E shtune, 26.07.2025, 03:23 AM (GMT+1)

Mendime

Bedri Islami: E premtja e përgjakshme - turpi i kombit

E marte, 29.03.2011, 07:17 PM


E PREMTJA E PËRGJAKSHME – TURP I KOMBIT?

 

Të vrarët nuk do të kthehen më

 

Nga Bedri Islami

Gazetar- Vjenë

 

E premtja e 21 janarit 2011 do të mund të quhet plotësisht si një ditë e zezë në historinë e Shqipërisë. Jo vetëm e thjeshtë se u vranë katër demonstrues, të cilët, për turpin e atyre që i quajtën bandë dhe kriminelë, ishin të gjithë mbi 35 vjeçarë, njëri nga të cilët vëllai i vetëm i 4 motrave, përgjithësisht familjarë, por mbi të gjitha sepse shteti dhe qeveria, të cilët duhet të përjetojnë më shumë se të tjerët krizën mbi qytetarët, e rënduan atë me dhunë dhe gjak.

Do të vijnë ditë të tjera dhe njerëzit do i rikthehen punëve të tyre, stacionet TV do të kenë pas disa ditësh lajme të reja, njerëzit do të kenë halle e mundime plot, Berisha do të shkojë përsëri në zyrën e tij, do të kalojë mbi njollën e gjakut që është tek hyrja e ndërtesës qeveritare, duke i mbushur mendjen vetes se ai vetë, “është djali që lufton me kuçedrën”, por të vrarët nuk do të kthehen më.

Skena të tilla kur policia ende pa filluar mirë demonstrata fillon të ushtrojë dhunën e saj, kemi parë të ushtrohen mbi shqiptarët në Prishtinë në vitin 1997 dhe kjo që ndodhi nuk ishte asgjë tjetër veçse varianti serb i ngjarjeve të Tiranës. Kush e solli këtë skenar serb, kjo tashmë është e qartë, Bashoviçët e rinj të politikës shqiptare i kanë së bashku me të inkriminuarit serb pazaret, bizneset, punët e piste dhe tani kanë edhe gjakun.

Nuk kam në mend të marr në mbrojtje demonstruesit, të cilët, me çadra dhe mbetjet e pllakatave me të cilat donin të demonstronin, sulmuan policinë, e mbrojtur me skafandra. Në mes të njërës palë dhe tjetrës, ishte një njeri, i cili, pasi i tregoi dhëmbët shqiptarëve disa ditë radhas, dha edhe urdhrin për gjuajtjen me plumba.

Mirëpo e gjithë kjo do të më kishte lënë të shokuar dhe të heshtur nëse nuk do të mendoja për disa ngjarje, të cilat kanë lidhje me 21 janarin dhe e kanë përgatitur në një farë mënyre atë.

Ngjarja e parë: Në Shqipëri në 20 vitet e fundit, herë pas here, ka pasur ngjarje të tilla si e 21 janarit, të cilat kanë qenë të shoqëruara me vrasje, djegie, dhunë dhe shkatërrime. Deri më tani të gjitha këto kanë pasur një autor, Partinë Demokratike dhe Sali Berishën. Në Shkodër, PD me 2 prill 1991 organizoi demonstratën kundër votimeve të 31 marsit 1991. U vranë katër djem të rinj, njëri prej të cilëve jetonte në një oborr me mua, Arben Broci. Liderët lokalë demokratë, Pjetër Arbnori, Ali Spahia dhe një Xhemal, sekretar i degës së PD, që pas 2 prillit iku në Amerikë, nuk morën pjesë në demonstratë. Asnjëri prej tyre. Nuk morën pjesë as vajzat e Ali Spahisë, gjimnaziste në shkollën e mesme “Jordan Misja”, nga ku filloi demonstrata. Nuk u lejua të bëhej autopsia e të vrarëve. Vrasësit e 2 prillit nuk janë gjetur akoma, megjithëse një vit pas ngjarjes, Berisha erdhi në pushtet dhe organizoi një gjyq qesharak. I akuzuari kryesor ishte kryeministri Fatos Nano. Tani ai është miku më i ngushtë i Berishës. Bëjnë bashkë pazaret dhe ujditë. Gjaku i 2 prillit u harrua. I gjithë 2 prilli u regjistrua nga ekipi TV i Malit të Zi, vetëm nga ai. Kush i thirri ato?

Ngjarja e parë- b; në një qytet në veriun e Shqipërisë, gjatë një sulmi mbi barakat e furnizimeve, vdiqën me dhjetëra vetë. Qyteti quhet Fushë-Arrës. Më së shumti u dogjën. Shkaktarët nuk janë gjetur ende. Kryeministër ishte Fatos Nano, protestuesit ishin nga PD-ja. Fatos Nano vazhdon të jetë miku i afërt i Berishës, tashmë, sipas tij, reformator, udhëheqës historik i të majtës, deri dje vrasës, bos i drogës, vampir. Çfarë ka ndryshuar? Asgjë.

Ngjarja e parë -c; trazirat e vitit 1997, të cilët e quanin shtetin në kolaps dhe në pragun e luftës civile. Ata e kishin një parathënie, dhunën mbi opozitën e vitit 1996 kur maji i atij viti u përgjak. Nga njëra anë përsëri Berisha, dhe nga ana tjetër, askush nuk e dinte se kush ishte. Berisha armatos vullnetarët e mobilizuar për të luftuar kundër jugut. Populli shkatërron depot. Anarki, vrasje, mbi 4 mijë vetë të vrarë, ndërgjegja historike e shqiptarëve e masakruar. Askush nuk është dënuar, askush nuk mban përgjegjësi.

Shtator 1998- Kosova është në kulmin e luftës për liri. Berisha, nga njëra anë përsëri, sulmon kryeministrinë, rrëmben tanket, shkallon dyert, një legalist pushton TV shqiptar, bëhet thirrje për përmbysje. Arkivoli me trupin e të ndjerit Azem Hajdari shërben si tra për të shkallmuar dyert e qeverisë. Qeveria e asaj kohe pranon të ikë dhe të mos derdhë gjak. I akuzuar për vrasje përsëri Fatos Nano, miku i sotëm i Berishës. Shkaqet e vërteta të vrasjes së Azem Hajdarit ende nuk dihen, ashtu si nuk u sqarua kurrë se nga e diti Berisha se kush kishte qëlluar, vetëm një gjysmë minute pas vrasjes. Azemi kujtohet kur i shërben qeverisë së sotme. Qeveria e asaj kohe, shtator 1998, ra, i pari i qeverisë u bë Pandeli Majko, përsëri Berisha filloi sulmet kundër tij dhe demonstratat, nganjëherë dy në ditë. Nuk kishte të vrarë. Përsëri nga njëra anë ishte Berisha, nga tjetra drejtuesi i radhës për PS.

Pastaj erdhi Meta. Ky u quajt vrasës, vjedhës i zgjedhjeve, hajdut, bosi i mafias shqiptare, klani më i rrezikshëm në Ballkan, manipulues, për fat nuk u derdh gjak, por u akuzua për vrasje pas shpine. Nga njëra anë Berisha, nga tjetra Meta. Ky i fundit është njëri nga dy miqtë më të afërt të Berishës së sotëm. Se çfarë qëndron pas kësaj miqësie, kjo është e qartë… për disa minuta fitohen qindra mijëra euro. Cila është pjesa e luanit dhe cila është pjesa e tigrit, nuk dihet.

Konkluzion i ngjarjes së parë: Në të gjitha trazirat, dhunën, vrasjet gjatë protestave, thyerjet dhe anarkinë, nga njëra anë është Berisha dhe nga ana tjetër, drejtuesi i radhës i palës tjetër. Kushdo qoftë ai. Kushdo që të jetë nesër. Nga të gjithë këto të fundit, dy të akuzuarit më ashpër, si vrasës serialë dhe shefa mafiozë, Meta dhe Nano, janë miqtë më të afërt të Berishës. Çfarë duhet bërë: duhet ndërruar njëri shef i njërës palë, ai që qëndron gjithnjë aty, ku është ngjarja e dhunshme. Rrugë tjetër nuk ka dhe nuk do të ketë. Njeriu që mendon se lufton me bajlozin e detit, duhet kthyer mbrapsht.

Ngjarja e dytë: Në deklarimin e 21 janarit, në mbrëmje vonë, Berisha deklaroi se vrasjet janë bërë me armë që nuk i ka policia e shtetit. Çuditërisht ai e dinte këtë para të gjithëve. Mundet që ndonjëra prej tyre të jetë bërë me armë të tilla, që mund të mos jenë në inventarin e policisë së shtetit, por që elementë të kësaj policie mund t’i kenë. Përse e mendoj këtë? Policia e shtetit, pak pas ngjarjes, deklaroi se vrasjet nuk kanë ndodhur në shesh, por kur po grabiteshin dyqanet. Pra, demonstruesit i ktheu hajdutë të rëndomtë. Nuk pamë as në TV Klan – qeveri, pamje të dyqaneve të vjedhura e të shkatërruara, me përjashtim të një lokali luksoz, përballë qeverisë dhe në krah të kuvendit, që e shkatërroi pikërisht policia. Pra, policia “e ndershme” deklaroi se vrasjet nuk ishin bërë në shesh. Xhirimet e mëpasme dëshmuan se jo vetëm janë bërë në shesh, por pikërisht para ndërtesës së qeverisë, e para, mbi një njeri që ishte me duar në xhepa, dhe e dyta, para Kuvendit, mbi një njeri që ndodhej sa gjerësia e rrugës larg dyerve të qeverisë, e kështu nuk kishte se si të sulmonte askënd. Vrasjet e regjistruara u bënë njëkohësisht. Të dy të vrarët ranë njëkohësisht. Kjo do të thotë se urdhri për të qëlluar është dhënë njëkohësisht. Kush e dha urdhrin? TV Ora News deklaroi se njëra nga vrasjet u bë me snajper nga policia. Një vrasje tjetër, shikohet qartë se bëhet po nga policia, të tjerat, sigurisht që do të zbardhen.

Konkluzioni i ngjarjes së dytë: Berisha dhe policia po përpiqen të mbulojnë krimin. Ose se janë vetë fajtorë, dhe janë të tillë, ose se duan të japin zemër për krime të tjera. Kjo nuk jep asnjë lloj shprese për të ardhmen. Synimi i Berishës është i qartë, të japë mesazhin se kushdo e pëson si këto njerëz që janë kundër meje. Pra, mos guxoni.

Në shtetet perëndimore po digjen makina (nuk është mirë), po gjuhen policë (është e dënueshme), po bllokohet shteti (i bëjnë dëm veç vetes), por nuk vriten njerëz dhe nuk dhunohet një demonstratë që filloi paqësisht dhe që u përgjak. Po përpiqem të mendoj se çfarë do të bënte Berisha po të ishte në anën e dëmtuar: Sado që mund të mendohesh, nuk e gjen dot.

Ngjarja e tretë: Berisha deklaroi se për pak orë i kishin ardhur mijëra mesazhe nga qytetarë që ishin të gatshëm të shkonin për të mbrojtur institucionet. Shkurt e saktë, nga përkrahës që ishin të gatshëm të përlesheshin me demonstruesit. Sikur nuk ishte e mjaftë policia.

Ky deklarim i Berishës është edhe më i rrezikshmi. Faktikisht, për pak orë në asnjë telefon celular nuk mund të vijnë mijëra mesazhe. Në një orë nuk mund të të vijnë më shumë se 120 mesazhe dhe në pak orë, jo më shumë se 700 ose 800 të tilla. por, nga ana tjetër, duhet të shuash ata që kanë ardhur më parë, sepse asnjë pajisje nuk mban mijëra mesazhe.

Atëherë përse e thuri Berisha këtë: shkaku është i qartë, ai donte të bënte thirrje ndaj njerëzve të tij që të ishin të gatshëm, të zbrisnin në Tiranë e kudo, për t’i treguar vendin opozitës. Ai donte t’u thoshte atyre se nuk ishin vetëm, se tani janë me mijëra. Çudi, mijëra njerëz e dinë celularin e Berishës dhe të gjithë janë të pasionuar pas tij. Një thirrje të tillë ai e ka bërë edhe në vitin 1997, kur mobilizoi gjithkënd për të nënshtruar jugun. Përfundimi dihet.

Konkluzioni i ngjarjes së tretë: Berisha, askujt të mos i shkojë në mendje, nuk është gatshëm të heqë dorë nga pushteti. Më parë ai ishte i pasionuar pas pushtetit. Tani nuk është më vetëm pasioni. Në fakt është përlyerja makabër e tij, e familjes së tij dhe e grupit rreth tij në dhjetëra e qindra afera. Ai ka filluar të mendojë se çfarë mund të ndodhë pas tij, cili është fati i tij politik dhe fati i familjes së tij. Do e gëzojnë apo jo pasurinë që kanë vënë në të fshehtë me ndihmën e Fazlliç-ëve?

Konkluzioni i fundit: Duhet larguar nga pushteti një njeri që po çmend të gjithë vendin. Le të provojë Shqipëria të jetë një herë pa diktator. Po bëhen 70 vite që kemi ecur vetëm duke ndërruar diktaturë dhe diktatorë. Tani le të vijë një kohë tjetër. Dhe, të jeni të bindur, atëherë Shqipëria do të jetë e bukura e dheut.

Por edhe asaj here, të vrarët e 21 majit, nuk do të mund të ringrihen.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx