E enjte, 01.05.2025, 07:47 PM (GMT+1)

Mendime

Lavdrim Lita: “Politika është një çështje shumë serioze për t’ua lënë politikanëve”

E merkure, 30.03.2011, 07:58 PM


“Politika është një çështje shumë serioze për t’ua lënë politikanëve”

 

Nga Lavdrim Lita

 

Duhet thënë patjetër se pas përgatitjes së terrenit në opinionin publik francez për ndërhyrje në Libi kundër regjimit të Gedafit, filozofi francez Berndard Henri Levy mund të konsiderohet si filozofi më i fuqishëm i botës. BHL, sic e quajnë shkurt fare Levy-n në Francë, e ka marrë seriozisht kauzën libiane pas takimit me Mustafa Abdul Jalil, ish-Ministri i Drejtësisë dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar i Tranzicionit të opozitës kombëtare. Ka udhëtuar me 4 mars drejt Libisë me sytë e gazetarit, i cili kishte nën krah një kopje të së përditshmes franceze Liberation. Gjatë intervistës, Levy i ka kërkuar gatishmërinë për të qenë në Paris. Po atë natë, ai ka marrë në telefon (satelitor) presidentin francez Sarkozy, duke e pyetur nëse ishte i gatshëm për të takuar “Masudin e Libisë”, referencë për Ahmad Shah Massoud, ish-liderin e forcave aleate në Afganistan, që është ende shumë popullor në mendjen e francezëve. Dhe Presidenti pranoi.

Rrëfimi personal i Levy është pak a shumë kështu: “I kam telefonuar presidentit të vendit tim nga Bengazi dhe i kam thënë se kam ca njerëz të mirë këtu, që kanë po të njëjtat vlera si ne, po shkojnë të luftojnë deri në fund kundër Gedafit dhe ne s’mund të lejojmë që ai të përmbushë logjikën e vet kriminale. A do të ishit Ju në gjendje t’i takonit në Paris, duke i dhënë kështu një mesazh të fortë kasapit? Nikolas Sarkozy tha direkt “Po”, nëpërmjet një intervistë për Global Viewpoint Network. Tre ditë më pas, tre përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit së bashku me Levi-n, takuan Sarkozy-në dhe drejtorin e politikës së jashtme, Jean-David Levitte, gjithashtu shkrues i fjalimeve të Presidentit Henri Guaino. Pak kohë pas takimit në Paris, Sarkozy njohu si qeveri të ligjshme të Libisë Këshillin e Tranzicionit. Në orën 14 të datës 17 mars, Sarkozy i telefonon Levi-t për t’i komunikuar se “kishte marrë vendimin e tij” shkruan gazeta franceze Le Figaro, “për një zonë Ndalim-Fluturimi”. Një ditë më pas Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1973, që kërkonte mbrojtjen e civilëve, me “çdo mënyrë të mundshme”, pa një pushtim tokësor të territorit libian.

Mirëpo imagjinojeni që një disi filozof shqiptar të marrë në telefon Berishën për ta pyetur nëse do të ishte i gatshëm për të dërguar trupa anembanë botës për të ruajtur paqen dhe civilët. Thjesht një gjë e tillë s’mund të ishte e mundur, pasi në Shqipëri filozofët mungojnë - paçka se ka në qarkullim kinse intelektualë si Rexhep Qosja apo ndonjë tjetër në moshë të thyer që marrin përsipër të kenë monopolin e së vërtetës mbi çdo ngjarje. Megjithatë kryeministri Berisha është shumë i ndjeshëm ndaj njerëzve me aftësi intelektuale mbi normalen, ngase po të lexosh fjalën që mbajti gjatë promovimit të botimit në shqip të pesë librave të Simon Sebag Montefiore, të cilat i sjell për lexuesin 55-a, Z. Berisha tha në një moment: “Vepra e zotit Montefiore ndriçon me vërtetësi të madhe të gjitha aspektet e njeriut që ndërtoi sistemin i cili u provua si eksperimenti më tragjik në historinë e njerëzimit, një eksperiment që kushtoi ndofta qindra milionë jetë, një eksperiment që, ashtu siç thotë Bernard Henri Levy u servir me fytyrë njerëzore, një barbari me fytyrë njerëzore”.

Në këto fjalime zyrtare kuptohet botëkuptimi intelektual i një prijësi, që edhe pse i mungojnë filozofët e mëdhenj, prapëseprapë ka ca njerëz afër që i ndriçojnë me pasion mendjen nëpërmjet botimit “shpejt e mirë” vepra që “pasurojnë në këtë mënyrë, realisht cilësore, bibliotekat e lexuesve të panumërt shqiptarë”.

Sidoqoftë në Francë ose Gjermani ka një traditë të filozofëve të angazhuar publikisht, çka është praktikisht e huaj për traditën shqiptare, aty ku është bërë kalldrëm që këshilltarët që duhet të këshillojnë janë ato që këshillohen. Vetëm mendimi për të pasur një BHL ose një Jurgen Habermas shqiptar duket gati-gati qesharake. Ne kemi një shkrimtar, pak intelektualë të mirë, ca botues të ndritur, shpesh gazetarë të mprehtë, aspak dramaturgë të zotë, por jemi vonë në filozofi praktike, ku ndihma e tyre do mund të ishte e patjetërsueshme në neutralizimin e frenetizmit të konsumimit të ngjarjeve të mëdha traumatike, të prodhuara nga politika. Dhe siç thoshte De Gol, “politika është një çështje shumë serioze për t’ua lënë politikanëve”.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx