| E shtune, 05.02.2011, 08:57 PM |
Vaso Papaj
Jo një natë, as dy, as tre*
Në korrik në mes të verës
S’e mbaj mend të cilit vit
Te ballkoni, prapa derës
Zëri i tij paprit u fik
Zbriti era e çakërdisur
E mbërtheu me shpejtësi
Nga foleja, të svarrisur
E përplasi në kuvli
Doje këng’, po këng’ të lir’
Përfundove në zinxhir’
Jo një natë, as dy, as tre
Po shtat’mijë tridhjetetre
Pas bedenash si në varr
Ah zinxhir, more tinzar
Lidhe këngën, lidhe erën
Mbaje lidhur dhe pranverën
Po një ditë ajo shpërtheu
Erdhi, këngën e rrëmbeu
Te ballkoni, prapa derës
Shpirt më dha në prag të verës
Ah, i dashuri trumcak
Shkove djal u ktheve plak
Jo një natë, as dy, as tre
Po shtat’mijë tridhjetetre
*Kushtuar këngetarit Sherif Merdani
Tashmë
Tashmë,
në shtëpinë time je një hije,
natyrë mort e varur në mur.
Je një lëngim poezie,
tokë pranverore pa grur’
Tashmë,
për ty ndodhem larg
dhe rrugët më nuk më gjejnë
Nuk më ndërrojnë më zemrën
as lotët lumenjë
Tashmë,
je një kujtim në letër,
Harruar diku në sirtar.
Një e re, mbetur e vjetër,
i harxhuar kapar
Tashmë,
një vështrim në skaj kyçur,
në jetën time një dyshim.
Në portë një menteshë e ndryshkur,
lule e tharë në kopshtin tim
E tashmë,
je zjarr i shuar.
Sa jetuam bashkë, u dogj
Lëngim i kthyer në lutje
Frut që stinës kurrë s’u poq.
Ti
Je mendimi i pare:
Ledhatimi zgjues çdo mëngjes
Je e fundit dashuri:
Puhizë e mbrëmjes,
përkundsja tërë shpresë
Je arsyeja më e thellë
e çdo hapi që hedh
Histori më të pabesueshme
s’ kam njohur ndonjë herë
S’ më ndahesh,
s’ të ndahem
Në mëndjen time bredh.
Kërkoj
Kërkoj qiellin me balona
Dhe profumin e zambakëve
Përmbi degët me limona
Dua këngën e trumcakëve
Kërkoj shkak per t’ u harlisur
Fije bari, një akord
Në minor per ta ujdisur
Për të thënë : të dua fort
E në çaste hidhërimi
Kërkoj ty dhe gojën tënde
N’ sytë e tu më qesh agimi
Që ma jep gjithnjë me ëndje
Larg sëmundjes, nëpër bare
Larg sëmundjes, në bixhoz
Kjo periferi tinzare
Duket, veç me mua loz
Po s’ fiton sëmundja e vjetër
Nuk më mund jo jo mërzia
Unë nuk shkoj n’ato kotecër
E di mire, ç’ësht’ kotësia
Kërkoj syt’ e atij që niset
Të atij që vetëm ndahet
Të atij që shkon me ngutje
Kërkoj vetëm të mos qahet
Dua sheshe urtësie
Ndaj kërkoj njerëz me vlera
Një thërrime lumturie
Dhimbjen ma largon përhera
E në çaste hidhërimi
Prapë kam ty dhe gojën tënde
N’ sytë e tu ësht’ pambarimi
Ma dhuron gjithnjë me ëndje.