Kulturë
Cikël poetik nga Vaso Papaj
E shtune, 05.02.2011, 08:57 PM
 Vaso Papaj
Vaso Papaj
Jo një natë, as dy, as tre*
 
Në korrik në mes të verës
S’e mbaj mend të cilit vit
Te ballkoni, prapa derës
Zëri i tij paprit u fik
 
Zbriti era e çakërdisur
E mbërtheu me shpejtësi
Nga foleja, të svarrisur
E përplasi në kuvli
 
Doje këng’, po këng’ të lir’
Përfundove në zinxhir’
Jo një natë, as dy, as tre
Po shtat’mijë  tridhjetetre
 
Pas bedenash si në varr
Ah zinxhir, more tinzar
Lidhe këngën, lidhe  erën
Mbaje lidhur dhe pranverën
 
Po një ditë ajo shpërtheu
Erdhi, këngën e rrëmbeu
Te ballkoni, prapa derës
Shpirt më dha në prag të verës
 
Ah, i dashuri trumcak
Shkove djal u ktheve plak
Jo një natë, as dy, as tre
Po shtat’mijë tridhjetetre
 
*Kushtuar këngetarit Sherif Merdani
Tashmë
 
Tashmë,
 në shtëpinë time  je një hije,
 natyrë mort e varur  në mur.
 Je një lëngim poezie,
  tokë pranverore pa grur’
 
Tashmë,
 për ty ndodhem larg
 dhe rrugët më nuk më gjejnë
 Nuk më ndërrojnë më zemrën
 as lotët lumenjë
 
Tashmë,
 je një kujtim në letër,
Harruar diku në sirtar.
 Një e re, mbetur e vjetër,
 i harxhuar kapar
 
Tashmë,
 një vështrim në skaj kyçur,
 në jetën time një dyshim.
 Në portë një menteshë e ndryshkur,
 lule e tharë në kopshtin tim
 
E tashmë,  
je zjarr i shuar.
Sa  jetuam bashkë, u dogj
Lëngim i kthyer  në lutje
Frut që stinës kurrë s’u poq.
Ti
Je mendimi  i pare:
Ledhatimi zgjues çdo mëngjes
Je e fundit dashuri:
Puhizë e mbrëmjes,
përkundsja  tërë shpresë
Je arsyeja më e thellë
e çdo hapi që hedh
Histori  më të pabesueshme
s’ kam njohur ndonjë herë
S’ më ndahesh,
s’ të ndahem
Në mëndjen time bredh.
Kërkoj
Kërkoj qiellin me balona
Dhe profumin e zambakëve
Përmbi degët me limona
Dua këngën e trumcakëve
 
Kërkoj shkak per t’ u harlisur
Fije bari, një akord
Në minor per ta ujdisur
Për të thënë : të dua fort
 
E në çaste hidhërimi
Kërkoj ty dhe gojën tënde
N’ sytë e tu më qesh agimi
Që ma jep gjithnjë me ëndje
 
Larg sëmundjes, nëpër bare
Larg sëmundjes, në bixhoz
Kjo periferi tinzare
Duket, veç me mua loz
 
Po s’ fiton sëmundja e vjetër
Nuk më mund jo jo mërzia
Unë nuk shkoj n’ato kotecër
E di mire, ç’ësht’ kotësia
 
Kërkoj syt’ e atij që niset
Të atij që vetëm ndahet
Të atij që shkon  me ngutje
Kërkoj vetëm të mos qahet
 
Dua sheshe urtësie       
Ndaj kërkoj  njerëz  me vlera
Një thërrime lumturie          
Dhimbjen ma largon përhera
 
E në çaste hidhërimi
Prapë kam ty dhe gojën tënde
N’ sytë e tu ësht’ pambarimi    
Ma dhuron gjithnjë me ëndje.

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










