Mendime
Kolec Traboini: Grusht Shteti
E premte, 28.01.2011, 08:57 PM
GRUSHT SHTETI
Kushdo që e ngre grushtin lart akuzohet për Grusht Shteti
Nga K. TRABOINI
Isha në kafe "Universi", në një kompleks të ri modern në Tiranë, ku një ekran i madh TV Plazma mbulonte tërë faqen e murit.U kënaqa. Krejt si në Boston, madje edhe pak më mirë. Pastaj u kujtova se atje në Boston ku kisha kohë unë të shkoja në kafene të këtij lloji. Luks fare. Më pelqeu konforti e ndenja paç, për shtatë palë qejfe. “Shqipëri kush si ti”- thashë nën zë por më dëgjuan. Në të vertetë unë me ato fjalë u ndjeva keq, sikur në shtëpinë e një të varuri të kisha përmëndur litarin, ndaj ca fytyra të egërsuara që ja kishin ngjitur sytë TV Plasma, u kthyen nga unë e më panë me dyshim. Kishin të drejtë. Opozita kish mbledhur popullin, ca thonë e kish ndërsyer, Qeveria nga ana e saj kish bërë të pabërën. Tre të vdekur nën dhè. Një në spitalin ushtarak as i gjallë e as i vdekur me plumb në kokë. U mblodha dhe po dëgjoja edhe unë si të tjerët çka po ndodhte sot në këtë Shqipërinë tonë famëmadhe. Thanë se Berisha u kish dhëne “amnisti” opozitarëve por veç Edi Ramën nuk e falte, se ky me Shikun, Prokurorinë dhe 200 halabakë si komunista lule kishin bërë grusht shteti për ti marrë kolltukun. Po a merret kolltuku?! Jo bre! Se kolltuku është si Atdheu, që siç thonë, as nuk ta shes e as nuk ta fali. Thanë edhe se po binte borë e madhe deri 2 metra në Pukë. Eh, thashë me vete, luftë me borën andej e luftë me kolltukët këndej. Që dymijë vjet nuk na u ndanë luftrat.
Isha duke rufitur një ekspres makiato kur emisioni kish ndrruar faqe..Kur çfarë të shoh. Të njohurin tim të vjetër Frrok Kaçupi. Kisha dëgjuar se ky shoku Frrok ishte si një ad interim në Qeveri dhe i ka zënë televizionet me rradhë, se, siç më tha një njeri pranë meje - do a nuk do, atë do të dëgjosh se është i përnatshëm.
Sapo u ul, fjala e parë ishte mbrojtja e Qeverisë.
- Bravo Frrok!- tha njëri.
- Posht Frroku!- tha një tjetër.
Unë po rrija në një anë se e di që kur zihen dy vetë e ha i treti. Dhe i treti isha unë. Por kur e pashë se u zbuten gjakrat, pyeta kinse nuk e dija Frrok Kaçupin.
- Mos është zëdhënës i kryeministrisë.
- Jo- më thanë-, por e bën gratis. Badiava fare.
- Fix fare- shtoi një tjetër. Në kafene plasi gazi. Jo gazi lotsjellës por e qeshura, se jemi në kohë lufte e gjërat mund të ngatrrohen.
- Punë vullnetare si në kohë të Enverit? – i pyeta me dyshim.
Më shikuan me habi se kujt ja mban të kritikojë Frrokun. Pastaj, gjysma e kafenes ishte me spiunë të qeverisë dhe nuk kishin ndërmënt ta pësonin si Shvejku, se si e kush e dhjerë portretin e kryeqeveritarit të kryeqytetit perandorak, ani pse nuk kishte pikë mize në janar.
- Edhe kështu edhe ashtu- ma kthyen- ai Agon e Perëndon në një cikël të pambaruar.
Po ku i mirrja vesh unë i humburi matanë oqeanit Agimet e Perëndimet e Frrokut.
- Ricikling- u thashë anglisht, si tu thosha “Eureka!”, duke harruar se nuk isha në Boston por në Tiranë.
- Jes men!- ma ktheu kamarjerja bukuroshe buzëgaz.
- Si është e mundur- u thashë- se Frrok Kaçupin e njoh mirë, po nuk ja mbushe sapllaken nuk e luan të ngratën
- Frroku është monument kulture. Mbrohet nga Qeveria - më thanë një zëri si të ishin deputetët në pushtet kur miratojnë vendimet e partisë së vet.
- Po ku mbllaçitet -u thashë.- Ku e ka taxhinë gazepi ?
Por më kot pyeta. Askush nuk më tregoi se çfarë burimesh ka ky Frrok.
Pashë ç'pash e u thashë:
- Më falni por ne që kemi njëzet vjet jashtë shtetit, jemi mësuar të njohim tjetrin në bazë të punës e jo të gunës. Punës së përditshme e çekut të përjavshëm. Se jashtë po nuk punove nuk ha.
- Po këtu në Shqipëri ha edhe pa punuar- ma kthyen pa e prishur terezinë.
- Si kështu?- pyeta.
- Hanë me llapë.
- Po llap kanë qentë – ua ktheva.
- Ohu dhe ti, këta janë qenë e shkuar qensh. Lehin për të zotin.
I thirra mendjes. Po për këtë i shoh për natë këtu "majtas djathtas".
Po le të ndjekim bisedën televizive rreth tryezës politike të datës 24 janar në mbrëmje. Sa u ul Frroku në karrike, pa i montuar mirë mikrofonin brofi në këmbë. Thamë karrikja do të kish pasë ndonjë gozhdë e i mjeri do të jetë shpuar në vend të keq. Por u gabuam. Të prapmen Frroku e kishte në rregull.
- Eshtë grusht shteti - tha Frroku.- dhe pikë.
- Po, dale mo Frrok, - i thosh Preç Zogaj - ku ka grusht shteti me çadra shiu?
Po ku i hante koka sqepar Frrokut. Ka një kokë ai. Grusht- shteti se s'bën.
Mu kujtua kryengritja fshatare-agrare-qyqare-qytetare e vitit 1997 ku Frroku në Vlorë ishte eksponent i madh fare e mbante fjalime si Robespjeri në Paris. Në Vlorë e Tepelenë ishin rrëmbyer armë, autoblinda e tanke. Por Frroku harron. Harron se ashtu ja do interesi. Simbas Frrokut ai atje në Vlorë nuk ka qënë fare grusht shtetit sepse ai ishte me tanke e topa, ishin rrëmbyer edhe rraketat, ndersa ky me 21 janar ishte me çadra e ristela, grusht shteti i mirëfilltë. U mundua i miri Preç Zogaj ta qetesojë e ti thojë se një grusht shtetit bëhet nga një pjesë e pushtetit mbi pjesën tjetër të cilën e nxjerr jashtë loje, e burgos, e ekzekuton, dhe merr pushtetin në mënyrë të jashtëligjëshme. Se nuk mund të merret pushteti, as të realizohet një grusht shteti me çadra shiu. Po Frroku është Frrok. Edhe kokën e ka Frrok. Dhe duhet të gjithë të mendojnë si Frrok. Se grusht shtetiit, sipas kokëfrrokut mund të realizohet edhe me çadra shiu, por shkoj më tej kur tha se në miting kish njerëz me armë. U treguan foto të serviruara nga policia (vidio monitori jepte pa pushim kronikat e demostratës) por ato dukeshin ashiqare se ishin çadra shiu që mblidhen e të futura nën rrip të pantallonave dhe specialistëve të policisë u dukeshin si pistoleta. Dyshime i kishin dhe ata. Gjë të saktë nuk ish. Se ndonjëherë nga frika të duket prifti gomar.
Tek e shihja Frokun që e mbronte me duar e me këmbë Qeverinë mu kujtua kur erdhi në Athinë në 1995 dhe dridhej nga frika se mos i kish dërguar Berisha ndonjë atentator ta hiqte qafe.
Mora përsipër një ditë ta shetisja në Athinë. E kalova nëpër lagjen më të vjetër të Athinës që konsiderohej historikisht si lagje e të pasurve, në Kolonaq. Prej andej rruga kalon në lagjen Plaka dhe më tej është Akropoli.
Pse më fute në rrugica, më tha i tmerruar ndërsa shkonim tek redaksia e gazetës tonë të emigranteve shqiptarë në gjuhën shqipe "Egnatia". I bënte sytë katër. Çakërr fare. Një andej e një këndej. Kudo shihte të dyshimtë. Mos na del njeri në rrugë. I qe mbushun mendja top se Presidenti kish nisur ndonjë atentator për kokë të Frrokut. Po Presidenti kish aq punë sa nuk i binte ndërmënd për Frrok. Por ama kish edhe frikën SHIK-ut. Sa delte njeri nga kthesa ,fytyra e Frrokut si meit. U nxeh. Kthehemi, më tha,. ndrrojmë drejtim. Mora një rrugë tjetër dhe e çova në Monastiraq. Punë pazari.
Ikën vitet. E jo pak 15 vjet. Që gjërat do ndryshojnë e mendoja por se ta shihja Frrokun që mbronte Qeverinë me të njëjtin kryeminister siç asokohe ish president, nuk e mendoja.Ndaj nuk po merrja vesh cilës kohë po i përkisja në atë kafene.
- Po kush është në qeveri, - pyeta.
Nuk e di a më morën për të marrë a jo, se unë jam tapë nga politika, por përgjigjen me kthyen:
- Eshtë ai qe ka qene.
- Po ai ka qënë president ç'ne tani kryeministër?...
Kësaj rradhe pyetjes time nuk ju pergjigjën se ju duka drrasë fare.
S'kisha çfarë të bëja, e me kë të flisja ndaj degdisa të flas me vete kinse i flisja Frrokut:
“Frika në b... atëherë, more Frrok, ndërsa tani bën trimin dhe mbron kryeministrin more Frrok. A bën mirë a bën keq puna jote, more Frrok. Por burri s'bëhet teneqe, more Frrok.
Këput edhe kopaçe fshatçe, more Frrok. Ja çfarë the ti more shoku Frrok: Demostrata do të thotë Demon e Monstra, the more Frrok. E gajase UFO-TV që drejtonte Çlirim Peka, more Frrok.
Kam qeshur me të madhe, more Frrok. Se ti i kishe mik grekët kundër Presidentit në 1997, more Frrok. Si s'ta mësuan fjalën Demos, more Frrok. Demos do të thotë popull e jo Demone e as Monstra , more Frrok.
Ti nuk je krejt i pa dalë, more Frrok. Si ti tha goja ato fjalë, more Frrok. Demokraci do të thotë pushteti i popullit, more Frrok. Demostratë kuptimi i forcës së këtij popull, more Frrok. Që populli të shpreh forcën e vet morale para pusht-pushtetarëve, more Frrok.
Po ku di ti çfarë është populli, more Frroku. Në rubrikën e pushtetit e partisë në “Zëri popullit” ke punuar, o more Frrok. Atëhere mbroje Enverin e tani mbron Salierin, more Frrok. Edhe ti edhe ata, që të tre keni qënë komunistë, more Frrok.
Po s'ta mbushi kush kandilen s’e luaj rrotaxhilen, more Frrok. Punë zanati e takati, more Frrok. Kështu e ka kryeplakun fshati, more Frrok.
Në këtë vend s’ njeh qeni të zonë more Frrok. Ndaj tek populli sheh Monstra dhe Demonë, more Frrok.”
24 Janar 2011
http://traboini-antologji.blogspot.com/