E shtune, 27.04.2024, 04:00 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Shqipëria, në dorë të emigrantëve

E diele, 16.12.2007, 03:21 PM


RAPORTI/ Publikohen të dhëna tronditëse. BSH: Pa dërgesat nga jashtë do të jetonim me 2 USD më pak në ditë

Banka e Shqipërisë ka publikuar së fundmi një raport me të dhëna tronditëse sa u takon buxheteve të familjarëve shqiptar. Në këtë raport del qartë se të ardhurat e familjeve shqiptare nuk janë të qëndrueshme dhe varen në pjesën dërmmuese të tyre jo nga aktivitetet fitimprurëse që zhvillohen në vendin tonë, por nga dërgesat e emigrantëve që ndodhen jashtë Shqipërisë. "Stastistikat përshkruese të të ardhurat ditore për frymë tregojnë se, përjashtuar kontributin e remitancave, familjet në pothuajse 40 për qind të rasteve, do të rezultonin nën kufirin e varfërisë," thuhet në raportin e Bankës. Më shumë se 26 për qind e familjeve në Shqipëri përfitojnë nga dërgesat e emigrantëve. Por sipas një raporti të Bankës Botërore në Shqipëri, jetojnë në varfëri ekstreme rreth 4 për qind e familjeve dhe në varfëri relative 18 për qind e tyre. Nga kjo del se nëse do të mungonin dërgesat e emigrantëve, gati 35 për qind e shqiptarëve do të jetonin në varfëri me më pak se 2 dollarë në ditë. Kufiri i varfërisë është 1 dollarë në ditë për frymë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se dërgesat e emigrantëve ose remitancat sicc njihen ndryshe përfaqësojnë një burim kritik të ardhurash për familjet, duke zënë mesatarisht 40.7 për qind të të ardhurave mesatare mujore. Në zonat rurale, ndikimi është më i theksuar dhe mesatarisht, vlerësohet në 45.7 për qind. Ndërkohë që, në zonat urbane kontributi i remitancave në të ardhurat mujore për familje, arrin në 36.7
Shqetësimi
Këto të dhëna tregojnë se sa të paqëndrueshme janë burimet financiare të familjeve shqiptare. Nisur nga kjo pak kohë më parë insitucionet ndërkombëtare që monitorjnë ekonominë shqiptare i kanë rekomanduar qeverisë sonë të fillojë të përpunojë strategjitë e duhura për të shmangur një krizë të mundshme. Statistikat botërore tregojnë se një emigrant dërgon të ardhura në vendin e tij të lindjes mesatarisht për 14 vjet. Më pas emigrantët ose kthehen përfundimisht ose fillojnë ta ndërtojnë jetën e tyre në vendin ku punojnë. Por paqëdnrueshmëria e këtyre dërgesave të emigrantëve ka qenë një shqetësim edhe i Bankës së Shqipërisë. Më shumë se 1 vit më parë guvernatori Ardian Fullani paralajmëroi se sektori i ndërtimit mund të goditet nga një krizë për shkak se burimet që financojnë atë nuk janë të qëndrueshme. Sipas të dhënave zyrtare dërgesat e emigrantëve dhe kredia janë dy financuesit kryesor të këtij sektori.
Dërgesat e emigrantëve
Sipas Bankës së Shqipërisë rreth 190 mijë nga 728 mijë familje ose afro 26 për qind e totalit të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave. Fluksi mesatar vjetor i dërgesave të emigrantëve për familje, vlerësohet afërsisht në 1 900 euro dhe ndryshon nga qyteti në qytet. Dërgesat janë më të shpeshta në zonat rurale. Rreth 59 për qind e familjeve pritëse banojnë në zonat rurale dhe rreth 41 për qind e tyre, në zonat urbane. Po kështu, në zonat rurale, totali i përfituar gjatë vitit përfaqëson rreth 64 për qind të totalit të përgjithshëm të remitancave vjetore.
Burimet e tjera
Sipas të dhënave zyrtare, për familjet e zonave rurale, të ardhurat nga aktivitetet bujqësore zënë vetëm 21 për qind të të ardhurave totale mujore, shifër kjo më e ulëta në rajon dhe me diferencë të theksuara nga vendet e tjera. Kjo tregon nivelin e prapambetur dhe problemet e shumta të bujqësisë shqiptare. Shifrat janë më tronditëse sa i takon aktiviteteve të biznesit. Në zonat rurale të ardhurat nga përshirja në sipërmarrje biznesi, zënë vetëm 4 për qind të totalit. Ndërsa në qytete përfitimet nga sipërmarrje biznesi, vlerësohen mesatarisht në 11 për qind të të ardhurave mujore.

Paratë e emigrantëve, shumica për konsum

Edhe pse ka më shumë se 17 vjet, që nga koha kur emigrantët shqiptar filluan të dërgojnë para nga jajshtë për familjet e tyre, pjesa dërrmuese e këtyre parave shkojnë për konsum. Ndonëse Shqipëria mbahet një nga vendet me dërgesa më të larta të emigrantëve në raport me Produktin e brendshëm Bruto, Banka Botërore ka vënë në dukje faktin se këto para deri më tani kanë shkuar në pjesën dërrmuese të tyre për konsum."Është shumë e rëndëishme, që tani të shohim disa nga këto fonde të kanalizohen në investime të rëndësishme, që të mbështesin rritjen ekonomike," thuhet në një raport të Bankës Botërore për Shqipërinë. Dërgesat e emigrantëve mendohet se përbëjnë gati 19 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto dhe deri tani kanë shkuar kryesisht për të financuar kërkesën e ekonomisë për mallrat e konsumit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora