Shtesë » Lajme
Katër vdekje për 70 cm tokë dhe një apel
E premte, 11.01.2008, 06:19 PM
NGA LEXUESE Xhevahire Puci
Dy djemte e familjes Puci, vrare kater vjet me pare
Dy djemte e familjes Puci, vrare kater vjet me pare |
Hakmarrja ia verboi syte dhe vrau pas katër vitesh Bilbilin dhe pa dashje Mimozën, duke mos e ditur se ishte në makinë. Por është tmerr, s’mund të vazhdohet kështu. Prandaj përmes këtyre radhëve në gazetën “ Shekulli” dua t’u bëj thirrje burrave të të dy familjeve që të ndalin gjakmarrjen. Jam nënë dhe askush më mirë se unë s’mund të kuptojë dhimbjen e familjes Ferhati. E di çdo të thotë të humbësh dy fëmijë brenda ditës. Të dy si familje jemi fajtorë karshi njeri-tjetrit. Skemi pasur arsye të fortë për të shkuar deri në vrasje. Për hatër të të pafajshmëve që mund të vdesin kot, le të mos vritemi më. Të tre familjet në konflikt duhet të falim njëri-tjetrin. Le të pajtohemi me të drejtën, të ulim gjakrat dhe të mos shkaktojmë viktima të tjera. Para se të marrim vendime e të veprojmë duhet të mendojmë pasojat. Të dy si familje t’i bëjmë pyetjen vetes : Çfarë do fitojmë? Nëse pas kësaj ngjarjeje hakmarrja vazhdon, do shfarosim njëri-tjetrin. Ndaj si nënë dhe si një grua e përvuajtur i bëj thirrje të tre familjeve: Falni njëri-tjetrin dhe dilni lirisht në rrugë pa pasur frikë për të kthyer kokën pas. Falni njëri-tjetrin, mendoni për pasardhësit tuaj. Ka ardhë koha t’i jepet fund tragjedisë që nisi për 70 cm tokë midis lokaleve të familjeve tona.
*Redaksia mirëpret çdo përgjigje të familjes Gjeta. Çdo përgjigje për këtë apel për ndalje të gjakmarrjes, do të botohet në të njëjtën rubrikë dhe me të njëjtën gjatësi.