E enjte, 01.05.2025, 05:20 PM (GMT+1)

Mendime

Çlirim Uça: Polemikë me Prof. Murat Gecaj

E enjte, 31.03.2011, 07:22 PM


POLEMIKË ME PROF. MURAT GECAJ

 

Akuza për servilizëm dhe mohimi i saj.

 

Nga Çlirim Uça

 

Për kujtesë lexuesit:

 

Me 21. 03. 11, në faqen Z. Sh, Prof. Murat Gecaj shkroi artikullin: DR. SALI BERISHA, UDHËHEQËSI I SHQUAR I LËVIZJES DEMOKRATRIKE NË SHQIPËRI.

 

Për këtë shkrim z. Gecaj nga shumë lexues, ndër ta edhe unë, u cilsue si servil i Sali Berishës.

 

Me 24.03.11. Prof . Gecaj vetëdeklarohet: “Jam vetëm intelektual i lirë e i pavarur".

 

Në të gjithë gjykimet ndaj ndonjë kundërvuemje, e çfarëdo natyre të ketë qenë ajo, kundërshtuesi nuk ka mbetë pa u vlerësue nëse ai ka qenë i sinqertë në trajtimin e çeshtjes. Prisnim të ishte i tillë edhe Prof. Gecaj, çka do të vlerësonim sinqeritetin e tij autokritik, e sinqeriteti asht vlerë njerëzore e çmuehsme. Por, mjerisht, edhe kjo vlerë i mungon atij. Shkon edhe ma tej, me kambënguljen për të na u imponue, çka lë të kuptosh se, simbas tij, as duhet kalue fare në shqyrtime e gjykime, qoftë edhe të mendimit të lire, sepse mund të ndodhë që edhe një akuzë për servilizëm ” është shume e neveritshme”. I lëndohet UNI i personalitetit, i varun fort te kollarja e Profit dhe mbasandaj kërkon mbrojtje dhe mospërsëritje të asaj që asht lënduese për të. Këte mbrojtje ai e kërkoi në shkrimin e datës 24 .03.11 kur shkroi:

 

”- Përfundoj, duke shpresuar që raste të tilla nuk do të përsëriten më në Faqen e Internetit "Zemra Shqiptare", - qortim ky që shpreh qartë vogëlsinë e tij intelektuale.

 

Përse akuza për servilizëm e ka ba aq marak, sa të reagojë në këte mënyrë? Pse për të asht tepër e neveritëshme akuza për servilizëm, por jo servilizmi vetë?

 

Një filozof ka thanë “ Sikur aksiomat gjeometrike t’i preknin interesat e njerëzve, ata do të ngriheshin t’i përgënjeshtronin edhe ato”. Kështu asht edhe në këtë rast me prof. Gecajn.

 

 

Ne shkrimin e datës 21.03: DR. SALI BERISHA, UDHËHEQËSI I SHQUAR I LËVIZJES DEMOKRATRIKE NË SHQIPËRI, të cilin z. Gecaj ia kushton” Ditës së Fitores së Demokracisë në Shqipëri”, figura e Sali Berishës shfaqet me një madhështi heroike, tue nisë nga bankat e shkollës e deri në ditët tona. Mungon qoftë edhe një fjalë e vetme kritike për atë që, sa erdhi në pushtet, ashtu edhe si shoku i tij i dikurshëm i partisë, Fatos Nano, u kthye në një si vrimë të zezë, që përpiu pamëshirshëm : andrrat, shpresat, idealet, djersën dhe fuqitë demokratike të brezave të jo ma pak se 65 vjetëve (që nga 1924), dhe mbasi i treti ato, u ba figura ma tragjike e demokracisë shqiptare.

 

Jo, në shkrimin e tij nuk ka asnjë fjalë për Sali Berishen si:

 

- Autor i shkatrrimit të pasunisë kombtare;

 

- Autor i vazhdimit të luftës së klasave;

 

- Autor i antarsimit të Shqipnisë në Konferencën Islamike;

 

- Autor i shtetit si hapsinë veprimi e organizatave terroriste islamike;

 

- Autore i tregtisë së naftës me ish Jugosllavinë që masakronte popujt e Ballkanit;

 

- Autor i Projekt Kushtetutës për ushtrim të ligjshëm të despotizmit;

 

- Autor i shtetit ndër ma anarkistët në botë, të korruptuem e të pasigurtë;

 

- Autor i zgjedhjeve t, v. 1996, që tronditën botën demokratike;

 

- Autor i shtetit piramidal e pasojat tragjike që rodhën prej tij;

 

- Kryautor i konfliktit me shtetin , ligjin, institucionet dhe jetën partiake;

 

- Autor i privatizimit të PD-së dhe të mbarë shtetit shqiptar;

 

- Autor i Gërdecit;

 

- Autor i 1000 të ligave të tjera, që opinioni i shëndoshë i njeh fare mirë.

 

Del pyetja, si mund të baheshin të gjithë këto krime nga personi të cilin prof. Gecaj e njeh mirë që prej ma shumë se gjysmë shekulli dhe ky të marrë guximin e t’i thurë lavdi? A mund të jetë i nderuem dhe i merituem një intelektual i rangut prof., që të shpërfillë interesat e vendit e të përpiqet të mashtrojë opinionin publik për personalitetin e DR. Sali Berishës? Po, asht e mundun, por vetëm për Proft e kalkulimit të ombrellave, për ata që ndryshe quhen servilë të pushtetit; i tillë asht z. Gecaj.

 

Se vetëm këta janë të aftë të shkruejnë: “ Një ndër ato skena, që ka mbetur e pashlyer në ndergjegjen e pastër të çdo shqiptari, është ajo, kur një manifestues i papërgjegjshëm dhe pa ndjenja atdhetare e flaku Flamurin Kombëtar Shqiptar përtokë, afër këmbëve të një ushtaraku”....” Sakaq, atdhetari trim, djaloshi Amarildo Yzeiri, ish-paqëruajtes në Irak, u vërsul me shpejtësi rrufeje, e mori ndër duar atë Flamur kuqezi, që kurrë nuk është përulur, as para armiqëve më të egër të Shqipërisë. E palosi atë me kujdes dhe e mori në mbrojtje, në trupin e tij të ngrohtë.

 

Për këtë akt burrëror e të jashtëzakonshëm, Kryeministri i Shqipërisë, Prof.Dr. Sali Berisha e përgëzoi atë përzemërsisht, në një takim të posaçëm me efektivat e Gardës së Republikës. I emocionuar dhe paksa i përskuqur në fytyrë, Amarildo tha se kishte bërë vetëm detyrën dhe se nuk mund të lejonte, në asnjë mënyrë, që Flamuri Kombëtar Shqiptar të hidhëj përtokë, si një leckë e të shkelej me këmbë.

 

Pra, si mua dhe çdo shqiptari, nuk na mbetet gjë tjetër, veç të shprehemi nga zemra:

 

-Të lumtë, djaloshi Amarildo Yzeiri! Duke e ngritur lart Flamurin Kombëtar Shqiptar dhe duke e futur e mbrojtur atë në gjirin tënd, ti kreve një detyrë të shenjtë atdhetare, e cila nuk do të harrohet asnjëherë nga bashkatdhetarët tu”.

 

Pra, mrojtja e flamurit nga ushtari i thjeshtë hyn në kontekstin e servilizmit ndaj Berishës, ndërkohë që asnjë fjalë të vetme nuk e shkruen për jetët e humbuna gjatë asaj dite, se për servilin Flamuri asht ma shumë se jeta e njeriut, ma shumë se shteti i së drejtës.

 

I bindun se për servilizmin i z. Gecaj ma shumë mund të mësoni nga vetë shkrimet e tij, mendoj të jetë e mjaftueshme sa thamë: pak konsideratë për ne që kemi mësue shkrim e lexim pa qenë të detyruem të shisnim shpirtin dhe nderin.



(Vota: 11 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx