kishte qenë i fundit para një pauze 15-vjeçare. Ishte "Hauzi i vogël", film i xhiruar me të atin. "Nuk do ta harroj kurrë atë film", thotë Jane. "Ishte shumë i vështirë, shumë emocional, ishte prekës deri në lot". Ai film i dha tim eti "Oskarin" e vetëm në jetën e tij, edhe pse kishte luajtur shumë filma më parë. Statujën e Artë e tërhoqa unë në ceremoninë e famshme, pasi babai ishte shumë i sëmurë e i pamundur dhe ndërroi jetë pak muaj më vonë. Kur Jane flet për të atin, sytë i mbushen me lot dhe ndihet shumë e mallëngjyer. Në filmin që luajti me të atin, Jane në njëfarë mënyre recitonte edhe vetë jetën e saj.

"A kam sot në Hollivud ndonjë trashëgimtaren time? Ka artiste shumë të mira, por është bota e kinemasë dhe bota e të xhiruarit të filmave që ka ndryshuar. Sot një regjisor nuk qëndron më në karrigen e famshme pas aparatit të xhirimit, por del e bën pjesë shumë aktive në sheshin e xhirimit. Dhe pastaj edhe VIP-at kanë ndryshuar shumë në Hollivud, mënyra e të bërit të famshëm. Paparacët gjuajnë vajzuke të reja dhe u bëjnë fotografi sikur të ishin diva të vërteta, i bëjnë të famshme, edhe kur ato nuk kanë asnjë lloj merite, apo asnjë lloj filmi për t‘u shënuar. Gjëja më e keqe mendoj se është kostoja e filmave. Ata janë shumë të shtrenjtë, dalin në ekranin e madhe të premten dhe në rast se nuk kanë pasur sukses i heqin nga qarkullimi, ndërsa në rast se janë të suksesshëm, vazhdojnë të transmetohen të shtunën e në ditët në vijim. Kjo është e gabuar, pasi një filmi i duhet dhënë kohë që të kuptohet, të pranohet. Ka filma që nuk i thonë gjërat troç dhe shpesh këta janë më të mirët, por duke ndjekur këtë logjikë ata filma përfundojnë në koshin e plehrave.

"E ardhmja? Për dy muaj mbush 70 vjeçe. Po shkruaj kujtimet e jetës sime, jo vetëm të jetës artistike, por edhe asaj personale. Kam shumë gjëra për të treguar, për të thënë. Pas tre martesash të dështuara, më në fund kam një jetë të pasur, të lumtur me mikun tim, ende më pëlqen seksi dhe jam e gatshme për projekte të reja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora