E shtune, 20.04.2024, 02:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Soni dhe Flori: Bashkë jemi mirë edhe në një kasolle

E marte, 30.10.2007, 08:26 PM


Nga Alma Mile

Për herë të parë Soni Malaj dhe Florian Mumajesi flasin së bashku për historinë e tyre të dashurisë dhe një këngë që do të këndojnë në duet.

Flori & Soni
Ajo e mban për krahu. Ka një vështrim paksa të shqetësuar. Të veshur sportivë. Preferojnë të ulen brenda. Njerëzit janë tepër kuriozë, kur bëher fjalë për personazhe publikë, aq më tepër kur intervistohen. Veçse ata nuk kanë asnjë droje kur flasin për njëri-tjetrin dhe i japin notën 10 dashurisë së tyre. Soni Malaj dhe Florian Mumajesi përmenden gjithandej si çifti i momentit. Nuk e kanë mohuar asnjëherë që kanë një histori dashurie, por tani preferojnë ta bëjnë edhe më publike këtë deklaratë. Bashkë në një duet që quhet "Fluturimi 3470". Një këngë R&B and soul. Një duet ndryshe nga ata klasikë me finale madhështore. Një bashkëpunim që lindi gjatë punës në studio. Më shumë një shkëmbim idesh. "Nuk mund t'i thuash jo së bukurës", - thotë Flori. Pjesë e dukshme e tregut muzikor shqiptar, Mumajesi dhe Malaj japin mendimin e tyre për zhvillimet e fundit muzikore, për muzikën e vërtetë, atë që dëgjohet me sy mbyllur, për piraterinë dhe të qënurit i pasur me xhepa bosh. Nuk ngurojnë tu përgjigjen pyetjeve edhe për veten e për njëri-tjetrit. "Bashkë jemi mirë edhe në një kasolle", - thotë Flori. Pas një shprehjeje të tillë, ajo nuk mund t'ia kursejë një të puthur.

Çfarë është fluturimi 3470?
Flori: Nuk është një numër domethënës. Është seria e një fluturimi, e një bilete. Një numër që më erdhi në mendje. Një avion që ulet në një aeroport, nga ku nuk zbret njeriu i zemrës. Unë e kërkoj, ajo nuk është. Është një këngë që më ka buruar dhe si e tillë shpresoj të jetë diçka e mirë, shpirtërore dhe e vërtetë.
Soni: Është një fluturim i këndshëm. Rikthehem në pistën e "Këngës Magjike" dhe shpresoj që kënga të pëlqehet, të arrijmë të përcjellim atë emocion me të cilin e kemi kënduar. Por emocioni më i madh është që dal në skenë me Florin. Është një ngjarje shumë e veçantë. Dhe tani unë po përjetoj pikërisht këtë emocion. Kam realizuar një këngë me Florin, një këngë të bukur që unë e ndiej. Nuk ka qenë pikësynim festivali, as çmimi. Nuk e kisha ndër mend të merrja pjesë në festival. Isha entuziazte që Flori po merrte pjesë me një këngë të bukur, madje isha e lumtur. Por kur m'u dha rasti të jem pjesë e këngës, kjo ishte gjëja më e bukur. Sa herë e dëgjoj emocionohem dhe është bukur që këtë ndjesi ta ndash me njeriun më të afërt.
Jeni të dashuruar dhe që në duetin e parë i këndoni një ndarjeje?!
Soni&.Flori: Nuk është ndarje. Nuk ia kushtojmë këngën njëri-tjetrit.
Flori: Jemi të emocionuar që këndojmë bashkë, por nuk e kishim menduar më parë. Nuk duam të abuzojmë me dashurinë tonë dhe me faktin që jemi bashkë. Kur teksti i këngës u krijua, u mbështetet në një dashuri që kushdo mund ta jetojë. I këndojmë dashurisë. Kënga ka shumë ngjarje. Ti nuk e sheh por e krijon me mendjen tënde imazhin.
Po do ketë një duet, me një këngë kushtuar historisë suaj?
Flori: Kemi bërë plot këngë për njëri-tjetrin. Momentalisht unë po punoj me Sonin, kështu që këto krijime kanë shumë dashuri.
Soni: Gjërat e bukura nuk programohen. Ato dalin vetiu. Nëse nisesh për të bërë diçka të bukur, ndoshta ajo nuk vjen kurrë. Kur gjithçka është organike, edhe emocioni ndihet nga dëgjuesi.
Pra ekziston mundësia që të ndjesh një këngë pa parë një videoklip?
Flori: Me këtë këngë po. Që kur u brumos mund të imagjinoje qindra këmbë që zbresin shkallët dhe ti nuk sheh njeriun e dashur.
Soni: Kur kënga ka një videoklip, atëherë ajo është më e plotë, por ne mund të japim rastin e këngës "Me sy mbyllur", apo "Ndarja", që nuk u shoqëruan me klipe, por u bënë hite. Kur një këngë është e bukur dhe ka emocionin brenda…
Por duket se sot shitet më shumë imazhi.
Flori: Jam pak skeptik në këtë pikë. Nuk mendoj se ato shiten, ato hyjnë në treg. Tek CD-të që blihen nuk janë ato. Nëse një femër është e bukur, ajo nuk dëgjohet, ajo shikohet. Nuk ka vlera artistike. Dhe mendoj se njerëzit po velen nga kjo.
Soni: Ne kemi edhe këngëtare të bukura që janë edhe të mira, por mendoj se të qenurit një sekssimbol ka dalë nga moda. Publiku bën zgjedhjen e vet. Një këngë pa vlera nuk mund të jetë refreni i një dite, të të gjendet në një moment të trishtë.
Flori: Nuk mund të mbyllësh sytë e ta shohësh, apo të udhëtosh natën e ta dëgjosh në makinë. Jo, nuk ndodh.
Si i shihni zhvillimet në tregun muzikor shqiptar?
Flori: Kohëve të fundit pak këngë me vlera janë krijuar. Këngëtarët shohin edhe pjesën e biznesit. Në shesh, ku këndohen këngë ritmike, nuk mund të dalësh me një baladë, sepse masa nuk ta kupton. Influencohen nga shijet e publikut, që duhet thënë janë të çuditshme. Kështu ndodh që nuk bën dot atë që do.
Soni: Në përmirësimin e kësaj situate rol duhet të luajnë edhe festivalet. Marrim "Këngën Magjike", që vitet e fundit, duke parë gjithë këtë gjullurdi në treg, po përpiqet të sjellë vlera.
Flori: Është një mundësi për të bërë atë që do, që ndjen, pa menduar në do të ngrihet në këmbë publiku, apo jo.
Bëhesh i pasur me këngën? Si ju rezulton në llogarinë bankare?
Flori: Shpirtërisht vetëm. E ndiej veten të pasur kur bëj muzikë, madje njeriun më fatlum në botë, por ekonomisht jo. E kam filluar me një llogari zero dhe vazhdon të jetë zero. Nuk mund të abuzohet me diçka që del nga shpirti.
Soni: Muzika është diçka shumë emocionale, shpirtërore. Florit i ndodh të zgjohet edhe në 02.00 të natës për të hedhur një motiv që i ka lindur në mendje. Ne e përjetojmë muzikën, sepse është një dashuri e madhe që kërkon përkushtim. Dhe si të tillë, zor se bëhemi të pasur, pasi edhe kompromiset nuk i pranojmë lehtë.
Si e shpjegoni atëherë fenomenin e plagjiaturës, apo "vjedhjes" së muzikës?
Soni: Mendoj se është një fenomen në zvogëlim. Para disa vitesh ishte shumë i përhapur, sepse edhe kompozitorët nuk dinin si të silleshin. Vinin nga festivalet me këngët e mëdha, ndërkohë që tregu ndryshoi dhe kompozitorët ishin konfuzë. Edhe mua më ka ndodhur në albumin e parë.
Si qëndron e vërteta e këngës suaj "të vjedhur" nga kënga serbe fituese e Eurovizionit, mos ndoshta u "fry" ca si tepër kjo çështje?
Soni: "Fryrja" nuk erdhi nga ne, por nga Suedia e Danimarka. Nuk mendoj se shqiptarët janë të parët që mbrojnë punën dhe artin e tyre, përkundrazi. Në atë periudhë më ndodhi, që shumë vende të Evropës më mbronin, ndërsa në Shqipëri u ngritën artistët (ndoshta nga xhelozia) të mbronin Serbinë. Këtu ishte edhe kontradikta. Mendoj se kjo histori ndihmoi të evidentohej kënga shqiptare. Kështu që duhej marrë në sensin pozitiv. Unë nuk e mora si një çështje personale. Ka këngë të tjera shqiptare që janë marrë nga vendet fqinje dhe ne nuk kemi guxuar të ngremë zërin.
Pra ju i qëndroni idesë se kënga serbe është e vjedhur?
S'mund të them e vjedhur. Po ka ngjashmëri, ndoshta për faktin që është baladë. Ka ngjashmëri në mënyrën e të kënduarit, zërit ndoshta.
Meqënëse jemi tek Eurovizioni, e mendoni pjesëmarrjen në Festivalin e fundvitit, me qëllimin për të shkuar në atë Evropian?
Soni: Nuk e shohim festivalin e fundvitit si trampolinë për në Eurovizion. Festivali i madh i ka zhgënjyer shumë artistët. Nuk arriti t'i mbante afër. Këngëtarët dhe kompozitorët e mirë nuk e shohin më si diçka ndjellëse për të shkuar në Eurovizion. Flori: Jemi shumë më të interesuar të sjellim diçka të bukur që të na pëlqejë ne dhe publikut. Edhe Eurovizioni vet është kthyer në një pazar, është pjesë e politikës dhe personalisht nuk më emocionon fare dhe nuk më josh për të bërë një këngë për atje.
Soni: Festivalin Evropian e ndjekim për të parë të rejat dhe e mbështesim Shqipërinë me këdo që të përfaqësohet, por pa entuziazëm. Nuk është më një ëndërr.
Ujë dhe sapun
Dashuri me notën 10
Cili është përkufizimi juaj për këngën?
F: Dashuri shumë e madhe.
S: Kënga është shpirt. Veçse dashuri është edhe energji shumë e madhe.
Cila është dashuria e parë?
F: Kënga
S: Padyshim kënga. Që e vogël këndoja "non stop".
Po më e madhja?
F: Kënga nuk të braktis kurrë. Sa herë që ulem në tastierë ajo është aty. Dhe ndonjëherë më vjen keq për të sepse unë e "shfrytëzoj". Por ka edhe një tjetër dashuri, po kaq e madhe dhe e ndryshme. Është dashuria për njeriun.
S: E njëjta
Ç'ju mallëngjen?
F: Më mallëngjen diçka që më mungon, diçka që është e bukur, që e kam dhe s'e kam. Më mallëngjen edhe stina. Stinët kur ndërrohen më japin një ndjesi… Nuk lidhen me kujtimet.
S: Më mallëngjen një situatë, një këngë, një njeri…
Ç'ju bën të qeshni?
S: Flori
F: (qesh)
Cili ka qenë momenti më i trishtuar në jetën tuaj?
F: Humbja e babait tim.
S: Nuk kam pasur situata shumë të trishtuara.
Cili ka qenë momenti më i lumtur?
F: Sot. Në këtë periudhë ndihem njeriu më i lumtur.
S: Unë dhe Flori ngjajmë shumë… Ka kohë që jam e lumtur dhe është në vazhdueshmëri. Janë gërshetuar bashkë dashuria, puna, jeta familjare, gjithçka.
Ç'fëmijë jeni për prindërit tuaj?
F: Mistrec.
Soni: Paksa i llastuar, por jo për keq. Një fëmijë që nuk ka sjellë probleme të mëdha. E mirë… Pak në botën time të muzikës.
Po si të dashur? (Ç'notë i jepni vetes)
F: Pyet Sonin. Notën 10.
S: Pyet Florin
Ç'ju pëlqen tek njëri-tjetri?
F: Më pëlqen dashuria për punën, emocioni për atë që kemi ëndërruar që kur kemi qenë të vegjël, më pëlqen sepse është shumë e kujdesshme. Është e mrekullueshme në raport me njerëzit. Është e matur, e komunikueshme. Por ajo që pëlqej më shumë është që ajo më dashuron shumë dhe unë gjithashtu.
S: E dua sepse më ka bërë njeriun më të lumtur në botë. Është dhurata më e bukur e jetës sime. E veçanta në çiftin tonë ëshë që e vlerësojmë dhe e respektojmë shumë njeri-tjetrin. Përveçse kemi shumë gjëra të përbashkëta, kemi shumë dialog dhe e duam njëri-tjetrin pa kufij.
Çfarë nuk pëlqeni tek njëri-tjetri?
S: Mua më pëlqejnë edhe defektet e Florit. (Ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë…) (qesh)
F: Janë gjëra fare të vogla, që mund t'i kemi patur që në fëmijëri. Fakti që jam me Sonin nuk është rastësisht. Kam gjetur atë që dua. E vlerësoj me notën 10.
Si e bëni gjumin?
F: Me sy mbyllur. Ëndërrat janë ekskluzivitet i Sonit, i sheh edhe me përkthim ndonjëherë, edhe me spote publicitare në mes (qesh).
S: Flori tallet me mua, se çohem në mëngjes e ia tregoj me hollësi. Ai më thotë TV "Ëndërra".
Ku besoni?
F: Më së shumti tek vetja, pastaj tek një fuqi e mbinatyrshme. E kam të vështirë t'i vë një emër. Dikush beson tek një fe, dikush tek një simbol. Kështu që s'mund të them që besoj tek feja, apo tek perëndia. Thjesht tek diçka e madhe, tek e cila kam nevojë të besoj. Por më shumë besoj tek vetja. Nëse i vë vetes një qëllim, e arrij.
S: Unë besoj shumë. Jam besimtare e krishterë, por besoj shumë edhe tek Flori.
Ç'prisni nga fundviti?
F: Pres të përmirësohet gjithçka që mendojmë në mëngjes dhe nuk funksionon. Shpresojmë që punën tonë ta shijojmë si artistët jashtë shtetit, (të paktën si ata në Maqedoni), ku gjërat shkojnë shumë mirë, sepse funksionon shteti, e drejta e autorit, gjithçka që ka lidhje me muzikën. Shpresoj të përmirësohet gjithçka që nga gjërat më të thjeshta, që nga uji e dritat, që nuk i kemi në mëngjes. Po më e rëndësishne është që të kemi shëndet dhe të jemi mirë familjarisht. Sa për njëri–tjetrin, edhe në një kasolle jemi rehat bashkë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora