Mendime
Shefik Shkodra: Frakofonia dhe frankofonët e Kosovës
E merkure, 30.03.2011, 07:58 PM
FRANKOFONIA DHE FRANKOFONËT E KOSOVËS
Nga Shefik Shkodra
Gjuha dhe civilizimi frëng zinte një pjesë të madhe të vendeve të ndryshme të botës deri në shekullin e kaluar. Shumë prej këtyre vendeve atë e kishin edhe gjuhë zyrtare për shumë vite, sidomos ato shtete që qeveriseshin prej Francës. Pra, atëherë e deri në gjysmën e parë të shekullit njëzetë, kryesisht kolonitë franceze. Në disa vende, edhe pas çlirimit, kjo gjuhë mbetet edhe më si gjuhë paralel me atë vendore. Por, edhe ngase në ato (disa) vende ka vijuar si gjuhë përditshmërie për shkak të qytetarëve francez që ishin banorë të atij vendi. Por, shtrirja e gjuhës dhe të civilizimit francez nuk ishte vetëm për këtë shkak. Atë e adhuronin dhe e mësonin shumë vende të tjera si gjuhë diplomacie e kulture. Ky qëllim ishte edhe në pjesën më të madhe të shteteve ballkanike. Disa universitete më të vjetra më herët kishin themeluar katedra të Gjuhës dhe të letërsisë frënge, prej nga dolën mjaft kuadro për gjuhë e letërsi. Kush prej tyre edhe është specializuar qoftë për gjuhët krahasuese romane me gjuhët tjera, por prej këtyre katedrave dolën edhe specializantë të nacionaliteteve të ndryshme për letërsi...
Të mësuarit e Gjuhës frënge dhe Katedra në Prishtinë
Gjuhën frënge shqiptarët e kanë mësuar dhe e kanë studiuar edhe atëherë kur nuk ka pasur sistem arsimimi fare në Kosovë e as në Shqipëri. Pra, e kanë mësuar në Francë, në Turqi, në Zvicër, etj. dhe është vërejtur se shqiptarët gjuhët e huaja i mësojnë në mënyrë korrekte e më shpejt se një pjesë e qytetarëve të vendeve tjera. Kjo nuk do të thotë se e mësuan ose e mësojnë duke çaluar, por saktësisht edhe shqiptimin dhe drejtshkrimin, e cila nuk është e lehtë të mësohet krahas atij që e ka gjuhë amtare. Megjithatë, nuk do të thotë se çdo njëri që e ka studiuar këtë gjuhë edhe ka pasur sukses. Është varur prej mundësive materiale kryesisht, por edhe prej rrethanave politike, ngase një gjuhë e huaj për t’u perfeksionuar është dashur që kontakti të jetë i mirë dhe i pandërprerë me shkollat dhe qytetarët e atij vendi.
Katedra për Gjuhë dhe letërsi frënge në Kosovë ka startuar në vitin akademik 1970/71, pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit në Prishtinë. Me pak kuadro, me hapësirë të kufizuar dhe me shumë kandidatë të interesuar. Përpjekja për arritje të duhur si çdo kund tjetër atëherë, edhe në këtë katedër ishte mjaft e madhe si nga studentët, po ashtu edhe nga pedagogët e atëhershëm.
Mësimdhënësit që e filluan punën në këto vite te kjo katedër ishin: Ruzhdi Ushaku, Murat Bejta,Ymer Jaka, Gjyltekin Shehu, Shefki Sejdiu, Masar Stavileci, Engjëll Sedaj, një Maluga (për ushtrime), gjithashtu për letërsi një Damjanovic, Mensur Raifi, Muhamet Kërveshi...Gerard Links, Odette, Shantal (për lektorë), e tjerë që s’më kujtohen emrat e tyre. Gradualisht, për vitet tjera plotësohej me kuadro, por gjenerata e parë ka pasur mjaft probleme. Nuk kishte literaturë të mjaftueshme, nuk kishte edhe mjete tjera konkretizimi aq, veç një sallë me kabina për ushtrime gojore. Letërsia ishte e grumbulluar për tetë (8) semestra me një provim që shkonte bashkë edhe diploma. Më vonë ndërroi për të mirë edhe me ndarjen dhe sistemimin e provimeve, kuadrin, mjetet ndihmëse, nisi edhe formimi i një biblioteke, etj. Si u tha, gjeneratës së parë i ra një barrë më e madhe. Sa di, gati të gjithë studentët pas vitit të parë qenë shpërndarë në qendra e vende të ndryshme për të mbajtur mësim të Gjuhës frënge, në mënyrë që të dominonte si gjuhë e parë e huaj, kryesisht para Gjuhën ruse, e cila deri atëherë ishte e pranishme mirë në shumë shkolla të Kosovës. Edhe studimet edhe mësimdhënie bëhej nga kjo gjeneratë. Dhe ishte pak e vështirë. Deri në vitet e tetëdhjeta kuadrot më të reja diplomonin krahas gjeneratës së parë. Dhe u mbush me kuadro të kësaj gjuhe në të gjitha komunat e Kosovës. Gradualisht që nga fillorja nisi mbarë me frëngjisht dhe ata që vinin në shkollat e mesme ishin shumë më të aftë në këtë gjuhë se sa ata që ishin me shkëputje e kalonin herë një anë e herë në tjetrën. Këto kuadro, disa komuna e regjione e kishin kapluar tërësisht arsimimin me Gj. frënge. Te pjesa më e madhe e kolegëve me përfundimin e studimeve të kësaj gjuhe ishin mjaft të preokupuar me punën e tyre pedagogjike dhe të përpjekjeve për të arritur të saktë e solide të mësimdhënies së kësaj gjuhe.
Frankofonët e Kosovës pa përkrahje të duhur dikur
Java frankofone në Kosovë që u mbajt këto ditë e që po mbahet qe disa herë pas luftës, është një shenjë e mirë për një marrëdhënie të më të rinjve në fushën e kulturës, sportit, e njohjes me të arriturat në lëmenj të ndryshëm, këtu dhe atje. Kjo na bën të lumtur që të ripërtërihet edhe më marrëdhëniet shqiptaro-franceze në këto fusha të jetës ndër këta dy popuj, që ishin këto marrëdhënie herët e me shekuj. Me suspendimin e kushtetutës së Kosovës, Serbia filloi të ndërpres edhe lidhjet tjera me botën në relacion me Kosovën. Kështu frankofonët shqiptarë mbetën pezull, veç vullnetit të tyre. Pas viteve të ’90-ta, filluan edhe disa kuadro ‘udhëheqëse’ që të gjejnë “qime në voe”. Dikush thoshte se do të duhej të inaugurohej Gjuha gjermane, dikush anglishtja (kjo e fundit veç ishte). Po propozimet bëheshin sipas dëshirës dhe tekeve të ndonjë gjysmëzyrtari të atyre kohëve.
U themelua edhe një Shoqatë e frankofonëve, nuk di si është quajtur, por para lufte nuk pati ndihma as lidhje me Francën, që në Beograd ndodhej zyra ndërlidhëse, por për ne në Kosovë jo. Nëse ndonjë shqiptar ka mundur që të kontaktoj me atë zyre në Serbi, ndoshta ka tëfilluar ndonjë punë të vetën. Pas lufte disa shqiptarë u ngjitën me Shoqata e OJQ të ndryshme, e tash edhe me zyrën franceze ndërlidhëse në Prishtinë. U mbajtën aty-këtu takime si gjysmë protokollare, por asnjëherë nuk u tregua diç që do të duhej të reflektohej nga të gjithë këta profesorë e arsimtarë që kishin komunat tona, si kuadër me aftësi të shkallëzuara në aftësitë e tyre për këtë gjuhë. Këta disa prej këtyre individëve e grupeve, që ishin në kontakt me këtë zyrë, kishin pasur si përfitim shkuarjen (si klandestinë) në Francë për ndonjë muaj edhe me ndonjë të ri (nxënës), asgjë tjetër. Qeveria franceze do të duhej të ishte më se e lumtur për gjithë ata studiues të gjuhës dhe kulturës së tyre nga vende të ndryshme e edhe nga shqiptarët. Por, investimi te këta nxënës të tyre është shumë i vogël nga ana e tyre për të mos thënë fare. Kuadrot e arsimuara nga kjo gjuhë aq e respektuar, tash kanë mbetur (pjesa më madhe) në mëshirën e kohës.
Edhe Qeveria jonë pat premtuar se do nis me plan-programe të reja që kjo gjuhë të startoj që nga klasa e VI, por kjo ka mbetur veç fjalë. Kështu Gjuha frënge, tash mësohet vetëm si gjuhë e dytë në gjimnaze. Të gjitha shkollat tjera të mesme e kanë braktisur. Kuadri u mbështet (një pjesë) aty ku mundën, pjesa tjetër mbeti të shes e të blej (ata që kanë mundësi) edhe deviza, por edhe me punë të tjera, e dikush me asgjë. Kështu, nga studimet e mundimshme dhe shumë me rëndësi dikur, sot u hodhën në shportë bërlloku.