E shtune, 26.07.2025, 12:11 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: “Vatani im është biznesi im”

E enjte, 31.03.2011, 07:58 PM


“VATANI IM ËSHTË BIZNESI IM“

 

Nga Fadil LUSHI

 

            Unë nuk di se në këtë shkrim timin të  radhës, sa do kisha të drejtë të përmend një medium vizual prestigjioz andej Shqipërisë, i cili kohë më parë hetoi një histori. Një miku im, që merret me gazetari, më thotë se sikur ta përmend atë televizion do të thotë t’i bësh publicitet pa pare. Ndaj mua nuk më jepet e drejta ta përmend. Po mirë, nuk po e përmend.

            Po ta përmendja mbase do më ndihmonte sadopak në shtjellimin e këtij shkrimi. Sido qoftë, pikësynimi i këtij shkrimi le të jetë një rikujtim; nga retrospektiva e Jeronim de Radës dhe të Hasan Prishtinës. Njohësit e mirë të jetërrugëtimeve të figurave të lartpërmendura do të thonë se ata dikur kishin shitur pasurinë për mirëqenien e vatanit të tyre. Pa ma zënë për të madhe, veprimet e tyre unë nuk do mund t’i konceptoj ashtu thjesht dhe drejt nga fakti se më mungojnë perceptime të mjaftueshme ndaj kësaj historie.

            Të thuash se kjo ndodhi është e veshur me patriotizëm është pak, të thuash atdhetarizëm është njësoj. Për shqiptarët, ky veprim i njerëzve mendjehollë dhe mendjendritur është më shumë se atdhedashuri! Gojëkëqijtë dhe makiavelistët shqiptarë, të cilëve u mungon mbamendja pozitive, duke e mohuar këtë histori sot do të thonë se veprimet e Jeronim de Radës dhe Hasan Prishtinës, na paskëshin qenë “utopi, megalomani, nihilizëm dhe mendjelehtësi”!? E keqja e kësaj ndodhie është  se atë pasuri të De Radës dhe Hasan Prishtinës e blenë po bashkëvendësit e tyre, ata derëbejlerët, toptan për pak para.

            Ky vendim i tyre sa i përket shitjes së pasurisë kishte një moral të dyfishtë: e para, kuptim të lartë kombëtar, e dyta, blerja e këtij malli ishte një veprim sa i turpshëm po aq edhe moralisht shumë i ulët. As i pari, e as i dyti, nuk e bënë këtë për të ndërtuar karrierë as politike, as emër e mbiemër. Thjeshtë ishte një urtësi dhe pjekuri e tyre. Dhe sot, njerëzit, lëre që nuk do të shkruajnë dhe nuk do ta kujtojnë atë histori (që zor se ndonjëherë do të përsëritet) dhe duke e ushqyer memorjen a mbamendjen e tyre negative, do ta banalizojnë atë retrospektivë sa të ndritur, po aq edhe të lavdishme. Tekembramja, shqiptarët mund të divorcohen nga kjo histori e Jeronim de Radës dhe Hasan Prishtinës, por ama nuk kanë të drejtë ta zhbëjnë a edhe t’i bëjnë hile.

            Me një filozofi dhe frymë të vjetër a të sëmurë dhe krejt të kundërt nga kjo, do të ballafaqohen shqiptarët sidomos ata, të cilët në vijimësi do mëtojnë të ulen në kryeminderet e principatave politike gjithandej ku frymojnë shqiptarët. Disa do të ndërtojnë histori (politikë) me paratë personale, ca të tjerë do të krijojnë histori (përparim të shpejtë) të sajuar dhe të turpshme me paratë e popullit, ndërkaq ata që nuk e kanë këtë mundësi do të shfrytëzojnë gabimet e të lartpërmendurve, ashtu pa u hetuar, duke e tradhtuar dhe braktisur partinë, do të mëtojnë t’i hanë kokën njëri-tjetrit me qëllim për të (ri) marrë dhe zaptuar pushtetin vendor a legjislativ, edhe ashtu të hallakatur këtu pari, gjegjësisht në “trekëndëshin gjeografik”: Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë!? Këtë histori a këtë retrospektivë politike të Jeronim de Radës, të Hasan Prishtinës dhe të tjerëve si ata, do të bëj përpjekje ta ndërlidh me filozofinë e politikëbërjes së partive politike shqiptare si dhe me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare këtu në Republikën e Maqedonisë, si dhe me zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri.

      Që në fillim po parashtroj ca pyetje, pa çka se do të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare! Kush do të nxjerrë fitim material ose shpirtëror nga kjo “rrëmujë politike”! Kush kë do ta korruptojë dhe sa do ta korruptojë para se të jepet vota vendimore! Kush kujt dhe sa do t’ia hedhë! Kush kë do ta gënjejë dhe sa do ta gënjejë! Ata që kanë përvojë në këtë lëmë do të thonë se në këtë “rrëmujë” fillimisht do të përfitojnë mediumet vizuale!? (nëse do t’i marrin paratë) Mandej përfitues nga kjo “rrëmujë” do të jenë partitë politike maqedonase, pak ato shqiptare, hiç ato që do ngelin në opozitë dhe hiç fare hiç votuesit. Se kush kë e korruptoi dhe sa e korruptoi është një tregim i vërtetë  po edhe i përsëritur sa që e ka humbur ngjyrën. (një shembull flet për disa deputetë të “korruptuar” të cilët dikur, duke tradhtuar partinë  amë, kaluan në një tjetër parti politike shqiptare)

     Prandaj para se të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, partitë politike shqiptare (në pozitë a opozitë) këtu në Republikën e Maqedonisë, fillimisht do të duhet të ulen në sofrën e tyre të “përbashkët”, që një herë e përgjithmonë, të ndërtojnë një debat serioz sa politik, po aq edhe racional, në veçanti kur është fjala për formimin e qeverisë së re? Në atë debat do të duhet të ndërtojnë standarde të reja sa u përket mënyrave të veprimit politik. Në atë debat do të duhet të dëgjojnë zërin e arsyes! Ku ta di njeri se a do dëgjohet ai zë i mirë! Vetëm kështu (unik) mund të jenë në qendër të vëmendjes politike dhe diplomatike të Brukselit, Uashingtonit, si dhe të trupit votues. Ndryshe nuk bën.

     Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, çdo parti politike shqiptare fillimisht duhet të ketë një qasje sa të matur, po aq dhe racionale, njëkohësisht do të duhet të përjashtojë të gjithë ata politikanë që do të mëtojnë të “udhëhiqen me ego të trazuar dhe të çmendur”, do të duhet t’i largojnë nga foltoret të gjithë njerëzit prepotentë, arrogantë dhe çallëmxhinj, sidomos ata me duf të shfryrë dhe të akumuluar. Kësaj radhe në këtë fushatë parazgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve, ambienti ku do të votohet paraprakisht duhet të pastrohet nga çdo “mbeturinë politike”. Në ato ambiente nuk do të duhet të ketë vend për kapadaillëk, brutalitet, agresivitet, sharje, sertllëk, nuk do të duhet të ketë vend  për arrogancë katundareske a provinciale, për çdo fjalor denigrues, për bajraktarizëm, për presione a kërcënime që do vijnë nga “falangat a kokëkrisurit” e partive politike.

     Në këto ambiente nuk do të duhet të ketë vend për të privilegjuar, po qoftë edhe për lidershipin, një lidership i cili ka për detyrë t’i emancipojë dhe humanizojë proceset zhvillimore e jo me “autoritarizmin” e tij ta ushqejë urrejtjen dhe përçarjen, (këtyre lidershipëve do të duhet t’u asgjësohet miti i të qenit i pazëvendësueshëm, i paprekshëm dhe i pathyeshëm.) Tekefundit, para kutisë ku “hidhet” një pjesë e bindjes politike të cilitdo qoftë njeri, të gjithë janë të barabartë pavarësisht se privilegji politik mund të jetë pjesë (a jo) e natyrës të votuesit.

    Cilado qoftë parti politike shqiptare që do të mëtoj ta radikalizojë dhe ta rebelojë fjalorin politik në kuadër të fushatës parazgjedhore, që në fillim do të ndëshkohet nga elektorati i (ç)ekuilibruar, i pakënaqur dhe i bezdisur nga të qenit në opozitë a pozitë.

   Nëse partitë politike shqiptare do të konsiderojnë se janë në qorrsokak atëherë do të detyrohen të kërkojnë rrugë alternative politike, jo kalldrëme të shtruara me zhavorr dhe gurë mali. Rrugët të tjera zor se do të gjejnë!??

 

    Partitë politike shqiptare sot e gjithë ditën e Perëndisë nuk kanë nevojë për “mbretër” politikë që do të jetojnë në “kështjellën”e tyre të pamposhtur, një kështjellë që në çdo sabah rrezikohet të rrënohet.

     Së fundi, parashtrohet edhe pyetja - shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës a kanë nevojë për “rilindës të shquar e të vërtetë politikë”, apo do të duhet edhe në të ardhmen të udhëhiqen nga këta që hiqen “politikanë të mirëfilltë”, apo ndoshta do të duhet të marrin leksione të reja politike, qytetare madje edhe historike. Nuk kemi kohë të presim që dikush në “oborrin tonë të na sjellë politikanë me sjellje (qëndrim) prej aristokrati a edhe politikanë me prejardhje qytetare”, siç do thotë një plak me mendje të ndritur nga mëhalla jonë. Gjithsesi se hapësira jonë politike ka nevojë për të tillë. Pse jo, sepse shqiptaria i ka pasur dhe i ka. Duhet vetëm të hetohen dhe mandej të përfshihen në këtë veprimtari!?

     Nëse partitë politike shqiptare gjithandej ku veprojnë, nuk do t’i bëjnë kurimet e nevojshme, atëherë çdo fitore e tyre e ardhshme, qoftë e “madhe a e plotë”, do të konsiderohet si e kontrabanduar dhe e kurdisur.

    Edhe në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk do bien kambanat sepse shqiptarët me besim mysliman, nuk kanë objekte sakrale me kambana, po edhe siç u venë punët, ndoshta nuk kanë nevojë të dëgjojnë zërin e kambanave që paralajmërojnë një verë të nxehtë politike. Megjithatë shqiptarët nuk kanë të drejtë të ngelin jashtë këtij realiteti politik.

 

    P. S.

Nëse ti, i nderuar lexues, mendon se ke të drejtë, atëherë mos e kafsho buzën tënde. Le ta kafshojnë gjuhën ata të cilët premtuan a gënjyen!??



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx