E diele, 28.04.2024, 03:24 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Trupat shqiptare në Irak, prova se Shqipëria do thirret për në NATO në samitin e Bukureshtit

E hene, 24.12.2007, 07:28 PM


Nga Gazeta 55
    
Vizitë-surprizë e kryetarit të shtetit Bamir Topi në Mosul, ku gjendet kontingjenti i 10 i komandove shqiptare paqeruajtëse. Medalja e artë e Shqiponjës, për ushtarët që kanë rreshtuar vendin në koalicionin e madh kundër terrorit. Familjarët e ushtarëve dhe përfaqësues të politikës, në union, përkrahin përpjekjet reformatore që do të sjellin marrjen e ftesës në samitin e ardhshëm të Aleancës Veri-Atlantike

Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave tona të Armatosura, Bamir Topi, vizitoi dje me rastin e festave të fundvitit, Kontigjentin e 10-të të forcave komando që shërbejnë në Mosul të Irakut, në kuadër të misionit paqeruajtës “Liria e Irakut”. Pas një takimi të ngrohtë e të përzemërt me oficerë, nënoficerë dhe ushtarë shqiptarë të këtij misioni, Kryetari i Shtetit dekoroi në një ceremoni të veçantë Kontigjentin e 10-të shqiptar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin “Për trimërinë, kurajon e profesionalizmin e lartë të treguar në operacionin Liria e Irakut, duke nderuar kombin shqiptar”. Kreu i shtetit, i shoqëruar në këtë vizitë nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha, është pritur gjithashtu nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave Shumëkombëshe në Irak, Gjenerali Deivid H. Petraeus. Ndërkohë Presidenti i Republikës Bamir Topi ka zhvilluar një komunikim telefonik nga baza e trupave aleate në Mosul me familjarë të komandove shqiptare, të mbledhur në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, duke u përcjellë krenarinë që ndjejnë të gjithë shqiptarët për 120 komandot që shërbejnë më profesionalizëm në këtë mision paqeruajtës. “Është një moment, kur me përfaqësues të Kontigjentit të 10-të të misionit të Forcave të Armatosura, të operacionit “Liria e Irakut”, ne patëm dhe kemi rastin që të bisedojmë dhe të vlerësojmë sukseset që ka arritur ky mision në Irak, në bashkëpunim shumë të ngushtë me përfaqësuesit ushtarakë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi marrë vlerësime të jashtëzakonshme për këtë Kontigjent dhe vlerësimi i parë vjen në planin moral”, deklaroi Topi. Kreu i Shtetit theksoi se “forcat tona komando kanë demonstruar një moral të lartë, gjatë gjithë kohës së shërbimit në Mosul, por kanë demonstruar gjithashtu edhe parametra të lartë profesionalë dhe çdo ditë po i rrisin këto parametra”. “Ato janë në një shërbim aktiv dhe me kalimin e ditëve marrin dhe detyra të reja operacionale. Ne kemi hyrë në komunikim me të gjithë përfaqësuesit e Kontigjentit për të parë cilat janë hallet e tyre. Sigurisht që jemi shumë të interesuar për ta edhe në planin njerëzor, sepse ata kanë ardhur këtu në shërbim të atdheut, por edhe në shërbim të familjeve të tyre, duke i ndjerë familjet sa larg edhe afër. Sa larg, pasi gjeografikisht jemi larg, por afër shpirtërisht, sepse komunikimi me strukturat, si dhe komunikimi nëpërmjet teknologjisë që është vënë në shërbim të tyre dhe sidomos kujdesi për familjarët është i tillë që edhe ata të ndjehen të qetë këtu”, deklaroi Topi. Më tej, ai u shpreh se “sot pata rastin të vlerësoj në mënyrë zyrtare Kontigjentin e 10-të, duke i dekoruar me Medaljen e Artë të Shqiponjës”. “Besoj që kjo nuk është medalja e parë dhe e fundit, sepse operacioni do të vazhdojë, misioni do të vazhdojë dhe jam i bindur që suksese të tjera ky Kontigjent do të ketë në të ardhmen, duke i dhënë vlera të reja Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve shqiptare. Duke shpresuar se aspirata që ne kemi për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO, në prillin e vitit 2008, në Samitin e Bukureshtit, do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për të gjithë, besoj se një vlerë po aq të madhe, po aq të jashtëzakonshme ka dhe kontributi i të gjithë ushtarakëve tanë që janë në misione jo vetëm në Mosul të Irakut, por edhe në Afganistan, në Bosnjë-Hercegovinë e kështu me radhë. Unë edhe një herë dëshiroj t’ju përcjell përshëndetjet më të mira të gjithë familjarëve, duke ju garantuar që i keni të gjithë mirë me shëndet e duke ju garantuar gjithashtu se keni përfaqësues mjaft të denjë, të nderuar, për të cilët duhet të krenoheni. Me këtë rast dëshiroj t’ju uroj të gjithëve së bashku gëzuar festat. Besoj se kjo klimë na ka emocionuar të gjithëve. Edhe një herë urimet më të mira”, deklaroi ndër të tjera Kreu i Shtetit. Ndërkaq, në emër të Shtabit të Përgjithshëm, zv/komandanti i Shtabit, Gjeneral Brigade, Agim Lala, ka përshëndetur Presidentin Topi për vizitën dhe i ka dhënë fjalën familjarëve të mbledhur, prindër, bashkëshorte e fëmijë, të cilët kanë mundur të komunikojnë me të afërmit e tyre që shërbejnë në Mosul. Drejtuesi i misionit shqiptar në Mosul, Major Behar Mara, në përshëndetjen e tij, ka shprehur angazhimin komandove shqiptare për të shërbyer në emër të atdheut, përkrah trupave aleate në misionin paqeruajtës Liria e Irakut. Familjarët e komandove shqiptare kanë komunikuar edhe me ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, si dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnant, Luan Hoxha.
Familjet e komandove shqiptare në Irak vlerësojnë vizitën e kryetarit të shtetit/Familjarët e komandove shqiptare që shërbejnë në Kontigjentin e 10 paqeruajtës në Irak kanë vlerësuar dje vizitën e Presidentit Bamir Topi dhe ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në bazën e trupave aleate në Mosul. Gjatë bisedës telefonike mes Presidentit Topi dhe ministrit Mediu me familjarë të komandove shqiptare, të cilët ishin mbledhur në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, ata kanë shprehur falenderime dhe mirënjohje për kujdesin e autoriteteve më të larta shqiptare për komandot shqiptarë që shërbejnë në Irak. Familjarët janë njohur me gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre, si dhe kanë vlerësuar maksimalisht vizitën e Kreut të Shtetit në Mosul. Në këtë komunikim telefonik, në emër të Shtabit të Përgjithshëm, zv/Komandanti i Shtabit, Gjeneral Brigade, Agim Lala, ka përshëndetur Presidentin Topi për vizitën dhe i ka dhënë fjalën familjarëve të mbledhur, prindër, bashkëshorte e fëmijë, të cilët kanë mundur të komunikojnë me të afërmit e tyre që shërbejnë në Mosul. Drejtuesi i misionit shqiptar në Mosul, Major Behar Mara, në përshëndetjen e tij, ka shprehur angazhimin komandove shqiptare për të shërbyer në emër të atdheut, përkrah trupave aleate në misionin paqeruajtës Liria e Irakut. Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave tona të Armatosura, Bamir Topi, vizitoi me rastin e festave të fundvitit, Kontigjentin e 10-të të forcave komando që shërbejnë në Mosul të Irakut, në kuadër të misionit paqeruajtës “Liria e Irakut”. Gjatë një takimi të ngrohtë e të përzemërt me oficerë, nënoficerë dhe ushtarë shqiptarë të këtij misioni, Kryetari i Shtetit dekoroi në një ceremoni të veçantë Kontigjentin e 10-të shqiptar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin “Për trimërinë, kurajon e profesionalizmin e lartë të treguar në operacionin Liria e Irakut, duke nderuar kombin shqiptar.” Presidenti Topi shoqërohet në këtë vizitë nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha.
Karabina: Vizita, mesazh për shqiptarët se jemi të gjithë së bashku për anëtarësimin në NATO/Zv/ministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, vlerësoi dje se vizita e Presidentit Bamir Topi, njëkohësisht Komandant i Forcave të Armatosura shqiptare, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, në Kontigjentin e 10-të të forcave komando që shërbejnë në Mosul të Irakut, në kuadër të misionit paqeruajtës “Liria e Irakut”, i shërben të gjithë shqiptarëve, i shërben për të dhënë mesazhin e madh që në këtë fundviti shqiptarët janë të gjithë bashkë në një qëllim dhe objektiv të madh, atë të anëtarësimit në NATO dhe zhvillimit në rajon. Karabina vlerësoi si pozitive që Kreu i Shtetit shkon në Irak dhe viziton trupat shqiptare atje, natyrisht në situatën e tanishme, kur kemi dy ngjarje madhore përpara, presim 20 prillin 2008 në Bukuresht që të marrim ftesën, njëkohësisht kemi dhe ngjarjet e fundvitit, festën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. “Ky është për mua një mesazh i madh jo vetëm për trupat që janë atje, jo vetëm për Forcat e Armatosura, por ky është një mesazh për të gjithë shqiptarët që në momente të tilla ne jemi të gjithë bashkë, të gjithë bashkë për një qëllim të përbashkët dhe këtë mesazh Presidenti i Republikës e ka dhënë me vizitën e tij në Irak”, tha zv/ministri i Mbrojtjes. Ai përmendi në këtë kontekst dhe vizitat e shumë kryetarë shtetesh, të cilat në prag të fundvitit shkojnë dhe bëjnë vizita në vendet më delikate, si Presidenti i Francës, Sarkozy, në Afganistan, po kështu Kryeministri Italian përsëri në Afganistan. Sipas zotit Karabina, kemi një lëvizje të kryetarëve të shteteve për të inkurajuar dhe mbështetur këtë nismë të madhe që bëhet për ruajtjen e paqes. “Ky është mesazh jo vetëm shqiptar, por është mesazh mbarëbotëror që njerëzimi është për paqe dhe pikërisht kjo është arsyeja që kryetarët e shteteve shkojnë dhe vizitojnë trupat e tyre”, tha zoti Karabina, duke shtuar se “natyrisht këtu ka dhe një aspekt njerëzor, përderisa këta ushtarakë, djemtë dhe vajzat tona ndodhen jashtë atdheut, për hir të atdheut, për të mbrojtur paqen dhe shkon Kryetari i Shtetit, së bashku me ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, kjo ka një dimension shumë të madh human”.
Fokus/Forcat Shqiptare në Irak, misione të vështira dhe vlerësime maksimale - Forcat komando shqiptare në Irak kanë si mision përgatitjen dhe zhvillimin e operacioneve stabilizuese dhe të sigurimit në mbështetje të koalicionit “Liria e Irakut”. Kontigjenti i 10-të Paqeruajtës është nisur në misionin "Liria e Irakut" në 6 shtator 2007. Ky kontigjent, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, përbëhet prej 120 oficerësh, nënoficerësh dhe ushtarësh profesionistë të Regjimentit Komando. Ashtu si dhe kontigjentet e mëparshme të kësaj njësie, ai kryen misionin në qytetin e Mosulit, në përbërje të një Brigade Shumëkombëshe të drejtuar nga SHBA dhe është angazhuar për ruajtjen e paqes në këtë zonë të largët, në veri të Irakut. Fillimisht, kompania shqiptare iu atashua Batalionit të 1-rë të Brigadës së 2-të, Divizioni 101 Airborne (i transportueshëm nga ajri), pastaj në vartësi të DREAR (Vendkomanda e Logjistikës e Divizionit). Ky është misioni më i mbështetur në të gjitha llojet e pajisjeve. Pikërisht, ishte kjo mbështetje që krijoi identitetin e forcave tona dhe që në të gjithë qytetin njihen si shqiptarë. Gjatë takimeve të herë pas hershme që ushtarakët shqiptarë kanë patur me ushtarakë të lartë amerikanë, si me Komandantin e Divizionit Gjeneralin Petreis, zv/komandantët e Divizionit, Gjeneral Major Sinclair dhe Gjeneral Major Shloser, Shefin e Shtabit të Divizionit, Kolonel Shoubek, komandantin e Brigadës së 2-të Kolonel Anderson, etj, është shprehur vlerësimi maksimal që ata i kanë bërë punës së komandove shqiptare.Më poshtë po japim disa nga dhënat e publikuara zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes, në lidhje me misionin paqeruajtës të trupave komando në Irak në periudha të ndryshme.
Detyrat gjatë misionit/Trupat komando që kanë shërbyer në Irak kanë patur si detyra shoqërim konvoi, pikë kontrolli (check point), patrullim në qytet, kontroll objektesh (banesash), ruajtja e qetësisë dhe e rendit publik (gaz, karburant), detyra siguruese (sigurimin e bazës, të shtabit, stacioni i trenit, etj), si dhe patrullim brenda dhe jashtë perimetrit të bazës. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, operacionet më të vështira për trupat komando shqiptare që kanë shërbyer në Irak vlerësohen, futja në Irak nga veriu i Kuvajtit deri në Bagdad me masa të plota sigurimi nga vetë ne, duke shkelur në zona që në çdo çast ishte prezent dhe na kërcënonte rreziku. Rruga për të arritur në Bagdat ishte 600 km, koha dy ditë. Shoqërimi i 2 konvojeve për sigurimin e grupit operacional të Divizionit të 101 Airborne për daljen nga zona e rrezikshme e Bagdatit në një distancë prej 40 km. Shoqërimi i 4 konvojeve të shtabit të D101ABN me të gjitha masat e sigurimit nga ana jonë. Përbërja e këtyre konvojeve shkonte deri në 318 makina, ku detyra jonë ishte sigurimi nga goditjet e befasishme të kundërshtarit, pasi lufta në këtë kohë nuk ishte shpallur e përfunduar dhe vatra të vogla të besnikëve të regjimit të Sadamit mundoheshin të godisnin forcat e koalicionit në hapësirat që mund të krijoheshin. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, kjo për trupat komando shqiptare ishte detyra më e vështirë si për planizimin e përdorimin e forcave e deri në finalizimin e veprimeve që do të kryheshin nga ushtarët shqiptarë. Në këtë detyrë kërkohej lëvizje e manovrime të shpejta të forcave për të bllokuar autostradat e Bagdatit për minuta të tëra dhe për të krijuar lehtësi dhe siguri, në mënyrë që ato të lëviznin të sigurtë edhe në zonat problematike siç ishin dalja e Bagdatit, kalimi i qytetit të Tikritit (vendlindja e Sadamit), Samarrah, etj. Gjithashtu, me dislokimin e forcave shqiptare në Mosul, janë kryer detyra të vështira si: sigurimi i aeroportit të Mosulit, në bashkëveprim me një kompani tankesh amerikane. Përveç 8 pozicioneve të luftimit, forcat shqiptare siguronin edhe forcën e reagimit të shpejtë. Qëllimi ishte përballimi i rrezikut të nivelit të shkallës së parë (sulmi ndaj aeroportit) dhe vonimi i rrezikut të nivelit të shkallës së dytë (depërtimi në aeroport). Po kështu, janë kryer detyra patrullimi në qytet ku, në bashkëveprim me ushtarët amerikanë, forcat shqiptare kanë bërë të mundur zbulimin e armëve, municioneve, kapjen e personave që i posedonin ato, duke i dërguar atë pranë organeve kompetente amerikane. Forcat komando shqiptare kanë mbajtur rregull dhe kanë ndihmuar në vendosjen e qetësisë në pikat e karburantit, të shpërndarjes së gazit, të mbajtjes në kontroll të trenave që lëvizin në qytet, detyra të cilat janë kryer shumë mirë dhe incidentet janë shmangur me qetësi. Detyra të tjera të kryera nga trupat shqiptare në Irak kanë qenë kontrolle banesash, ku ka patur dyshime se kryenin aktivitetin e tyre militante të Partise Ba’ath. Gjatë këtyre kontrolleve, për shkallën e lartë të profesionalizmit në kryerjen e detyrave, trupat komando shqiptare kanë marrë vlerësime të larta nga komandanti i batalionit të parë N/kol Hikman dhe komandanti i Brigadës së 2-të Kolonel Anderson.
Bashkëveprimi/Në të gjitha detyrat që forcat komando kanë kryer, shkalla e bashkëpunimit, qoftë për shkëmbimin e informacionit, ashtu edhe për planizimin dhe finalizimin e operacioneve, ka qenë e ngushtë duke shkëmbyer një përvojë dhe fituar një eksperiencë të re. Bashkëpunimi me ushtrinë e re irakiane ka konsistuar në vendosjen e lidhjeve miqësore me ushtarakët e rekrutuar rishtas, me qëllim lehtësimin e punës për koordinimin e veprimeve të përbashkëta në të ardhmen. Gjithashtu, trupat shqiptare që shërbejnë në Irak, gjatë patrullimeve, por edhe në rastet e tjera të daljes në qytet kanë fituar respektin e shumicës së popullsisë me qëndrimet e tyre korrekte, si dhe ndihmën e ofruar për zbutjen e problemeve të tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora