E shtune, 20.04.2024, 02:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Milva, mbretëresha ‘e flaktë’ e këngës italiane

E marte, 30.10.2007, 12:27 AM


Maria Ilva Biolcati, e njohur me pseudonimin Milva e lindur në Goro, 17 korrik 1939, është këngëtare e muzikës italiane. Gjatë karrierës së saj ka arritur të realizoj 75 albume dhe është cilësuar si ‘Tigri i Goro’ si dhe ‘La rossa’ për shkak të flokëve të kuq. Personazh i spektaklit që nuk mund të shquhet vetëm për këngët e saj, por edhe për imazhin rrezatues, për bukurinë, vlerësohet edhe për pasurinë artistike duke qenë kështu e vetmja këngëtare italiane, e aftë të manifestonte me të njëjtin ritëm si në muzikë ashtu edhe në komedinë teatrale. Tepër e njohur në Itali dhe jashtë saj, ka triumfuar në skenat e të gjithë botës, duke u vlerësuar jo vetëm në Itali, por mbi të gjitha edhe në Gjermani. Ka publikur me tepër sukses disqe edhe në Francë, Japoni, Spanjë, Kore, Greqi dhe Amerikën e Jugut. Një ndër sukseset më të famshme është kënga “Il mare nel cassetto”, e renditur në vend të tretë të kalsifikimeve në edicionin e 11-të të Festivalit të Sanremos në vitin 1961. Milva ishte përzgjedhur dy vjet më parë nga një konkurs që ishte realizuar për zërat e rinj. Shtypi në këtë periudhë thoshte se kishte mbërritur për t’i hapur luftë Minës. U ashtëquajt "Tigri i Goro" për të mundur edhe nga epiteti Minën ose të ashtëquajturën "Tigri i Cremonës". Të tjerë theksonin faktin se ishte një Nilla Pizzi e re, Dhe ishin të paktë ata persona që mendonin për Milvën konkretisht. Disa muaj para se të shfaqej në Sanremo, është operuar nga gryka sepse ishte tepër sëmurë, gjithçka shkoi mirë, por për të ishte një frikë e tmerrshme, frikë e cila u vlerësua me çmimin e tretë në këtë festival.

Komplesiteti artistik

Milva është një personazh me aftësi të rralla muzikore, nga fakti se ka kaluar pa vështirësi nga kënga e lehtë në operën lirike, tek teatri dhe në ato angazhime që e kanë bërë të njohur në Gjermani, duke kaluar më pas tek spektaklet televizive dhe komeditë muzikore. Rritet profesionalisht nën mbikëqyrjen e bashkëshortit Maurizio Corgnati për të krijuar më pas performancën artistike pranë emrave të mëdhenj ndërkombëtar si Ennio Morricone, Francis Lai, Mikis Theodorakis, Vangelis, Franco Battiato. Astor Piazzolla do e përzgjedh si interpretuesen e favorizuar të tij, si dhe do e ketë pranë disa turneve botëror dhe do i dedikoj ‘Opera in tango Maria de Buenos Aires’. Tepër e veçantë dhe interesante është disku- turne me poeteshën Alda Merini nën ritmet muzikore të Giovanni Nuti, me të cilin këngëtarja konfirmon origjinalitetin e saj në botën e spektaklit italian. Krijimi i fundit është “Në territorin armik”, që përmban tekste të Giorgio Faletti, midis së cilave edhe ‘The show must go on’ që ka qenë e pranishme nëSanremo 2007.

Fillimet e karrierës

Në vitin 1959, merr pjesë në një konkurs që i dedikohej zërave të rinj së bashku me 7600 konkurentë të tjerë dhe e kalon fazën e seleksionimit duke u klasifikuar e para. Incizimi diskografik i parë, është emblematik dhe zbulon një ‘tendencë’ përzgjedhje të saktë, bëhet fjalë për një këngë të mrekullueshme që i përket Edith Piaf, simboli i identitetit kombëtar francez, versioni italian i "Milord". Në vitin 1961 ngjitet në skenën e Festivalit të Sanremos, organizimi themelor i muzikës popullore italiane. Këtu Milva zbulon vokalin e saj dhe energjinë ekspresive me një këngë melodioze të krijuar nga Lattuada, La Valle e Rolla, "Il mare nel cassetto", interpretim i cili e rendit në vend të tretë. Që nga ajo kohë fillojnë të duken qartë karakteristikat e atij zëri. Vitin pasues vlerësohet nga kritika diskografike si ‘këngëtarja e vitit’ dhe merr pjesë në realizimin e filmit "La bellezza di Ippolita", në krah të dy aktorëve të mëdhenj si Gina Lollobrigida dhe Enrico Maria Salerno. Në vitin 1962, Milva prezanton në Festivalin e Sanremos këngën "Tango italiano", një këngë ku performanca e saj vlerësohet nga kritika si lindja e një Edith Piaf të re. Milva vendos të interpretoj këngë më pranë tradicionales, tekste që i përkisnin folkut italian, në stilin afroamerikan. Në këtë moment transferimi realizohen dy albume "Canzoni del tabarin" dhe "Canzoni da cortile". Takimi i parë me fat ishte me Piccolo Teatro të Milanos, qendër kulturore, e angazhuar me kërkimin dramatik avanguard, në vitin 1965, kur Milva incizon këngën "Canti della Libertà". Ky repertor e drejton drejt këngëve të famshme si "La Marsigliese" dhe "Addio Lugano bella". Paolo Grassi, përgjegjësi i aktivitetit të Piccolo, fton Milvën të interpretojë "Canti della Libertà", me rastin e përvjetorit të XX të lirisë nga fashizmi. Që këtu merr pikënisjen bashkëpunimi me Giorgio Strehler, regjisor i influencuar nga leksionet e Brecht dhe Jouvet dhe tepër i angazhuar në lancimin e një funksioni politiko- civil dhe publik të teatrit. Pasi kishte realizuar një rol në recitalin "Ma cos'è questa crisi?" Milva drejtohet nga Strehler, në një recital që i dedikohej poezive dhe këngëve të Bertolt Brecht, duke përballuar një lloj muzikali lirik që kishte karakter dramatik. Bëhet fjalë për një dimension teatral tepër të veçantë, ku aktori duhet të tregonte, përgatiste dhe transmetonte një situatë të veçantë. Fal përkujdesit të Strehler, Milva arrin të lidh një kontratë me një studio progresive dhe sistematike, që do të ketë një vazhdimësi kohore. Në 1967, tek teatri i vogël i Milanos, Milva debuton në recitalin "Io, Bertolt Brecht", përkrah Strehler, regjisor dhe aktor. Vitin pasues angazhohet në një provë të re tepër të vështirë, që konfirmon dyanshmërinë e karakterit të saj artistik dhe aftësia e saj e për të lëvizur me elegancë në një horizont me forma shprehëse. Në 1968, bëhet pjesë e teatrit të prozës, në kërkim linguistik, duke përballuar "Ruzante" të Gianfranco De Bosio, me të cilin realizon një turne në Evropën e Veriut. Në Romë, në të njëjtin vit, me regji të Strehler, angazhohet me një iniciativë interesante teatrale, ku interpreton një rol të veçantë në panoramën kulturore italiane. Kështu Milva merr një rol domethënës në projektin estetik koordinues të Strehler, që tenton të kombinojë elementë popullor italian dhe modele evropiane, duke vendosur gjithnjë në zhvillim dimensionin historik të ‘tekstit’. Në 1969, Milva merr "Maschera d'Argento" si mirënjohje zyrtare për "Angeli in bandiera", komedia muzikore e Garinei dhe Giovannini, ku interpreton pranë Gino Bramieri, dhe që përforcon talentin e vokalit të saj.

Vitet '70

Viti 1972 është viti i rikthimit në kinema, pranë Silvana Mangano dhe Luc Merenda tek "D'amore si muore", me regji të Patroni Griffi, me kolonën zanore të maestros Ennio Morricones. Në Venecia, fiton "Gondola d'oro", për suksesin diskografik të arritur me diskun "La filanda", një këngë i trajtuar nga repertori i Amalia Rodriguez, me tekstin italian nën kujdesin e Vito Pallavicini. Në vitin 1973, Milva propozon recitalin e saj tek Festivali i Edimburgo. Ky vit është tepër i pasur me të reja, Milva shton në repertorin muzikën e Francis Lai, fizarmoniku francez që bashkon në mënyrë të rafinuar botën e xhazit duke u bërë bashkëpunëtori besimtar i regjisorit Claude Lelouch. Por, në 73 konsumohet një tjetër ngjarje e rëndësishme, për maturimin artistik dhe profesional të Milvës, ku do të jetë një Jenny i Spelonche, pranë Domenico Modugno, që do të luaj rolin e Mackie Messer. Viti 1978 është viti i takimit me Mikis Théodorakis, një ndër eskponentët më të mëdhenj të muzikës kontemporane. Përgjatë bashkëpunimit me poetë perstigjoz e të njohur, në sensin etiko-social, si Eleftheriou, Livaditis dhe Kampanelis, Théodorakis, i dënuar nga diktatura greke, inauguron një sezon të ri të muzikës ndërkombëtare, dhe në këtë rilindje të re kulturore, Milva kontribuon drejtpërsëdrejti, me rrezatimin e përzgjedhjeve të saj artistike. Për këtë realizim merr në Gjermani, diskun platin për suksesin e shitjeve. Turneu i ri kalon kufijtë italian dhe e prezanton Milvën drejt skenave të mëdha evropiane.

Vitet ‘80

Në vitin 1980, merr diskun e dytë të artë në Gjermani për albumin "Was ich denke". Në këtë periudhë interesante fillon bashkëpunimi artistik me Enzo Jannacci, është pikërisht ky i fundit autori i albumit "La Rossa", ku ndodhet dhe këngë me të njëjtin titull, ku tematika biografike dhe ekzistenciale vjen e përshtjelluar si një vizion metaforik, i gjallë dhe i ngjyrosur, autoironik dhe i thellë. Milva ingranohet menjëherë në rol dhe bëhet kështu "e kuqja". Në vitin 1981, Milva është protagoniste e "Deutsche Oper" të Berlinit me "Die sieben Todsunden der Kleinburger". Për Rai-n drejton "Al Paradise", varietenë e së shtunës mbrëma me regji, gjithnjë rinovuese dhe dinamike të Antonello Falqui, ku vitin pasues spektakli do të vlerësohet me "Rosa d'Oro di Montreux". Ndërkohë merr diskun e tretë të artë, gjithnjë në Gjermani për ablumin “Ich hab keine Angst”, ku interpreton muzikën e krijuar nga Vangelis. Është pikërisht Vangelis autori i këngës së famshme "To the unknown man", që në frëngjisht bëhet "Moi je n'ai pas peur", në gjermanisht "Ich hab'keine Angst" dhe në italisht "Dicono di me", një ndër pjesët më domethënëse të repertorit të Milvës, por edhe një suskes tepër i madh diskografik. Forca e Milvës qëndronte në vullnetin e stabilizimit të dialogut me fantazinë muzikore të Vangelis, duke mbajtur të njëjtin prioritet për identitetin artistik, duke krijuar domethënie të reja estetike, gjithnjë në harmoni me modernitetin. Në vitin 1982, Milva krijon një marrëdhënie prestigjioze bashkëpunimi me Franco Battiato, që shkruan për të këngë të albumit "Milva e dintorni", mes të cilave nuk mund të harrojmë të njohurën “Alexanderplatz", një këngë që në të vërtetë është një lloj montazhi filmik, që tregon atmosferën e jetës së përditshme në Berlin, në sfondin e luftës së ftohtë dhe të kërcënimeve të saj. Duke mos u larguar nga viti 1982, ku Milva kthehet pranë Strehler, në bashkëpunimin e tyre në "Théatre Odéon" të Parisit. Në këtë fazë të karrierës së saj, shfaqet një lidhje artistike e thellë me Luciano Berio, ku ndryshimeve muzikore të maestros i përgjigjeshin mjaft mirë kordat vokale të Milvës, e cila ishte e aftë të veçonte sfumatuart motive, duke u bërë objekt eksplorues i maestros. Sërish Milva, shfaq kurajën në përzgjedhjen e repertorit të saj, duke përballuar me përgjegjësi të madhe, vazhdimësinë e karrierës së saj drejt një rruge ende të panjohur mirë. Bashkëpunimi me Berio ndër të tjera ka qenë tepër domethënës dhe përgatiste Milvën të përballej me tekstet e Italo Calvino, derisa Berio i beson një rol protagonisteje në realizimin e tij "La Vera Storia", e cila pasi u prezantua në Scala të Milanos, merr ftesën për të interpretuar në Opera të Parigi, nga Maggio Musicale Fiorentino, si dhe nga Royal Festival Hall, në Londra. Në vitin 1983, Milva kthehet në Olympia të Parigi, koha e artë e muzikës franceze, ku kishte debutuar tepër e re në vitin 1962. Më pas Milva, duke bashkuar muzikë, teatrin dhe kinemanë, në Los Angeles i ofron publikut amerikan interpretimin e saj të shkëlqyer të testit brechtian, me rastin e Olimpiadave. Astor Piazzolla një ndër gjenitë e muzikë kontemporane dhe një muzikant i rafinuar që ka krijuar një identitet të ri të tangos, duke u emancipuar nga skemat kombëtare e folklorike nëpërmjet modelve të operave të Stravinskij, bashkëpunon me Milvën, e cila merr pjesë në mbrojtjen e muzikës piazzolliana, duke u bërë zëri përfaqësues i kësaj muzike në të gjithë botën. Astor Piazzolla bëhet pikë referimi themelor për Milvën. Në vitin 1985, realizohet albumi "Milva e Astor Piazzolla live at the Bouffes du Nord". Më pas së bashku me Juliette Binoche, Michel Piçoli dhe Michel Serrault, Milva xhiron filmin e Jacques Rouffio, "Mon beau frère a tué ma soeur". Në 1986, risjell në skenën londineze repertorin brechtian, në "Almeida Theatre". Ndër të tjera ftohet në Moskë në rolin e ‘përfaqësueses së kulturës italiane’. Në 1987, Teatri "Queen Elisabeth Hall" në Londër e fton për "Sette peçati capitali" të Brecht. Ishte e ftuar së bashku me shumë artistë të tjera gjermanë në spektaklin e realizuar enkas për fondacionin e Berlinit, me rastin e përvjetorit të tij.

Nga viti 2000 deri në ditët e sotme

Duke mbërritur në vitin 2000, Milva ka qenë e ftuar për 100 vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e vdekjes së të madhit Kurt Weill, për të kënduar "I sette peccati capitali", në qytete të ndryshme, midis së cilëve edhe Dessau, vendlindja e Weill. Në Mannheim, i jepet çmimi "Rainbow Award", si ‘zëri më i mirë femëror i vitit 2000’. Me orkestrën Haydn të Bolzano, Milva zbulon pasionin e saj për repertorin e autorëve francez, të ashtëquajturën "chanson à texte", tepër e afërt me ndjeshmërinë e saj artistike. Milva incizon në Gjermani albumin e ri "Artisti", me këngë të krijuara nga Rendine, Renato Dibì, John Denver dhe Piazzolla, ndërsa për tregun italian, realizon një album intrigant që i dedikohej "chanson française", me muzikë të krijuar nga orkestra simfonike e Haydn të Bolzano. Në këtë disk Milva ofron versionin e saj të këngëve që i përkisnin kulturës franceze, duke filluar nga këngët e Edith Piaf dhe të Juliette Gréco, e deri tek krijimet e Brel, Prévert-Kosma. Aftësia interpretuese dhe komunikuese e Milvës e bënte kontemporane çdo realizim muzikor, duke e përballuar me ndjeshmëri dhe inteligjencë pasazhet torturues të melodisë. Interpretim i rafinuar që ofrohej nga Milva,vendoste në evidencë tërë tekstin, duke veçuar, në mënyrë gjithnjë bindëse dhe të besuar, interpretimin operistik. Milva dërgon "Maria de Buenos Aires" në Gjermani dhe më pas në Japoni. Performanca teatrale e Milvës reflektonte tek tematikat kryesore dhe evidenciale të autorëve, duke asimiluar forcën simbolike. Është pikërisht leksioni brechtian që e bëri të mundur këtë bashkëpunim psikologjik dhe intelektual, që përfaqësohej me rigorozitet: një kërkim linguistik që zbulon potencialet e gjuhës dhe që Milva shpjegon ekstremet konsekuente. Është kjo një ndër periudhat më të rëndësishme në jetën profesionale të Milvës: ekuilibri estetik i arritur në këtë moment ishte tepër i thellë në çdo profil. Çdo prezantim dhe çdo veprim shfaqte maturinë artistike dhe bindjen e saj për rezultatet pozitive në interpretimet skenike. Kritika gjermane e konfirmon këtë gjë, madje edhe publiku e pret me entuziazëm këtë provë të vështirë të saj. Giovanni Testori, që për Milvën shkruan këngën ‘Volpe d'amore’, thoshte se shtëpia e këngëtares ishte e mbushur me thesare shpërthyes. Ndërsa Giovanni tjetër, poeti i Raboni që i dedikoi ‘In sogno’, një tekst në të cilin Milva sapo ishte afirmuar, rrëfen mes lotëve që mëngjeset i kalonte mes luleve që i dhuronin në mbrëmje. Një femër kureshtare, dhe gjithnjë e kujdesshme ndaj sfidave të reja dhe fjalëve që fliteshin përtej rrugës. Këtë kureshtje e shpie në Capri për të marrë një çmim dhe mënjëherë më pas në Berlin, për të celebruar edhe një herë mitin e saj, “Burri i pyjeve të zeza”. Në programin e saj renditen edhe tre ditë non- stop në Berliner me antologjinë e Brecht, ku përfshihet gjithçka që ka zbuluar. Ndërsa në Itali që nga muaji nëntor do të angazhohet me një spektakël. Është e vërtetë që adhuron Milanon, nëntorin, por mbi të gjitha adhuron edhe kopshtet private të Milanos, sepse për të është një ndër qytetet më romantike që mund të gjenden. Për të asnjëherë nuk ka heshtje, edhe gjatë këtij viti do të ketë angazhime të reja dhe turne, por jo me ritmin e kohërave të mëparshme. Sepse tashmë për të qetësia e kokës dhe e zemrës ndodhet tek studimi dhe leximi. I pëlqen të zbuloj se çfarë fshihet pas karrierave të mrekullueshme dhe për momentin po lexon librin e Hélène Grimaud, ku pianistja e madhe ndërthur historinë e karrierës së saj me dashurinë për natyrën. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora